VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDERIME IBRAHIM RUGOVËS
Nga FRANK SHKRELI

E Mërkurë, 12.05.2012, 08:05am (GMT1)



Kohët e fundit, politikanë, akademikë dhe disa nga ata që konsiderohen si ''mendjet më të ndritura'' të kombit shqiptar debatojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare mbi ''meritat'' e Enver Hoxhës dhe të Ahmet Zogut, si dhe mbi rolin e tyre në historinë kombëtare, duke ngulur këmbë se nëqoftse flitet për meritat e njërit duhet të flasim edhe meritat e të tjetrit. Vazhdim ndasishë e përçarjesh! Seriozisht, nëqoftse me ketë diskurs politik e shoqëror fillohet shekulli i ri i shqiptarëve, atëherë Zot na ruaj prej së keqes, si individë dhe si komb!

Unë si njeri i thjeshtë -- preferoj që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të flas për një njeri që me të vërtetë ka merita, Presidentin e parë historik të Dardanisë antike, Dr. Ibrahim Rugovën, prijësin e madh të kombit shqiptar -- për kontributet e tija dhe rolin që ai ka luajtur në historinë moderne kombëtare. Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së Kosovës, filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky vend për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës dardane. Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë më poshtë edhe ish-kryeministri britanik Toni Blerpor, por kishte vizione të qarta për një të ardhëme më të mirë për kombin e vet. Që në fillim, ai u vu në krye të lëvizjes për pavarësi duke thënë se "zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare". Ashtu edhe ndodhi. Ai gjithashtu ç'prej fillimit, kishte deklaruar ''miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan'', pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi për rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot, dmth, në radhën e kombeve të përparuara perëndimore.

Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si një mjet që do të çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën perëndimore. Sa ishte gjallë, ai udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtzakonisht të vështirë, gjë që e bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij -- mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare -- për veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e mbanë botës për diplomacinë e tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që vizitonte Washingtonin dhe kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqsit më të lartë të botës përendimore. Këjo në përpjekje për të çliruar popullin e vet nga zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve: Pavarësinë e Kosovës. Këjo ndërmarrje ose aktivitet diplomatik nga ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e rilindasve të cilët shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.

Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare me të drejtë u theksua nga udhëheqsit shqiptarë dhe të tjerë, se gjatë gjithë historisë së tij, kombi shqiptar i ka dhënë botës figura të mëdha me të cilat krenohet i mbarë kombi. Në këtë 100-vjetor dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, shqiptarët kudo duhet të jenë krenarë për meritat e Presidentit Rugova dhe veprimtarinë e tij drejtë çlirimit dhe pavarësisë, pasi pa Pavarësinë e Kosovës, për realizimin e së cilës ai dha një kontribut historik, pavarësia e Shqipërisë do të ishte gjysmake. Si figura kyçe e pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës, përfshirë edhe figurat më të dalluara të politikës amerikane.
Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, presidenti amerikan në detyrë, republikani Xhorxh Bush e kujtoi udhëheqsin shqiptar duke thënë se, "Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tija kundër dhunës.'' Presidenti tjetër amerikan, demokrati Bill Klinton, statuja e të cilit hijeshon sot e përgjithmonë Prishtinën, dhe i cili kishte takuar shpesh ish-udhëheqsin e Kosovës, ka thënë se ''nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tija'', se sa Presidenti Ibrahim Rugova.
Ndërsa ish-kryeminsitri britanik, Toni Bler, duke kujtuar takimin e tij me Presidentin Rugova në fund të vititit 1998, i tha parlamentit të Kosovës në Korrik të 2010-ës se Presidenti Rugova "ishte i qetë, një njeri shumë modest....Ai më tha të vërtetën për Kosovën. Për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte (për fatin e shqiptarëve të Kosovës) si dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë. Ai nuk bërtiste dhe nuk u përpoq të më bindë me sllogane ose me gjeste ekstravagante. Ai foli me një zë të ulët por me sinqeritetin më të madh... duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet....Unë i thashë Britania e Madhe do të ndihmojë. Unë ia dhashë atij "˜'Besën'', dhe besën ia mbajta'' tha Zoti Bler.

Ibrahim Rugova ishte një përfaqësues ndryshe, i cili i bindur dhe i vendosur për rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej të realizonin shqiptarët e Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me personalitetin e tij të urtë dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike përdhunimet dhe padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar. Ai e tregoi veten si një avokat i palodhëshëm i forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u fol për rolin që Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë si edhe për miqësinë që ekziston midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. Udhëheqsit shqiptarë shprehën mirënjohjen ndaj përkrahjes amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe për çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi në pavarësinë që gëzon sot Kosova, por edhe për rolin në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit. Ibrahim Rugova ishte njëri ndër arkitektët, e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënjeve. Atëherë, nëqoftse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënjeve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t'i shkojë Presidentit Rugova.

Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ''Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës'' dhe kur ai përfundonte çdo fjalim me thënjen ''God Bless America'', ''Zoti e Bekoftë Amerikën'', shumë nga kritikët e tij atëherë dhe sot nuk e kishin kuptuar rëndësinë afat gjatë të mesazhit të Ibrahim Rugovës, për marrëdhënjet e ngushta amerikano-shqiptare.

Merita tjetër që i duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të cilët 100-vjetë më parë, shpallën pavarësinë kombëtare, dhe jo mbi një trashëgimi regjimesh e përfaqsuesish të idelogjive të huaja, sllavo-aziatike. Ai ishte udhëheqsi i parë shqiptar ç'prej rilindasve, që më në fund i këtheu sytë e mendjen nga Perendimi dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të bazuar në traditat dhe vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat humane të njerëzimit, Ibrahim Rugova ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e rilindasve, se e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit. Për këto dhe shumë merita të tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e parë të Kosovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.