VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'SHEKSPIRIANIZMI' SI ARSYE UNIVERSALE
Studim nga Dr. PËRPARIM KABO

E Premte, 01.04.2013, 03:09pm (GMT1)



Unë isha atje, në teatrin e Shakspeare-it ku u zhvillua deri në datën 9 Qershor 2012 i pari Festival Ndërkombëtar Shekspirian me të gjithë veprën e tij, titulluar nga autorët dhe organizatorët në mënyrë të goditur si "Globe to Globe, 37 plays-37 language!" Globi në Globus (teatër) 37 lojëra teatrore-në 37 gjuhë). Aktiviteti filloi në 21 Prill, me shfaqjen "Venusi dhe Adonisi", të vënë në skenë nga një trup anglishtfolëse e Afrikës së Jugut dhe u mbyll nga trupa angleze me "Henrin V" që është edhe shfaqja e sezonit për vet teatrin. Të gjitha veprat e Shakspeare-it, në gjuhë të ndryshme të botës nga të katër anët e globit. Si mund të konvertohet ndryshe e gjithë kjo botë që flet me gjuhë teatri me arsyen shekspiriane dhe me filozofinë e dramës, tragjedisë dhe komedisë, krijuar nga gjeniu anglez?! Gjykoj se ajo mund të riformulohet si një arsye universale që nuk tretet, sepse është e vetëmjaftueshme fal substancës gjithëfrymëzuese! Shekspirologët kishin qëllim të paraprinin me këtë festival, (të parin në llojin e vet,) "Lojërat Olimpike" të Londrës.

Në klimën e një universaliteti gjithëpërfshirës me materien shekspiriane të arsyetimit, ata dëshironin të skanonin botën dhe njeriun në këtë mijëvjeçar, duke vënë në provë gjithçka, si edhe ndodhi atëherë kur gjeniu anticipoi në gjithëkohësi! Qëllimi i këtij festivali nuk ishte konkurimi i grupeve të ndryshme, bazuar në kritere rigoroze të estetikës së teatrit dhe në principe kualifikimi, ku gjithçka paraprovohet që nga turet skualifikuese dhe deri tek identifikimi i kushteve strikte; të cilat do të ravijëzonin nevojën e uniformizimit të shekspirianizmit teatror, në të parin festival i veprës së tij të plotë. I vetmi kriter është, se rekomandimet e organizatorëve janë realizuar fal studimit të thellë, për të gjetur një përputhje adekuate që rezonon artin me realitetin, deduksionet shekspiriane që nuk "plaken" me nevojat e sotme për ndryshim, fabulën artistike me ngjarjet reale që zhvillohen në ditët tona, skenën teatrore me botnë teatër. Në një shikim të shpejtë e gjejmë të motivuar caktimin e pjesëve nga organizatorët. "The Merry Wives of Windsor" u luajt nga një kompani teatrore nga Kenia. Zgjimi i materies femërore në kontinentin Afrikan është tashmë një funksion social në derivate njerëzore preokupuese. "Pericles"- I ishte caktuar Teatrit Kombëtar të Greqisë. A nuk ka nevojë ky vend të rikthehet tek "Golden Age" e Perikliut, për të dalë nga kjo gjendje ku është zhytur, aq sa që duket se duhet të krijojë një tragjizëm të ri universal, për të shërbyer si një tjetër themel për civilizimin perëndimor, fort të tronditur nga pushteti i parasë."Timon of Athens" i ishte dhënë kompanisë shekspiriane të Bremer-Gjermani. A mundet Greqia e sotme ta drejtojë timonin e fatit jashtë darës gjermane të financave që, duket se e ka zënë si në një morsetë hekuri, ku përpëlitet jo thjeshtë njeriu në nevojë, por i tërë fati njerëzor i rezikuar. Bota po bjeret, ky është leksioni që nuk humbet kuptimin."Julius Caesar" u vu në skenë nga italianët e kompanisë së Termini-t. Italia e tronditur e skandaleve lyp një shkëlqim të ri, veçse real dhe të përligjur. Fati qytetarit të parë të Romës që mbeti i vrarë në senat në 15 mars të vitit 44 para Krishtit, tregon që thikat që therrin institucionet janë ende atje, nën hijen e intrigës për pushtet. Gjaku derdhet fal atentateve mafioze të cilët nuk kursejnë deri në majat e hierarkisë shtetërore. U bënë 20 vite nga atentati mafioz kundër Xhovani Falkones.Tendencat për ta shëndruar Italinë nga një Republikë Parlamentare në një Republikë Presidenciale me një autoritet që lidhej me pushtetin e energjisë hidrokarbure që vinte nga lindja, nuk është se munguan në dekadën e fundit në këtë vend! "King Lear" u vu në skenë nga Teatri i Lirë i Biellorusisë! Në një vend diktatorial, jehona shekspiriane e fatit të një mbreti që në fund u braktisë edhe si njeri, është një paralajmërim për këtë tirani, ku sundimtari Lukaçenko; shprehet se "unë qëndroj në pushtet sepse populli ende me voton." Vitet e lavdishme të një Anglie që u zgjerua fal betejave të fituara nga Henri V-të, jo më kot i është lën trupës së "Globus Theater". Jetojmë në kohën kur ata që kishin menduar se me monedhën Euro do të pushtonin botën e tregjeve monetare, duken se dështuan. Një madhështi britanike mbi Francën dhe të tjerët, është epërësia e identitetit të tyre historik, ku inidvidualiteti nuk kolektivizohet sepse paktet politike shkojnë e vijnë, por interesat dhe tregjet mbeten si përmbajtja e sovraniteteve që nuk mund të tjetërësohen! Në atë festival nuk mund të mos ishte Ballkani me historinë, marëzitë, luftërat dhe frymëzimet që shpesh e shkundin Europën në pavetëdijen e saj, ose në atë lloj indiferentizmi tipik, që e shpie flakën deri tek kullat e saja! Turqit me politikat euroaziatike ishin në festival me Antony&Cleopatra. Ndërsa hapsira sllavo-maqedone, ata që qysh nga viti 1346, kur të dielën e pashkëve në Katedralen e Shkupit, Stefan Dushani, u kurorëzua Perandori i serbëve dhe grekëve nga Kryepeshkopi serb që ai vet e kishte e emëruar patriark, e futën në një darë, si në një nofull morfologjike luftrash shekullore, antropologjinë arbnore-shqiptare.Ja përse HenriVI-ky triptik historik, si kronik e një lufte gati 100 vjeçare, ku trendafilat shëndrohen në gjemba të vdekjes , brenda vet mbretërisë për fronin, por edhe me fqinjët francezë, ju caktua tre trupave ballkanike. Kjo është një materie dramatike e tragjke e Shakspeare-it, ku bujojnë dashuria dhe urrejtjet, kurthet dhe kokat e prera, pjellat e çifteve mbretërore të kryqëzuara nga ana etnike, dhe njëherësh verbëria e njerëzve aventurier. Në të gjithë këtë dekor populli si një turmë e qorre hidhet sa nga një krah në tjetrin, gjithmonë me dëshirën për të mos patur institucione sepse aventura që shpaguan me grabitje, është për të, sfondi i dukshëm ndaj intrigës së pallatit. Shekspirologët këtë vepër tejet voluminoze (jo nga më të mirat e autorit) ja ngarkuan Teatrit Kombëtar të Serbisë (Henri VI-pjesa e parë), teatrit Kombëtar të Shqipërisë (Henri VI-pjesa e dytë) dhe Teatrit Kombëtar të Bitola Maqedoni(Henri VI-pjesa e tretë). Gjetja është e goditur. Le të mësojmë nga historia e luftërave anglo-franceze për të ndaluar luftrat dhe vdekjet e sotme në rajonin ballkanik. Hapsirë kjo ende ku mentalitetet nacionaliste vijojnë të ushqejnë përenjtë e rrëmbyeshëm të urrejtjes etnike dhe kokat e prera nuk ndalen të vijnë si jetët e këputura në mes edhe në ditët tona!

Lypet një paqe, mjaft më me luftë. Principet kristiane mund dhe duhet të udhëheqin shpirtrat e trazuar që të dalin nga dallgët e patologjisë së urrejtjes! Si thotë Shakspear-i tek HenriVI pjesa e dytë:" Nëse do të mund të vija pranë bukurisë suaj, me thonjtë e mi do të vendosja 10 porositë (aludohet me 10 porositë e Moisiut) e mia në fytyrën tënde!" Ballkanasit, me sa duket ende kanë nevojë për këtë lloj pastrimi!

* * *

Prej vitesh e kisha pasur dëshirën e skajshme që një ditë të isha atje, tek ai teatër dhe fati më bekoi me realizim. Si edhe thuhet, "ne mund t'i shohim të gjitha ëndrrat por jo të gjitha mund t'i takojmë!" Kur mbrita në Londër me grupin e Teatrit Kombëtar, mu bë sikur një hije më erdhi fare pranë. Përpiqesha ta shikoja qartazi, ta identifikoja, por se sa kthehesha nga ajo, e humbja nga shikimi. E ndjeja që nuk më shqitej.Më kishte dyzuar në qënien time. Monolgu i Makbethit që më kishte rënë në tezën e provimit të maturës, në vitin e largët 1973, më erdhi sa kaq në mëndje, disi i riformuluar, jo si origjinali: "A është kamë kjo që shoh përpara, me dorezë nga dora ime, bëj ta kap dhe s'e kap dot, e të shoh aty akoma". Hija ma riformuloi, si: " A është hije kjo që shoh përpara, me drejtim nga ana ime, bëj ta kap dhe s'e kap dot, e të shoh aty akoma!" Vetëm ditën e fundit e kuptova se e kujt ishte ajo hije. Tek lija në mëngjez hotelin me emrin tingëlluese "All Seasons", hija më priste për shoqëri. Me të shkova në "British Museume" dhe më shoqëroi në të gjitha eksponatet e objektet. Nuk m'u shqit tek bleva librat dhe dukej sikur më thoshte jo këtë, për atë tjetrin duhet të lexosh. Vijova tek "National Gallery" dhe hija paraprinte si një tregimtar i moçëm që, krejt pa u vënë re të thoshte me gjuhën e heshtjes, se ku do duhej të ndaloje më gjatë dhe ku jo aq. Tek dilja nga hoteli në rrugën Southwark Bridge, e ndjeja që hija më priste atje, anës derës e më fliste me një gjuhë që dukej si ato buzët që kryejnë aktin, por nuk e lëshojnë zërin. Nga hapja dhe mbyllja e tyre, do duhej të kuptoje mesazhet e nje tingëllimi shpirtëror paramaterial, thellësisht kuptimor. Niseshim drejt "Globus Theater" së bashku, duke u futur fillimisht në rrugën "Sumner Street" dhe ktheheshim pas 30-40 hapash në të djathtë, e hynim në rrugën "Emerson Street", e cila mbyllej buzë lumit Tamiz. Diku, tek 20 metrat e fundit, kjo rrugë fati, kishte edhe një emërtes shtojcë që, e bënte atë të veçantë në të gjithë Londrën. Ky Fragment ishte pagëzuar, "New Globe Street!" Sa domethënës aq edhe provokues ky formulim.Globi e ri është Teatri, apo një botë që sillet si e re, sa herë që e rimerr performancën tek magma shekspiriane e atij teatri të drunjtë?! Apo mos vallë përballë një bote në krizë, pushteti dhe lufta për të vlenë në gjithëkohësi, si prizmi ku zbërthehen të gjitha ngjyrat e shpirtit njerëzor, nga më të erëtat deri tek ato më të ndritshmet?! Është e vjetër sa vetë jeta, se do duhet të rregullohet njeriu.Këtë postulat, si rrallë kush Shakspeare-i e kishte kuptuar dhe analizuar në një "rontgen" deri në drithijet më fundore! Si thotë gjeniu i fjalës teatrore, tek vepra Henry VIII: "Ju keni fytyra ëngjëjsh, por vetëm streha e zotit njeh zemrat tuaja." Duhet mbajtur në mendje si një refren se; "burimi i drejtëpërdrjetë i veprës së artit është aftësia njerëzore për të menduar....Në çdo rast, një aftësi njerëzore që nga vet natyra e saj është edhe e hapur ndaj botës, edhe komunikuese, percjell dhe lëshon në botë një intensitet të apasionuar, që zë fill nga burimi i saj brenda vetes." Shakspeare-i si një filozof i arsyes dhe ushqyes i saj, në të gjithë veprën e tij, edhe kur na bën të qajmë, edhe kur na gostitë me qeshjen, ka si ngrehinë dramatike e etike, raportin e universalitetit të vlerave njerëzore morale me providencën dhe veten. Është marëdhënia morale e njeriut me perëndinë sipas kriterit të Platonit,"se jo njeriu, por zoti është masa e të gjitha gjërave." Sot fal një udhëtim grykës që njeriu ka kryer në trasenë e tregut dhe të pasurisë, është fatkeq si i mbytur në botën e sendeve dhe e sundon ajo që quhet në epokën tonë "instrumentaliteti nën maskën e dobisë". Kjo botë sendesh pasuror e sundon njeriun duke filluar që nga jeta dhe gjithçka që gulon në ujërat plotë zhgulmë të saj, e deri në vdekje. Kur hyra tek ai tempull i drunjtë, hija mu davarit, humbi dhe u strehua në një librari të pasur dhe objekte me emrin Shakspeare. E humba mendjen për një çast. Isha futur atje. Ishte e vërtetë.Hija qe ngurtësuar në një bust të gjeniut, i erët në ngjyrë! I thellë në shikim! Shpotitës në përjetim! I athët në morfologjinë trupore! Menjëhere e bleva.Sa kaq, mu bë se dëgjova një gjuhë enigmatike që më tha: "Ky është trupi im, që nga dita e vdekjes." Brenda asaj statuete kishte një mesazh të gjatë ende të pa ç'koduar.Vepra e tij e plotë në gjuhën angleze, ishte pasuria e madhe që morra atje brenda në Globus Theater. Statuja më sqaroi; "Ky është shpirti im, një pergamen i gjatë që po të doni mos e merrni seriozisht. Por nëse, atëhere unë nuk mbaj kurfarë përgjegjësie për fatin e botës. Dikur ne njerzit e donim më shumë magjinë e fjalës!" Kjo vepër, gjykoj se është udhëzuesi gjithëkohor për të kuptuar njeriun, universin, pushtetin, ndjenjat, dashurinë, intrgën, shpagimin, marëzitë, kllapitë, dufet, anarkinë, të vobegtin, cmirën, kokën e prerë, helmin, thikën pas shpine, durimin, besnikërinë, përunjësinë, hokatarin, budallallëkun, luftën, universin femër, pasionin e shfrenuar të shtratit të përdhosur, floririn, dialogun me zotin, kulturën e antikitetit dhe atë që do të vinte në kohët moderne. Hija kishte qenë e mjeshtrit të teatrit dhe unë po e takoja atë. Bisedat me hijet e Gjenive, janë magma frymëzuese largimit nga shterpësia e mendjes, e cila e largon pjellorinë dhe e shkëputë njeriun nga Athinaja sepse e zhvesh qenien njerëzore nga misionet universale! Kaq pranë Shakspeare-it, tek shëtpia e tij! Mbrëmjeve të vona shëtita tek ato lokale ku me kupën e verës dhe puthjen e buzës, ai gjente frymëzimin, lagte majën e penës zhytur në kallamrin e ndjenjave dhe afsheve njerëzore! Ishte njeri i frymëzimit tallazues!

Në ditët e provave, të linin mbresa të thella, vizitat që i bëheshin teatrit. Njerëz të ndryshëm, nxënës shkollash me një qetësi si në shfaqje, ndiqnin aktorët në skena apo tablo të ndryshme. Kujdesi i tyre ishte gati delikat sepse ai që shkruajti në gjuhën e tyre angleze ,do të sillej në skenë në gjuhë të ndryshme të popujvë të botës, të cilat e kishin strehuar universin shekspirian duke marrë nga shpirti i tij dhe duke i dhënë nga shpirti i tyre! Ky dialogim semantik ishte sa i çuditshëm po aq edhe pasuronjës! Edhe pse bota është hallakatur në një pluralizëm artesh utilitare e populiste. Edhe pse konvertimet e kryeveprave në forma komunikimi të thjeshtëzuara dhe jo fortë estetike janë shpërfytyronjëse të origjnalit, ato ngjajnë me atë që thoshte Viktor Hygoi, se "shushunja që thith gjak luani nuk shëndrohet dot në luan"! Ka ende tempuj që nuk rëzohen. Ka ende guacka gjigande që nuk e braktisin perlën e vet. I tillë është teatri shekspirian Globus.

