VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KOMPLIKIMI I LOJËRAVE ENERGJITIKE NË BALLKAN Nga SHABAN MURATI E Martë, 11.13.2012, 05:24pm (GMT1)
E papritura tjetër e madhe, që nuk ka marrë ende formë të plotë, është mundësia
e shtuar që Rusia të shtjerë në dorë kompaninë e madhe shtetërore greke të
energjisë, DEPA, e cila është nxjerrë në shitje nga qeveria greke për shkak të
krizës së rëndë financiare dhe nevojës së madhe për para. Sipas agjencisë
Rojter, tri kompanitë kryesore të listuara për të marrë kompaninë greke DEPA,
pas mbarimit të afatit të seleksionimit të ofertave në 5 nëntor, janë kompania
ruse "Gazprom", kompania tjetër ruse e energjisë "Sintez" dhe kompania
azerbajxhanase SOCAR. Kompania që do të blejë DEPA-n, do të shtjerë në dorë
edhe filialet e saj EPA dhe DESFA, që do të thotë se fiton një monopol në veprimtarinë
dhe në politikën energjetike të Greqisë. Alternativa e marrjes së monopolit
energjetik të Greqisë nga Rusia hap shumë të panjohura, të cilat mund të
ndryshojnë shumë gjëra në një drejtim jo të favorshëm, si për politikën
energjetike të Bashkimit Europian, ashtu dhe për fatin e korridoreve jugore të
transportit të energjisë, që planifikohen të sjellin gazin në Europë nga
furnitorë jorusë. Të panjohurat në këtë rast mund të kapin edhe gazsjellësin
TAP, i cili parashikohet të sjellë gazin azerbajxhanas në Itali, duke kaluar
nga Turqia, Greqia dhe Shqipëria.
Është folur dhe po flitet shumë për rivalitetin mes gazsjellësit "South Stream"
dhe gazsjellësit "Nabucco" si një rivalitet mes Rusisë, që synon të forcojë
kontrollin energjetik në Europë, dhe BE, që synon të pakësojë kontrollin
energjetik rus në Europë. Është folur dhe po flitet shumë për rivalitetin
brendaeuropian mes gazsjellësit TAP dhe "Nabucco West", që janë dy gazsjellës,
të cilët janë parashikuar të forcojnë pavarësinë e vendeve europiane nga gazi
rus, duke marrë furnizimet nga Bakuja, e cila do të vendosë vitin e ardhshëm se
cilit nga dy gazsjellësit e mësipërm do t'i japë prioritet. Mirëpo është
interesant se nuk flitet fare për rivalitetin dhe përplasjen e interesave mes
gazsjellësit rus "South Stream" dhe gazsjellësit europian TAP. Rusia nuk është
e interesuar që një gazsjellës paralel të kalojë nëpër Ballkan dhe të mos ketë
gazin rus në të. Ndaj ajo po përpiqet në forma të ndryshme që të sabotojë si
projektin europian "Nabucco West", ashtu dhe projektin tjetër europian, TAP.
Nëse Rusia shtie në dorë kompaninë e madhe energjetike greke, DEPA, ajo fiton
një rol vendimmarrës dhe në realizimin e projektit të gazsjellësit TAP. Në një
alternativë të tillë, me një pjesëmarrje ruse në TAP, është e lehtë të merret
me mend se pesha e saj nuk do të ishte e njëjtë me atë të Greqisë, dhe efekti i
parë do të ishte se ajo do të përpiqej të impononte që edhe nëpër tubat e
TAP-it të kalonte edhe gazi rus, edhe influenca ruse në Ballkan. Nëse Rusia do
të vendoste të mos marrë pjesë në TAP, do ta kishte shumë të lehtë shuarjen e
TAP-it, për më tepër që ekziston elementi i rëndësishëm i mungesës së
pjesëmarrjes së kompanive greke në ndërtimin e gazsjellësit TAP. Por Rusia do
ta kishte më të lehtë edhe të mënjanonte Shqipërinë, madje shumë më brutalisht
se sa Kroacinë. Sepse Rusia e ka një terren të përgatitur për refuzimin,
përderisa vetë qarqet e biznesit grek janë më shumë në favor të gazsjellësit
ITGI, që sjell gazin azer nga Turqia në Greqi e pastaj direkt në Itali. Sikurse
shkruante në 3 nëntor, në "Eurasia daily monitor" analisti i njohur i çështjeve
energjetike, Vladimir Socor, "Për një kohë të gjatë Greqia ka kundërshtuar që
Shqipëria të përfshihet në TAP".
E papritura tjetër e lojërave energjetike në Ballkan është Bullgaria.
Ish-kryeministri i djathtë bullgar, Ivan Kostov, akuzoi këto ditë qeverinë e
tanishme të kryeministrit të djathtë, Bojko Borisov, se ka negociuar një
marrëveshje sekrete me Rusinë, lidhur me ndërtimin e gazsjellësit rus "South
Stream" në Bullgari. Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet për një lojë të errët
të qeverisë bullgare, e cila nuk kuptohet qartë se çfarë politike energjetike
po ndjek me Rusinë, duke kaluar nga një anë e lavjerrësit prorus në anën tjetër
antirus dhe anasjelltas.
Emëruesi i përbashkët i këtyre lojërave energjetike të trukuara në Ballkan nga
ana e Rusisë është se po luhen me metodën selektive dypalëshe. Taktika ruse
është që Bashkimi Europian të mbahet në errësirë të plotë ndaj asaj që po ngjet
më skakierën energjetike ballkanike dhe Moska po luan simultane shahu
energjetik me secilin shtet ballkanik veç e veç. Në datën 30 tetor, zëdhënësja
e Komisionit Europian për energjinë, Marlene Holzner deklaroi se "deri tani, as
ekspertët tanë dhe as Komisioneri i BE-së për energjinë nuk kemi parë një plan
që të thotë se ku fillon gazsjellësi "˜South Stream', se ku do të jetë pika
hyrëse që do të dërgojë gaz dhe ku do të shkojë ekzaktësisht rruga e furnizimit
me gaz nga Rusia". Është një deklaratë, të cilën pak është ta quash tronditëse,
sepse pjesëmarrësit në projektin rus janë të gjitha shtete anëtare të BE-së, me
përjashtim të Serbisë. Është e natyrshme që Rusia t'i mbajë sekret planet e
veta energjetike në Ballkan, po vështirë të shpjegohet pse këto shtete anëtare
të BE-së nuk e kanë vënë në dijeni Bashkimin Europian.
Iluzioni që kanë disa shtete ballkanike të përfshira në marrëdhëniet
energjetike me Rusinë, është se ata do të vjelin favore nga Moska në fushën
energjetike dhe do të bëhen të preferuar energjetikë, duke i demonstruar
besnikëri Moskës dhe jo Brukselit. Taktika ruse e joshjeve të veçuara
energjetike me secilin shtet ballkanik i shërben strategjisë së saj për të
prishur kohezionin e shteteve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Është e
kuptueshme se, duke hyrë në marrëdhëniet energjetike me Rusinë si shtete të
veçanta, vendet ballkanike janë shumë më të dobëta se sa po të hynin si pjesë e
një organizate të fuqishme si BE. Nuk kuptohet pse qeveritë e disa shteteve
ballkanike kanë krijuar përshtypjen se do të bëhen të preferuar energjetikë nga
Moska, duke hyrë me të në tratativa dypalëshe në shërbim të blofeve ruse dhe në
dëm të shteteve të tjera ballkanike. Harrohet se në strategjinë e saj
energjetike Rusia nuk mallëngjehet shumë nga dashuritë infantile ballkanike.
Mjaft të mbahet parasysh se Rusia ka ndëshkuar disa herë ashpër, duke i prerë
furnizimet me gaz në mes të dimrit, dy shteteve sllave aleate të saj si Ukraina
dhe Bjellorusia, për të freskuar kujtesën shtetërore se Moska mund t'ua bëjë
akoma më keq të inamoruarve energjetikë ballkanikë.
Nga gjithë këto zhvillime të reja shihet roli në rritje që po merr rajoni i
Ballkanit në lojërat dhe në politikën energjetike ndërkombëtare. Kjo po e bën
rajonin tonë një objektiv gjithnjë e më të lakmueshëm gjeopolitik për interesat
dhe strategjinë e një superfuqie energjetike si Rusia. "Ne kemi mbajtur për një
kohë të gjatë nën vëzhgim nga shumë afër Europën Lindore dhe sidomos në mënyrë
specifike rajonin e Ballkanit, sepse rajoni i Ballkanit do të jetë një qendër
energjie për burimet e energjisë drejt vendeve europiane", deklaroi në 31 tetor
Leonid Korolev, president i kompanisë së madhe ruse të energjisë "Sintez". Në
këtë kuadër duhet parë ai shpërthim i interesit rus për shtënien në dorë të
kompanive dhe tregjeve energjetike në ato shtete të rajonit që janë ende jashtë
kontrollit dhe influencës energjetike ruse. Këtu përfshihet Greqia, ku
kompanitë ruse po insistojnë në kapjen e monopolit energjetik. Por këtu
përfshihet edhe Shqipëria, ku kompania ruse "Gazprom" ka që në vitin 2006 që ka
tërhequr flirtin e qeverisë shqiptare për të hyrë në Shqipëri. Në vitin 2012
"Gazprom"-i mori pjesë në tenderin për blerjen e "Albpetrol"-it. Enigma e
madhe, që nuk u sqarua asnjëherë, është se përse "Gazprom"-i, një kompani
gjigante dhe serioze, ofroi një çmim aq qesharak, por kjo është një temë për
herë tjetër. Lojërat energjetike në Ballkan po bëhen gjithnjë e më të komplikuara. Këtu nuk hyjnë në punë as butaforitë e diplomacisë dhe të qeverisë dhe as dashuritë e pamotivuara ballkanike. Shqipëria është shtet i NATO-s dhe duhet të luajë dhe të veprojë si shtet anëtar i NATO-s, interesat strategjike të të cilit në të gjitha fushat, që nga politika e deri tek energjia, janë me NATO-n dhe me Perëndimin. Çdo joshje bizantine për intriga të vogla e pazarllëqe të fshehta me Rusinë dhe me kompanitë energjetike ruse, përfshirë edhe ato me etiketa serbe, mund të ketë pasoja fatale për interesat jetike dhe kombëtare të shqiptarëve. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |