VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PËRBALLË GLOBALIZMIT SA DIMË, SA BËJMË?!Nga Dr. PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 11:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
PËRBALLË GLOBALIZMIT SA DIMË, SA BËJMË?!
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Premte, 12.28.2012, 04:00pm (GMT+1)



Kapitalizmi global me katër kështjellat imperiale të botës financiare, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Klubin e Parisit, Klubin e Londrës dhe Bankën Qëndrore Europiane, e kanë përfshirë edhe tregun shqiptar në rrjetat e tyre. Dy mekanizmat e transaksionit financiar, si paraja dhe krediti, janë këmbëkryq në ekonominë shqiptare. Nën autoritetin e tyre janë të gjithë, individë dhe familje, firma private dhe operatorë të tjerë. Çështja preokupante është se tregjet kombëtare nuk janë mbrojtur. Privatizimi i pronave shtetërore, me qëllim largimin nga sistemi i djeshëm i "socializmit shtetëror", u bashkëshoqërua dhe vijon thekshëm me blerjen e pasurisë kombëtare nga të huajt, në emër të tregut ekonomik global. Pra, pasuria kombëtare është tani në duart e kapitalit të huaj njëngjyrësh apo shumëngjyrësh, kjo pak rëndësi ka. Të gjitha bankat, përveç Bankës së Shtetit, që mbanë bonot e thesarit, janë privatizuar nga të huajt. Rreth 75 për qind e tregut bankar kontrollohet nga Raiffeisen Bank, 15 për qind nga disa banka greke dhe 10 për qind nga disa banka të tjera turke, arabe, malajziane, franceze e etj. Shërbimet e telefonisë celulare gjithë po aq janë në duart e kapitalit jo shqiptar.Në këtë rrugë po hynë së fundi dhe veprat e mëdha të hidroenergjitikës e kështu më rradhë pa u ndalur edhe institucionet e sigurimeve që më së shumti janë shitur tek kapitali i huaj.Po duket se vetëm ajrin dhe dritën e diellit e qiellin po e mbajmë pa shitur, së paku për momentin.Globalizmi në ekonomi ka dërrmuar prodhimin vendës. Bilanci i eksportit me importin është në një raport negativ rrëqethës dhe ka ardhur duke u thelluar.Tregëtia e jashtëme është me salto negative.
Çdo vit jo më pak se 1 miliard e 500 milionë euro shkojnë jashtë për të blerë mallrat e përdorimit të përditshëm, kryesisht në tregjet fqinje të Maqedonisë, Greqisë, Italisë.

Asgjësimi i prodhimit vendës në bujqësi, agroindustri dhe sektorë të tjerë të artizanatit apo shërbimit ka bërë që burimet monetare të jenë dobësuar. Xhirua e parasë varej para fillimit të krizës nga tregtia dhe sektori i ndërtimeve, nga kursimet e emigrantëve dhe burimet informale të parasë, sidomos trafiqet e paligjshme. Por për këtë realitet askush nuk shqetësohej.Kur remitancat u pakësuan dhe pastrimi i parave dhe trafiqet po bllokohen, si një aritje e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, situata monetare është dobësuar duke u shtuar deflacioni dhe borxhi jashtëm. Të shesësh pasuri të patundëshme në kohën e mungesës së likuditeteve në treg dhe kur kreditë bankare janë të kushtëzuara nga kushte garantimi të larta, do të thotë që të bësh një biznes të keq, sepse çmimi i këtyre lloj asetesh bie në treg. Ai që ndjenë mungesë likuiditeti dhe njëherësh ka peshën e detyrimeve bankare për shkak të kreditimeve të mara që presin të kthehen, është i detyruar të shesi nga pasuritë kombëtare dhe të tregjeve të veta me çmim jo të favorshëm, si edhe mund të ndodhte në një situatë tjetër më të shëndetëshme e jo deflacioniste.

Sjellje të tilla kanë provuar se tregu nuk drejtohet më nga "duart e padukshme" dhe se politikat lokale janë në trysninë e faktorëve relevant të kreditimit në tregjet globale.Të mbrohesh nga pasojat e globalizmit nuk është as gabim as edhe e pamundur.Të dorëzohesh pa kushte është me kosto për të sotmen dhe për të ardhmen.Nuk mjafton justifikimi se do punësohen kaq persona. Të jesh punëtorë në vendin tënd ku pasuria kombëtare nuk është me jotja, kjo nuk është për t'u mburur dhe nuk se sjellë ndonjë prosperitet të madh për vendin. Ekonomia drejtohet, dhe nuk vetdrejtohet në lojën spontane të tregut ku oferta dhe kërkesa dialogojnë në lirinë e iniciativës.

Në librin e tij më të fundit "Trazirat Financiare" George Soros, mëton:
"Qëkurse shpërthimet i bën të paqëndrueshëm në mënyrë inherente tregjet finaciare, historia tregjeve financiare kanë qenë të shënuara nga krizat financiare.Secila krizë provokoi një përgjigje regulluese.Ja përse zhvillimet rregulluese financiare dhe ato të bankave qëndrore, janë në një hap me vet tregjet. Kështu tregjet nuk janë vetëm nën drejtimin e duarëve të padukshme; ata janë me të vërtetë subjekte të duarëve të dukshme të politikës" (George Soros," Financial Turmoil" faqe xxiii). Ja pra sepse edhe nën strehën e alibisë së teorisë neoliberalizmit nuk mund të justifikohesh as sot dhe as në të ardhmen, se ato që kryhen me tregjet dhe asetet janë të pashmangshme sepse nuk mund të ndërhyhet në treg. Si politikat extra-liberale të së djathtës dhe ato ultranacionale të së majtës, nuk janë të mjaftueshme dhe zgjidhëse të problematikës së situatës. Të shesës pasuri kombëtare pa formulën e njohur në kësi rastesh, dhe të thuash se kur unë do të vijë në pushtet do t'i shoh këto shitje për rregullime deri në anullim, duke haruar se ka arbitrazh ndërkombëtar, të dy këta qëndrime të propagandës së viteve të fundit në Shqipëri, tregojnë se në të gjithë spektrin politik të partive në vendin tonë, për çdo gjë flitet, vetëm për shkolla ekonomike dhe financiare jo. Kjo pafuqi orientimi tregon qartazi se kultura mbi globalizmin vijon të mungojë tek ne. Ecet sot për nesër dhe mbushen gropat e krijuara financiare duke mos patur një të ardhme te sigurt. Ciklet ekonomike dhe autoriteti tregjeve, nuk ka lidhje me një apo dy mandate pushteti.Veprimet e çdo force politike në pushtet duhen kontrolluar me interesin kombëtar afatgjatë dhe jo të shërbejnë si një "deux est machina" në zgripin e krijuar në perjudhën e caktuar. Ikja e pasurisë kombëtare vetëm tek të huajt duhet llogaritur me kujdes maksimal. Shumë prej këtyre shkojnë pa kthim. Prezenca e kapitali vendas është domosdoshmëri. Të mbash aksione deri në paketën kontrolluese nuk është antiglobalizëm.

Shqipëria nuk ka asnjë institut ekonomik që të studiojë globalizmin ekonomik dhe krizat permanente të kapitalizmit global me pasojat në periferi. Flitet në një aspekt linear dhe publicistik, lexohen teza dhe realitete jashtë nesh, ndërsa raporti"krucial" ne përball globalizmit sa dimë dhe sa bëjmë, nuk arysetohet. Sa kohë që nuk ka prognoza, nuk ka mendim alternativ, nuk ka stradegji kombëtare afatgjata që kapërcejnë dasitë partiake; ekonomia dhe tregu ynë kanë mbetur pa mbroje. Ata ecin në një hulli, që një zot e di se ku do të na shpjerë në të ardhmen tonë të afërt. Mos mbrojtja e tregjeve dhe shitja e aseteve të rëndësishme monetare, të telekomunikacionit dhe ata energjitikë; tregojnë se jemi nga viktimat e fondamentalizmit të tregut. Globalizmi i tregut po na rëzon dita ditës duke na marrë gjithçka.

Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, por atje nuk shpie përfaqësues të përhershëm.Njësimi i kritereve të doganave tona me ato të BE-s, dhe tregu i hapur plotësisht për mallrat që vijën nga BE-ja e rajoni, i ka bërë esëll prodhuesit vendës. Ata po e kuptojnë sa të rrezikuar janë, dhe se si kërcënohen nga falimentimi apo dobësimi ekonomik për shkak të një situate jo fort të favorshme përballë konkurencës. Hapja ekonomike ka rezultuar me nxjerrjen jashtë vendit të pasurisë dhe mbajtjen brenda të varfërisë. Eksportojmë valutë dhe importojmë mallra.Se kush e përkrah këtë lloj tregu dhe ekonomie, hajde gjeje, por se kjo nuk është as globalizëm as antiglobalizëm, është thjeshtë një pafuqi orientimi dhe dështim.

Globalizmi institucional është prezent në Shqipëri. Vendi është i anëtarësuar në pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare. Janë ratifikuar në Parlament konventat më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe marrëveshjet, por ajo që të bie në sy është trajtimi formalist i tyre.

Pasi nënshkruhen këto dokumente dhe hartohet legjislacioni në përputhje me to, përballë realitetit vendor, nuk lëvizet në udhën e realizimit praktik me të njëjtin dinamizëm. Veprimi konkret është i zbehtë. Përgjegjësia qytetare për këtë impakt, jo e prekshme.
Shqipëria ka firmosur marrëveshjen e Johanesburgut për objektivat e Mileniumit, ka edhe një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2003, por nuk ka një strategji kombëtare për realizimin e objektivave. Nuk ka struktura të caktuara përgjegjëse, objektiva qartësisht të përcaktuar. Mungon një bashkëpunim rajonal e më gjerë, në njësi që vepronë në realizimin e objektivave.Çdo vit OKB nxjerrë një dokumet voluminoz për ecurinë e punëve në realizimin e detyrave të mijëvjeçarit që vjenë edhe tek ne.

Fatkeqësisht ai ose nuk lexohet fare ose shifet përciptas. Dikasteret qëndrore që e marrin nuk azhornojnë punët me kërkesat që burojnë nga ky doracak voluminoz, i cili orjenton për mundësitë dhe hapsirat e bashkëpunimit në këtë mijëvjeçarë. Dukemi si të vetpërjashtuar me këtë qëndrim. Në vitin 2005 në Francë, për një javë rresht, zhvilloi punimet Kongresi Botëror i Popullsisë, i cili u mor seriozisht me plakjen dhe uljen e fertilitetit të popullsisë botërore. Ndër qindra delegatë nuk gjendej asnjë përfaqësues i Shqipërisë, as nga institucionet shkencore, as nga ato qeveritare. Në mars 2006 u zhvillua nga OKB-ja, në Meksiko, kongresi botëror për ujin. Mungesa e palës shqiptare ishte sërish e pranishme. Por popullsia dhe uji janë objektiva të mileniumit. E, nëse nuk je në këto forume, përgjegjësia është e jotja. Globalizëm pa gjithëpërfshirje duhet lexuar vetëpërjashtim. Fondet shkojnë atje ku ka interesa dhe ekzigjencë. Një papërgjegjësi e tillë flet për një kuptim mjaft të cekët të globalizmit institucional vendimmarrës. Nëse nuk je atje ku vendoset ku jepen fondet, me projekte konkrete me objektivat dhe ambiciet e tua, atëherë e kë lënë veten si një kanoe pa lundërtar në ujërat e rrëmbyer, që të shpien në kanione të rrezikshme. Vendi ynë mori pjesë në Konferencën e Kopenhagës ku u diskutua për ngrohjen globale dhe se fundëmi në atë të Katarit ku në qendër ishte shtyrja e mandatit të Protokollit të Kiotos. Por ne morëm pjesë në to me fjalime politike. Nuk burojnë nga këto pjesëmarrje alternativa bashkëpunimi.
Globalizmi institucional është formë ligjore e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes globale; është gjithashtu edhe një mekanizëm që disiplinon antropologjinë globale në një milenium me sfida jo të vogla, të cilat nuk përballohen kurrsesi vetëm; për më tepër, me amatorizëm dhe me "strukje në folenë tënde malore".

Një formë tjetër është globalizmi kulturor, i cili shpërfaqet si një mozaikë vlerash e kulturash, por edhe si një treg-operator, ku kulturat e supermbështetura financiarisht të mbysin në treg.

Për vendet e vogla dhe me mundësi të kufizuara financiare, mbështetja e kulturës, traditës dhe vlerave unikale identifikuese, në një botë që sundohet nga tregu, përbën një objektiv sa të vështirë, po aq edhe jetësor. Protagonizmi dhe investimet individuale të shumë personave në fushën e artit, kulturës, shkencës, ekonomisë, biznesit, akademizmit apo teknologjisë, të cilët kanë nacionalitet shqiptar, por që kanë arritur të çajnë me sukses në tregun jashtë vendit, përbën një arritje personale që duhet përshëndetur.

Emri i një vendi njihet dhe vlerësohet edhe nga kontribute të tilla. Aktualisht, ka shumë shqiptarë të tillë anë e kënd botës.Por ata bartin dhe përdorin një ingredient kulturor të tregut global.

Vlerat e mirëfillta kombëtare, si gjuha, traditat, zakonet, vlerat historike të dokumentuara, etnokultura, monumentet historike dhe natyrore, arkiviologjia dhe kulturologjia, në përgjithësi, gjithçka e krijuar në shekuj nga antropologjia pellazgo-iliro-shqiptare duhet ruajtur dhe administruar me kujdes, si pjesë e pasurisë botërore.

Në thelb, BE-ja është një pluralizëm kulturor. Në këtë kuptim, ai ka nevojë për kontributin e të gjithëve, të popujve të mëdhenj e të vegjël, të zhvilluar dhe më pak të zhvilluar, me një besim fetar unitar, por edhe me pluralizëm religjioz.

Kultura nuk prodhon konflikt dhe mendjemadhësi, urrejtje apo nënçmim. Të tillë atë mund të bëjnë politikat përjashtuese, ksenofobia dhe përbuzja nacionaliste. Qëndrime të tilla janë antikulturë dhe vijnë si jehonë e psikologjisë arkaike. Është për këtë arsye që në fushën e globalizmit kulturor Shqipëria ka ecur më e sigurt dhe ka takuar më shumë suksese.Vendimet e UNESCO-s, në gusht 2005, për heqjen nga lista e objekteve në rrezik të ansamblit të Butrintit antik, përfshirja e zonës së kalasë në Gjirokastër, si pjesë e trashëgimisë botërore, fillimi po në atë kohë i procedurave edhe për lagjen-kala të qytetit mbi 2000- vjeçar të Beratit(që u bë realitet disa vite më pas) dhe, së fundi, përfshirja si pjesë e trashëgimisë botërore shpirtërore të iso-polifonisë shqiptare, janë evenimente epokale për një popull të vogël, por vital si populli shqiptar. Artistë të ndryshëm, që nga kineastë, poetë, shkrimtarë, këngëtarë lirikë e të etnoxhazit, instrumentistë, balerinë, shkencëtarë, eruditë të ndryshëm kanë arritur të konkurrojnë denjësisht me veprat e tyre në festivale ndërkombëtare apo forma të tjera të ballafaqimit të vlerave artistike e kulturore, shkencore e akademike. Sfida më e madhe në fushën e kulturës, përballë globalizmit, mbetet revolucioni në fushën e arsimit.

Reforma apo revolucioni kurikulare, futja e sistemeve të reja të të edukuarit shkollor, aplikimi i metodologjive bashkëkohore, krijimi i kushteve moderne në tërë procesin e edukimit shkollor janë objektivat e një shoqërie që kërkon të emancipohet, sipas parimit "Arsimi ndryshon, për t'i hapur rrugë ndryshimit të gjithë shoqërisë".

Ka një projekt të Bankës Botërore për arsimin në Shqipëri me afat 10-vjeçar, 2005-2015, me një investim 120 milionë dollarë.Ky proces transformimi ka nisur, por sfida nuk është vetëm materiale dhe dokumentare, instrumentale dhe laboratorike. Fillimisht, dhe në tërë procedurat realizuese, ajo është dhe mbetet sfidë kulturore, sfidë mentaliteti dhe dijesh të reja.Përmbysje të tilla kanë kosto sociale, morale, interesash dhe kosto psikologjike. Le të shohim se ç'ka ndodhur në Francë, si në vitin 2005, me ligjin "Fillo" për ndryshimin e kurikulës shkollore, si dhe me ligjin "Dë Villpen" për punësimin e studentëve.Franca u përfshi në lëvizje të gjera greviste të sindikatave të arsimit dhe studentëve. Qeveria u zmbraps dhe retushoi.

Arsimi i lartë në Shqipëri është futur në atë që quhet Procesi i Bolonjës. Në shtator 2003 u firmos ky dokument dhe Shqipëria iu bashkua 40 vendeve që aderojnë në Marrëveshjen e Bolonjës.

Reformimi i arsimit të lartë me qëllim integrimin e kualifikimit shkencor me studimin universitar, përmes shtojcës së diplomës në një gjuhë ndërkombëtarisht të njohur, njësimi i diplomave përmes sigurimit të cilësisë dhe lëvizja e lirë e profesoratit universitar studentëve dhe menaxherëve të këtij niveli arsimor, pra përmbledhtas, objektivat e Procesit të Bolonjës, mund të formulohen edhe në tri radhë.Realizimi në praktikë është një ndërmarrje epokale që kërkon të ridimensionojë arsimin në përgjithësi dhe atë universitar e pasuniversitar në veçanti.

Dëshirë ka, përpjekjet kanë filluar, entuziazmi luhatet në ekstremet e gëzimit për një realizim të afërt dhe dëshpërimit që jemi shumë larg për një realizim të tillë.

Hapja dhe mbyllja e mendjes, sipas emocioneve, përcaktohet nga mungesa e vizioneve të qarta, nga mospranimi i sfidës dhe kostove që burojnë prej saj, nga një lloj tradicionalizmi i trupave mësimore që nuk duan të prishin rehatinë, nga interesa të ngushta tregu, pasi është e pranuar dhe evidentuar që mitëmarrja dhe ryshfeti janë prezente në marrëdhëniet studentë-pedagogë.
Kulmi ishte kur në vitin akademik 2005-2006 në Fakultetin Juridik u zbulua se testi i provimit të pranimit ishte i shitur, i zgjidhur për 6 000 euro.

Çështja i kaloi prokurorisë. Ajo çka tronditi ishin fjalët se kështu kishte ndodhur prej kohësh. Ata që do të jepin drejtësi, pas disa vitesh e kishin fituar këtë të drejtë me marifete të tilla korruptive: drejtësi e korruptuar në shpërgënj. Por se në vitet e fundit rastet e korupsionit në arsim dhe të mitemarrjes apo shitjes së diplomave edhe jashtë Shqipërisë, janë aq të shpeshta sa që duket se në vend që të bëjnë efekt për reagim, kanë sjellë familjarizimin me to.

Ende mungon një njësi kombëtare e pavarur që do të duhej të hartonte politikat kombëtare të revolucionit arsimor. Liria akademike ka me sa duket një rrugë goxha të gjatë tek ne.

Politizimi partiak i këtij detyrimi, konsultimi me ekspert të vetëshpallur, si të tillë, dalja jashtë kornizave të detyruara institucionale të njësive rajonale dhe globale, si dhe eksperimentimet për implementim të praktikave tepër të vjetruara e, përfundimisht të kapërcyera, e ravijëzojnë situatën në një të turbullt dhe pa objektiva të qarta, dhe jo në një të tillë që shpie shpejt dhe sigurt tek integrimi evropian i sistemit arsimor, në përgjithësi, dhe atij të shkollave të larta universitare, në veçanti.

* * *
Prej disa dekadash, bota përballet me një rirreshtim edhe të fshatit botëror fetar dhe etnofetar.

Katolicizmi është zgjeruar edhe në territore gjeografike, jo tradicionale, sipas parimit se "Jezusi luftonte për mbretërinë e qiejve, pa bërë dallim mes racave dhe individëve".

Ortodoksizmi nuk rresht të rekrutojë të konvertuar rishtas në këtë besim, proces që i ka rrënjët në bizantinizmin tradicional.

Myslimanizmi, gjithashtu, ka qenë mjaft aktiv në realizimin e programit të tij global, me orjentimin; "jo demokratizim si ai perëndimor, por demokratizim të islamit, duke u kthyer te vlerat e tij autentike të braktisura".

Këto procese globale janë prezent me impaktin konkret edhe në Shqipëri. Dekadën e fundit, mjaft të rinj shqiptarë, djem dhe vajza, brenda dhe jashtë Shqipërisë, janë rekrutuar si islamikë të rinj, mjaft konservatorë në sjellje, veshje dhe edukatë, në qëndrimin ndaj familjes, shoqërisë dhe realitetit. Myslimanizmi tradicional shqiptar, tejet liberal dhe i përzier me zakone vendëse, që nga ato pagane deri te kriptoreligjionizmi rutinier, ndeshet tani me një masë njerëzish që janë tejet të dallueshëm si ithtarë të tradicionalizmit fetar, që vjen nga një periudhë e kapërcyer edhe në Shqipëri. Mbreti Zog, në kohën e tij, me dekret i hoqi perçet.

Regjimi i Hoxhës i mbylli kishat dhe xhamitë në vitin 1967 dhe gratë dolën në jetë si burrat, duke punuar, studiuar dhe duke iu larguar jetës së mbyllur shtëpiake. Tani, në fillim të shekulli XXI, në Shqipëri rishfaqen gratë e mbuluara me perçe, burrat me pantallona treçerekëshe dhe me mjekra shumë të gjata, të cilët kanë ndryshuar totalisht mënyrën e tyre të jetesës. Brenda sunitëve shqiptarë vihet re ky kontrast i myslimanëve të vjetër liberalë dhe myslimanëve të rinj mjaft radikal dhe strikt, të cilët nuk ndajnë po atë filozofi interpretimi për besimin e tyre të njëjtë.

Po në këtë periudhë 20-vjeçare të hapjes ndaj botës ka ndodhur edhe një proces tjetër. Mijëra shqiptarë emigruan në Greqi. Sot numërohen atje rreth 500-600 mijë të tillë. Ndaj tyre, me mjete të hapura dhe jo të tilla shtrënguese dhe mikluese, është përdorur konvertimi fetar në ortodoksizëm. Kjo për të rriturit, pasi për të rinjtë dhe fëmijët, që kanë lindur atje, pagëzimi i tyre si besimtarë ortodoksë është një praktikë e zakontë. E drejta e besimit është e drejtë individuale dhe raport konfesioni individual. Konvertimi është edhe shenjë emancipimi. Ky proces ndodh kudo në botë. Por kur ai kushtëzohet me marrjen në punë, me sigurimin e privilegjeve deri te pensione të veçanta, apo vënien si kusht që në një procedurë legale të ndryshohet edhe kombësia, duke e paraqitur veten si minoritet i mohuar deri dje në Shqipëri; e gjithë kjo është ndryshim i programuar etnoreligjioz e demografik që ndryshon jo thjesht raporte statistikore, por dëmton bashkëjetesën fetare dhe trondit balancat e kohezionit social të vendit.Shumë njerëz në emigracion, për shkak të nevojave ekonomike dhe problematikës komplekse të jetës, nuk e kuptojnë se çfarë pasojash sjell një veprim i tillë për vendin, për të sotmen e, në veçanti për të ardhmen.

Nëse organizohet një regjistrim i popullsisë, ku do të kërkohet edhe deklarimi i besimit dhe kombësisë, të konvertuarit mendjembyllur do të sillnin statistika tronditëse për vlerësimin e shoqërisë shqiptare. Censusi i 2011 e provoi një përfundim të tillë. Ka sjellë shifra të turbullta dhe të pabesueshme në shumë raste. Do të duhej të precizohej që kjo shoqëri është unitare me një përqindje të ulët të pakicave kombëtare dhe etnokulturore apo një shoqëri multietnike.

Globalizmi fetar dhe ndeshjet e tij për zgjerim influence janë të pleksura sot edhe me fenomene të tjerë politikë, ekonomikë, ushtarakë dhe ekstremistë. Një vend i vogël si Shqipëria, me afro 3 milionë banorë, me tre besime që pranojnë konvertimin dhe me një sekt, bektshizmin shiit liberal, me një kler jo shumë të edukuar teorikisht, sidomos në nivelet e dyta dhe të ulëta, me një popullsi në masë të varfër dhe pa ndonjë perspektiv të qartë e të garantuar, qoftë edhe për një të ardhme të afërt, duket krejt e papërgatitur për këtë lloj globalizmi dhe mekanizmat e tij abrazive.

Shteti laik nuk e ka kuptuar ende si kompetencë se ku duhet të ndërhyjë dhe ku jo, për çështjet fetare në mbrojtje të qytetarëve. Nuk është kuptuar se institucionet fetare të mirëfillta janë të ndara nga shteti dhe mbrohen me ligj. Ndërsa organizatat fetare, që pretendojnë se "ndihmojnë punët e fesë, kanë një mandat ligjor të kontrolluar dhe të penalizueshëm, kur shkelin Kushtetutën dhe ligjin. Shoqëria është sekulare, besimi është individual. Vendimmarrja është ligjore dhe raportet me të të bëjnë qytetar të lirë civil, të përgjegjshëm ndaj vetes, shoqërisë, shtetit dhe ligjit.

Shoqëria shqiptare, plot me energji për ndryshim, vitalitet dhe shpirt sakrifice është nisur të ndryshojë. Mendimi shpesh ngelet pas, sepse është ende i pakualifikuar dhe i mbyllur, si tillë. Globalizmi, ky proces universal, e ka pranuar këtë vend, këtë popull dhe këtë shoqëri me kujdesin e metropolit për periferinë, ndaj nuk ka vend në këtë bashkëpunim për kujdes atëror. Iluzionet në këtë rast janë më shumë se naivitet. Interesat e tregut, siç thotë George Soros, nuk janë as morale, as imorale: ato janë amorale. Në botën e tregut fitojnë të "paskrupujt".

Kur shqiptarët ta kenë kuptuar këtë, atëherë do ta kenë braktisur alkimizmin për globalizmin, për ta zëvendësuar me syçelësin mendjehapur. Kjo është rruga, kjo është sfida, ky është misioni.

Në globalizmin e sotëm koha e humbur është tragjikisht e pakthyeshme. Atje ku nuk ka vend për korrigjim, nuk ka vend për eksperimente dhe mosdije. Kësisoj, fati është në provë! Historia vashdon.


Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LETËR E HAPUR PËR NJË ISH PRESIDENTNga RESHAT KRIPA (12.28.2012)
GLOBALIZMI HAPËS PËR NJË MENDJE TË MBYLLUR Nga Dr. PËRPARIM KABO (12.27.2012)
Nga ditari i gazetares në FacebookKJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA E ËNDËRRAVE TONANga ELIDA BUÇPAPAJ (12.24.2012)
SHQIPËRIA, JASHTË NJË PRAKTIKE TË RE DIPLOMATIKE BALLKANIKENga SHABAN MURATI (12.24.2012)
AVENTURAT ANTISHTETËRORE TË POLITIKËS FOLKLORIKE MAQEDONASENga SHKËLZEN LUSHAJ (12.22.2012)
SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALENga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.21.2012)
BASHKËQEVE​RISJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE E PROBLEMEVE TË SHQIPTARËV​E NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI (12.21.2012)
NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËTNga FRANK SHKRELI (12.21.2012)
ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZENNga FRANK SHKRELI (12.19.2012)
KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VËNË ASNJË GUR THEMELI, PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMIT PLURI-PAR-TITISTNga ISUF B. BAJRAMI (12.18.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]