* * *

Muzikanti i shquar dhe dirigjneti me famë botërore Bernshtejn, është shprehur se përsosmëria takohet tek muzika e Bethoven, tek fjala e Shakspeare-it, dhe tek piktuat e Mikelanxhelos. Veprës së tyre nuk mund t'u hiqet asgjë, ndryshe prishet harmonia. Po ja që organizatorët e këtij Festivali, për arësye organizimi sygjeruan që pjesa e dytë e Henrit VI, që u vu në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, nuk duhet të ishte më e gjatë se 2 orë e 10 minuta. Kështu, nga vepra u hoqën pjesë të tilla, si një monolg i mrekullueshëm i mbretëreshës Margaret kur i pritet koka Lordit Safolk, të dashurit të saj. Henri VI. Pjesa e dytë, vihej për herë të pare në skenë (ka një përjashtim, ishte realizuar e plotë nga amerikanët si trilogji) dhe në raport me të dy pjesët e para, dallon goxha! Pushteti i intrgës dhe intriga për pushtet, përqasen në një raport therës në derivatin e fatit të pushtetit dhe pushtetit të fatit! Njeriu dhe turma njerëzore luhaten paturpësisht nga pushteti që ndronë pushtetëmbajtësin, tek kllapitë në veprime komplotuese dhe të aleancave pa princip; vetëm e vetëm për fronin që, duket më shumë si një krater zjarri, se sa një fron pushteti. Regjizori serb Nikita Milijovic i cili ka vënë pjesë në Suedi dhe në SHBA, e shihte fronin e pushtetit dhe autoritetin e tij, jo thjesht tek një karike madhështore. Ai kishte sjellë në skenë karrike llamarine, që herë silleshin si mburoja në luftim, herë si tambure të kushtrimit që mbanin ritmin vringëllues të betejave, por mbi të gjitha si karike rreth një tavoline të madhe metalike; ku në gjithëkohësi qarkullojnë mesazhe dhe vendosen fatet e popujëve dhe të krahinave, të pushtetve dhe të gjeoploitikës, të njeriut dhe të kombeve, të atdheut dhe të hapsirave tokësore. Copëtimi i asaj tavoline gjigande, si krahina që kafshoheshin në luftërat Anglo-Franceze, linin të kuptoje mes insinuatës propagandistike përfundimin: "Pse e copëtuat ish-Jugosllavinë"? Pse tavolinat e fuqive të mëdha ku merren vendimet, na i vranë djemtë tanë në luftëra! Brenda kësaj logjike, gjithçka ishte e konvertuar nga fjala shekspiriane, e cila humbiste, tek komunikimi me skenografi, pantomima e korreografi individuale e në grup, veprime këto që realizoheshin në një perfeksion. Ka momente, që për të treguar përdhunimin dhe lënien shtatëzënë të vajzave e grave franceze, me gjeste tregohet fryrja e barkut dhe shfryrja përdhunese, si dhe gjuajtja e pjellës si të ishte një top futbolli drejtë publikut. Personalisht nuk e pëlqeve atë shfaqje, jo si të paragjykuar nacionalisht. M'u duk si tallje me historinë. Nuk më ngacmoi brenda qenies time! Nuk pata ndjeshmërinë që lind nga një vepër arti si pa të marrë leje. Adonis Filipi, regjizori ynë, e kishte konceptuar fronin mbretëror si një objekt me rrota, lëvizës, i pasigurt, si edhe ishte realisht në pjesën e dytë pushteti i Henrit të VI. Pas vdekjes së të atit Henri V-të, ai ishte fillimisht nën nje Lord Protector. Me martesën me bukuroshen franceze, ai lëshoi territoret e fituara në fushën e betejës. Në shfaqjen e dytë të trupës sonë, ndodhi diçka pikante. Magjsitarja e intrigës për pushtet, interpretuar nga Marsela Lena, e lëshoi në fund të shfaqjes fronin që mbante mbi vete kurorën si kapele letre. Si me magji, era që frynte atë ditë në Londër, e lëvizi kariken e drunjtë që shkise në skenë si e drejtuar nga shpirti magnetik shekspirian, U duk se do të shkonte të rrokullisej, aq sa mund të dilte jashtë skenës. Publiku anglez filloi të bënte uuuuuuaaaaaaaaaa, deri sa ajo mbrriti në mes të skenës. Atje në gjysëm rrotullimi ndaloi. Në të çast një ofshamë prishi qetësinë që mbretëronte tek publiku londinez i cili e derdhi emocionin në duartrokitje të gjata, madje shumë të gjata që u shoqëruan me bravo përgëzuese. Ishte një përjetim i mrekullueshëm sa artistik aq edhe njerëzor. Ata kishin mbajtur frymën pezull. Disa syresh në llozhat e katit të dytë, e ndoqën pjesën duke dëgjuar tingëllimin e shqipes dhe duke ndjekur në origjinal mesazhin kuptimor të fjalëve.Gjesti fletë shumë.Publiku londinez, nuk mund të ngopej se komunikimi i kumteve të veprës të ishte thjesht gjestikular, korreografik, pantomim apo muzik live e ekzekutuar, nga një orkestrinë; si edhe ndodhi në shfaqjen e grupit maqedonas të Bitolës-Manastir. Spektatorët anglez, në kulturën e tyre genuine teatrore, kanë vetëdijen se gjithçka e shkruajtur nga Shakspeare-i në teatrin e tij, ka qenë "Magjia e Fjalës" që tingëllon aq e thellë, aq magjiplote dhe aq tallazuese, në ndryshimin kozmogonik të botës dhe njeriut.

Fundi i Pjesës së Parë.


Trupa e Beogradit dhe ajo e Maqedonisë, e kishin injoruar komunikimin mes fjalës duke (para)gjykuar se ata që do ta shihnin, publiku londinez, përfshi dhe kritikën, nuk i kuptojnë këto gjuhë.
Regjizorët e tyre kishin mëshuar tek elementet e tjerë të komunikimit skenik. Ata kishin konvertuar fjalën shekspiriane në elemente që janë pjesë e performimit teatror, si dekori, butaforia, korreografia, plasitika trupore, pantomima, muzika baritore, etj! Trupa jonë, në pjesën më të madhe të konceptimit, ishte bazuar tek rregullat e festivalit. Materia kuptimore si një qiell universal i "qëndisur nga yjet" e fjalës shekspiriane. Të parët krijuan komunikim të konvertuar që, nuk përcjell përjetim direkt, por se një arsyetim shoqërizues, fal nënkuptimeve që rrjedhin nga ky lloj komunikimi. Regjizori serb, operonte në filozofinë e tij regjizuriale me inidvidualizimin e skemave politike që vendosnin, dënonin, gjykonin dhe vrisnin, në një tavolinë politike vendimarrëse. Ideja qëndrore e formatizuar nga teksti shekspirian i pjesës ishte;"Prej të gjitha pasioneve themelore, frika është më shumë e uryera!" Regjizori amerikan i trupës maqedonase, luajti me muzikën dhe këngën live tradicionale maqedonase, duke e vënë theksin se si ambiciet politike të oborrtarëve dhe ato personale të mbretërve, e shpien kombin në kaos dhe barbarizëm. Në skenë nuk munguan edhe kokat e prera. Ideja kyçe ishte "Përse unë mund të buzëqesh, dhe vras ndërsa unë buzëqesh!" Nisur nga këta argumente, përjetova se brenda konceptimit filozofik të pjesës, këta dy regjizorë ngritën edhe filozofinë regjizuriale si dhe performimin skenik në homogjenitet. Veprat e tyre kishin gravitacion në dialogimin e të gjithë elementeve të performancës.Trupa jonë duket sikur rezikonte, sepse askush nuk kuptonte shqip.Veçse nëse ligjërimi i fjlalës teatrore, tallazon një muziklaitet ndjenjash e përjetimesh që lidhen me ngjarjet, ky lloj sinkroni ofronte përjetim komunikues! Shqipja jonë! O Zot, sa e bukur tingëlloi, magjike, komunikuese dhe e ëmbël. Anglezët shtangën! Ç'është kjo gjuhë më pyetën punonjësit e shërbimit, ata qe kanë parë çdo shfaqje në atë teatër? "Po e ndjejmë dhe kuptojmë jo nga thelbi kuptimor, por nga tingulli dhe emocioni." Në një moment artistja e madhe e skenës Yllka Mujo, ishte duke kumtuar me monolog, fjalë të mrekullueshme të Shakspeare-it, kur si personazh ajo po shkonte drejt vdekjes. Ndërkohë, një zog që kishte folenë në çatinë e teatrit po cicëronte, ëmbël, pranveror, buzë lumit Tamiz dhe strehuar në shtëpinë e gjeniut, si rrallë ndonjë tjetër nga raca e tij! Shpendi i "lumtur", për një çast e uli tonin e cicërimës dhe e harmonizoi me muzikën e shqipes që, dilte nga shpirti i artistes shqiptare. Një profesore britanike që lektronte "English teaching& Drama" na tha: (mua dhe aktores Marsela Lena): "Më pëlqeu interpretimi, u emocionova, qava. Më intrigon gjuha dhe shpirti juaj. Në interpretim ndjehet shkolla ruse. Një koleg imi më kishte vënë në dijeni për këtë." Në gjykimin regjizurial të Adonis Filipit, si ide boshtore është paraqitur "E para gjë që ne duhet bëjmë, le të vrasim të gjithë avokatët!" Kjo ide e anarkis dhe aventurizmit kundër shtetit, traditës e ligjit, e cila përkon me një histori konkrete por që gjen jehonat në brigjet tona, është linja dramatike e pjesës së dytë me heroin pa histori Jack Cade-të aktorit të shquar Bujar Asqeriu.Regjizori serb Nikita Milijovic më pohoi se kjo pjesë e kishte emocionuar, ndërsa për pjesën në tërësi, mu shpreh hapur se; "unë kam një të menduar komplet tjetër për të bërit teatër." Është e kuptueshme. Ai ka studjuar dhe është specializuar jashtë vendit të tij. Edhe regjizori amerikan, John Blondell, po këtë pjesë, të dytën, kishte përjetuar më mirë emocionalisht, madje dhe si lojë! Kjo tregon se pjesa e pare, që është e shtruar, një dimensionale, thjeshtë rëfenjëse, do duhej të ishte konceptuar në mjete të tjera shprehëse. Në përsihatjen regjizuriale thuhet; se si një mbret paqësor naiv dhe i brishtë që, duhet të hypi në pushtet do duhet më parë të përballet me njohjen e intrigës, akuzave të reme, magjisë dhe të ngurtësojë shpirtin me hakmarjet, burgimet dhe vrasjet. Dakord në logjikën e gjykimit kemi drejtpeshim, por se të gjitha këto jepen me fjalë ose lihen të kuptohen si një asosim i brendëshëm i vet spektatorit.Kjo është një mënyrë komunikimi teatror që përligjet me argumentetet që performanca e artistëve tanë, është e gjitha e arsyetuar si forcë fjale, bazuar tek stili origjinal shekspirian. Tek lexon veprën e tij, edhe sot nuk gjenë arsyetime të autorit për lëvizje skenike, dekore apo skenografi.Gjithashtu vlenë si argument në këtë hulli arsyetimi edhe fakti, se cili është pozicioni që ka pjesa e dytë e Henrit VI, brenda strukturës së gjithë triptikut?!Ajo vlen si një nyje lidhëse e ngjarjeve të të gjithë veprës.

Ka në këto dekada të fundit arkitektur të tillë teatrore, që e plazmon veprën e autorit në një formë komunikimi krejt ndryshe, me mjetet që përcjellin këtë raport teatror mes artistëve dhe publikut. Kishte edhe në festival, Otello Hip-Pop, ose Macbeth që e trasfiguronte personazhin.Ky lloj teatri ende nuk ka mbritur në Shqipëri, si kulturë dhe audiencë e preferuar.Ka një shëmbull. Në Teatrin tonë Kombëtar,autori austriak Christ Papke, vuri në skenë para fare pak vitesh, pjesën dramatike të një realizmi cinik, të titulluar "Forca e Zakonit". Pjesa teatrore, u luajt mrekullisht nga aktorët shqiptar, Arben Derhemi e Vasian Lami.Kritika jonë e specializuar e vlerësoi pozitivisht. Publiku e braktiste shfaqjen, sepse nuk e kuptonte. Nuk kishte durim ta shpinte deri në fund. Fatkeqësi! Ky është realiteti ende tek ne. Shkolla ruse si edhe thuhet, pa hyrë në detaje emrash si Stanisllavski, (personalitet me atribute prej themelonjësi,) nuk është një shkollë që nuk bën, e shfleftësuar, apo më keq akoma, e kapërcyer.Le të mbajmë në vemendje se ai lloj teatri, trondit edhe sot për ndjeshmërinë dhe humanizmin.Jo më larg, por se vitin që shkoi, festivalin e Venecias e fitoi një regjizor rus, me filmin "Faust" të Goethes. Në përshëndetje, ai tha:"Mos më falenderoni mua, por autorin e Faustit! I kam qëndruar besnik veprës së tij." Është e arsyetuar kjo logjik. Flitet për kryevepra që nuk kanë nevojë të konvertohen në trajta apo zhanre të tilla që, duken si moderne në pamjen e jashtëme, thjesht se dinë të (keq)përdorin mjaft mirë elementet e perceptimit, të cilët kanë në thelb pop-artin komercial. E gjithë kjo sjellje mund t'a shtojë audiencën, por se në shpinë të artit të mirfilltë.Kryeveprat e letërësisë, si edhe është lënda shekspiriane, nuk janë të tilla që konsumohen pa u kuptuar, apo më keq akoma lehtësohen nga vlerat e patjetërësueshem, në funksion të spetaklit apo shpotis humoreske, dhe si rrjedhoj u dashkërkan të materializoshin me lëvizje dramatike skenike, si një sendërtim veprimi, që zevendëson fjalën! Dhe cilën fjalë, atë shekspiriane! Është përtej kufijeve të fanatzisë, të mendosh se, mund të sajohet një shekspirizëm i pantomimës, i ornamentit, apo i skenografisë lëvizëse.Të gjitha këta mjete pa fjalën e Shakspeare-it dhe përjetimeve që rrjedhin prej saj, pa ngjarjen e fabulës, do të tingullonin, boshe, si pa mision! Nëse ato në mënyrë harmonike vihen në shërbim të thelbit dramatik që, vjenë nga mendimi universal i autorit, dhe dinë të gjejnë dialogun nga pozitat e "ndihmësit për mjeshtrin", vetëm atëherë janë në vendin e duhur dhe me misionin e duhur. Në fokus të këtij arsyetimi, është përgjegjësi dhe në shërbim të ndryshimeve pozitive, që të skanojmë, se si funksionon tek HenriVI pjesa II (e Teatrit tonë Kombëtar) ky ansambël i elementeve që e sjellin një veprër në skenë të gjykuar në mënyrë të harmonizuar.

E mbajtur në këtë entitet interpretimi, do duhej që korografia e kostumografia të cilat me atë që kishin realizuar në Tiranë, ishin prezente edhe në shfaqjet e festivalit (nuk ishte dekori) të kishin harmonizuar filozofinë e tyre, me ato të regjizorit. Është e pranishme, që ky unitet mungon të jetë i homogjenizur, deri në qelizën i indit të lojës Magma është vepra e autorit dhe në këtë aspekt secili në atë që bën, përthyhen idetë në mjetet shprehëse që ka. Gjithçka do të duhet të jetë në shërbim të konceptimit të regjizorit. Ndryshe secili sjell një peceptim që dëmton unitetin e së tërës dhe emocioni krijohet i fragmentizuar dhe jo si një përjetim i veprës në tërësi.

M'u dha rasti të bisedoja gjatë ditëve të qëndrimit në Londër, me korografen maqedonase e cila ishte nga Shkupi. Artiste me profil të spikatur profesional. Më konfirmoi se, korografia e saj, që ishte goxha e aritur dhe shërbeu në komunkim më shumë se gjuha, (e cila nuk është se la ndonjë ndjesi sepse bërtitej si shumë) ishte ngjizur në filozofinë e performimit gjatë gjithë pjesës, në bashkëpunim të ngushtë me regjizorin, i cili kishte kulturë profesionale dhe ne këtë fushë. Kjo ndodhte edhe me muzikën në pjesën e III- të luajtur nga trupa maqedonase.Gjithçka ishte mbajtur në korale dhe muzik folk maqedonas.Këngëtarët këndonin dhe luanin në daulle!

Mungesa e një shkrirje të tillë të elementeve të performancës sonë, përfshi edhe muzikën shoqëruese (jo ajo që luante Fatos Qerimi Live të cilin ai e kulloi mjeshtërisht, regjizori amerikan faqe meje e komplimentoi) e sjellë realizmin skenik në një pendul eklektik, që nuk lejon harmonizimin integral dhe përjetimin po të tillë të veprës. Regjizorët e teatrit në Shqipëri që, nga më të vjetërit e deri tek më të rinjtë, lundrojnë pak a shumë në të njëjtat ujëra. Ajo kulturë regjizoriale, e cila u konsolidua në vitet 60të të shekullit të kaluar, kontriboi në ngritjen e teatrit dhe brezave të artsitëve të skenës.Ajo vlenë si një themel egzistencial sepse u muar nga teatri më i përparuar i kohës, fal studimeve jashtë vendit në Akademitë më të mira dhe me traditë shumë të gjatë. Nëse duam të ndryshojmë e të shkojmë më tej, është koha që të studjojnë jashtë vendit ose të specialziohen në një kohë optimale, regjizorë, skenografë, kostumografë, ndriçues, formulues muzike e zhurmash, korografë, etj; të cilët do të paraprinë teatrin e ri të shekullit XXI. Artistët tanë në Londër bënë mrekullisht atë që dinë të bëjnë! Ata u duartrokitën gjatë e me konsideratë.


Nëse ka një gjë që nuk komecializohet dhe nuk blihet dot në treg, është vetëm duartrokitja e publikut. Kritika nuk është e imunizuar nga ky rezik sepse nuk është vështirë që fal një pagese të majme, dikush që ka edhe "bacile" të nacionalizmit antishqiptar, të gjejë si tipar të teatrit tonë "mustaqe të mëdha" tek aktorët tanë, edhe kur ato nuk janë prezent në skenë, por vegjetojnë në përfytyrimin që ai/ata kanë ende tek "dhoma e erët" e mendjes së tyre të urrejtjes dhe shovinizmit të shfrenuar, ç'ka nuk i lë të gëzohen për suksesin e kolegëve.Regjizori Adonis Filipi, një njeri që e adhuron teatrin, kishte punuar me pasion dhe përkushtim, duke realizuar maksimalisht atë që di të bëjë. Insinuatat dashakeqe nga njerëz të shtypit, apo edhe kolegë, që janë të përballur me publikun dhe kritikën brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të konsiderojnë si mision të tyre, emetimin e atyre që thuhet nga të tjerë jashtë Shqipërisë, duke e përdorur si një alibi të pastër për gjueti shtrigash. As teatri ynë, as kultura jonë, dhe as spektatori ynë nuk përfitojnë nga kjo mënyrë të sjelluri. Unë isha atje dhe dëgjova se ç'farë thanë organizatorët anglezë për shfaqjen tonë, asgjë nga ato që Igor Toronyi-Lalic,cili thotë se:" Shakspear-i në anglisht është më pak argëtues(vemendje-ta ndash shekspirizmin nga fjala teatrore) kur është në mes të betejës së plotë.Por kur gjuha nuk është në lojë,janë këto elemente jo gjuhësorë si betejat, trashanikët, që i bëjnë prodhimet e "Globe to Globe" të menaxhueshmë dhe të deshifrueshëm." Le të arsyetojmë mbi këtë grumbull fjalësh të tij! Po nëse performimi nuk ka si plazëm fjalën e përdorur nga autori, pavarësisht nga gjuha nacionale e trupës teatrore që e realizon, atëherë gjithçka tjetër që jepet në skenë, nga frymëzohet si ide dhe përjetim?! Këtë zoti Lalic nuk e thotë.Sipas logjikës së tij, nuk do të ishte nevoja as për spjegime të situatës me tabela elektronike në të dy anët e teatrit. Sepse si thotë Lalic:"Ishte mirë të shihje stereotipa nacional të përfshirë gjatë gjithë pjesës". Kjo do të thotë që jo Shakspeare-i të vijë përmes universalitetit të tij tek të gjithë ne (qëllimi i festivalit) por se, secili nga ne u dashkërka të krijonte nga një Henri VI nacional. Ma përforcoi këtë ide, aktori serb që luante Henrinin, i cili ftesës së sinqertë për të ardhur në Festivalin Ndërkombëtar të Butrintit, iu përgjigj se: "Nuk më intereson Europa jam mirë në Beograd." Jehona gjithëkohore shekspiriane nuk realizohet fal "nacionalizimit të veprës", çka të lejon që si i dehur të nënkuptosh: Se me që unë jam një komb më i madh dhe më i fortë se ty, edhe "Shakspeare-i im nacional" është më i realizuar, më modern, më i pranueshëm dhe më i duartrokitur. Kështu e kupton Lalic, universalitetin e gjeniut të theatrit, kur thotë se Shqiptarët, "ishin jashtëzakonisht shqiptarë!" Universaliteti, sipas gjykimit tim, është i lidhur me përputhjen e arsyetimeve të fjalës teatrore shekspiriane, me jehonat problemore, me analizën e dukurive, dhe galerisë së veseve dhe virtuteve njerëzore, që pavarësisht nga vendi, hapsira antroplogjike dhe koha kronos, sjellin një përputhëshmëri gati apsolute të veprës në tërësinë e saj, me sjelljen e sotme njerëzore.Përftojmë në këtë mënyrë jehona reale të atyre vlerave apo edhe antivlerave që ende nuk janë shterur. Madje, gjeniu këtu bën dallim. Ai merret e analizon artistikisht ato elemente "të universit njeri" që lindin me të dhe jetojnë sa kohë ai është në këtë botë. Si të thuash, ato nuk mund të mos jenë të pranishme vetëm nëse homosapiensi nuk do të jetë më! Nuk janë trupat teatrore që mund t'i bëjnë marketing Shakspeare-it, për të treguar se ku ai llamboritë e ku jo. Është gjenia e tij që mirëseardhet kudo ku luhet teatër dhe ku pëlqehet loja teatrore nga publiku. Nëse në Shqipëri, ka nga ata që gëzohen duke përtypur konsideratat, që e quajnë dështim lojën e artistëve tanë në Globus Theater, kjo sjellje vërteton më së miri, se materiali njerëzor i kohës së dytë të Henrit VI, ekzistokërka ende në Shqipëri. Kjo na bën të falenderojmë dy herë organizatorët, të cilët jo më kot, duke njohur mentalitetin tonë arkaik të frymëzuar ende nga otomanizmi "i kokës së prerë", na e adresuan këtë pjesë nga megavepra e Shakspeare-it! Si të thuash ne po luajmë post Henrin e VI mediatik!

* * *

Rituali ishte ruajtur në atë teatër si në atë kohë. Lajmërimi se pjesa po fillonte dhe duhej të zinim vend, bëhej si atëhere. Një punonjës/e tundëte një zile të madhe që të kujtonte një këmbanë në minjaturë.Kështu ndodhte edhe në pushim të pjesës së parë. Godina e theatrit ishte si në kohën shekspiriane.Vendet e uljes kishin formën e një gjysëm rrethi me tre kate.Gjithçka në dru. Dy katet e sipërme kanë nga 15 llozha, ndërsa kati i parë ka 13 llozha.Dy prej tyre jane zevendësuar me dyert hyrëse. Është ruajtur konfigurimi si amfiteatër. Edhe skena është po ajo me ato parametra dhe prej druri.Të qëndrosh ngjitur me të, e të kundrosh se si luajnë në skenë aktorët, është për spektatorin një mrekulli.Nuk humbet asnjë grimasë të shfaqjes.Madje edhe frymëmarrjen e tyre e ke nën vëzhgim.

Njerëzit që e shijojnë kaq pranë teatrin, natyrisht që formojnë kombe që zhvillohen e përparojnë.Tavani i skenës kishte mbetur si edhe kishte qenë ndërtuar. Ndarë në 28 katrorë me figurina të Epokës së Rilinjdes Europiane... Në qendër është figura e një universi që lëshon reze e ndriçon. Nuk e di se cila ka qenë ideja e mjeshtrit skenograf! Aludohet për iluminimin apo thjesht për teatrin.Në disa kuti janë të pikturuara kafshë të ndryshme dhe një luftëtar. Në dy kutitë e cepave gjenden figurat e Hënës dhe e Diellit. Skena mbyllet me fasadën e një godine dykatëshe që përbëhet nga tre ballkone. Një i madh në qendër dhe dy më të vegjël anash. Ata ndërmjetësohen nga dy statuja identike grash të zhveshura në pjesën e sipërme të trupit. Mes skenës dhe amfiteatrit duket qielli. Ky lloj përjetimi në qiell të hapur dhuron një ndjesi të veçantë e cila nuk mund të shprehet me fjalë. Do duhet të jesh atje që ta përjetosh brenda vetes gjithçka që qëndron në shekuj aq solide dhe domethënse në mesazhet që përcjellë.
Tavani i skenës mbahet nga dy kolonata mermeri të kuq, që mbështeten në dy bazamente të gjërë oktogonikë, të vendosura mbi skenë. Mbi këtë bazament shtylla vijon të rritet.

Deri në një lartësi gati 70 centimetra, ajo mbetet po në formë oktogonike por se me vogël se bazamenti mbi dysheme. Më tej vijon cilindrike deri në tavanin e skenës. Është prej mermeri të kuq përzjerë me cirga të bardha. Në fund të shtyllave gjenden kapitelat në ngjyrë të florinjtë. Nga afër dallova se kolonat ishin plasaritur dhe tek tuk, çarja kishte hyrë thellë. Megjithatë askush nuk mendon se ato duhen zëvendësuar me dekoracionet që tregu ofron sot! Gjithçka mbetet e konservuar si edhe ka lindur. Shaksepare-i qarkulllon ndër vite kudo në botë, madje në skena madhështore që magjepsin me arsenalin e mjeteve teknologjike që u vihen aktorëve në dispozicion. Por se kjo simfoni e fjalës që godet në mendje dhe lundron në enët e gjakut drejt stacionit të zemrës, tingëllon origjinale dhe pa humbje vetëm në Globus Theater! Shekspirizmi ka atje strehën ku e frymëzua, ku u ngjiz dhe iu dha njerëzimit. Ja përse Globi kthehet me adhurim në Globus! Unë isha atje!


Dr. PËRPARIM KABO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.