VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUJTESË
Nga PËRPARIM KABO

E Martë, 01.15.2013, 09:47am (GMT1)



Është e hënë, 14 Janar 2013, një ditë e vranët dhe e zakonshme për gjithëkënd që nuk e shkund sado pak Almanahun e kujtesës.Tek ndiqja pasqyrën e shtypit, gjithfarë lloj turli lajmesh shikoja dhe një neveri e shprehur më kaploi. Politikanë nën hetim, pallate në prokurori, gratë jetojnë më shumë se burrat, një mafioz i arrestuar dhe i liruar...etj, pallavra veresie në një "kthinë të botës" që gdhihet dhe ngryset me përallën e vet të lodhur e të shqyer.

Por se unë, miqtë e mi, dua t'u shpie diku tjetër, në një vend më të gëzuar dhe më dinjitoz. Ejani me mua të zbresim tek 14 Janari i vitit 1703, pra bash 310 vite më parë. Pikërisht atë ditë u mblodh në Lezhë ai që njihet si "Kuvendi i Arbërit". Le të imagjinojmë se si u mblodhën priftërinjë e famulltarë, njerëz të shërbesës dhe Peshkopë, i dërguari i Vatikanit dhe malësorë të heshtur e të veshur si për një festë Hyu! Ai që e kishte organizuar, kishte qenë Papa Klementi XI Albani, ishte shqiptar nga gjaku, nga identiteti dhe dinjiteti moral e religjoz.

Qëllimi ishte të mbrohej kisha, të mbrohej besimi, të mbrohej identiteti shqiptar që ishte aso kohe një identitet perëndimor, themel dhe pjesë e atij civilizimi, së paku qysh nga koha kur Shën Pali meshoi në kodrat e Durrësit në shekullin e parë pas Krishtit! Ata hyn atje kokë ulur në atë sallë të vogël të ndriçuar me pishtarë,...po ku është salla apo ajo hapësirë drite dinjiteti, a është ruajtur e konservuar?

A peligrinohet atje? Apo heshtja pllakos mbi kujtesën dhe dëgjojmë të pëlliturin politik të ditës të veshur me prada?! Papa kishte dërguar një hierarkun e tij të kontrollonte fshat më fshat se si ishin kishat, si ishin famullitë, si ishin manastiret, dhe raportimi ishte i trishtë, për të vajtuar. Varfëri ngado, kulturë e vobegtë dhe një injorancë këmbëzbathur! Ky ishte dekori. Kishin filluar që në saje kriptoreligjionizmit të shfaqeshin ata që u quajtën Laramanët. Njerëzit me dy besime, nga zori të konvertuar në islam dhe në shpirt e fanatizëm të krishterë. Po zhbëheshim edhe në thellësitë e identitetit dhe ai vuante në Selinë e Shenjtë.

Atje në Arbëri, ku qysh në 1221 kishin zbritur Franceskanët dhe kishin ngritur kishën e parë në Lezhë, atje në ato treva kur qysh në 1632 ishin ngritur shkollat shqipe, në Orosh dhe në Kurbin, dhe në 1638 edhe në Shkodër, dhe ku për 200 vite mësohej shqipja nga priftërinjtë, siç edhe e pranoi në Kongresin e Manastirit në 1908-n Mit'hat Frashëri, kur u zgjodh President i Kongresit.-Mos më falenderoni mua, tha ai, Ju priftërinjtë katolik për dy shekuj lëvruat shqipen-foli kështu dhe kishte përpara At Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën dhe Dom Kaçorrin!

Po kush ishte Papa Klementi XI? Ai quhej Giovani Francesco Albani 1649-1721. Ai kishte lindur në Urbino, i biri Karl Albanit i ardhur nga trevat shqiptare. Ai ishte Papa i Vatikanit në 1700-1721. Shquhej për një kod moral, ishte kundër miqësive të sëmura dhe nepotizmit. Ai shkruante edhe në gjuhën shqipe. Sa bukur, sa endja ma ka t'ia shoh dorëshkrimet. Kur të shkoj herën tjetër në Vatikan do të jemi i ngasur me shpirt dhe me besë ta realizoj një takim të tillë me ndërgjegjen e tij të shkruajtur në atë shqipe të bukur të gegënishtes së asaj kohe të mesmoshës së njerëzimit. Ai ishte Reformator i Katolicizmit dhe shkruajti veprat si: Vineam Domini në 1705 dhe Unigentis 1713 etj. Familja Albani u vendos në Itali në 1464 kur Mihal Laci-Lazaj u vendos në Urbino. Prej kësaj familje dolën edhe dy kardinalë Xhan Francesco Albani 1720-1803, dhe Xhuzepe Albani 1750-1834.

Kjo është historia jonë dhe jo bronxi për statuja dhe ribërja e saj me orekse politike.Si mëtonte Turqiditi, ...historia nuk shkruhet t'u pëlqejë atyre që janë prezentë por atyre që do të vijnë,..ajo nuk shkruhet me fjalë por me mendim dhe ajo nuk shkruhet për heronjë por për ngjarjet. Kjo që u tregova është një ngjarje e braktisur nga institucionet, le t'a kujtojmë ne shqiptarët jashtë tyre. Amin!

PËRPARIM KABO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.