E Mërkurë, 11.20.2019, 10:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MOSMIRËNJOHJA
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 10.30.2012, 09:23am (GMT+1)




Kam ndjekur me shqetësim dhe me një farë dhimbjeje fushatën e disa mediave, disa OJQ-ve dhe disa celulave politike në Kosovë për përgojimin e disa emrave të shquar të miqësisë shqiptaro-amerikane në proceset e privatizimeve strategjike në Kosovë. Jam përpjekur të zbërthej enigmën e pasionit subkoshient për të përgojuar emra të shenjtë të mirënjohjes së kombit shqiptar ndaj Amerikës, si Medlin Ollbrajt dhe Uesli Klark. Fillimisht kam menduar se është një deviacion rastësor i vijës normale të të menduarit, se është atavizëm rural, që shfaqet tek disa mendje, të cilat aspirojnë të bëhen kozmike, sapo zbresin nga fshati apo nga mali në qytet. Nuk rezulton ashtu, sepse vijimësia e fushatës konturon një qëndrim, një interes politik, që shkon përtej kufijve të Prishtinës dhe të Kosovës, përtej infantilizmit profesional dhe politik.

Privatizimet strategjike të çdo shteti të dobët dhe të vogël, sidomos në Ballkan, nuk janë dhe nuk mund të jenë procese në boshllëk, dhe çdo qeveri e përgjegjshme nga pikëpamja kombëtare dhe shtetërore, ua servir në radhë të parë atyre shteteve apo kompanive të atyre shteteve, tek të cilat haset përputhja e interesit strategjik të Kosovës dhe e kombit shqiptar. Çdo qeveri e përgjegjshme nga pikëpamja kombëtare dhe shtetërore duhet të synojë që privatizimet strategjike t’i marrin ato shtete, dhe kompani të atyre shteteve, që kanë demonstruar me vepra madhore miqësinë dhe mbështetjen afatgjatë për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Përrallat për “arsyet e biznesit në plan të parë dhe të garës së lirë të kujtdo qoftë”, në shtetet e vogla dhe të dobëta tregohen për naivët dhe për të mbuluar lidhje okulte me armiqtë e kombit.

Medlin Ollbrajt dhe Uesli Klark janë emra të shenjtë në panteonin e lavdisë dhe të historisë diplomatike dhe politike të çështjes shqiptare, të cilët, bashkë me emra si ato të presidentit amerikan Bill Klinton dhe të kryeministrit britanik Toni Bler, fituan mirënjohje mbarëkombëtare dhe popullore për veprën monumentale të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës, dhe në shenjë mirënjohjeje emrat e tyre i kanë sot plot djem e vajza në Kosovë dhe në Shqipëri, që kanë lindur pas vitit 1999.

Kosova duhet ta ndjejë veten të nderuar, që emra të shquar si Medlin Ollbrajt dhe Uesli Klark janë të interesuar të sjellin dhe të vendosin kompani të mëdha amerikane në sektorët e ekonomisë së Kosovës, në sektorët e saj strategjikë, nga qymyri deri tek telekomunikacioni. Dhe çdo qeveri në Prishtinë, e cilitdo krah qoftë, është e detyruar nga detyrimi i mirënjohjes historike dhe nga interesi perspektiv, të formulojë prioritete. Këtu nuk ka lidhje “miqësia e kryeministrit Hashim Thaçi me ish-Sekretaren e Shtetit apo me ish-Kryekomandantin e Forcave të Armatosura të NATO-s” në kohën kur u çlirua Kosova. Këtu ka lidhje interesi afatgjatë dhe perspektiva historike e kombit, e çështjes shqiptare dhe e popullit shqiptar në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e kudo. Sepse nuk mund të mos lërë një shije tepër të hidhur, kur lexon në portalin “Ossservatorebalcani” raporte të OJQ-ve kosovare, ku shkruhet se “me përfshirjen e ‘Albright Capital Management’ në listën e seleksionuar të ofertuesve, privatizimi i ‘Telekom’-it të Kosovës rrezikon të kthehet në një garë konflikti interesash pa motive racionale biznesi”.

Disa media, disa OJQ dhe disa celula politike në Prishtinë, do të bënin mirë të merrnin pak mësim nga mirënjohja shtetërore, klasike dhe e palëkundur, që Serbia demonstron ndaj Rusisë në fushën e privatizimeve strategjike. Kur Serbia vendosi në vitin 2006 privatizimin e Industrisë së saj të Naftës, NIS, qeveria ia dha Rusisë pa asnjë lloj tenderi dhe me një çmim, që ishte gjashtë herë nën vlerën reale që kishte, sepse Serbia kishte interesin e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër pavarësisë së Kosovës. Në ditët e sotme, siç njoftonte gazeta ruse “Komersant” në 11 tetor, qeveria e Serbisë ka vendosur t’i japë Rusisë metalurgjikun e Smederevos dhe konkretisht kompanisë ruse të tankeve dhe të lokomotivave, UVZ, pikërisht në shenjë të miqësisë dhe të aleancës me Moskën. Gazeta serbe “Danas” njoftonte se edhe tenderi do të bëhet formalisht, sa për të fituar kohë dhe për të rregulluar detajet e shitjes mes kompanisë ruse dhe qeverisë serbe. Serbia vendos t’i japë Rusisë sektorët më të rëndësishëm strategjikë të ekonomisë dhe kështu është krijuar dominimi i kompanive ruse në gjithë sektorët e ekonomisë serbe dhe farkëtimi i interesave serbo-ruse. Atje funksionon logjika e aleancave dhe e mirënjohjes së Serbisë ndaj Rusisë, dhe as celulat politike serbe dhe as OJQ-të serbe, nuk kanë ngritur fushata për emrat e përfaqësuesve të kompanive ruse, që fitojnë njërin tender pas tjetrit.

Fushata e paragjykimeve për personalitetet e mëdha të politikës dhe të diplomacisë amerikane dhe për lidhjet apo miqësinë e tyre me Kosovën, shkon përtej smirës së zakonshme rurale të disa individëve apo të disa celulave meskine politike, që vuajnë pse nuk janë ata në pushtet dhe as në krye të procesit të privatizimeve strategjike. Shkon përtej, sepse nuk mund të mos lindë pyetja dhe dyshimi se përse këto media, këto OJQ dhe këto celula politike, nuk janë shqetësuar dhe nuk kanë bërë fushata për tregtinë e zezë, që lulëzon mes Kosovës dhe armikes së saj historike, Serbisë, dhe nga e cila, sipas të dhënave të ish- presidentit serb, Boris Tadiç, Serbia fiton 300 milionë euro në vit. Nuk mund të mos lindë pikëpyetja, se përse këto media, këto OJQ dhe këto celula politike nuk janë shqetësuar aspak, madje i kanë neglizhuar totalisht tronditjet e mëdha të interesit kombëtar dhe të integritetit territorial, siç ka qenë dhurimi i hapësirës detare shqiptare Greqisë.

Çështja është tepër delikate dhe meriton një përqendrim vëmendjeje si nga qeveria e Kosovës, ashtu dhe nga qarqet politike dhe nga ato mediatike. Një fushatë përgojimi për emrat e shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane, të cilët kërkojnë të sjellin në Kosovë kompani serioze nga SHBA-të, merr formën e një përpjekjeje për të krijuar imazhin e një mosmirënjohje nga Kosova ndaj miqve të saj të mëdhenj amerikanë, ndaj vetë Amerikës.

Kjo mosmirënjohje nuk është vetëm një deformacion shpirtëror dhe etik, por tingëllon më shumë si një diversion politiko-propagandistik për të krijuar një çarje besimi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës. Sepse Kosova vetëm humb dhe nuk fiton asgjë, duke përgojuar emrat e shquar dhe kompanitë serioze amerikane, që ata përfaqësojnë. Sepse përfitimi shkon në drejtimin e forcave dhe shteteve antikosovare, që vjelin dividentë diplomatikë nga këto fushata të çuditshme, që gjejnë hapësirë në disa celula politike dhe mediatike të Kosovës. Dhe përfituesit e parë dhe të drejtpërdrejtë janë Serbia dhe Rusia. Nuk është rastësi që mediat serbe dhe ruse i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme përgojimeve dhe insinuatave të disa mediave dhe të disa OJQ-ve kosovare ndaj emrave të Medlin Ollbrajtit dhe të Uesli Klarkut, lidhur me procesin e privatizimeve strategjike në Kosovë.

Për diplomacinë dhe për propagandën serbe dhe ruse ky është një top i artë, që u pasohet nga Prishtina, për të goditur jo thjesht emrat dhe personalitetin e ish-sekretares së shtetit dhe të ish-Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të NATO-s. Qëllimi i Serbisë dhe i Rusisë është të komprometojnë dhe të diskreditojnë politikën e SHBA-ve në Kosovë dhe ndërhyrjen e fuqishme, që SHBA-të dhe NATO ndërmorën 13 vjet më parë për të ndaluar genocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, ndërhyrje që u kurorëzua me dëbimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Serbia dhe Rusia po përpiqen ta paraqesin politikën e ndjekur nga SHBA-të në Kosovë si të nxitur nga interesat personale të emrave, që ndodheshin në krye të politikës, të diplomacisë dhe të ushtrisë amerikane në atë kohë, dhe se gjoja ata emra po kërkojnë sot kompensimin e favoreve, që i kanë bërë Kosovës në vitin 1999.
Krijimi i një klime mosbesimi dhe thyerja e miqësisë strategjike mes Kosovës dhe SHBA-ve, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, mes kombit shqiptar dhe SHBA-ve, është objektiv strategjik i armiqve shekullorë të interesave jetike dhe kombëtare të shqiptarëve. Mosmirënjohja është goditja më e madhe, që mund t’i shkaktohet kësaj miqësie shqiptaro-amerikane. Fushata e mësipërme nuk është tjetër veçse një projekt i sponsorizuar i një mosmirënjohjeje morale dhe politike. Por kombi shqiptar është tepër i varfër, tepër i vogël, tepër i rrethuar nga armiq, sa t’i lejojë vetes luksin e një mosmirënjohjeje ndaj mikut më të madh, ndaj kombit dhe shtetit amerikan, ndaj përfaqësuesve të atij kombi dhe të atij shteti, të cilët ndihmuan të realizohet dhe po mbajnë në këmbë, të realizuar, çështjen tonë kombëtare. Sepse është hera e parë, jo vetëm në periudhën 100-vjeçare të shtetit, por dhe në dy mijë vjet histori, që kombi shqiptar gjen një aleat të madh strategjik, me të cilin i përputhen kaq harmonikisht interesat strategjike. Pikërisht për këtë, nuk kemi shans të lejojmë asnjë krisje dhe asnjë dyshim në mirënjohjen e pafund dhe mbarëkombëtare të kombit shqiptar ndaj Amerikës. Mirënjohja është jo vetëm vlerë morale dhe njerëzore, por edhe vlerë e pazëvendësueshme historike, shtetërore, diplomatike dhe strategjike.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
4 BILL & HILL Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.29.2012)
SHQIPËRIA E 27 TETORIT 2012 APELONNga ARTUR VREKAJ (10.29.2012)
NDËRROI JETË RAMAZAN TURDIUNga FRANK SHKRELI (10.26.2012)
SKËNDERBEU – KAMPIONI SHQIPTAR I LIRISË DHE KRISHTËRIMITStudim nga ARTUR VREKAJ (10.25.2012)
OPINION ME RASTIN E 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISËNga FRANK SHKRELI (10.23.2012)
SERBIA MARTOHET ME RUBLËN RUSENga SHABAN MURATI (10.22.2012)
NJI ASPEKT POLITIK I GREVËS SË URISËNga SAMI REPISHTI (10.21.2012)
50 VJETORI I KRIZËS KUBANE TË RAKETAVENga FRANK SHKRELI (10.20.2012)
EGOTUNELI I MINITIRANËVENga XHEMAL AHMETI (10.20.2012)
LIBRI:  KOSOVA -- RRUGA DREJTË LIRISËRecenues FRANK SHKRELI (10.18.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]