VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

E DREJTA E TRUQISË PËR VETËMBROJTJE
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 11.27.2012, 07:48am (GMT1)




Moska po i jep krizës siriane një dimension të ri me provokimin e një acarimi të marrëdhënieve midis Rusisë dhe NATO-s dhe midis Rusisë dhe Turqisë. Këtë dimension po kërkon t'ia japë Kremlini me hapin e ri diplomatik të kundërshtimit ndaj planeve të NATO-s dhe të Turqisë për të dislokuar elemente të sistemit të mbrojtjes ajrore të Aleancës Atlantike në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë. Në 22 nëntor zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Rusisë, Aleksandër Lukasheviç, shprehu protestën ruse për dislokimin e sistemit të raketave "Patriot" në Turqi, duke e cilësuar si një sinjal alarmues dhe demonstrim muskujsh, që cenon stabilitetin në rajon. Po atë ditë ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Andes Fogh Rasmusen, paraqiti kundërshtimin e Rusisë për planet e NATO-s të vendosjes së sistemit të mbrojtjes ajrore atlantike në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë.

Është një hap i Moskës, i cili nuk mund të mos shkaktojë habi për qëllimet, adresën dhe kohën në të cilën ndërmerret kjo protestë. Habia e parë është se çfarë kërkon dhe përse duhet të shqetësohet Rusia nga një veprim mbrojtës i planifikuar nga Turqia për t'u realizuar në tokën turke, për të mbrojtur territorin kombëtar dhe popullin e vet. Nuk ka asnjë arsye të shqetësohet Rusia as nga NATO, e cila planifikon një veprim për të mbrojtur një shtet anëtar të aleancës, territori dhe kufijtë e të cilit janë gjithashtu territor atlantik dhe kufij atlantikë. Edhe nëse sistemet e mbrojtjes ajrore atlantike do të vendoseshin në kufijtë veriorë të Turqisë, ajo do të përbënte një çështje të brendshme të shtetit turk. Vendosja e sistemit të raketave atlantike në kufirin jugor të Turqisë e bën më absurde protestën e Rusisë, sepse Turqia është brenda së drejtës së saj juridike, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të marrë masat përkatëse të mbrojtjes së vendit dhe të popullit të vet. Së dyti, nga pikëpamja ushtarake, raketat "Patriot" në përbërje të sistemit të mbrojtjes ajrore atlantike, e kanë rrezen e tyre 100 milje, dhe mjafton të shohësh një hartë shkollore për të mësuar se janë shumë larg formimit të ndonjë rreziku për territorin dhe për popullin rus. Së treti, marrëveshjet e njëpasnjëshme kohët e fundit të Rusisë me shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, si Ukraina, Taxhikistani, Kirgizstani dhe Armenia, për të zgjatur me 30 vjet praninë e bazave dhe të forcave ushtarake ruse në territoret e atyre shteteve, janë shumë më kërcënuese për Turqinë dhe për NATO-n, po të kemi parasysh se baza dhe forcat ushtarake ruse në Armeni janë dislokuar shumë pranë kufirit të këtij shteti me Turqinë.

E drejta e Turqisë për vetëmbrojtje buron nga kërcënimet dhe rreziqet, që po përshkallëzohen për shkak të politikës kriminale të regjimit të Asadit në Siri, i cili po përpiqet që të gjejë një farë lehtësimi, duke intensifikuar provokacionet ndaj shteteve fqinje dhe për ta ndërkombëtarizuar konfliktin që regjimi ka me popullin e vet. Në verë forcat ajrore siriane rrëzuan një avion ushtarak turk në ujërat ndërkombëtare dhe gjatë muajit të kaluar artileria qeveritare bombardoi brenda territorit turk, duke vrarë disa shtetas turq. Regjimi sirian, sipas mediave botërore, disponon një nga stoqet më të mëdha në botë të armëve kimike, bashkë me sistemet përkatëse të lëshimit të tyre, sisteme të furnizuara nga Rusia. Në një situatë të tillë, është krejt e natyrshme, që qeveria dhe ushtria turke të ndërmarrin masa të sigurimit dhe të përballimit të rreziqeve të papritura, që mund të shkaktojë aventurizmi dhe disekuilibri i një regjimi autokratik, që po fundoset. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, me të drejtë deklaroi në 22 nëntor se planet e Turqisë për forcimin e mbrojtjes nuk i takojnë Rusisë, se reagimi i Moskës është shumë i gabuar dhe kjo përbën një ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, në 22 nëntor, deklaroi se reagimi i Rusisë është pa baza dhe se NATO do të bëjë gjithçka për të mbrojtur aleatin tonë, Turqinë, gjë që është në të njëjtën kohë sigurim i kufijve tanë të Jugut.

Brenda së drejtës së Turqisë për vetëmbrojtje është edhe e drejta e planifikimit dhe e pjesëmarrjes së NATO-s në mbrojtje të një shteti anëtar. Kufijtë e Turqisë janë kufij të NATO-s, ashtu siç janë të gjithë kufijtë e çdo shteti anëtar, dhe ka një detyrim, që rrjedh nga Traktati themelues i NATO-s, sipas të cilit e gjithë aleanca ndihmon secilin shtet anëtar, që kërcënohet nga rreziqet e ardhura nga një shtet fqinj. Ndaj, edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, edhe ministri i Jashtëm gjerman, dhe ministri i Jashtëm francez, njëri pas tjetrit shprehën mbështetje për kërkesën turke të mbrojtjes ajrore, dhe gatishmërinë për të konkretizuar solidaritetin me aleatin e rëndësishëm të NATO-s.

Protesta e Rusisë bëhet edhe më e pakuptueshme, po të mbahet parasysh se nuk është hera e parë që NATO dislokon sistemin e saj të raketave "Patriot" në Turqi, për mbrojtjen e hapësirës ajrore turke. Edhe në vitin 1991, edhe në vitin 2003, në të dyja rastet e luftërave të Gjirit kundër regjimit autokrat të Sadam Hyseinit në Irak, NATO dislokoi në Turqi sistemet e raketave, të cilat u larguan pas kryerjes së misionit të tyre. Nëse në planin ushtarak dhe strategjik, ridislokimi përsëri i sistemit të raketave "Patriot" në Turqi nuk paraqet ndonjë kërcënim për Rusinë, është e nevojshme të shqyrtohet në planin diplomatik, motivi që e shtyn Kremlinin të krijojë një valë tensionesh ndërkombëtare për hatër të regjimit sirian të Asadit. Është e njohur se regjimi i Damaskut është i vetmi aleat arab i Rusisë, se Rusia ka në Siri të vetmen bazë të saj ushtarako-detare në detin Mesdhe, se Rusia ka vënë veton tre herë kundër rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksione ndaj regjimit të Asadit, se Rusia vazhdon furnizimet me armë të rënda për regjimin e Damaskut, armë me të cilat ai regjim po masakron prej 20 muajsh popullin e vet. Duke parë rrëshqitjen e regjimit sirian drejt fundit, Kremlini synon të krijojë probleme të karakterit ndërkombëtar, duke hyrë edhe vetë në krizën dhe në situatën e tensionuar rajonale, që ka prodhuar kriza siriane.

Duke analizuar ndërhyrjen provokuese të Moskës në punët e brendshme të Turqisë dhe të NATO-s, nuk mund të mos ndalesh në nevojën e vendosjes në një peshore strategjike të marrëdhënieve të Rusisë me Turqinë dhe të marrëdhënieve të Rusisë me Sirinë. Në çdo këndshikim të ftohtë strategjik, qoftë nga pikëpamja ruse, qoftë nga pikëpamja atlantike apo rajonale, Rusia duhet të ketë interes më të madh për marrëdhënie të qëndrueshme dhe miqësore me Turqinë, më shumë se sa me Sirinë. Rusia e ka të freskët përvojën e saj të hidhur të dështimit me politikat e mbështetjes për regjimet e autokratëve të tjerë arabë, që nga Sadam Hyseini, e deri tek Muamer Gadafi, dhe diplomacia ruse duhet ta ketë kuptuar se bastet strategjike nuk mund të vihen me regjime si ai i Bashar Al Asadit. Karrigia e Asadit nuk mund të paguhet me koston e prishjes së marrëdhënieve me Turqinë dhe me NATO-n.

Ajo që e bën më të pakuptueshme protestën ruse, është fakti se Moska ka shpallur prej disa kohësh qëndrimin e saj për aleancë dhe partneritet strategjik energjetik të Rusisë me Turqinë. Në këtë kuadër, edhe projekti i saj më i rëndësishëm energjetik, i gazsjellësit "South Stream", që do të furnizojë Europën me gaz rus, dhe që nis nga ndërtimi në 7 dhjetor, u bë i mundur pas marrëveshjes që nënshkroi Rusia me Turqinë, për kalimin e tubacioneve të gazsjellësit në ujërat e zonës ekonomike ekskluzive të Turqisë në Detin e Zi. Nga ana tjetër, protesta tensionuese ruse ndërmerret në një kohë kur në 3 dhjetor është planifikuar një vizitë në Stamboll e presidentit Vladimir Putin dhe në 4 dhjetor është planifikuar mbledhja e Këshillit NATO-Rusi në nivelin e ministrave të Jashtëm. Ndaj duket e pakuptueshme se çfarë interesi rus ka që të krijohet një klimë e papërshtatshme diplomatike me protestat ndaj të drejtës së Turqisë për vetëmbrojtje dhe të drejtës së NATO-s për të mbrojtur një shtet anëtar.

Acarimi i marrëdhënieve, qoftë me Turqinë, qoftë me NATO-n, nuk duket se mund të sjellë ndonjë përfitim diplomatik, politik apo strategjik, me përjashtim të dhënies së një sadisfaksioni të përkohshëm moral për regjimin e Asadit, i cili gjithashtu e sulmoi planin e Turqisë dhe të NATO-s për mbrojtjen ajrore. Në fakt protesta ruse ndaj Turqisë dhe ndaj NATO-s shpreh një konfuzion të qarqeve drejtuese në Moskë, të cilët ende lëkunden midis racionalizmit të nevojës së marrëdhënieve të mira me Turqinë dhe me NATO-n, dhe ambicies për të marrë një rol të ri në rajonin e Lindjes së Mesme, duke acaruar situatat. Diplomacia ruse me sa duket ende vazhdon të jetë e mbërthyer pas metodës së saj të vjetër, që nëpërmjet provokimit të tensioneve, ajo të bëhet edhe më e pranishme, edhe më vendimmarrëse. Është një strategji, që ushqehet nga ëndrra e rikthimit të staturës dhe ndikimit të ish-Bashkimit të dikurshëm Sovjetik në ato rajone, gjë përtej mundësisë së ringjalljes.

Zhvillimet pozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe stabiliteti i rajonit të Lindjes së Mesme, të pellgut të Detit Mesdhe dhe të Kaukazit, diktojnë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të ngushtë midis Rusisë dhe Turqisë dhe midis Rusisë dhe NATO-s. Kjo do të ndihmonte realisht edhe në kapërcimin e krizës siriane, por dhe në çtensionimin e situatave në rajonet e përmendura. Sindroma e vjetër ruse e kundërvënies aprioristike ndaj NATO-s dhe shteteve të NATO-s duhet t'i përkasë së kaluarës.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.