VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
MBLEDHJA VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALAJMËRIMI I HILLARI KLINTONIT Nga FRANK SHKRELI E Hënë, 12.10.2012, 06:58am (GMT1)
Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet të ketë ndihmuar në dhënjen fund të luftës së ftohët. Por roli i saj pas rënjes së Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit. Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ''mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.'' Por ai u tha delegatëve se ajo që është ''shumë shqetsuese është realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore është tani më i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së''.
Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve
anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të
mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së. Ndërkaq, nuk është
aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në
njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr
pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj
mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ''mbetet
pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë'', dhe njëkohësisht
theksoi ''shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate
dhe të vlerave që ajo ka promovuar'', për pothuaj 40-vjetë.
Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u
takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj
organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të
njeriut në vendet e tyre. Sekretarja amerikane e shtetit ishte dakord me
përfaqsuesit e shoqërive civile se ''hapësira për veprimtarinë e tyre po
ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë
gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj
kundërshtarëve.'' Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes së kufizimeve
të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke
kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për
organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.
Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për
Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Duke
përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë
katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit
paralajmëroi delegatët duke kritikuar ashpër ato që ajo quajti, ''përpjekje për
të sovjetizuar rishtas rajonin'', një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për
të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë
sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik. Ajo shtoi se Shtetet e
Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë
proces''. Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj,
"shqetësuese'' në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve
demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se
''ia vlenë t'ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) --përfshirë
edhe Shtetet e Bashkuara -- kanë hapësirë për përmirësim'', në këtë fushë.
Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ''ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të
nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë
edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut
dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë
udhëhequr këtë organizatë ç'prej themelimit të saj''. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |