VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FREEDOM HOUSE: DEMOKRACIA NË RËNIE PËR TË SHTATIN VIT
Nga FRANK SHKRELI

E Enjte, 01.17.2013, 07:11am (GMT1)



Si çdo vit edhe sivjet, organizata Freedom House (Fridëm Haus), një organizatë kjo e pavarur me qendër në Washington, misioni i së cilës është zgjerimi i lirisë anembanë botës, mbështetja e zhvillimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, botoi raportin vjetor për këtë vit në të cilin vlerësohen liria dhe zhvillimet demokratike ose mungesa e tyre anembanë botës.

Në njoftimin për media me rastin e botimit të raportit për vitin 2013, Freedom House thotë se raporti i sivjetëm mbi "Lirinë në Botë'' tregon se për të shtatin vit me radhë, liria në botë gjatë vitit që kaloi ka shënuar më shumë rënie se sa zgjerim. Për më tepër, thekson raporti, të dhënat e raportit tregojnë dhe pasqyrojnë ndërmarrjen e një fushate persekutimesh në rritje e sipër nga diktatorët anembanë botës, kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht drejtuar kundër orgnaizatave të shoqërisë civile dhe medias së pavarur. Arç Pudington, nëndrejtor për kërkime i Freedom House tha se të dhënat e mbledhura nga organizata e tij, venë në dukje se, ''autoritarët modernë po bëhen më të sofistikuar'', duke shtuar se megjithëse ata , ''tregohen më të kuptueshëm, ata shtrëmbërojnë dhe abuzojnë me kornizat ligjore dhe i përshtaten kollaj teknikave të propagandës moderne.'' Ai shton se, ''Sidomos ç'prej Pranverës Arabe, ata (diktatorët) janë nervozë nga lëvizjet popullore për liri e demokraci, gjë që çon në intensifikimin dhe persekutimin nga ana e tyre, të lëvizjeve popullore për ndryshim''.

Raporti flet për rënie të dukshme të lirisë gjatë vitit që kaloi, ndër të tjera, në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigeri dhe në zonën evropiane, përmenden Rusia, Turqia dhe Ukraina, si vendet ku është shënuar një rënie e dukshme e lirive civile në përgjithësi. Freedom House thotë se të dhënat mbi gjendjen e lirisë ishin posaçërisht ogurzeza për disa vende të Euroazisë. Rusia, thuhet në raport, ka marrë një drejtim vendosmërisht për më keq ç'prej se Vladimir Putini është kthyer në detyrën e presidentit. Freedom House thotë se pasi ai anashkaloi dhe margjinalizoi opozitën formale politike, Putini dekretoi një numër ligjesh që kanë për qëllim t'i marrin frymën opozitës në rritje e sipër nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile. Dekretet e reja të imponuara nga udhëheqsi rus Putin, sipas Freedom House, vendosin dënime të rënda për bërjen e demonstratave të paautorizuara, dhe u kufizojnë grupeve të shoqërisë civile të drejtën që të mbledhin fonde për veprimtarinë e tyre dhe në të njëjtën kohë, vendosin kontrolle te reja mbi përdorimin e internetit në Rusi. Si përfundim, thuhet në raport, e gjithë zona e ish- Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të tri vendeve baltike, rivalizon Lindjen e Mesme, si njëra prej zonave më shtypëse e lirive në botë, ku udhëheqësit autokratë qeverisin në shumicën e 12-vendeve të atij rajoni, duke e bërë këtë si një ndër rajonet më pak të lira në botë.

Ndërsa theksohet se shtypjet e lirisë po shtohen dukshëm në një numër vendesh anembanë botës, raporti i Freedom House u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike që të tregojnë udhëheqje më të vendosur në luftën për liri e demokraci. Raporti kritikon administratën amerikane të Presidentit Barak Obama si edhe opozitën Republikane për dështimin e tyre që të tregohen udhëheqës në përpjekjet për zgjerimin e lirisë dhe të demokracisë anembanë botës. Presidenti i Freedom House, David Kramer, tha në lidhje me këtë se ''nga e kaluara kemi mësuar se normalisht liria sigurohet me pjesëmarrjen dhe mbështetjen aktive të vendeve demokratike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane. Dhe ndërkohë që këto vende kanë vendosur të mos jenë pjesë e përpjekjeve për sigurimin e lirisë në botë, atëherë, rezultati zakonisht është humbja dhe shtypja e lirisë kudo në botë''.

Është ironik fakti, sipas Freedom House, se ky mos interesim nga vendet demokratike perëndimore në mbështetje të lirisë anembanë botës po ndodh në një kohë kur rezistenca kundër shtypjeve anembanë botës, është më e madhe se kurdoherë tjetër.

Thuhet në raport se disidentët anti-komunistë të cilët luftuan për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore gjatë Luftës së Ftohtë -- shpesh të izoluar dhe anonimë -- janë zëvendësuar tani me lëvizje të cilat gëzojnë përkrahje nga shtresa të dukshme të shoqërisë.
Në lidhje me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara raporti i Freedom House thotë se, megjithëse këto vende vazhdojnë të jenë të mbërthyera nga kriza ekonomike, ndërkohë që Evropa gjatë vitit të kaluar ka parë një rritje të dukshme të ndjenjave nacionaliste si përfundim i rritjes së fluksit në numrin e emigrantëve, këto vende, megjithë këto sfida, kanë mundur të përballen me këto probleme pa dobësuar respektin tradicional për standardet demokratike dhe liritë civile në këto vende.

Freedom House, Shqipërinë dhe Kosovën i rendit midis 58-shteteve të botës duke i vlerësuar ato si vende me liri të pjesëshme, kategori kjo që -- sipas Freedom House, është një vend në të cilin mbizotëron një respekt i kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile dhe një vend i cili shpesh vuan nga një ambjent korrupsioni dhe nga një regjim i dobët ligjor.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.