VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
PAVARËSIA KOMBËTARE („Bota e re“, Prishtinë, 28.XI.1968) Nga IBRAHIM RUGOVA E Mërkurë, 11.28.2012, 09:23am (GMT1)
Zinë e lëngatës së një populli e ndiejnë më së miri dhe më së shumti bijtë më të mirë të tij. Ata shkrumohen sa s'ka më.Mundohen që ta zhdukin atë dhe të sjellin fatbardhësisnë e ëndërruar.Të ngrenë tempullin e lirisë në mesin e Atdheut - vendit të shenjtë, vendit që është simbol i njeriut në mbarë jetën dhe lavdinë. Ata bëjnë çdo gjë.Digjen si qiriri. E me atë dritë që del nga trungu i tyre i djegur shëndrisin tokën e rituar me gjak ndër shekuj. Shumë ka pasur gjaku ynë kësi bijsh, të ndershëm, madhështorë dhe burrërorë. Vargu i tyre ndër faqet e së kaluarës sonë është i gjatë sa të gjithë ne. Më i gjatë është vargu i lavdive dhe trimërive të tyre të paskajshme. Viti 1912. Zgjedha otomane zë të hiqet. Këtë e bëjnë ata që me shekuj ndjejnë peshën e saj, peshën e saj të ndyrë shkombëtarizuese, vëllavrasëse dhe copëtuese. Edhe toka e mëmëdheut është e zgjuar. S'duron më këmbën e ndyrë poshtëruese që fikte njomësinë pa lindur fare.Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende në të gjitha anët. Kudo dëgjohet kushtrimi: pavarësi dhe liri kombëtare. Zemrat e ndryra nxjerrin zërin më të fuqishëm. Kulçedra anadollake iku njëherë e përgjithmonë pas pesë shekujsh. Gjithkush e priti lirinë dhe qetësinë. Të jetojë me shpirt të vet në trungun e vet,meqë e dinin fare mirë se ç'është kjo, ç'sjell për ringjalljen e një gjaku të vjetër që me mija e mija vite rrodhi nëpër damarët e Ballkanit të lavdishëm. Ikën anadollakët. Mirë e hetuan këtë ata që ishin mësuar me harbutëritë e kësaj dore. Nuk pritën. U ranë grusht hundëve. I plandosën për tokë dhe simbolin e gjakut tonë - Flamurin e ruajtur me shekuj në gji e çdo vend të tokës së dashur e ngritën lart. E ngritën atë ditë vjeshte. Atë ditë të bardhë e të artë. Në kalendarin e historisë kombëtare hyri ajo ditë. U shënua: 28 Nëntor1912. U shënua edhe emri i atij që e ngriti: - Ismail Qemali. U shënua edhe vendi: - Vlora legjendare. Vatra e kuqe e Arbërit që qe i zënë për atë truall si rrapat shekullorë buzë Adriatikut. U habit Ballkani. U habit Evropa. U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar u ngrit simboli i gjakut - Flamuri. Mirë që u mashtruan të gjithë.Mirë që nuk kujtuan se nuk kemi asgjë, se kulçedra e Anadollit na gëlltiti ç'patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s'mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi tokën tonë të dashur. I pari që e shpuri në vend porosinë e stërgjyshërve, ai që e ngriti atë që e mbanin lart ndër duar dhe mbi koka e që marshonin përpara me të, qe njëri ndër bijtë më të mirënjohur të kombit tonë Ismail Qemali, Plaku mjekërbardhë. E ngriti Ai, e mbajtëm ne dhe do ta mbajmë ngaherë dhe do të ecim përpara në histori. E mbajtëm në zemra, në shpirt. E kemi edhe në dorë. Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë.
("Bota e re", Prishtinë, 28.XI.1986) IBRAHIM RUGOVA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |