VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SEKRETARJA E SHTETIT KLINTON NË TIRANË DHE NË PRISHTINË Nga FRANK SHKRELI E Mërkurë, 10.31.2012, 07:56am (GMT1)
Stejt Departmenti thotë se gjatë qëndrimit të tyre në Beograd dhe Prishtinë,
Sekretarja Klinton dhe Përfaqësuesja e Lartë Ashton do të rithekësojnë
vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian që në lidhje me
marrveshjet e mëparshme midis Serbisë dhe Kosovës të shënohet përparim, ashtuqë
të shtyjnë përpara dialogun midis tyre dhe të inkurajojnë marrjen e masave
konkrete që do të bëjnë të mundur që këto dy vende të shënojnë përparim në
rrugën e tyre drejtë antarësimit të tyre në Komunitetin Evropian. Në Prishtinë,
Sekretarja Klinton pritet të ritheksojë angazhimin amerikan pë të punuar me
qeverinë e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të institucioneve të shtetit të ri,
përfshirë funksionimin e ligjit, të ekonomisë dhe të ndërtimit të një shoqërie
tolerante dhe të begatshme, elementë kyç këta për një shtet të fortë demokratik
që dëshiron dhe ka aspirata për antarësim të plotë në organizmat
euro-atlantike.
Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar në Prill të këtij viti në Uashington,
Zonja Klinton e përshëndeti udhëheqsin shqiptar duke thënë se ''Kryeministri
dhe vendi i tij janë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara, në NATO, si
pjesë e misionit tonë në Afganistan, dhe vendet tona gëzojnë marrëdhënje të
gjëra dhe të thella, që ne i vlerësojmë shumë'', shtoi Sekretarja e Shtetit
Klinton.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, gjatë atij takimi iu referua Zonjës
Klinton ''si një mike e madhe e vendit dhe kombit tim'', dhe shtoi se
''Shqipëria ka pasur privilegjin e madh të gëzojë mbështetjen e këtij vendi të
madh....në të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një demokraci të ngritur mbi
ekonominë e tregut.''
Duke u bazuar në këto deklarata si edhe në deklarata zyrtarësh të tjerë të
lartë të dy vendeve, marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë
janë shumë të mira. Shtetet e Bashkuara e kanë treguar gjatë historisë
mbështetjen dhe miqësinë ndaj shqiptarëve, shpeshëherë në momentet më kritike
për ekzistencën e tyre si komb dhe si shtet. Edhe shqiptarët kudo, nga ana e
tyre, e shprehin vazhdimisht mirënjohjen dhe admirimin për ato që Shtetet e
Bashkuara kanë bërë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve, jo vetëm në
Shqipëri e Kosovë, por edhe në të gjitha trojet. Ndjenjat pro-amerikane në radhët e shqiptarëve kudo, megjithë propagandën anti-amerikane të regjimit komunist të Enver Hoxhës,njihen mirë. Ato janë aty dhe janë të sinqerta. Historikisht, Shqiptarët i janë mirënjohës ish-presidentit amerikan Uilson për mbështetjen që ai i akordoi shtetit të ri shqiptar më 1919. Edhe Shqipëria, nga ana e saj, megjithë problemet që ka, si aleate e ngushtë e Amerikës ka përkrahur vendosmërisht përpjekjet amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe Shtetet e Bashkuara vlerësojnë rolin moderues që Tirana ka luajtur në rajon. Për më tepër, shqiptarët kudo, kujtojnë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s më 1999 në Kosovë të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërhyrje këjo që shpëtoi me qindëra mijëra shqiptarë të Kosovës nga sulmet barbare serbe, gjë që më në fund çojë në largimin e detyrueshëm të forcave serbe nga ai vend dhe eventualisht në pavarësinë Kosovës. Shqiptarët kudo u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për një Kosovë stabile, të lirë dhe demokratike.
Jam i sigurt se në vizitën e saj në Tiranë, zyrtarja e lartë amerikane, do e
ndjejë veten midis miqësh, dhe si përfaqsuese e lartë e një vendi mik, ajo do
të trajtohet si e tillë. Zonja Klinton do i flasë politikës dhe shoqërisë
shqiptare duke i ofruar Tiranës mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm të
Shteteve të Bashkuara në sfidat e saj për konsolidimin e institucioneve
demokratike dhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në organizmat
euro-atlantike.
Sekretarja Klinton viziton Shqipërinë dhe Kosovën si përfaqësuese e një vendi që
kishte për president Abraham Linkolnin i cili nuk mund të duronte që vendi të
ishte gjysëm i lirë e gjysëm i skllavëruar. Ajo vjen si përfaqësuese e një vendi
që kishte për president Woodrow Wilsonin i cili nuk mund të toleronte një botë
gjysëm të lirë dhe gjysëm të skllavëruar dhe ndërhynë drejtë për drejtë për të
mbështetur pavarësinë e shtetit të të ri shqiptar, i cili kërcënohej nga
fqinjtë dhe përkrahësit e tyre. Ajo zbret në Tiranë dhe në Prishtinë, për tu
takuar me shqiptarët, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara që kishte për
udhëheqës presidentin Ronald Reagan, i cili nuk mund të toleronte një botë
gjysëm të lirë dhe gjysmën tjetër të skllavëruar nga komunizmi ndërkombëtar.
Sekretarja Klinton vjen gjithashtu nga një vend i cili si dëshmitar, ndaj
masakrave dhe gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës, të mos bënte
asgjë. Ajo vjen si përfaqsuese e presidentit Bill Klinton, i cili nën
udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, bindi aleancën NATO që të ndërhynte në
Kosovë për të shpëtuar popullsinë shqiptare nga zhdukja.
Marrëdhëniet e Shqiptarëve me Shtetet e bashkuara janë cilësuar si ''të
veçanta'', dhe si ''marrëdhëniet më të rëndësishme bilaterale'' që Shqipëria
dhe Kosova mund të kenë me cilindo vend. Vizita dhe bisedimet e Sekretares
Klinton në Prishtinë dhe në Tiranë do të jenë të sukseshme, pasi nuk ka si të
jetë ndryshe midis dy popujve miq. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |