E Djelë, 08.25.2019, 09:39am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
REFLEKSIONE PARA QENDRËS SË VOTIMIT
Nga SAMI REPISHTI

E Djelë, 11.11.2012, 08:49am (GMT+1)



Votimet kanë rrjedhime thelbësore për të tashmen e për të ardhmen e vendit dhe shoqënisë ku jetojmë. Mospërfillja e votimeve degjeneron në diktaturë. Më 6 nandor 2012, dita e votimeve për Presidentin, 30 senatorë dhe 435 deputetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, u ngrita herët. Ishte nji ditë e bukur vjeshte e ngarkueme me emocione të forta. Që nga viti 1962 i mërgimit tim në Amerikë, kam qenë i angazhuem në jetën politike të vendit, nji vendim që kam marrë lirisht dhe me bindjen se liria e humbun në Shqipërinë komuniste e gjetun në atdheun tim të adaptuem, ka vlerën e saj të vërtetë vetëm kur shoqënohet nga sensi koshient i përgjegjsisë.

Jam i bindun se liria e vërtetë vjen si rezultat i përfundimit se liria ashtë si nji monedhë me dy anë të pandashme: liri dhe përgjegjsi. Nji liri pa përgjegjsi ashtë anarki, dhe nji përgjegjsi pa liri ashtë diktaturë. Prandej, pjesëmarrja në votime ashtë nji përgjegjsi themelore për çdo qytetar.

Së bashku me bashkëshorten time, dy pleq, dorë më dorë, u drejtuem kah qendra e votimit në orët e paradrekës me plotësue nji detyrim qytetar. Ndërtesa e qendrës së votimeve ka nji sallë sporti ku janë vendosë tryezat e nëpunësve (shumica e tyne aktivistë vullnetarë) dhe mbas tyne kutitë e votimit, aparati elektronik i numrimit të votave dhe mbikëqyrsi. Nuk ka polic, ushtarë ose uniformë në sallën e votimit.

Jashtë qendrës shikoj nji rresht të gjatë parullash, pankartash e aktivistësh që reklamojnë kandidatin ose partine e tyne politike. Ata qëndrojnë në kambë, buzëqeshin dhe urojnë mirëseardhjen. Asnji koment politik. Asnji përpjekje me influecue publikun. Dhjetë metra larg nga hymja ashtë vendosë nji tabelë: “Ndalohet fushata elektorale përtej kësaj tabele”.

Na jemi rreshtue në vargun e gjatë të votuesve që presin radhën me hye në sallë. Kolona lëvizë ngadalë. Ka heshtje në përgjithësi. Njerëzit lexojnë në kambë gazetën e ditës. Unë jam kredhë në mendime. Për mue votimi i kësaj dite ka nji randësi të veçantë. Fushata elektorale ka qenë e ashpër, me tone disa herë të papranueshme, që kanë krijue ndasi në popull, ndërsa bota e jashtëme paraqet shumë probleme për SHBA-të, superfuqinë e vetme në botë. Jetojmë në nji kohë kritike!

Që nga votimi i parë në SHBA, afër 50 vjet të kalueme, kam preferue partinë demokratike. Në fillim, për arsye emocionale. Presidenti J. F. Kennedy më frymëzonte me idenë për emancipimin e zezakëve të Amerikës.

Emocionalisht, si ish-i burgosun politik, ndjejshe nji afërsi me miljonët të cilëve u mohohej e drejta. Segregacioni, sidomos në shtetet e Jugut të SHBA-ve jo vetëm që ishte moralisht i papranueshëm, por praktikisht edhe i damshëm. Miljona qytetarë zezakë vuejshin nga mohimi i konditave (të sanksionueme me ligje) për nji zhvillim të plotë të tyne. Nuk ishin skllavë të plotë, por pa dyshim, nji diskriminim i theksuem kundër “the colored people” ekzistonte.

Me vrasjen e Presidentit Kennedy më 1963-shin dhe ardhjes se Presidentit Johnson, hovi i lëvizjes çlirimtare u rrit, dhe në vitin 1964 u kalue legjislacioni i njohun “The Great Society” dhe ai i të drejtave civile për zezakët, i frymëzuem nga Rev. Martin Luther King, Jr. viktimë e sadistëve supremacistë të KKK-së.

Vetëm pak vite ma vonë Amerika u zhyt në luftën kundër Vietnamit. Akoma i ri e idealist, nuk e pranova politikën amerikane që drejtohej kundër nji populli që luftonte trashëgiminë kolonialiste franceze, me gjithë dyshimet për karakterin komunist të Ho Chi Minit. Propaganda republikane se do të përfundonte luftën në Vietnam dhe demonstratat masive kundër luftës më hodhën në anën republikane. Skandali i Presidentit Nikson, i cili gënjeu para popullit amerikan dhe ardhja e nji Presidenti paqedashës si Jimmy Carter, më tërhoqën drejt Partisë Demokratike. Ndigjova zanin e ndërgjegjes!

Me ardhjen e Presidentit Reagan në fuqi, politika e tij e fortë kundër Bashkimit Sovjetik “the evil empire”, ka ushtrue nji efekt të fortë emocional, sepse ngrente shpresën për nji kolaps në perandorinë e kuqe. Gjendja ekonomikë e Bashkimit Sovjetik, lufta në Afganistan, shpenzimet e mëdha ushtarake që ekonomia e BS nuk mund ta përballonte, e mbështetshin këtë hipotezë. Akti Final i Helsinkit (1975) mundësoi fenomenin M. Gorbachev dhe fillimin e demokratizimit të BS, që u ba i pandalëshëm.

Filluen lëvizjet çlirimtare në Europën Lindore dhe u përfundue bashkimi i popullit gjerman. Bashkimi Sovjetik u copëtue pa konflikte, por me probleme sociale të randa. Bota i dha kredit Presidentit Reagan dhe prestigjit moral të Papës Gjon Pali II. Edhe unë u bana pjesëtar i kësaj vale dhe votova për rizgjedhjen e Presidentit Reagan.
Faza e dytë e qëndrimit tim politik ka fillue me Presidentin G. H. W. Bush, me kontaktin tim direkt dhe me paraqitjen e nji Memorandumi që kërkonte hapjen e Zyrës amerikane në Prishtinë, (1986) që ma në fund u hap në vitin 1996, si prezencë e SHBA, me qëllim të parandalimit të masave shtypse, sidomos mbas demonstratave studentore historike të vitit 1981, nji ngjarje që rriti interesimin e botës së jashtëme për Kosovën. Po në këtë vit u rrit shumë dhe veprimtaria e lobing-ut të bashkësisë shqiptaro-amerikane, sidomos në Kongres.

Shumica e përkrahësve tanë kanë qenë kongresistë demokratë. Atëherë, në votimet e vitit 1992, dhashë votën time për Presidentin W. J. Clinton, administrata e të cilit mori nji qëndrim pozitiv dhe aktiv ndaj Kosovës. Ndërkaq, gjendja në Shqipëri po ndryshonte, për fat të mirë, pa gjakderdhje dhe pa frikën e ndërhymjes së jashtëme.

Problemi i Kosovës zuni vendin kryesor të shqetësimit tim. Kosova kishte “dy anmiq”: komunizmin dhe Serbinë. Nëse komunizmi do shembej, ashtu si ngjau, Kosova do të mbetej nën çizmen ushtarake serbe. Prandej, përpjekjet tona u përqendruen në Kosovë, dhe koha tregoi korrektësinë e analizës sonë. Në vitin 1999, Kosova u çlirue nga forcat e NATO-s nën udhëheqjen e fuqishme amerikane. Nji kapitull i historisë së shqiptarëve në Ballkan u mbyll me sukses.
Faza e tretë: shqetësimet tona themelore u eliminuen. Pak nga pak, i lodhun nga mungesa e plotë e edukatës politike të klasës politike në Shqipëri (dhe në Kosove!) erdhi edhe çkurajimi. Ndërkaq, në SHBA ngjau katastrofa e 11 shtatorit 2001, dhe si rrjedhim i saj, lufta në Afganistan ma parë dhe ma vonë në Irak. Me dy luftëra përtej detit, ekonomia amerikane u dobësue, papunësia u rrit dhe deficiti arriti naltësinë shqetësuese. Shoqënia amerikane u lëkund.

Emigrantët u banë objekte sulmi. Shërbimet shëndetsore e randuen shumë buxhetin e qytetarëve, dhe nji frymë antagonizmi dhe akuzash të ndërsjella penetroi edhe sferat e nalta shtetnore. Këto probleme themelore preokupuen çdo qytetar amerikan. Edhe unë e pashë veten të zhytun në valën e dialogut të lirë, por jo gjithëherë civilizues. Gjendja e krijueme zuni vendin e parë. Ç’të baj dhe cilën rrymë duhet të përqafoj? Atëherë kuptova se procesi im i amerikanizimit ishte i plotë.

Arrita në përfundimin se kandidati Barak Obama, në vitin 2008, ofronte alternativën ma të mirë: Përfundimin e luftës në Irak dhe ma vonë në Afganistan, daljen nga kriza financiare, kapitalizimin e industrisë së automobilave, reformën shëndetsore të përgjithshme, inkurajimin e arsimit, sidomos atë teknologjik, ruejtjen e ambientit, si dhe në politikën e jashtëme inkurajimin e forcave demokratike në lindje e sipër etj. Fakti që zv.presidenti Biden, sekretarja e Shtetit H. Clinton dhe senatori John Kerry, shef i Komisionit Senatorial të Punëve të Jashtëme, ishin përkrahës të konfimuem të shqiptarëve ishte nji garanci se Presidenti Obama do të shikonte me simpati zhvillimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan. Dhe ashtu doli! Kjo më inkurajoi të votoja përsëri për Presidentin Obama edhe në vitin 2012.

Hyna në sallë me konfidencë. Pranë kutisë së votimit mora lapsin dhe votova në rreshtin “Democrats”, pa përjashtim. Presidenti kishte nevojë për krahë të fortë. Kishe ndërgjegjen e qetë!

Dola përjashta i kënaqun. Bashkëshortja ime dhe unë, dy pleq, dorë më dorë: qytetarë të lirë ndërtojmë nji shtet të lirë ku sundon ligji dhe rregulli, dhe ku autoriteti shërben interesat e popullit pa dallim, e pranon verdiktin e tyne të çfaqun me votën e lirë. Liri, Demokraci!


SAMI REPISHTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kuvendi i Shqipërisë nuk e mbajti as një minutë heshtje për Lirak BejkonDEPUTETËT E KUVENDIT TË SHQIPËRISË JANË LILIPUTË PËRPARA LIRAK BEJKOSNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.09.2012)
Barometri diplomatikPRANIMI I MODELIT TË “DY GJERMANIVE”, KOSOVËN NUK E SHPIE NË NJU-JORK, POR NË BEOGRAD!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (11.06.2012)
TURQIA: VEND I RREZIKSHËM PËR GAZETARËTNga FRANK SHKRELI (11.06.2012)
VIJA E KUQE BULLGARE PARA PORTËS SË SHKUPITNga SHABAN MURATI (11.05.2012)
(ANTI)LUFTA SHQIPTARENga XHEMAL AHMETI (11.05.2012)
ROLI I AMERIKËS NË BOTËNga FRANK SHKRELI (11.02.2012)
GREVA E URISË, MEDIA DHE TË PËRNDJEKURIT POLITIKËNga RESHAT KRIPA (10.31.2012)
SEKRETARJA E SHTETIT KLINTON NË TIRANË DHE NË PRISHTINËNga FRANK SHKRELI (10.31.2012)
MOSMIRËNJOHJANga SHABAN MURATI (10.30.2012)
4 BILL & HILL Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2019  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]