VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë TRASHËGIMIA E GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBE DIL EDHE NJËHERË E MBLIDHE KUVENDIN Nga FRANK SHKRELI E Djelë, 11.25.2012, 07:34am (GMT1)
Gjergj Kastrioti ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke
korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlijve turq, fuqisë më të madhe ushtarake
që njihte atëherë bota. Me të drejtë, armët e Skendërbeut po ekspozohen në
Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t'u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe
luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir. Por ai ishte dhe mbetet më i
madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i
tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhejtë e asaj kohe. Kur botës shqiptare
i mungojnë herojtë e vërtetë, Skenderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i
të gjitha kohërave. Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heroj
kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të
bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në
veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë
dhe vendit që zë në shoqëri -- të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër --
të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të
lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë
e mirë cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire. Ky përvjetor
është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë të interesave
kombëtare dhe jo atyre personale -- duke marrë si shembull trashëgiminë e
Gjergj Kastriotit Skenderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e
kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një
udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror,
por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të
jenë pjesë e një trungu të përbashkët. Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo
krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi. Skendërbeu i mblodhi të gjithë
nën hijen e Flamurit Kombëtar. Ishte këjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha
Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të
përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së
tij.
Në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare, të falemi dhe të falenderojmë për
trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe karakteristikat
më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëni -- Ty Gjergj
Kastrioti Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve,
Mbret i Epirit. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |