Një enigmë gjeopolitike është në zhvillim e sipër në politikën e jashtme të
Serbisë. Kjo enigmë përbëhet nga dy procese antipode njëra me tjetrën. Njeri
është procesi i integrimit në Bashkimin Europian, proces i cili është publik
dhe gëzon një reklamë diplomatike në Beograd dhe në Bruksel. Tjetri është
procesi i integrimit ushtarak me Rusinë, një proces i heshtur, i qetë, pa
reklamë diplomatike, por i vazhdueshëm dhe me mbështetje shtetërore dhe
politike në Beograd dhe në Moskë.
Procesi i heshtur i integrimit ushtarak me Rusinë po zhvillohet në formën e
institucionalizimit të ngadalshëm, por të sigurt, drejt anëtarësimit të Serbisë
në bllokun ushtarak të krijuar dhe të komanduar nga Moska dhe që quhet
Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv, CSTO, ku bëjnë pjesë gjashtë
shtete të ish- Bashkimit Sovjetik, Rusia, Bjellorusia, Kazakistani,
Kirgizstani, Armenia dhe Taxhikistani. CSTO është blloku ushtarak i krijuar
sipas modelit të Traktatit të dikurshëm ushtarak të Varshavës, ku bënin pjesë
të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore, të kontrolluara nga Moska,
përfshirë edhe Shqipërinë. CSTO është projektuar nga Rusia si një kundërpeshë
dhe kundërvënie ndaj Aleancës së Atlantikut Verior. Në planifikimet strategjike
të Rusisë, shtrirja e këtij blloku ushtarak euroaziatik, jo vetëm drejt
Lindjes, por edhe drejt Perëndimit, përbën një objektiv të vazhdueshëm dhe po
shfrytëzohet çdo rrethanë politike, ekonomike, energjitike dhe historike, për
zgjerimin e mundësive të shtimit të anëtarëve të rinj të CSTO me shtete, që
ndodhen në kufij me Bashkimin Europian dhe me NATO-n, dhe sidomos në Ballkan.
Serbia ka qenë dhe mbetet një objektiv i preferuar i zgjerimit të bllokut
ushtarak të Rusisë drejt Ballkanit dhe Europës. Presidenti rus, Dimitri
Medvedev, në vizitën që zhvilloi në Beograd në vitin 2009, i paraqiti
zyrtarisht ofertën që Serbia të bëhej anëtare e CSTO. Në maj të vitit të
kaluar, agjencia ruse Interfax, duke cituar burime shumë të larta zyrtare të
qeverisë ruse, njoftoi se Serbia është një nga kandidatët më të pëlqyeshëm për
pranim në CSTO dhe se Rusia e Serbia po zhvillonin bisedime lidhur me procesin
e anëtarësimit hap pas hapi të Serbisë në CSTO.
Duket se këto bisedime të fshehta kanë dhënë rezultatin e dëshiruar nga Moska
dhe hapat e Serbisë drejt integrimit në bllokun ushtarak rus po konkretizohen
në forma organizative. Në datën 29 nëntor 2012, pas vizitës dhe bisedimeve që
zhvilloi në Beograd, zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin, deklaroi
se Parlamenti i Serbisë do të bëhet shumë shpejt me statusin e shtetit vëzhgues
në CSTO.
Pa u mbushur java nga vizita e zëvendëskryeministrit rus, Serbia nisi
procedurat legjislative për këtë hap të rëndësishëm të procesit të integrimit
ushtarak me Rusinë. Në 4 dhjetor komisioni i politikës së jashtme të
Parlamentit të Serbisë mori nismën ligjore për të paraqitur në qeveri dhe në
parlament aktin e legalizimit për Serbinë të statusit të vëzhguesit në bllokun
ushtarak rus dhe të vendosjes së delegacionit të përhershëm parlamentar serb në
institucionet e atij blloku. Ky është një status special, që në bllokun
ushtarak rus nuk e ka asnjë shtet tjetër europian ish-komunist ose jo
ish-komunist. Është e njohur praktika ndërkombëtare që statusin e vëzhguesit e
pason shkalla e statusit të anëtarësimit në një organizatë, politike apo
ushtarake qoftë, pavarësisht se sa e shkurtër apo e gjatë mund të jetë hapësira
kohore mes dy shkallëve. Preferenca dhe ngutja për të nxitur procesin e
bashkimit të Serbisë me bllokun ushtarak rus duket se është rritur kohët e fundit
në Moskë.
Duhet theksuar fakti se shpejtimi i procesit të ecjes së Serbisë drejt fazave
të integrimit në CSTO po ndodh në kohën, kur në BE i dhanë me indulgjencë
Serbisë në marsin e këtij viti statusin e shtetit kandidat dhe po i premtojnë
që në vitin e ardhshëm të hapin bisedimet e pranimit të këtij vendi në BE.
Integrimit politik të Serbisë në BE, Moska po i kundërpërgjigjet me hapat e
integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus.
Marrëveshja e Rusisë me Serbinë për të marrë statusin e shtetit vëzhgues në
institucionet e bllokut ushtarak rus, CSTO, përpara se Serbia të marrë një datë
për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, profilizon qëllime të qarta
gjeopolitike të ruajtjes dhe të forcimit të pozicionit strategjik dhe
gjeopolitik të Serbisë si një instrument i interesave ruse në Ballkan dhe në
Europë. Marrëveshja duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit me
forma të tjera institucionale të bashkëngjitjes së Serbisë me bllokun ushtarak
rus, duke synuar natyrisht anëtarësimin e saj të plotë, kur të krijohen
rrethanat e përshtatshme. Është fakt se shpejtimi i hapave të integrimit të
Serbisë në bllokun ushtarak rus ka marrë një shtytje të re nga ndryshimi i
udhëheqjes së Serbisë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të këtij
viti dhe ku në krye të shtetit serb ka ardhur garnitura politike e kabinetit të
Sllobodan Millosheviçit. Presidenti i tanishëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i
cili në mënyrë sfiduese e bëri vizitën e tij të parë presidenciale në Rusi,
sapo BE i dha Serbisë statusin e shtetit kandidat, konsiderohet si figurë
qendrore e rrymës filoruse në jetën politike në Serbi. Në vitin 2007 ai u
shpreh në përkrahje të projektit të bashkimit të Serbisë me Rusinë dhe
Bjellorusinë, kurse në vitin 2008, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet
presidenciale, deklaroi se po të zgjidhej president, ishte gati t'i jepte
Rusisë një bazë ushtarake në territorin e Serbisë.
A po e mban presidenti aktual i Serbisë premtimin, jo vetëm për t'i dhënë bazë
ushtarake Rusisë, por edhe për ta kthyer gjithë Serbinë në një bazë të bllokut
ushtarak të Rusisë? Shenjat dhe lëvizjet janë se po shkohet drejt realizimit të
premtimit të tij. Jo rastësisht zëvendëskryeministri rus, D. Rogozin, gjatë
vizitës në Beograd lavdëroi udhëheqjen e re se "me ardhjen e qeverisë së
re në krye të vendit, Rusia ka një partner të besueshëm dhe stabël", duke
shprehur në një mënyrë aspak diplomatike preferencën e Kremlinit për udhëheqjen
e re të Serbisë dhe pakënaqësinë për ritmet e integrimit me Rusinë, të
udhëheqjes së mëparshme.
Rusia ka pasur dhe ka një obsesion konstant historik për të qenë e pranishme
ushtarakisht në Ballkan. Shtrirja e saj ushtarake në rajonin tonë mori një
goditje historike të pandreqshme me shembjen e komunizmit dhe me ardhjen e
qeverive demokratike në vendet e rajonit dhe me orientimin e ri të integrimit
euroatlantik, që ndoqën këto vende. Serbia është shteti i vetëm ballkanik, që
ka shpallur se nuk do të hyjë në NATO dhe qëllimisht adoptoi në vitin 2007 të
ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit ushtarak, për të bllokuar çdo kërkesë
të ndonjë partie apo grupi proeuropian në Beograd për të integruar vendin në
NATO. Ironia është se udhëheqësit e tanishëm të Serbisë e harrojnë doktrinën e
neutralitetit, kur është fjala për integrimin serb në bllokun ushtarak rus. Me
sa duket ata kanë bërë të tyrin arsyetimin e ish-ambasadorit rus në Serbi,
Aleksandër Konuzin, që deklaronte në Beograd se Serbia duhet t'i bashkohet
CSTO-së dhe bashkimi me CSTO do të reflektojë neutralitetin e Serbisë. Rusia po
intensifikon hapat për të transformuar Serbinë në një plasdarm të rëndësishëm
të saj energjitik në Ballkan dhe në Europë dhe njëkohësisht po përpiqet që të
krijojë terrenin për transformimin e territorit të saj në një bazë ruse. Ky
është qëllimi i bazës logjistike të ndërtuar nga Rusia në qytetin serb të
Nishit dhe që u inaugurua vitin e kaluar. Ky është qëllimi dhe i shtytjes së
Serbisë për t'u integruar në bllokun ushtarak rus CSTO.
Natyrisht hapat e Serbisë drejt integrimit me bllokun ushtarak rus prekin dhe
nuk mund të mos prekin interesat dhe sigurinë e të gjitha shteteve anëtare të
NATO-s në rajon, duke përfshirë edhe Shqipërinë. CSTO ka krijuar forcat e saj
të armatosura të bashkuara, një kontingjent ushtarak të ndërhyrjes së shpejtë,
po krijon ombrellën e përbashkët të mbrojtjes ajrore dhe po merr karakterin e
një policie ndërkombëtarë në zonën ruse të influencës në Azinë Qendrore. Një
integrim dhe një anëtarësim i mundshëm i Serbisë në CSTO do të sillte bllokun
ushtarak rus në Ballkan dhe do të krijonte burime kërcënimi dhe rreziqesh të
mëdha për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s në rajon dhe për të gjithë
rajonin.
Jemi përpara tendencash të një zhvillimi negativ, përballë të cilit as
diplomacia e as qeveria e Shqipërisë nuk mund të mbyllin sytë. Është naive të
mendohet se duke i tërhequr vëmendjen Serbisë për afrimin e saj organizativ me
Rusinë dhe me bllokun ushtarak rus, e nxisim atë të afrohet më shumë me Rusinë.
E vërteta është se Serbia dhe Rusia e marrin mosreagimin e vendeve të rajonit
si një dobësi. Është e pakuptueshme që të mos reagohet ndaj procesit të
integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus, siç ishte i pakuptueshëm
mosreagimi i vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, për bazën ushtarake
logjistike ruse në Nish.
Në këto situata i takon edhe qeverisë e diplomacisë shqiptare të ndërmarrin
hapat adekuate diplomatike dhe t'ua bëjnë të qartë Serbisë dhe opinionit publik
qëndrimin zyrtar. Sepse do të jenë Shqipëria dhe interesat e saj kombëtare
viktima e parë e një integrimi të Serbisë në bllokun ushtarak rus. Sepse një
integrim i Serbisë në bllokun ushtarak të Rusisë do të thotë një aleancë
agresive ushtarake në kufijtë e Kosovës, aleancë e dy shteteve, që jo vetëm nuk
e njohin Kosovën, por kërkojnë ta zhbëjnë shtetin e Kosovës dhe çështjen kombëtare
shqiptare. Nuk janë sjellje adekuate shtetërore as heshtja si mumje përballë
zhvillimeve negative dhe as idiotizmat diplomatike "të faqeve të reja, që
do të hapë Shqipëria me Nikoliçin dhe me Daçiçin", kur nuk qe në gjendje
t'i hapë faqet e reja të marrëdhënieve dypalëshe me Xhinxhiçin dhe me Tadiçin.
Shqipëria duhet të sillet si shtet i NATO-s, i përgjegjshëm për detyrat dhe
misionin e vet strategjik, si kombëtar ashtu dhe atlantik.