VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - QYTETARËT DHE ELITAT E PUSHTETEVENga AFRIM KRASNIQI

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 08:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
QYTETARËT DHE ELITAT E PUSHTETEVE
Nga AFRIM KRASNIQI

E Shtunë, 01.19.2013, 10:13am (GMT+1)




Sa herë analizohet tranzicioni shumica e studiuesve të huaj bashkohen me vlerësimin se Shqipëria bën pjesë në ato vende ku pati vijueshmëri të elitave midis sistemit të vjetër dhe sistemit të ri. Ky tipar gjendet edhe në Rusi dhe disa republika të tjera ish sovjetike, dhe bën dallim thelbësor me tranzicionin e shumicës së vendeve të tjera ish komuniste në Evropën Qendrore e Lindore. Në dallim nga vende të tjera Shqipëria nuk pati disidencë politike, nuk pati shtresim intelektual kritik ndaj regjimit, nuk pati lëvizje liberale apo shenja të revoltës së organizuar elitare.

 

Intelektualët pro perëndimore qenë vrarë ose patën vdekur në burgje përpara viteve 50, institucionet fetare qenë nxjerrë jashtë ligjit dhe kleri qe eliminuar në mesin e viteve 60, qytetaria civile si nocion qe zëvendësuar nga modeli i njeriut të ri, - ushtar, besnik, në bindje të përhershme, nën censurë dhe kontroll, pa jetë private dhe liri krijimi, pa shanse karriere dhe hapësirë mbijetese jashtë sferës së përcaktuar nga partia shtet. Akademikë, drejtues të Lidhjes, rektorë e dekanë, profesorë dhe krijues qenë emëruar kryesisht mbështetur në merita politike dhe përmes organeve politike (diktatori, Byroja Politike, Komiteti Qendror, Komiteti i Partisë, Byroja e Organizatës, Sekretarët e Byrove).

 

Ndryshimi i sistemit më 1990 u shoqërua me ndryshime në kornizën ligjore e  kushtetuese, në rikthimin e lirisë individuale, lirisë krijuese, lirisë së lëvizjes, etj. Gjithsesi ky proces ruajti të paprekur sistemin piramidal të elitave të pushtetit, madje ruajti të paprekur edhe sistemin e tyre të emërimit dhe promovimit përmes shërbimeve politike, njohjeve personale dhe mbështetjes publike përmes imazhit, jo produkteve shkencore, kulturore apo profesionale. U ndryshuan rolet, institucionet me militantë të kuq u zëvendësuan me militant blu, edhe këta të ardhur nga grupi i parë, dhe më vonë me militantë rozë, edhe këta të ardhur nga e njëjta shkollë, e njëjta kulturë, i njëjti sistem mendimi, vlerësimi dhe promovimi. Duke qenë të emëruar ata nuk mund të ishin të pavarur dhe të lirë, përkundrazi mbetën peng të çdo pushteti që ka në dorë çelësat për ushqimin ose shpërbërjen e sistemit të mbyllur piramidal të (për)zgjedhjes së tyre. Dominues ishte brezi i viteve 60-70, i njohur si brezi i fletërrufeve, produkt i modelit të njeriut të ri, me karrierë të njëjtë kohore në diktaturë dhe demokraci. Rotacionet e pushtetit u shoqëruan me rotacionin midis tyre, midis familjeve të mesme dhe të larta të sistemit të vjetër, ndërkohë që sistemi i ri, edhe për këtë arsye dështoi të krijojë një elitë të re të hapur, konkurruese, profesionale dhe kurajoze.

 

Të gjitha këto elementë trashëgimie negative shfaqen në shoqërinë shqiptare sa herë vendi ka një situatë politike konfliktuale, p.sh në prag zgjedhjesh, në debatet mbi pushtetin, në debatet mbi liderit politik dhe fatet e tyre apo kur një ngjarje cenon stabilitetin e pushtetit. Në diktaturë sa herë diktatori ndjehej i rrezikuar, kishte nevojë për një grup armiqësor apo klimë terrori, sa herë shkëpuste marrëdhëniet me ndonjë shtet të fuqishëm apo ndërmerrte fushata publike e populiste linçimi, siç ishte ajo e ateizmit apo revolucionit kulturor, ajo kundër revizionizmit apo ajo e mbështetjes në forcat e veta, - skenari ishte i njëjtë: peticione të pafundme zyrtarësh, aktivistësh politikë dhe intelektualë të emëruar të pushtetit i drejtoheshin publikut në mbështetje të pushtetit.

 

E njëjta skemë u përsërit më 1990, me peticionet populiste intelektuale kundër ngjarjes së ambasadave, më pas kundër ngjarjeve të dhjetorit 1990, më pas kundër grevës së urisë së studentëve dhe në mbështetje të Vullnetarëve të Enverit, më pas në mbështetje të nismës së rrethit të R.Alisë për pajtim kombëtar, më 1992 pro rotacionit politik, më 1993 pro e kundër arrestimit  të Nanos, më 1994 pro e kundër draftit kushtetues, më 1995 pro e kundër Këshillit të Evropës, më 1996 pro e kundër zgjedhjeve, më 1997 pro e kundër zgjidhjes politike të krizës, më 1998 pro e kundër ngjarjeve të shtatorit, më 1999 pro e kundër Rambujesë, më 2000 pro e kundër zgjedhjeve në Tiranë, më 2001 pro e kundër në zgjedhjet parlamentare, më 2002 pro e kundër presidentit konsensual, më 2003 pro e kundër krizës në qeverinë e majtë, më 2004 pro e kundër MSA përjashtimeve në PS, më 2005 pro e kundër rotacionit, më 2006 pro e kundër prokurorit të përgjithshëm, më 2007 pro e kundër krizës në zgjedhjet vendore, më 2008 pro e kundër lustracionit, më 2009 pro e kundër rezultatit të zgjedhjeve, më 2010 pro e kundër grevës së urisë, më 2011 pro e kundër rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, më 2012 pro e kundër paketës ligjore integruese. 2013 nisi me peticione të reja populiste pro e kundër rolit të opozitës në procesin integrues.

 

Në çdo rast pro/kundër qeverive të majta/djathta janë të njëjtët njerëz, kryesisht nëpunës, miq të kryetarëve, emra që më shumë kanë fituar famë përmes sistemit të vjetër të emërimit të elitave sesa sistemit të meritës dhe konkurrimit profesional. Në shumicë pro qeverisë janë mjekë e mësues, artistë e sportistë që firmosin në borderotë e saj, të afërm të liderit apo njerëzve me pushtet, individë me dosje dhe përdorim të përhershëm apo emra pragmatistësh politikë, të cilët të vetmin kontribut publik kanë qenien në çdo listë pro pushtetit në 22 vitet e fundit. Të njëjtit që firmosin në emër të interesave të mëdha të integrimit firmosën muaj më parë kundër grevistëve të urisë disidentë të regjimit komunist, firmosën kundër çdo proteste të opozitës, qoftë protestës së urisë, protestës bojkotuese apo protestës së dhunshme, siç edhe firmosën në çdo apel lavdërues, mbështetës e promovues për pikëpamjet e liderit, qeverisë, pushtetit. Dhe anasjelltas kur në pushtet është partia tjetër.

 

Në Shqipëri nuk ka pasur ende peticione kundër korrupsionit galopant, kundër mbipushtetit të partive, kundër sistemit të mbyllur zgjedhor e politik, kundër taksave abuzive apo vjedhjes së pasurisë private e publike, kundër pazareve të politikës për shitje të kufijve shtetërore apo fyerjes së simboleve kombëtare. Për qytetarët e shtetin nuk firmos asnjë elitar/intelektual, për pushtetin dhe parinë politike firmosin të gjithë, sa herë duhet dhe me rimën e duhur. Si më parë, interesat partiake/pushtetit qëndrojnë mbi interesat qytetare, dhe elitat e emëruara blu/rozë vijojnë të funksionojnë me metodën e revolucionit kulturor, modelin e fletërrufeve të gatshme që vijnë nga zyra e kryetarit të partisë/kryeministrit/kryetarit të kuvendit, modelin e thirrjes në zbor nën armë kundër armikut të brendshëm/jashtëm, me firma pa përgjegjësi në shkëmbim të një privilegji personal e familjar, dhe me një gjuhë të ashpër, denigruese e kërcënuese ndaj palës tjetër politike. Ndaj, sa herë e kërkojnë interesat e partisë ata firmosin akuza kundër institucioneve kushtetuese dhe partnerëve ndërkombëtarë, kundër shumicës qytetare dhe kritikëve të regjimit, dhe anasjelltas, sa herë interesat ndryshojnë ndryshon edhe sjellja e tyre ndaj institucioneve, partnerëve, qytetarëve dhe media kritike.

 

Ky cikël i mbyllur, fyes, primitiv dhe deformues për vlerat e një shoqërie të hapur e demokratike rinxjerr në pah diferencën e thellë në formimin tonë kulturor, shtetëror dhe demokratik, distancën midis shoqërisë së lirë të bazuar në meritë dhe asaj të mbyllur të bazuar në emërim, midis shoqërisë qytetare dhe shoqërisë së turmës, midis elitave modern dhe parive orientale. Një politikan me mentalitet të deformuar mban peng përkohësisht një institucion, një post, një parti, ndofta edhe një vend, por një elitë me sjellje të deformuar rrezikon të mbajë peng të sotmen dhe të ardhmen e një vendi. Kjo po ndodh me shoqërinë shqiptare, një vend me tranzicion të dështuar, ku parimi i "qeverisjes së qytetarëve nga qytetarët, për qytetarët" është shndërruar me parimin e "qeverisjes së pakicës, nga pushteti, për pushtetin".

 

Zgjidhja? Përvoja historike dëshmon se të metat e demokracisë mund të evitohen vetëm me më tepër demokraci. E njëjta diagnozë vlen edhe për Shqipërinë. Shoqëria është e lirë kur qytetarët, përfshirë elitat publike, janë të lira. Zgjerimi i demokracisë e bën më të pasigurt pushtetin e sundimtarëve, djeg kartën e politikës konfliktuale dhe populiste që na mban peng, si dhe bën diferencën reale midis elitave dhe turmave në vendimmarrjen e arsyeshme politike. Zgjerimi i demokracisë forcon institucionin e votës dhe fjalës, i rikthyen pushtetin qytetarëve dhe për qytetarët, e bën më efektiv produktin e votës dhe institucionet; respektimi i parimeve demokratike çliron nga ndjenja e frikës dhe shërbimit edhe elitat e pushteteve, zëvendëson emrat e pushtetshëm populistë me institucione të pushtetshme kushtetuese, zhvendos garancitë nga rruga e forcës tek respekti për ligjin dhe legjislacionin, rivendos konkurrencën dhe sistemin e meritës dhe kështu, bën ndarjen historike nga modelet e shoqërive të mbyllura dhe i jep realisht jetë projektit konkret të Shqipërisë Evropiane.

 


AFRIM KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FREEDOM HOUSE: DEMOKRACIA NË RËNIE PËR TË SHTATIN VITNga FRANK SHKRELI (01.17.2013)
DILEMA NË ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT - DËGJUES TË VERBËR APO TË DËGJUAR - SOVRANË TË FATIT TË TYRE APO FATALISTË TË BINDURNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.16.2013)
KUJTESËNga PËRPARIM KABO (01.15.2013)
KUJTESËNga PËRPARIM KABO (01.15.2013)
ROLI AMERIKAN NË AFGANISTAN PO MERR FUNDNga FRANK SHKRELI (01.15.2013)
NJË MARRËVESHJE E DYSHIMTË TIRANË-BEOGRADNga SHABAN MURATI (01.14.2013)
KONFRONTIMET MAQEDONASE PO I VËNË KAZMËN INTEGRIMITNga SHKËLZEN LUSHAJ (01.13.2013)
SERBIA E MADHE, FAKTOR DESTABILIZUES NË BALLKANNga ISUF B. BAJRAMI (01.13.2013)
POPULLI E DI KË KA CUB KË HERONga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.12.2013)
SHKRELI ANTIKOMUNIST NË KRYENGRITJEN E VITIT 1945Nga FRANK SHKRELI (01.11.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]