VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SKËNDERBEU – KAMPIONI SHQIPTAR I LIRISË DHE KRISHTËRIMIT
Studim nga ARTUR VREKAJ

E Enjte, 10.25.2012, 04:14pm (GMT1)


WORCESTER, MA . Me Skënderbeun, kampionin shqiptar të Lirisë dhe Krishtërimit i tregojmë botës se ne, shqiptarët, jo vetëm luftuam për Liri dhe Pavarësi të Shqipërisë nga Perandoria Osmane por edhe nuk lejuam që harta e Perandorisë Osmane të zgjerohej më tej në Europën Perëndimore duke treguar kështu shpirtin e pamposhtur të një kombi që kurrë ndonjëherë s'u përkul dhe s'u përhumb para pushtuesve historikë.

Kaq e përnjohur ishte lufta heroike e Skënderbeut në Europën Perëndimore në vitet 1444 deri 1468 sa "Mbretëria Kristiane ishte e mbushur me famën e Skënderbeut". 1) Me Skënderbeun, Shqipëria sjell në historinë Europiane dhe Botërore rolin udhëheqës të tij si një nga figurat më madhore të Botës Kristiane të Mesjetës si pasardhës i denjë i udhëheqësve Ilirë të Perandorisë së Romës, në veçanti i Konstandinit të Madh që përligji krishtërimin si besim por edhe e zhvendosi qendrën e perandorise Romake në Lindje duke ndikuar edhe gjeografikisht në hartën e Botës Kristiane. Për nga dashuria e pashembullt për vendlindjen, Shqipërinë, bashkimi i shqiptarëve, shtetbërja dhe aftësia udhëheqëse ushtarake ai ngjan me Pirron e Epirit që bashkoi si kurrë ndonjëherë Ilirët e Jugut me Lidhjen Epirote të Kaonisë dhe iu gjend popujve fqinjë në ndihmë, në emër të fqinjësisë e paqes rajonale në Mesdhe. Akoma më shumë edhe sepse Pirro i Epirit është krahasuar për nga mënyra e të luftuarit me shpendin simbol të tokës amtare dhe të flamurit tonë kombëtar shqiponjën!

Kur perandoria Romake pushoi së funksionuari, territoret e banuara nga shqiptarët ranë në duart e familjes së Kastriotëve si dhe të fiseve të tjera shqiptare të fuqishme, por Shqipëria ishte pjesa më e fuqishme dhe më e pasura e tyre me Krujën kryeqendër.

Kush ishte Shqipëria e periudhës së Skënderbeut (1443-1468)? "...një emër, i cili është i njohur ndër vendet Kristiane. Pjesa veriore formoi Ilirinë e Perandorisë Romake dhe pjesa Jugore ishte identike me Epirin ...Në perëndim ishte e lagur nga detet Adriatik dhe Jon. Në Jug ishte kufizuar me Greqinë. Në lindje kufizohej nga Thesalia dhe Maqedonia. Në veri kishte Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjen... Sot shqiptarët trashëgojnë karakterin e lashtë Ilir.... Ata (shqiptarët, shënimi im A.V) janë racë luftëtare." 2)

Skënderbeu është shkruar si Mbret i Epirit dhe Shqipërisë edhe për arsyen se kështu quhej edhe babai i tij, Gjon Kastrioti Mbret i Epirit dhe Shqipërisë. Në pamundësi numerike dhe gjendjeje ekonomike për ta përballuar Perandorinë Turke pas dekadës së dytë të viteve 1400-të Gjoni e lejoi Sulltanin ti merrte peng katër djemtë e tij në shkëmbim të ruajtjes së zotërimeve të tij por edhe për të shmangur rrezikun e shndërrimit të Shqipërisë në vend lufte. Një arsye tjetër është edhe rritja e aftësisë së tij për të shmangur armikun me pak humbje në anën e tij. Më i vogli i vëllezërve Kastriotas që shfaqi cilësi të rralla ishte pikërisht Gjergji, që iu dha emri Skënderbe sipas Aleksandrit të Madh.

Pas stërvitjeve të vazhdueshme, Skënderbeu në Turqi u formua me të gjitha njohuritë e të luftuarit dhe të drejtuarit. Në luftrat në Atolia Skënderbeu tregoi vendosmërinë dhe kurajon e një luftëtari te madh. Sulltan Murati i dha komandën e pesë mije kalorësve kur ishte vetëm 19 vjeç dhe pak më pas titullin Pasha. Kur Sulltani u nis me ekspeditë në Europë ai i la Skanderbeut komandën e të gjithë trupave në Azinë e Vogël, detyrë që e kreu me sukses. Aq shumë shkëlqeu Skënderbeu në shërbim të Perandorisë Osmane sa Sulltan Murati e thërriste atë: syri i djathtë, dora e djathtë, mbrojtja e tij dhe e zotërimeve të tij.

E gjithë lavdia që ai mori në krah të Turqve nuk e bëri Skënderbeun ta fshinte nga mendja dhe zemra dashurinë për Shqipërinë, për vendlindjen e tij dhe besimin fetar të pararadhësve të tij. Skënderbeu u dërgua disa herë në krye të ushtrive turke kundër Hungarisë. Në të njëjtën kohë ai u soll me vendosmëri dhe nuk e humbi reputacionin ose të jepte shenja apo ngrinte dyshime për tradhti dhe humbjen e besimit nga Sulltani për të.

Vdekja e të jatit, Gjonit dhe ripushtimi i Shqipërisë si dhe helmimi i tre vëllezërve pengje nga Sulltani ia rriti akoma më shumë dëshirën Skënderbeut për tu kthyer në Shqipëri për ta çliruar atë përfundimisht nga zgjedha e sundimit Osman.

Edhe pse Sulltani e vuri komandant të ekspeditave ushtarake përballë rreziqeve të mëdha të luftrave me Despotin George, lordin e Misia si dhe të dyluftimeve brenda Portës së Lartë për ta vrarë atë Ai prapëseprapë kurrë nuk dha një shenjë kundërshtimi, përkundrazi, Ai i meritoi nderimet e të gjithë ushtarakëve edhe për atë që ai u prezantonte atyre: guximin, kurajon dhe trimërinë e pashoqe.

Skënderbeu mbante kontakte të vazhdueshme me princërit shqiptarë nëpërmjet korierëve të tyre që lajmëronin atë se sa shumë e prisnin ti afronin ndihmën e tyre për ta çliruar Shqipërinë nga tirania turke. Skënderbeu mendohej se si tua merrte turqve Krujën kryeqyetin e Shqipërisë. Ai punoi shumë për planin e kthimit në Shqipëri bashkë me patriotët e tjerë në mënyrën më të efektshme e më të zgjuar pa rënë në sy të Sulltanit.

Në mënyrë sekrete, pas Betejës së Nishit kur Skënderbeu mbërriti në Dibër në krye të 300 kalorësve u dërgoi lajmëtarë princërve kryesorë të Shqipërisë ta takonin atë. Ai u bëri të njohur njerëzve qëllimin e ardhjes se tij dhe ata e përshëndetën me demonstrime të pakufishme ku gezimi dhe ndikimi ishte shumë i madh dhe çdo ndihmë dhe shërbim ju afrua atij në shkallën më të lartë.

Kongresi Amerikan më 28 tetor 2005, votoi rezolutën numër 522 për të nderuar ditën e 600-vjetorit të Lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si burrë shteti, diplomat dhe ushtarak gjenial për rolin e tij në mbrojtjen e Europës Perëndimore nga pushtimi Turk ku midis të tjerash thuhet: "...më 28 Nëntor 1443 Skënderbeu u kthye në vendlindjen e tij, qytetin e Krujës dhe ngriti përsëri flamurin e Tij me shqiponjën dykrenare përmbi Kështjellën e Bardhë me një manifestim entuziast të njerëzve të Tij si një moment historik i përshkruar e përjetësuar nga poeti Amerikan Henry Wadsworth Longfellow, në poemën epike "Scanderbeg"."

Fitorja e Skënderbeut kundër ushtrisë Turke në zonën e Dibrës më 1444 " mbushi botën Kristiane Perëndimore me gëzim dhe shpresë, përuroi Pavarësinë e Shqipërise, të cilën Skënderbeu e mbajti për më shumë se njëzet vjet...Ai ishte vetë hero i heronjve" 3)

Sulltan Murati II dhe djali i tij, Muhameti i Madh edhe pse pushtuan dy perandori: Kostandinopojën dhe Trapezondin, dymbëdhjetë mbretëri dhe pesëqind qytete kurrë nuk mundën të pushtonin Shqipërinë pas kthimit të Skënderbeut për një cerek shekulli rresht.

"Trupat e tij (të Skënderbeut, shënimi im, A.V.) kurrë nuk ishin mundur në ndonjë betejë në të cilën ai ishte present. ''4)

Aq është vlerësuar figura historike e Skënderbeut sa Perëndimi e donte dhe e ndihmonte edhe kur parashikonte se ofensivat Turke do të rrezikonin jetën e tij.

"Më 4 prill 1461 me rezultat votimi 31 me 2 Senati i Raguzës instruktoi Rektorin dhe Këshillin e tij që ti afronte Skënderbeut një vend qëndrimi për familjen e tij në ishujt e saj në se do të ndodhte që atij do ti rrezikohej jeta nga Turqia"5)

Duke u thelluar në njohjen e figurës dhe të jetës së Skënderbeut ne ushqehemi ta duam akoma më shumë Shqipërinë, atdheun, të cilin Skënderbeu e deklaroi si atdhe i trashëguar nga të parët tanë ilirë dhe pellazgë. Në qindra vepra dhe studime kushtuar Skënderbeut nga autorë shqiptarë, italianë, anglishtfolës, francezë, gjermanë, etj por edhe në letërkëmbimet e Vatikanit apo dhe me emisarë të Perëndimit si dhe sulltan Muratin II ai cilësohet si Princ ose Mbret i Epirit dhe Shqipërisë.

Ja si i drejtohet Sulltan Muhameti në letrën që i dërgon Skënderbeut më 22 qershor 1461: "Skënderbeu, princ i Shqiptarëve dhe Epirjotëve"6)

Në fakt, për botën akademike kjo mënyre të shkruari a të shprehuri është më se e qartë. Nga autorët e lashtë Epiri është quajtur Kaoni, Mollosi dhe Thesproti (Camëri) ku përfshihen dhe shumë fise te tjera. Është Shqipëria e Jugut që lulëzoi si në kohën e Aleksandrit të Mollosisë, të Pirros më shumë që e bashkoi por edhe të Ali Pashë Tepelenës.

Emri i Epirit është përdorur në përkthimet e Jacques De Lavardine si vendlindje dhe origjinë e Marin Barletit: "Marin Barleti, prift i Shkodrës në Epir, prej të cilit cdo pjesë e historisë është studjuar fjalë për fjalë."7)

Emri i Epirit për Shqipërine dhe shqiptarët e shekullit XV është i identifikuar më së miri me të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët në Ballkan që natyrisht është sipërfaqe më e madhe se zotërimet e Skënderbeut. Kjo pranohet edhe nga Perëndimi sepse edhe në dokumentat e Vatikanit është shkruar si e tillë, bile ishte projektuar nga Vatikani që Skenderbeu për meritat e tij në luftë kundër Perandorisë Turke të kurorëzohej Mbret i një sipërfaqeje të konsiderueshme të vendeve të Ballkanit edhe më shumë se vetë Illyria edhe pse Skënderbeu kurrë nuk pati ambicie pushtuese në udhëheqje të Shqipërise për 25 vjet!

Skënderbeu me luftën titanike kundër Perandorisë Turke për 25 vjet rresht e rifuti kështu Shqipërinë në hartën e Botës Kristiane dhe ai kishte aleancë të plotë me Napolin, Selinë e Shenjtë, Venecian dhe Raguzën. Ndërkohë, ai bashkoi princat shqiptarë dhe mbështeti e dëgjoi nga afër këshillën e Autoritetit Kristian në Shqipëri duke arritur më vonë të kishte në Këshillin e Shtetit Shqiptar edhe Arkbishopin e Durrësit Pal Engjëllin që gëzonte mbështetje popullore të plotë. Duke ndalur një nga fuqitë ushtarake të kohës që kish zaptuar territore europiane ai ndihmoi kështu Europën Perëndimore që jo shumë e vlerësoi rrezikun Turk përvec Venecias, Napolit dhe Selisë së Shenjtë.

