VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

(ANTI)LUFTA SHQIPTARE
Nga XHEMAL AHMETI

E Hënë, 11.05.2012, 11:57am (GMT1)



1.
Luftërat padyshim se janë fabrikat më sadiste të krimit masiv. Po ja që raca e dykëmbësorëve e ka fiksuar në psikë si ligj domosdonë e luftës se gjoja vetëm ajo mund t'ia sigurojë lirinë dhe katarsisin. A nuk na thonë shurdhueshëm shumica e religjioneve se (të gjithë) që në daljen nga kërthiza e mëmës idiotë o mëkatarë jemi? Mbi eshtrat e kësaj akuze alogjike janë ngritur shumica e doktrinave luftarake për zhvatjen, zhbërjen dhe zhdukjen e Tjetrit. Kjo maksimë e shëmtuar i implantohet njeriut nga çdo testament kulturor që ka mundur t'iu përballojë kohëve. Dhuna, hakmarrja, zemërimi deri në gjakosjen edhe të qiellit a nuk janë shtyllat e çdo tragjedie antike që ne çuditërisht i konsiderojmë si burime të pakontestueshme estetike? Po «Iliada» e Homerit a nuk nis me një apel të tillë: «Zemërimit këndoi perëndeshë, të Akilit...». Atij zemërimi, me të cilin nis gjithçka evropiane duhet t'i këndojnë zotërat e Olimpit, atij Akili asgjësues që edhe sot, në shekullin 21, na shërben si model për Conan-ët barbarë, Terminatorët, Rambot tanë filmik, atij Akili që shumë tiranëve gjithandej globit iu shërben si model se si duhet të veprojnë asasinët e tyre realë.
Pikërisht se njohu thellë këtë proces vetzhbërës bërtiti deri në kolaps Nietzsche. Ai që akuzonte trashëgiminë antike dhe religjionet për krim ndaj humanitetit, ai që apelonte për zhvlerësimin e të gjitha «vlerave» për ta shpëtuar Njeriun, këtë specie kurrizthyer që filozofi i vetmuar donte ta shohë një ditë si mbi-njeri. Filozofin që as sot nuk duan ta kuptojnë shkollat e shumta pseudofilozofike. Ngase, si duket, as në këtë epokë dykëmbësorët e «urtë» nuk janë në gjendje të pranojnë se lufta (e çdo lloji) ëma e çdo krimi masiv është. Atij lloj krimi që nuk ka nisje as fund; kur ai ndodh njëherë na mbetet si vulë e amshueshme në shpirt, mendje e jetë përherë.

Ilustrim: Xhafer Kadiri gjatë dorrëzimit të uniformës së UCK-së.
2.
Gusht 1998. Afër Luzernës zvicerane. Një autobus i kuq pret dhjetëra rekrutë të rinj që do të nisen për në luftë kundër Serbisë. Djem që nuk dinë se ku i kanë familjet, të atillë që në televizor kanë parë se si u digjen shtëpitë e ndërtuara me zor, të atillë që nuk i bind edhe po të doje dot se ende «nuk kanë humbur gjithçka». Ideologë dhe oratorë prodhojnë parullshëm thirrje e përbetime që nxehin tru, shpirt e gjak. Të rinjtë qëndrojnë gatitu dhe derdhin lotë kur ekzekutohet himni shqiptar. Me lotë ngjitet autobusit edhe Blerim M*.
3.
Nëse shqiptarët duan të gjejnë segmentin historik, i cili do t'ua jepte kredinë pa hipotekë për të qenë përjetësisht krenarë me veten është kjo: nuk ekzistojnë fakte historike se ndonjëherë të kenë qenë burimi apo nxitësit e ndonjë ekspansioni luftarak kulturor, ekonomik apo fetar. Asnjëherë! Janë ndër ato popujt e pakët që mund të krenohen duke thënë se kozmosi (apo perënditë, fatet e ku ta di unë) ua ka dashtë të mirën, sepse Edhepse përherë nga pozitat e mbrojtjes ata «në fund», së paku në këtë fragment të rrotës historike po dalin triumfues karshi tjerëve. A nuk është ky një fakt për festë! Pse duhet të çajmë kokën me dilemën: është apo jo gjithë kjo meritë e shqiptarëve?
Ky konstatim i mirë mund të na dehë nga kënaqësia vetëm deri në atë çast kur të na bie ndërmend vetvetja. Atë moment kur të Tjerët i kemi larguar nga oda, kemi mbet vetë dhe përballemi me luftën tonë të brendshme, me atë luftë që s'na dallon për asnjë milimetër nga të tjerët, nga gjithë ata që luftën dhe krimin e kanë pjese të Habitusit kolektiv.
4.
Tetor 1999. Protagonisti i reportazhit tonë Blerim M. ka shpëtuar gjallë. Ai sërish qanë kur ua jep teshat e ushtarit të UÇK po atyre ideologëve dhe oratorëve që e futën në autobusin e kuq. Vuan për luftën apo vetëm për teshat? Nuk patëm mundësi ta pyesnim në atë ceremoni.
5.
Sot katërmbëdhjetë vite më vonë e takojmë Blerim M-në në një odë të zhveshur. Fëmijët përpiqen të zënë ngrohtin acarit të dimrit krahapur. Lotët vetëm se nuk i ngrijnë në kristale të deformuara ish ushtarit të UÇK-së, i cili ndërmjet gishtave shtyp deri në frymëzënie duhanin e kualitetit më të keq. Gishtëzverdhur, fytyrëparruar dhe me lotë në sy na pyet: «eh a ky është rezultati i luftës tonë». As atëherë kur u nis në luftë e as tash nuk filozofonim dot mbi luftën me atë shpirt të pastër, as atëherë e as sot nuk i arsyetojmë dot naivit fisnik se si ecë rrota e politikës, luftës, nderit dhe asaj besës së kamufluar shqiptare. Heshtur qëndrojmë para skamjes së tij. Janë skenat e mizuara në ekranin televiziv të tij që na japin shpresë ti kemi shpëtuar mizërisë, tiranisë së gjendjes së tij. Në Televizor del faca e njërit nga ata ideologët që sollën në luftë. Zgërdhyeshëm, pa turp dhe me plot krenari flet ministri për lirinë dhe mirëqenien që ka ai. Në të njëjtën kohë ku ushtari i katandisur dhomave pa dritare vuan nga tirania e stinëve të pamëshirshme. «Ai as që ka qenë me ne në luftë», na thotë Blerimi zëpërmbystë, varr kokën dhe lëshon sërish lotët.
Me lotë e përcollëm, me lotë e ritakuam, me lotë e lamë. Kështu e ka çdo luftë.
6.
Blerim M. ndoshta nuk mund të merret si pasojë e personifikuar e asaj luftës së përmasave universale, por kësaj shqiptare po.
E as kjo në thelb nuk dallon nga e para. Sepse as kjo vërtet nuk u paska sjellë as liri, as katarsis Blerimëve tanë, por edhe më shumë vuajtje. Të riun me punë të rregulluar në Zvicër e nisëm rrugës së lirisë e gjetëm dhe rigjetëm në Hadin e robërisë. Skamja qenka edhe më e poshtër se pushka vdekjeprurëse maleve të krimit!
(Reportazhin gjatë përcjellës së Blerim M. të shkruar gjatë vitit 1998 mund ta lexoni këtu: http://xhemal-ahmeti.com/shqip/drejt-lirise-vdekjes/. Natyrisht që emri i protagonistit është tjetërsuar)


XHEMAL AHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.