VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NDËRROI JETË RAMAZAN TURDIU Nga FRANK SHKRELI E Premte, 10.26.2012, 07:09am (GMT1)
Në njoftimin zyrtar të vdekjes së tij thuhet se Ramazan Turdiu lindi në Tiranë
në një familje të njohur të kryeqytetit shqiptar, ku më 1944 ishte maturant,
siç thuhet, në një klasë me ish-udhëheqsin komunist Ramiz Alia, dhe
njëkohësisht punonte në farmacinë e të vëllait Dr. Bilal Turdiut. Në njoftim
thuhet gjithashtu se megjithëse familja e tij, përpiqej të qëndronte larg
politikës, duke marrë parasyshë situatën tepër të tensionur dhe të politizuar
të asaj kohe -- Ramazani i ri, madje edhe kundër këshillave të babait i cili
dëshironte të qëndronte jashtë politikës, rreshtohet në radhët e Ballit
Kombëtar dhe punon me këmbëngulje dhe pasion për të mirën e Atdheut deri ditën
kur mbylli sytë.
I riu Ramazan Turdiu, më 1944, së bashku me udhëheqësit më të lartë të Ballit
Kombëtar, përfshirë Midhat Frashërin dhe Ali Këlcyrën, largohet me varkë nga
Shkodra për tu arratisur për në Itali. Eventualisht, përfundon në Itali ku ai
ndjek studimet e larta për doktor në degën e farmacisë, për t'i vazhduar ato
në Universitetin Kolumbia në Nju Jork. Për pesë dekada, Ramazan Turdiu punon në
degën e kërkimeve dhe hulumtimeve farmaceutike për firmat e mëdha amerikane në
këtë fushë, ''Ciba'' dhe Warner Lambert''. Si anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu ishte një nacionalist dhe anti-komunist i përkushtuar. Ai ishte anëtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe merrte pjesë në seminare, kremtime, kongrese dhe në çdo rast ku e kërkonte nevoja dhe interesi i Atdheut. Ai bashkpunonte ngushtë dhe u qëndronte afër udhëheqsve historikë të parties Balli Kombëtar, Midhat Frashërit dhe Vasil Andonit. Ramazan Turdiu ishte ndër ata intelektualë dhe nacionalistë, të cilët Midhat Frashëri i mblidhte rreth vetes në përpjekje dhe në saje të luftës për shpëtimin kombëtar. Në një prej
fjalimeve të tij me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Midhat Frashërit,
Ramazan Turdiu e vlerësoi kështu bashkpunimin e intelektualëve si ai dhe të
shqiptarëve të tjerë me Midhat Frashërin, duke thënë:
Në këtë frymë atdhedashurie dhe veprimtarie ishte i brumosur edhe Ramazan
Turdiu. Ishte ndër ata që besonin në vetveten dhe në një të ardhme më të
ndritur për kombin shqiptar. Ishte ndër ata që si parime bazë kishin realizimin
e një Shqipërie me Kosovë e Çamëri, të lirë, demokratike dhe e lumtur në paqë
me të gjithë. Ky ishte karakteri dhe botëkuptimi i brezit të këtyre burrave, i
çështjes shqiptare. Ndonëse i qetë nga natyra, ishte trim dhe i vendosur -- si
shumë të tjerë të brezit të tij -- të cilët me zemër e shpirt besonin në një
Shqipëri, ashtu si është e drejta, prej Tivarit e deri në Prevezë, e nderuar
dhe pjesë e asaj bote, të cilës i përket historikisht dhe gjeografikisht --
Evropës. Brezi i tij besonte se për arritjen e këtij qëllimi duhej luftuar për
të pëmbysur komunizmin dhe për të bashkuar kombin. Lufta e tyre ishte sy
patrembur, dhe e konsideronin atë si një detyrë për të cilën i thërriste
Atdheu, në lirinë e të cilit kishin një besim të patundur për një ardhëmëri
demokratike dhe për një Shqipëri pro-perëndimore. Vet Ramazan Turdiu mori pjesë
në stërvitje të organizuara nga anglo-amerikanët në fillim të '50-ave për tu
futur në Shqipëri me qëllim për të rrëxuar regjimin e dikatatorit komunist të
Enver Hoxhës.
Gjatë regjimit enverist, Ramazan Turdiu pësoi fatin e shumë familjeve
anti-komuniste. Lidhjet me familjen e tij në Shqipëri qenë prerë, sepse regjimi
komunist kishte vendosur emrin e tij në ''listën e kriminelëve'', të
''tradhtarëve'' dhe ''të armiqve të vendit''. Ndonëse ishte krahu i djathtë i
udhëheqësve të Ballit Kombëtar në mërgim dhe si i tillë i rreshtuar në frontin
e nacionalizmit shqiptar anti-komunist, familja e tij -- si edhe shumë familje
të tjera anti-komuniste shqiptare -- këtë gjë e pagoi shumë shtrenjtë. Me vdekjen e Ramazan Turdiut, diaspora shqiptare në Amerikë dhe shqiptarët kudo humbën një burrë i cili ishte i pajisur me traditën e shpirtit patriotik dhe i cili kurdoherë dhe sipas rrethanave u gjend aty ku e kërkonte zëri i Atdheut për liri, si dhe nderi i kombit. Ideali i tij si besnik ndaj kauzës kombëtare mbeti i paluhatshëm. Ashtu të mbetet edhe kujtimi i tij. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |