VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHORXH H. W. BUSH DHE PARALAJMERIMI I KRISHTLINDJES 20 VJET MË PARË
Nga FRANK SHKRELI

E Premte, 12.28.2012, 09:53pm (GMT1)



Të Enjten u njoftua se ish presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh H.W. Bush vazhdon të qendrojë në pavionin e kujdesit intensiv në spitalin Metodist të Hjustonit në Teksas. Fillimisht ai u shtrua ne spital me 23 Nëntor sepse vuante nga bronkiti por, siç duket gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqsuar dhe tani është nën mbikqyrjen intensive të mjekëve pas një seri ndërlikimesh mjekësore, përfshirë edhe ethet. Megjithë gjëndjen e rëndë shëndëtsore, media amerikane citon zëdhënsin e ish-presidentit Bush se ai është në gjendje të komunikojë me mjekët e tij dhe mjekët në përgjithësi janë optimistë se ish-presidenti do të mund ta kalojë edhe këte sfidë.

Ish presidenti 88 vjeçar u shtrua në spital muajin e kaluar nga bronkiti. Zëdhënësi i tij tha se zoti Bush u transferua në pavionin e kujdesit intensiv të djelën pas një seri komplikacionesh, përfshirë edhe ethet e vazhdueshme. Pritet që ai të vazhdojë të qendrojë në spital, ndoshta për një kohë të pacaktuar megjithëse sipas shefes së stafit të ish-presidentit Bush, atij është duke iu berë "perkujdesja më e mirë mjekësore në botë. "

Ish-presidenti republikan Xhorxh Bush, i cili eshte në moshen 88 vjeçare, ka shërbyer si presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një afat presidencial, prej vitit 1989 e deri ne vitin 1993. Në historinë amerikane dhe botërore ai do të njihet për udhëheqjen e koalicionit të gjerë të kombeve, koalicion ky që detyroi tërheqjen e forcave irakiane të diktatorit Sadam Hussein nga Kuvajti në vitin 1991. Zoti Bush, si rradhë ndonjë udheheqës tjetër amerikan, ka pasur një karjerë të gjatë prej katër dekadash me detyra të ndryshme me rëndësi në qeverine federale dhe në Kongresin amerikan. Ai ka shërbyer si anëtar i Kongresit, si ambasador i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Republikën Popullore të Kinës pas rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit, si drejtor i CIA-s dhe pas një fushate të ashpër për president mekundërshtarin e tij republikan Ronald Reagan. Kur ky i fundit zgjidhet president, Zoti Bush shërben si zëvendës-president i Presidentit Ronald Reagan për dy afate, nga viti 1981 e deri ne 1989.

Por për ne shqiptarët, ish-presidenti Xhorxh H. W. Bush do të mbahet mendë për të ashtuquajturin "paralajmërim i Krishtlindjes", një letër secrete këjo që ai i pat dërguar presidentit të atëhershëm serb, dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviç. Ishte ekkzaktërisht 20-vjetë më pare këtë javë, më 25 Dhjetor Ditën e Krishtlindjes të vitit 1992. Mesazhi i ish-presidentit Bush ishte i qartë dhe i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim: "Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe mbrenda vetë territorit të Serbisë."

Kjo deklaratë e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave. Këjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, u përsërit here pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij. "Jemi të gatëshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet", pat thënë Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993. Dhe, "Politika amerikane nuk ka ndryshuar" pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush. Dhe më në fund, vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 tha në Uashington se, "Vija e kuqe ishte shkelur....dhe nuk besoj se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bejme diçka", pë t'I ndaluar ato. Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anembanë Serbisë.

Ishte pra kjo politikë amerikane, e përcaktuar dhe e deklaruar nga ish-presidenti republikan Xhorxh H. W. Bush -- dhe e zbatuar nga ish-presidenti demokrat Bill Klinton, e cila më në fund bëri të mundur përdorimin e të vetmit opcion që kishte Amerika dhe aleatët e saj evropianë kundër forcave serbe, e që ishte përdorimi i forcës ushtarake kundër Serbisë për masakrat në Kosovë dhe për shpërnguljen e detyrueshme të qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta. Ishte këjo një politikë që më në fund vendosi fatin e Millosheviqit dhe të Serbisë -- por më me rëndësi për historinë e kombit shqiptar është se këjo politikë e durueshme dhe serioze e prononcuar nga presidenti Xhorxh Bush dhe e përkrahur nga republikanët dhe demokratët, dy partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara -- ajo që më në fund çoi në çlirimin e Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore terroriste serbe dhe përfundimisht, në pavarësinë e shtetit të Kosoves, 5-vjetori i së cilës festohet brenda disa javëve.

Duke i uruar shërim të shpejtë dhe shëndet në ditët që i kanë mbetur në këtë botë -- në këtë 20-vjetor të paralajmërimit të Krishtlindjes që ai bëri më 25 Dhjetor, 1992 kundër shkeljes së vijes së kuqe në Kosovë nga forcat ushtarake dhe policore të Millosheviçit -- me mirënjohje dhe falenderim përkujtojmë dhe lutemi për shëndetin e ish-presidentit Xhorxh H. W. Bush.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.