Kur Papa Nicholas V (1447-1455) dëgjoi për kurajën dhe fitoret e Skënderbeut, ai i dërgoi atij një urim shpirtëror special duke e quajtur Skënderbeun:" kampion dhe mburojë e Mbretërisë Kristiane".

Më vonë, Papa Calistus III e quan Skënderbeun "Ushtar i Krishtit". 8)

Nga letrat e Papa Piu II për Skënderbeun në vitin 1463 mësojmë se Papa propozonte se ai do të linte Romën në krye të një ushtrie-kryqëzate të madhe kundër Fuqisë Turke; ai deklaronte se do ti hipte anijes në Ankona dhe do të kalonte pastaj në Epir ku ai do ti japë titullin (kapelen) e kardinalit Pal Engjëllit, arkbishop i Durrësit dhe të kurorëzonte Skënderbeun mbret i Epirit dhe Shqipërisë si dhe ta emëronte atë Komandant të Forcave Kristiane. Besimi në autoritetin e Skënderbeut dhe aftësitë e tij ushtarake ishin në shkallën më të lartë sepse Europa Perëndimore s'kishte asnjë figurë tjetër më të përzgjedhur e më të kompletuar politikisht dhe ushtarakisht se Skënderbeu për të përballur ushtrinë Turke.

"...në qoftë se Skënderbeu do të merrte komandën si Gjenerali Kryesor i kësaj ekspedite (ekspeditës së të gjithe forcave kristiane, shënimi im A.V) atëherë do të kishte vetëm pak dyshim se forcat kristiane do të fitonin."9)

Edhe Bishopi i Romës, Duka i Milanit në vizitën që i bëri Skënderbeut në Napoli, kur ishte bashkë me Mbret Ferdinandin e nderoi Skënderbeun, dhe e siguroi dhe e garantoi se së shpejti Papa Piu II me Kryqëzatën që do të organizojë e drejtojë mundet të shkojë në Epir qëllimisht, të marshojë kundër Turqve dhe ai (Papa Piu II) do ta kurorëzonte Skënderbeun Mbret të Epirit dhe Shqipërisë, Maqedonisë, Trakës dhe Rumanisë dhe do ti besojë ushtrine Kristiane duke i dhënë komandën dhe qeverisjen si Gjeneral i Luftës kunder armiqve.

Kjo ishte arsyeja që Sulltan Muhameti kërkonte paqe me Skënderbeun pasi ja kishte frikën organizimit dhe udhëheqjes së këtyre trupave Kristiane pasi i njihte aftësitë e Skënderbeut.

Sulltan Muhameti në një letër më 7 maj 1463 e cilëson në shkallën më të lartë Skënderbeun " ... kam rënë dakord me admirim të madh më i shquari Skënderbe...Ju, duke qënë një Princ me heroizëm dhe princërim perfekt..."10) po të kemi parasysh që Sulltani e njohu zotësinë e një strategu ushtarak si Skënderbeu që në Portën e Lartë.

Shpata e Skënderbeut mori famë ngaqë e priste dhe helmetën në mes, aq sa Sulltani dërgoi njerëz për ta parë nga afër se sa e vërtetë ishte kjo. Clement Moore nënvizon se efekti i madh prodhimit nuk mund ti atribuohet perfeksionit të një arme por tek fuqia e një krahu prej së ciles ai hapet.

Me një disavantazh të thellë në sasinë numerike të forcave Skënderbeu tregoi se ishte një strateg i madh ushtarak në fushëbetejë duke e zotëruar e praktikuar artin e të luftuarit në terrene malore, siç ishte shumica e Shqipërisë, e në veçanti pozita gjeografike e favorshme e Krujës që ishte edhe aleati më i madh në fitoret e bujshme të tij, që zënë fill qysh pas kthimit të tij në Shqipëri.

Letrat që Mbreti Alfonso i dërgoi Skënderbeut bashkë me 1500 trupat dhe me furnizime të tjera u lexuan në publik në Asamblenë e popullit. Skënderbeu me një fjalë entuziaste ju drejtua ushtarëve para se të niseshin me ekspeditë në qytetin e Beogradit ku do të prisnin të luftonin me ushtrinë Turke: "Ky është i njëmbëdhjeti vit në vazhdimësi o ushtarët e mi të mirë që ne kemi kembengulur për rimëkëmbje dhe zotërim për vendin tonë Epirin ..."11)

Në prag të gjysmëshekullit të dytë të shekullit XV Perandoria Turke u zgjerua pasi u zhvendos drejt Europës duke pushtuar në fillim Ballkanin, Kostandinopojën, me vonë Shqipërinë, Serbinë dhe shumë territore të perëndimit.

Ushtritë Turke ishin në Juglindje të Europës, në Ballkanin Perëndimor dhe po bëheshin kërcënim i madh për Botën Kristiane që ishte zvogëluar aq shumë që nga periudha e ndritur e Perendorisë së Romës kur në krye ishte Perandori Ilir, Konstandini i Madh. Brigjet shqiptare të Adriatikut u bënë mburoja e krishtërimit në saj të heroizmit të pashoq të përbashkimit të shqiptarëve nën Skënderbeun që për një periudhë të gjatë i dhanë një ringjallje të re ndjenjës kombëtare për liri dhe pavarësi si dhe për më shumë, dëshirën për ndërtimin e një shteti kristian shqiptar të centralizuar.

"Më 4 qershor 1457 Callikstus III i shkruan Skënderbeut të qëndrojë, pa e dekurajuar atë në rolin e tij si atlet dhe mbrojtës i vërtetë i besimit kristian që Zoti kurrë më nuk do ta dezertojë sic bëri me Hunjadin një vit më parë ."12)

Me 10 shtator 1457 Papa Callikstus III kishte vendosur që pjesa e trete e ndihmës financiare nga Dalmacia duhet të ishte në dispozicion të kreut shqiptar, Skënderbeut. Papa komandoi legatën e Tij të shkojë në ndihmë të Skënderbeut, të paktën me një pjesë që operonte në detin Egje.

Më 11 shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan Skënderbeut se ai kishte marrë lajme të këqia nga përfaqësuesi shqiptar që Skënderbeu kishte dërguar në Romë. Papa i premtoi Skënderbeut fonde nga paratë që ishin mbledhur për kryqëzatën në rajonet e Raguzës dhe Dalmacisë... Duke i bërë nderime të mëdha Skënderbeut, për vlerat dhe famën që kish fituar Papa nënvizon: "Ta ndihmonte Atletin Shqiptar dhe kampionin, akoma më shumë, Papa mendonte të dërgonte Flotën e Trevisian të Cardinalit Lodovic ose një pjesë të saj nga operacionet e Mesdheut Lindor nëse duhej..." 13)

Më 17 shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan përsëri Skënderbeut:"Fort i dashur djalë! Vazhdo të mbrosh besimin Kristian! Zoti për të cilin ju luftoni nuk do ta lërë kauzën e tij, ,.. unë jam shumë i sigurtë, Ai do të garantoje sukses kundër Turqve dhe mosbesimtarëve të tjerë për Ju si dhe kristianët e tjerë me shkëlqim e nder të madh!" Pas fitores në korrik 1457, Skënderbeu informoi Princat Perëndimorë se: "ai (Skënderbeu, shënimi im A.V) nuk ishte në pozicion të sillte luftën në një konkluzion të pëlqyer pa ndihmë të mëtejshme. Ka ardhur koha nënvizonte Skënderbeu të ngriheni nga letargjia juaj, të lini mënjanë mosmarrëveshjet dhe të bashkoheni me mua me të gjitha fuqitë te sigurojmë çlirimin e Botës Kristiane dhe të sigurojmë të ardhmen." 14)

Skënderbeu ishte ushtar dhe gjeneral njëherësh. Selia e Shenjtë e mbështeti atë në çdo mënyrë e në vazhdimësi dhe solli paqe tek ai. Papa Callikstus III më 23 dhjetor 1457 e emëroi Skënderbeun Kapitenin e Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë për Luftën Turke. 15)

...Pas një viti qëndrimi të Skënderbeut në Itali, Mbreti Ferdinand mblodhi gjithë krerët e ushtrisë së tij per ta nderuar dhe falenderuar duke e thirrur Skënderbeun në emrin e babait; e gjersa ai jetoi nuk pushoi së nderuari atë. Ai i dha Skënderbeut si dhuratë qytetin Trana dhe dy vende të tjera në Pulia.

Skënderbeu e përmbushi idealin e heroit Katolik, të burrit të fortë që jeton me besim . Ai tregoi besnikëri të pashoqe edhe ndaj aleatëve të cilët i qëndruan afër sidomos, mbreti i Napolit. Ja si e përshkruan Skënderbeun Lavardine :

"Një mbrojtës i vërtetë i kurorës së Ferdinandit, mbretit të Napolit dhe një shoqërues i tij larg duarve të armiqve të tij." 16)

Skënderbeu e udhëhoqi luftën kundër turqve me vizionin bashkues të të gjithë faktorëve shqiptarë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Përqafimi i besimit Kristian e bëri atë edhe më shumë mik me Seline e Shenjtë dhe me Botën Kristiane. Nuk ishte e rastit që Skenderbeu të kishte si anëtar të Këshillit të tij (shtetit shqiptar) edhe arqbishopin e Durrësit, Pal Engjëllin, i adhuruar nga të gjithë shqiptarët. Fakti, që interesat e Mbretërisë Kristiane përputheshin me interesat kombëtare të Shqipërise e bëri edhe më kuptimplotë aleancën e tij me Selinë e Shenjtë por edhe me shtetet e tjera italiane apo dhe me Hungarinë.

Vetëm në saj të aftësive të tij udhëheqëse dhe vizionit të tij të qartë për Shqipërinë shtet të Pavarur nga asnjë fuqi e në veçanti për ta mbrojtur me çdo kusht nga zgjedha turke Skënderbeu arriti të fitojë respekt dhe simpati jo vetëm në Botën Kristiane por edhe ndër armiqtë e tij. Sukseset e tij në betejat e përvitshme me Turqinë treguan se shqiptarët nën udhëheqjen e tij janë vërtet të lindur për ta mbrojtur vendin e tyre. Ushtria e Skënderbeut ishte ushtri popullore që kishte rrënjë të thella në shtresat e të gjithë shoqërisë shqiptare. Edhe pse në radhët e shqiptarëve kishte dhe kundërshtarë të blerë lehtas nga Turqia, prapëseprapë Skënderbeu hodhi në popull rrënjë të thella si luftëtar dhe udhëheqës i denjë, trim e i papërkulur, që ja ngriti nderin dhe lavdinë Shqipërise dhe kombit shqiptar. Ndaj edhe Lavardine nënvizon se" të dy palët si shqiptarët dhe armiqtë e Skënderbeut konfirmuan hapur me një zë se Skënderbeu ishte ushtari më i shkëlqyer dhe luftëtari më trim në të gjithë botën". 17)

Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar i shquar për mbrojtjen e vendit dhe të krishtërimit. Ai ishte dhe një politikan realist me një vizion të kthjellët si dhe Selia e Shenjtë kundrejt marëdhënieve me Turqinë. Skënderbeu besonte se çmimi final i paqes me turqit do të ishte një shërbim degradues ndaj kombit dhe vendit nëse ai do të bënte paqe me Portën e Lartë si dhe fqinjët e tij : Venediku, Moreja, Genova etj.

Pa asnjë dyshim Selia e Shenjtë e shikonte Skënderbeun si kampion të Krishtërimit, sepse Skënderbeu kishte ambicje vetëm në Shqipëri dhe po punonte të ndërtonte një shtet shqiptar të Pavarur, të centralizuar, duke lënë mënjane feudalët që kishin zotërime dhe herë-herë i kundërviheshin forcërisht duke kërkuar e përdorur ndihmën turke kundër Skënderbeut.

Pra, kishim dy këndvështrime të lirisë së shqiptarëve nën administrimin Turk. Shefat fedualë e kishin mendjen tek kaosi i së shkuarës që të përfitonin vetëm për vete. Dominimi Turk do të kishte sukses dhe do të bënte më të keqen në dëm të Shqipërisë dhe popullit në të dy rastet ose sipas opinionit të Skënderbeut, shefat feudale do ta shkëpusnin Shqipërinë si "republika kristiane" nga Komuniteti Europian.

Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XV gjendja paraqitej edhe më e vështirë për Shqipërinë dhe Botën Kristiane. Në maj 1466 një korier i Skënderbeut mbërrin në Raguza dhe shpie lajmin e humbjes së Skënderbeut nga tradhëtia ku një numër i madh kristianesh shqiptarë ishin vrare. Italianët ndjenë panik serioz dhe Piero de Medici derdhi lotë për fatin e Shqiperisë dhe premtoi ndihmë. Papa Piu II që tashmë e kishte ndihmuar Skënderbeun dërgoi përsëri para dhe nuk humbi kohë të thërriste fuqitë Kristiane të bashkohen mes tyre. Rreziku i fuqisë Turke ishte real, aq më tepër në kufijtë e Europës Perëndimore.

"Në korrik të vitit 1466 Papa kërkoi ndihmën e Princërve Europianë në emër të Skënderbeut" 18)

Fati i Shqipërise varej nga qëndresa e Krujës tashmë e rrethuar nga forcat e Ballaban Pashës dhe nga përgjegjësia e aleancës se qetë te Skënderbeut me Venedikun. Duke parë e analizuar situatën e vështirë në të cilën ndodhej vendi dhe ushtria shqiptare, Skënderbeu vendosi të shkojë vetë në Itali, të lutet për të kërkuar para dhe armë nga Roma, Papati dhe Napoli.

Kështu, më 12 dhjetor 1466 kampioni shqiptar, Skënderbeu arriti në Romë ku u prit me nderime. Biografi i Skënderbeut Marin Barleti jo vetëm pasqyron nderimin dhe pritjen e ngrohte të Heroit në Romë por ai thekson se, Papa si dhe Kardinalët u përgjigjen me shumë bujari kërkesave të tij. "Me shumë dhurata dhe me një shumë të konsiderueshme parash, Skënderbeu u kthye i përshëndetur dhe i inkurajuar tek populli i tij.19)

Në librin e llogarisë së Selisë së Shenjtë, është shënuar se Skënderbeu ka marrë si fillim 250 dukate, më pas 200 dukate dhe më 17 prill 1467, 2700 dukate dhe më 1 shtator 1467, 1100 dukate. Sipas Secret Consistory të 7 janar 1467 ndihma për heroin shqiptar ishte miratuar. Papa kishte probleme serioze lidhur me marëdhëniet ndërshtetërore me Mbretin e Napolit (mikun e Skënderbeut) dhe për këtë arsye Selia e Shenjte s'mund të bënte më shumë për kampionin e Shqipërise. "Secret Consistory i datës 12 janar 1467 vendosi se për cdo rast Skënderbeu duhet të ketë 5000 dukate."20)

Jo vetëm Venecia, Selia e Shenjtë por edhe Mbreti i Napolit me të cilin kishin lidhje të ngushta miqësore e ndihmuan atë me para, furnizime ushtarake.

Pas kësaj mbeshtetje te fuqishme nga aleatët perëndimorë në prill të vitit 1467 Skënderbeu e theu ushtrinë Turke dhe mori vëllain e Ballaban Pashës të burgosur. Herën e dytë ai fitoi mbi Ballaban Pashën dhe ushtria Turke dezertoi nga fushëbeteja. Kruja shpëtoi, por një ushtri tjetër më e madhe që erdhi sërish e mbajti për pjesën tjetër të vitit Skënderbeun në fushën e betejës.

Pas kësaj, më 17 Janar 1468, Heroi i Kristianizmit vdiq në Lezhë nga një temperaturë e lartë. ""Për fat të keq në lartësine e suksesit të tij " shpata dhe mburoja e Mbretërisë Kristiane" ishte thyer jo nga Turqit por nga temperatura fatale."" 21) Kjo ishte humbja më e madhe për Botën Kristiane që nga vdekja e Hunjadit. "... ai,(Skënderbeu) ishte në zemër një Kristian i vërtetë" 22)

Kur Sulltani e mori vesh lajmin ai thirri nga gëzimi:" Më në fund Europa dhe Azia janë të miat! Mjerë Mbretëria Kristiane,... ajo humbi shpatën e saj dhe mburojën e saj !" 23)

"Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për të gjithe Princët Kristiane, në mënyrë të vecantë për Venecianët dhe Princët Shqiptare që tani kishin humbur njeriun që kujdesej më shumë dhe kampionin e padukshëm.." 24)

Qëndresa që bëri një komb i vogël karshi Perandorisë Turke pas vdekjes së Skënderbeut për më shumë se një dekadë është dëshmi e vertetë se shpirti i heroik, atdhedashës e liridashës i Skënderbeut ishte gjallë ndër shqiptarët edhe pse Skënderbeu kishte vdekur.

"Papa Nicholas V e emëroi Skënderbeun " Kampion i Mbretërise Kristiane". Calikstus III e thirri "Kapiten të Përgjithshem" të Selisë së Shenjtë; Papa Piu II i dha titullin Atlet i Krishtit."25)

Skënderbeu ishte shpata e Zotit kundër armiqve të besimit Katolik. Sytë dhe mendja e shqiptarëve ishin drejtuar tek ai si i vetmi zëbashkues. Shqiptarët panë virtytet më të mira të kombit të shkëlqenin nën udhëheqjen e tij largpamëse. Ai u admirua si derë mbretërore dhe Shqipëria u ngjit në lartësitë e përndritshme të idealit të tij për të cilin ai luftoi.

Ndaj sot, në të dy kontinentet, në Europë dhe Amerikën e Veriut Skënderbeu është i pranishëm ne vepra historike, letrare, muzikore, teatrale, statuja, monumente kulture, emërtime sheshesh e rrugësh, dhe asnjëherë s'do pushojë vëmëndja e njerëzimit për ta studjuar e nxjerrë në dritë shumëllojshmërinë e mësimeve që dalin nga figura e tij me përmasa botërore.

Bibliografi

1) The virgin mother of good counsel. A history of the ancient sanctuary of our lady of good counsel in Gennazano, and of the ëonderful apparition and miraculous translation of her sacred image from Scutari in Albania to Gennazano in 1467. Chapter: Scanderbeg and Albania. Monsignor George F. Dillon D.D, 1884, faqe111

2) Po aty, faqe 113.

3) The History of popes from the middle ages to daën, Dr. Ludwig Pastor, 1891, Book III " The champion of Christendom against Turks, 1455-1458" faqe 429.

4) "Scanderbeg or Love or Liberty, a tragedy; The life of George Castriot or commonly called Scanderbeg, King of Epirus and Albania, faqja XVII.

5) Diplomatarum ragusanum, J. Gelcich, L, Thalloczy, 1887, faqe 749.

6) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 330.

7) Po aty faqe 6.

8) Po aty faqe 324

9, 10) Po aty faqe 330

11) po aty faqe 181

12) The papacy and the levant, vol 2, The fifteenth century, Kenneth M. Setton, 1978, faqja 192.

13) The history of the popes from the middle ages (Drawn from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr. Ludwig Pastor, faqe 194

14) "The history of the popes from the middle ages (Drawn from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr. Ludwig Pastor, faqe 434.

15) po aty faqe 435

16) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 8

17)The Papacy and the Levant, 1204-1571: the fifteenth century", Kenneth Meyer Setton, faqja 333.

18) The history of the Popes close of the middle ages. (Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The war against Turks, Dr. Ludwig Pastor, Vol. 4, 1894 faqe 86

19) Barleti I, XII, faqe 355

20) The history of the Popes close of the middle ages. (Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The war against Turks, Dr. Ludwig Pastor , Vol. 4, 1894 faqe 89

21) The American Catholic quarterly revieë, vol XV,1890; Kapitulli The popes of the Renaissance, John A. Mooney, faqe 759

22) George Castriot, surnamed Skenderbeg, King of Albania, Clement See Moore, 1850, faqe 365.

23) The history of the Popes close of the middle ages. (Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III The ëar against Turks, Dr.Ludwig Pastor , Vol. 4, 1894, faqe 90

24) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 364.

25) Scanderbeide, The Heroic Deeds of George Scanderbeg, King of Epirus, Margherrita Sarrocchi, c. ( 1560-1617) , Edited and translated by Rinaldina Russell, 2006.

ARTUR VREKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.