VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VIJA E KUQE BULLGARE PARA PORTËS SË SHKUPIT
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 11.05.2012, 05:26pm (GMT1)




Autoritetet bullgare nuk pritën sa të përfundonin të plotë platformën zyrtare të strategjisë, që po hartojnë për marrëdhëniet me shtetet fqinje, por paraprakisht shpallën vijën e kuqe, që ata po i vendosin Shkupit në rrugën e tij të integrimit në BE. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevnevliev, në takimin zyrtar që zhvilloi më 31 tetor me komisionerin e lartë të BE për zgjerimin, Stefan Fule, formuloi qartë politikën e re bullgare të vijës së kuqe, duke deklaruar se "Bullgaria nuk mund t'i japë një certifikatë BE-je qeverisë së Maqedonisë, e cila në mënyrë konstante përdor dhe aplikon ideologjinë e urrejtjes ndaj Bullgarisë".

Vija e re e kuqe bullgare, që i vendoset Shkupit, me kërcënimin për mbylljen e portës së BE-së, është një zhvillim serioz negativ në marrëdhëniet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili mund të ketë pasojat e veta në dinamikën e integrimit të Maqedonisë në BE, por edhe në raportet ndërballkanike. Natyrisht, qëndrimet zyrtare të Presidentit të Bullgarisë, si dhe ato të ministrit të Punëve të Jashtme në Parlamentin bullgar më 26 tetor nuk duhet të jenë të papritura për diplomacinë e Shkupit, e cila jo vetëm duhej t'i kishte parashikuar, por edhe të kishte evituar disa sjellje dhe pretendime, që i çuan punët e marrëdhënieve dypalëshe deri këtu.

Shenjat dhe paralajmërimet kanë qenë për këtë ecuri negative dhe prej kohësh Sofja e ka vënë në dijeni Shkupin se marrëdhëniet dypalëshe Bullgari-Maqedoni duhet të atashohen tek fqinjësia e mirë dhe e kundërta e kësaj rruge do të prodhojë efekte në dinamikën e procesit të integrimit të Maqedonisë në BE. Këtë e kemi analizuar disa herë në faqet e kësaj gazete, (GSH 10.8.2009, GSH 13.6.2011, etj). Por kësaj radhe zhvillimi negativ në marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit ka një kuadër të ri, qoftë diplomatik, qoftë politik, qoftë strategjik, qoftë perspektiv.

Elementi i parë i ri që tërheq vëmendjen është se formulimi i një vije të kuqe bullgare ndaj integrimit të Maqedonisë në BE paraqitet në nivelet më të larta të shtetit bullgar, jo në adresimet e drejtpërdrejta me autoritetet e Shkupit. Tani Bullgaria e parashtroi vijën e saj të kuqe për integrimin e Shkupit në BE përpara komisionerit të lartë të BE për zgjerimin, Stefan Fule. Pra, Bullgaria ia paraqiti direkt Komisionit Europian si një qëndrim zyrtar të saj dhe i cili duhet të merret në konsideratë dhe të pasqyrohet në raportet dhe rekomandimet, që Komisioni Europian i paraqet mbledhjes së ministrave të Jashtëm dhe të kryetarëve të shtetit dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE.

Në dhjetor do të mbahet samiti i vendeve anëtare të BE, që do të marrë në shqyrtim qëndrimet dhe vendimet për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, për avancimin nga një fazë në tjetrën të marrëdhënieve të tyre kontraktuale me Bashkimin Europian. Maqedonia ka që në vitin 2005, kur mori statusin e shtetit kandidat, që pret një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Ka katër vjet që Komisioni Europian apo qeveria europiane i rekomandon samitit të BE që t'i akordojë Shkupit një datë të hapjes së bisedimeve. Por Greqia ka vendosur veton e saj, të cilën do ta shmangë në momentin kur do të gjendet një zgjidhje për çështjen e emrit. Në kanale diplomatike, Bullgaria e ka bërë të qartë prej kohësh se ajo nuk është indiferente ndaj çështjes së emrit dhe ndaj formulimeve që do të ketë ai emër, sepse ajo nuk mund të pranojë një emër, gjeografik apo politik, i cili implikon pretendime të Shkupit ndaj pjesëve të territorit apo të popullsisë së Bullgarisë.
Komisioneri i lartë i BE për zgjerimin, Stefan Fule, ka ndërmarrë një nismë për çbllokimin e procesit të bisedimeve mes Athinës dhe Shkupit për emrin, me qëllim që t'i hapet mundësia Shkupit për marrjen e një date për fillimin e bisedimeve me BE. Ai sugjeron një kompromis, duke propozuar nënshkrimin e një memorandumi mes Greqisë dhe Maqedonisë, ku të dy palët të angazhohen reciprokisht për respektimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të heqin dorë nga rivendikimet dhe pas këtij memorandumi mund t'i akordohet Shkupit data e hapjes së bisedimeve të pranimit në BE edhe pa u zgjidhur çështja e emrit. Në kohën që duket se komisioneri i lartë për zgjerimin mund të ketë avancuar disa hapa në drejtim të afrimit të pozicioneve greke dhe maqedonase për memorandumin, Bullgaria i parashtroi atij vijën e kuqe, të cilën nuk mund ta kapërcejë Shkupi për të fituar të drejtën e marrjes së një date. Sofja e ndërmori këtë qëndrim edhe me koston e një përplasjeje të hapur diplomatike me Komisionerin e Lartë, i cili i kërkoi Sofjes mënjanimin e vijës së kuqe bullgare. Presidenti bullgar kritikoi Komisionin Europian pse në Progres-Raportin e tetorit për Maqedoninë nuk pasqyronte kriterin e fqinjësisë së mirë dhe gjendjen e marrëdhënieve bullgaro-maqedonase. Bullgaria i bëri të qartë se ajo është e pakënaqur nga politika antibullgare, që Shkupi ndjek ndaj saj si shtet fqinjë, se është e pakënaqur nga interpretimi dhe përvetësimi i ngjarjeve të rëndësishme dhe i personaliteteve të shquara të historisë bullgare, se është e pakënaqur nga diskriminimi që Shkupi u bën qytetarëve të Maqedonisë, që e ndjejnë veten bullgarë apo që kanë marrë pasaporta bullgare dhe e pakënaqur për bllokadat e qëllimshme burokratike, që Shkupi u vendos biznesmenëve bullgarë, të cilët duan të investojnë në Maqedoni.

Është e qartë në planin diplomatik se molla kryesore e sherrit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është historia dhe interpretimi i saj, sepse Bullgaria nuk pranon që ngjarje dhe personalitete të saj të akaparohen nga shteti i ri i Shkupit. Për të afruar qëndrimet mes dy palëve, Presidenti bullgar ka propozuar që disa data historike, që festohen si nga njeri ashtu dhe nga tjetri shtet, siç është ajo e kryengritjes së Ilindenit apo e personaliteteve të njohura si Goce Delçev, dhe të tjera, që rivendikohen nga të dy palët si të tyret, të festohen sëbashku. Shkupi i është shmangur kësaj ftese dhe këtij takimi dypalësh me historinë dhe ka kundërpropozuar që të festojnë sëbashku ngjarje si dita e Europës në 8 maj, të cilën e feston gjithë Europa apo data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, apo e njohjes së Maqedonisë nga Bullgaria. Shkupi nuk i është përgjigjur as përçapjes tjetër të Bullgarisë, e cila ka propozuar një udhërrëfyes të përbashkët për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Çështja e interpretimit të historisë nuk është thjesht qëndrime të kundërta ndaj së kaluarës apo personaliteteve historike, por ka të bëjë me efektet dhe lidhjet, që ato interpretime historike kanë në politikën, në identitetin dhe në integritetin territorial të shtetit përkatës sot. Efektet prekin çështje të sovranitetit dhe të integritetit të shteteve. Sepse nëse Maqedonia do të bëhet anëtare e BE, ajo do të kërkojë sanksionimin e asaj, që ajo e quan pakicë maqedonase në Bullgari dhe që nuk pranohet nga shteti bullgar, i cili nuk e pranon ekzistencën e një gjuhe dhe të një kombi maqedonas, të cilët i konsideron bullgarë.

Çelësi i çështjes është se shteti i ri i Maqedonisë, duke pasur vakuumin e njohur të identitetit historik dhe të bekgraundit të vet shtetëror e kombëtar, ka zgjedhur rrugën e gabuar të futjes në hapësirat historike të shteteve fqinje të saj për të krijuar një identitet origjinal historik. Kjo është bërë një ethe shtetërore, saqë udhëheqja e Shkupit po rrezikon shtetin për shkak të dehjes historike. Ajo i hyri me revan historisë së Greqisë dhe të Bullgarisë dhe qeveria mbushi sheshet e Shkupit me statujat e Aleksandrit të Madh dhe të car Samuilit bullgar. Këto ekskursione historike të qeverisë, politikës dhe të diplomacisë maqedonase, lexohen si rivendikime të Shkupit ndaj historisë dhe territoreve greke dhe bullgare. Ethja e Shkupit është kaq e madhe, sa që i është drejtuar edhe përvetësimit të historisë dhe të personaliteteve shqiptare, që nga kompozitori i famshëm durrsak i Bizantit, Jan Kukuzeli, Nënë Tereza e deri tek vëllezërit Manaqi, por duke qenë se në Tiranë nuk e kanë zakon të reagojnë kur u vjedhin thesaret e historisë, Shkupi i quan të mirëqena.

Bie në sy se i vetmi shtet fqinj, ku Shkupi nuk ka guxuar të ndërmarrë ekskursione ekspansioniste historike është Serbia, së cilës jo vetëm nuk i hyn në oborrin historik, por në mënyrën më servile i lejon që të celebrojë në territorin e shtetit të Maqedonisë festa serbe si ajo e 28 tetorit, ku Presidenti dhe Kryeministri i Serbisë festuan në Kumanovë 100-vjetorin e pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtria serbe dhe të masakrave, që ndërmori ajo ushtri mbi banorët shqiptarë dhe maqedonas. Nga katër fqinj, Shkupi u rivendikon historinë tre shteteve.

Në këto kushte, pas Greqisë, edhe Bullgaria parashtron vijën e kuqe të hyrjes së Shkupit në portën e BE. Tirana nuk duket se ka ndërmend të reagojë, megjithëse e ka edhe ajo kartën e një vetoje të Shqipërisë për hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe ta lidhë atë me pozitën kushtetuese juridike të popullit shqiptar në Maqedoni.

Vija e kuqe e Sofjes, e bashkuar me vijën e kuqe të Athinës, e bëjnë më të komplikuar pozitën e Shkupit dhe më të gjatë pritjen e tij për të marrë një datë. Vija e kuqe e Sofjes e dobëson pozitën diplomatike të Shkupit në bisedimet me Athinën për emrin dhe Shkupi shkon në këto bisedime me argumente me të dobëta për intransigjencën e tij të deritanishme diplomatike.

Për këto zhvillime negative në marrëdhëniet bullgaro-maqedonase dhe për efektet e tyre negative në disa drejtime të marrëdhënieve dypalëshe në rajon apo të marrëdhënieve të rajonit me Bashkimin Europian, duket se nuk duhet kërkuar përgjegjësia as në Athinë e as në Sofie. Duhet kërkuar në Shkup, ku qeveria e Kryeministrit Nikolla Gruevski, që në fillimet e saj ka aplikuar një program të çuditshëm politiko-historik, të rivedikimit të historisë së shteteve dhe të popujve fqinj. Nuk është shumë e qartë, përse për Kryeministrin Gruevski fantahistoria ka më tepër rëndësi se sa shteti. Ka një realitet, që e nxjerr si konkluzion çdo njeri, që ka ndjekur marrëdhëniet e Shkupit me shtetet fqinj. Gjatë qeverisjes së Kryeministrit Nikolla Gruevski, marrëdhëniet e Maqedonisë, qoftë me Greqinë, qoftë me Bullgarinë, janë më të këqija seç ishin në kohën e qeverive paraardhëse maqedonase. Kjo do të thotë se në mënyrë të ndërgjegjshme ndiqet një politikë e provokimit historik ndaj shteteve fqinj, e cila në mënyrë të logjikshme të çon tek pasoja e aplikimit të vijave të kuqe për integrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Dhe për deduksion mund të konkludosh se kjo qeveri nuk është e interesuar realisht që Maqedonia të bëhet anëtare e BE dhe e NATO-s. A është kjo një strategji vetëm e Kryeministrit, apo edhe e koordinimit të tij me Serbinë dhe me Rusinë, kjo ka nevojë të analizohet vërtet më thellë si nga BE, ashtu dhe nga NATO.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.