VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NË SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR Nga FRANK SHKRELI E Martë, 01.08.2013, 07:44am (GMT1)
Siç dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë jo-qeveritare që ç'prej themelimit të tij më 1983 përkrahë institucionet si edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e proceseve demokratike anë e mbanë botës, duke krijuar dhe duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile. Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan, qëllimi i këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera, është për të identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve, udhëheqësve politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23 Qershor të këtij viti. Në njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i tyre është në rrugë të gabuar. Në mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin papunësinë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët kryesorë që kanë një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e jetës së tyre. Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media, Instituti Amerikan thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t'i ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian, shikohet nga disa prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi dhe si një tregues, për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.
Vihet në dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë,
e kanë të qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Ata
duan një të ardhme për vendin e tyre ku ligjet respektohen, ku rregullat
zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të funksionojë për të gjithë, pa dallim. Ata u
shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë më i lartë
dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet se cilat
vlera -- merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe shpirtërore
-- të nderohen dhe të kultivohen. Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi
politik, pjesëmarrësit shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se
sistemi politik nuk është i interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.
Në raport ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të
grupeve, është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve. Sipas
Institutit Demokratik Amerikan, pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete
të ndryshme të Shqipërisë, kishte një përvojë personale me korrupsionin, pasi
ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një shërbim, ishin
detyruar t'i jepnin ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të
tjerë të administratës publike. Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu për
raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre -- duke pranuar se kanë
dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë -- kanë kontribuar në përjetësimin
e korrupsionit në vend. Ndër përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke përmendur përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin e rrymës elektrike. Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim, thuhet në raport, fajësojnë ''ata në fuqi'' për gjëndjen e keqe ekonomike, një çështje këjo që sipas tyre, ''është shqetësimi më i madh në jetën e tyre të përditshme''.
Muajin që kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën
Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe
me Presidentin Nishani, me ç'rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet
nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe
ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madlajnë Ollbrajt. Përveç zonjës Ollbrajt,
ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë
ish-zyrtarë të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë
gjithnjë lidhje dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të
Presidentit Obama. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |