VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN
Nga FRANK SHKRELI

E Mërkurë, 12.19.2012, 07:05am (GMT1)



Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë: ''Këtu është një sallë fjalësh. Disa ditë më parë në këtë tribunë folën burrat më të fuqishëm të botës. Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë. Nuk besoj se është e nevojshme tua paraqesë atë. Ajo nuk ka nevojë për fjalë. Por Ajo ka nevojë për veprat tona. Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqëja në botë.''

Sipas gjasës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithshëm Cuellar se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Shqipëria, nëpërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj. ''Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

''Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës.....Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t'i kemi dhënë njerëzimit.''

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ''Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënieve të saj, pasi kjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ''Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Si e tillë, i përkas të gjithë botës''.

Është ekzaktësisht kjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ''vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë'', përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza, siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z. Ferit Hoxha rreth të cilit të mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasysh situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.