VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SERBIA PO SJELL BLLOKUN USHTARAK RUS NË BALLKAN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 12.17.2012, 06:58pm (GMT1)




Një enigmë gjeopolitike është në zhvillim e sipër në politikën e jashtme të Serbisë. Kjo enigmë përbëhet nga dy procese antipode njëra me tjetrën. Njeri është procesi i integrimit në Bashkimin Europian, proces i cili është publik dhe gëzon një reklamë diplomatike në Beograd dhe në Bruksel. Tjetri është procesi i integrimit ushtarak me Rusinë, një proces i heshtur, i qetë, pa reklamë diplomatike, por i vazhdueshëm dhe me mbështetje shtetërore dhe politike në Beograd dhe në Moskë.

Procesi i heshtur i integrimit ushtarak me Rusinë po zhvillohet në formën e institucionalizimit të ngadalshëm, por të sigurt, drejt anëtarësimit të Serbisë në bllokun ushtarak të krijuar dhe të komanduar nga Moska dhe që quhet Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv, CSTO, ku bëjnë pjesë gjashtë shtete të ish- Bashkimit Sovjetik, Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizstani, Armenia dhe Taxhikistani. CSTO është blloku ushtarak i krijuar sipas modelit të Traktatit të dikurshëm ushtarak të Varshavës, ku bënin pjesë të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore, të kontrolluara nga Moska, përfshirë edhe Shqipërinë. CSTO është projektuar nga Rusia si një kundërpeshë dhe kundërvënie ndaj Aleancës së Atlantikut Verior. Në planifikimet strategjike të Rusisë, shtrirja e këtij blloku ushtarak euroaziatik, jo vetëm drejt Lindjes, por edhe drejt Perëndimit, përbën një objektiv të vazhdueshëm dhe po shfrytëzohet çdo rrethanë politike, ekonomike, energjitike dhe historike, për zgjerimin e mundësive të shtimit të anëtarëve të rinj të CSTO me shtete, që ndodhen në kufij me Bashkimin Europian dhe me NATO-n, dhe sidomos në Ballkan. Serbia ka qenë dhe mbetet një objektiv i preferuar i zgjerimit të bllokut ushtarak të Rusisë drejt Ballkanit dhe Europës. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, në vizitën që zhvilloi në Beograd në vitin 2009, i paraqiti zyrtarisht ofertën që Serbia të bëhej anëtare e CSTO. Në maj të vitit të kaluar, agjencia ruse Interfax, duke cituar burime shumë të larta zyrtare të qeverisë ruse, njoftoi se Serbia është një nga kandidatët më të pëlqyeshëm për pranim në CSTO dhe se Rusia e Serbia po zhvillonin bisedime lidhur me procesin e anëtarësimit hap pas hapi të Serbisë në CSTO.

Duket se këto bisedime të fshehta kanë dhënë rezultatin e dëshiruar nga Moska dhe hapat e Serbisë drejt integrimit në bllokun ushtarak rus po konkretizohen në forma organizative. Në datën 29 nëntor 2012, pas vizitës dhe bisedimeve që zhvilloi në Beograd, zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin, deklaroi se Parlamenti i Serbisë do të bëhet shumë shpejt me statusin e shtetit vëzhgues në CSTO.

Pa u mbushur java nga vizita e zëvendëskryeministrit rus, Serbia nisi procedurat legjislative për këtë hap të rëndësishëm të procesit të integrimit ushtarak me Rusinë. Në 4 dhjetor komisioni i politikës së jashtme të Parlamentit të Serbisë mori nismën ligjore për të paraqitur në qeveri dhe në parlament aktin e legalizimit për Serbinë të statusit të vëzhguesit në bllokun ushtarak rus dhe të vendosjes së delegacionit të përhershëm parlamentar serb në institucionet e atij blloku. Ky është një status special, që në bllokun ushtarak rus nuk e ka asnjë shtet tjetër europian ish-komunist ose jo ish-komunist. Është e njohur praktika ndërkombëtare që statusin e vëzhguesit e pason shkalla e statusit të anëtarësimit në një organizatë, politike apo ushtarake qoftë, pavarësisht se sa e shkurtër apo e gjatë mund të jetë hapësira kohore mes dy shkallëve. Preferenca dhe ngutja për të nxitur procesin e bashkimit të Serbisë me bllokun ushtarak rus duket se është rritur kohët e fundit në Moskë.

Duhet theksuar fakti se shpejtimi i procesit të ecjes së Serbisë drejt fazave të integrimit në CSTO po ndodh në kohën, kur në BE i dhanë me indulgjencë Serbisë në marsin e këtij viti statusin e shtetit kandidat dhe po i premtojnë që në vitin e ardhshëm të hapin bisedimet e pranimit të këtij vendi në BE. Integrimit politik të Serbisë në BE, Moska po i kundërpërgjigjet me hapat e integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus.

Marrëveshja e Rusisë me Serbinë për të marrë statusin e shtetit vëzhgues në institucionet e bllokut ushtarak rus, CSTO, përpara se Serbia të marrë një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, profilizon qëllime të qarta gjeopolitike të ruajtjes dhe të forcimit të pozicionit strategjik dhe gjeopolitik të Serbisë si një instrument i interesave ruse në Ballkan dhe në Europë. Marrëveshja duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit me forma të tjera institucionale të bashkëngjitjes së Serbisë me bllokun ushtarak rus, duke synuar natyrisht anëtarësimin e saj të plotë, kur të krijohen rrethanat e përshtatshme. Është fakt se shpejtimi i hapave të integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus ka marrë një shtytje të re nga ndryshimi i udhëheqjes së Serbisë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të këtij viti dhe ku në krye të shtetit serb ka ardhur garnitura politike e kabinetit të Sllobodan Millosheviçit. Presidenti i tanishëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili në mënyrë sfiduese e bëri vizitën e tij të parë presidenciale në Rusi, sapo BE i dha Serbisë statusin e shtetit kandidat, konsiderohet si figurë qendrore e rrymës filoruse në jetën politike në Serbi. Në vitin 2007 ai u shpreh në përkrahje të projektit të bashkimit të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë, kurse në vitin 2008, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale, deklaroi se po të zgjidhej president, ishte gati t'i jepte Rusisë një bazë ushtarake në territorin e Serbisë.

A po e mban presidenti aktual i Serbisë premtimin, jo vetëm për t'i dhënë bazë ushtarake Rusisë, por edhe për ta kthyer gjithë Serbinë në një bazë të bllokut ushtarak të Rusisë? Shenjat dhe lëvizjet janë se po shkohet drejt realizimit të premtimit të tij. Jo rastësisht zëvendëskryeministri rus, D. Rogozin, gjatë vizitës në Beograd lavdëroi udhëheqjen e re se "me ardhjen e qeverisë së re në krye të vendit, Rusia ka një partner të besueshëm dhe stabël", duke shprehur në një mënyrë aspak diplomatike preferencën e Kremlinit për udhëheqjen e re të Serbisë dhe pakënaqësinë për ritmet e integrimit me Rusinë, të udhëheqjes së mëparshme.
Rusia ka pasur dhe ka një obsesion konstant historik për të qenë e pranishme ushtarakisht në Ballkan. Shtrirja e saj ushtarake në rajonin tonë mori një goditje historike të pandreqshme me shembjen e komunizmit dhe me ardhjen e qeverive demokratike në vendet e rajonit dhe me orientimin e ri të integrimit euroatlantik, që ndoqën këto vende. Serbia është shteti i vetëm ballkanik, që ka shpallur se nuk do të hyjë në NATO dhe qëllimisht adoptoi në vitin 2007 të ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit ushtarak, për të bllokuar çdo kërkesë të ndonjë partie apo grupi proeuropian në Beograd për të integruar vendin në NATO. Ironia është se udhëheqësit e tanishëm të Serbisë e harrojnë doktrinën e neutralitetit, kur është fjala për integrimin serb në bllokun ushtarak rus. Me sa duket ata kanë bërë të tyrin arsyetimin e ish-ambasadorit rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, që deklaronte në Beograd se Serbia duhet t'i bashkohet CSTO-së dhe bashkimi me CSTO do të reflektojë neutralitetin e Serbisë. Rusia po intensifikon hapat për të transformuar Serbinë në një plasdarm të rëndësishëm të saj energjitik në Ballkan dhe në Europë dhe njëkohësisht po përpiqet që të krijojë terrenin për transformimin e territorit të saj në një bazë ruse. Ky është qëllimi i bazës logjistike të ndërtuar nga Rusia në qytetin serb të Nishit dhe që u inaugurua vitin e kaluar. Ky është qëllimi dhe i shtytjes së Serbisë për t'u integruar në bllokun ushtarak rus CSTO.

Natyrisht hapat e Serbisë drejt integrimit me bllokun ushtarak rus prekin dhe nuk mund të mos prekin interesat dhe sigurinë e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s në rajon, duke përfshirë edhe Shqipërinë. CSTO ka krijuar forcat e saj të armatosura të bashkuara, një kontingjent ushtarak të ndërhyrjes së shpejtë, po krijon ombrellën e përbashkët të mbrojtjes ajrore dhe po merr karakterin e një policie ndërkombëtarë në zonën ruse të influencës në Azinë Qendrore. Një integrim dhe një anëtarësim i mundshëm i Serbisë në CSTO do të sillte bllokun ushtarak rus në Ballkan dhe do të krijonte burime kërcënimi dhe rreziqesh të mëdha për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s në rajon dhe për të gjithë rajonin.

Jemi përpara tendencash të një zhvillimi negativ, përballë të cilit as diplomacia e as qeveria e Shqipërisë nuk mund të mbyllin sytë. Është naive të mendohet se duke i tërhequr vëmendjen Serbisë për afrimin e saj organizativ me Rusinë dhe me bllokun ushtarak rus, e nxisim atë të afrohet më shumë me Rusinë. E vërteta është se Serbia dhe Rusia e marrin mosreagimin e vendeve të rajonit si një dobësi. Është e pakuptueshme që të mos reagohet ndaj procesit të integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus, siç ishte i pakuptueshëm mosreagimi i vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, për bazën ushtarake logjistike ruse në Nish.

Në këto situata i takon edhe qeverisë e diplomacisë shqiptare të ndërmarrin hapat adekuate diplomatike dhe t'ua bëjnë të qartë Serbisë dhe opinionit publik qëndrimin zyrtar. Sepse do të jenë Shqipëria dhe interesat e saj kombëtare viktima e parë e një integrimi të Serbisë në bllokun ushtarak rus. Sepse një integrim i Serbisë në bllokun ushtarak të Rusisë do të thotë një aleancë agresive ushtarake në kufijtë e Kosovës, aleancë e dy shteteve, që jo vetëm nuk e njohin Kosovën, por kërkojnë ta zhbëjnë shtetin e Kosovës dhe çështjen kombëtare shqiptare. Nuk janë sjellje adekuate shtetërore as heshtja si mumje përballë zhvillimeve negative dhe as idiotizmat diplomatike "të faqeve të reja, që do të hapë Shqipëria me Nikoliçin dhe me Daçiçin", kur nuk qe në gjendje t'i hapë faqet e reja të marrëdhënieve dypalëshe me Xhinxhiçin dhe me Tadiçin. Shqipëria duhet të sillet si shtet i NATO-s, i përgjegjshëm për detyrat dhe misionin e vet strategjik, si kombëtar ashtu dhe atlantik.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.