VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË NDER TË PROFESOR ERNEST KOLIQIT
Nga FRANK SHKRELI

E Hënë, 01.21.2013, 05:16pm (GMT1)



Më kujtohet si të ishe dje, kur i përndershmi Dom Prenk Ndrevashaj më bëri telefon nga Detroiti ku i shërbente komunitetit katolik shqiptar atje dhe më dha lajmin e keq se miku i ynë i përbashkët, por edhe i mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë, shkrimtari dhe poeti i njohur Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë në Romë, në mërgimin e pa dëshiruar, siç thonte shpesh. Ishte 15 Janari i vitit 1975. Më kujtohet se humbja e Profesor Koliqit dhe zbrazëtia që ai la pas si shkrimtar, poet, politikan, por mbi të gjitha si një atdhetar dhe njeri i thjeshtë dhe i ndershëm për të gjithë ata me të cilët ai erdhi në kontakt -- u ndie për së tepërmi -- ndërsa la pas një mungesë e boshllëk të madh në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin ai e vizitonte nga hera në herë, nga Roma ku ishte vendosur ç'prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Dy përvjetore me rëndësi për historinë e shqiptarëve në shekullin e kaluar ishin 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skendërbe, (në vitin 1968) dhe 60-vjetori i gazetës Dielli (1969). Profesor Koliqi si kryeorganizatori i festimeve të 500-vjetorit të Fatosit të Madh Kombëtar, ishte kujdesur që festimet në Romë me ketë rast, të ishin gjithëpërfshirse dhe mbarëkombëtare, për aq sa ishte mundësia dhe mesa lejonin rrethanat politike të kohës. Ishin të ftuar Arbëreshët dhe shqiptarët nga të gjitha trevat, por për arsye që dihen ishin të pranishëm vetëm shqiptarët nga diaspora, përfshirë edhe një grup nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të përfaqësuar nga organizata Vatra dhe krerët e saj.

Duke përshkruar në revistën Shëjzat (4-6, 1968), pjesëmarrjen mbarëshqiptare në ato festime, Profesor Koliqi shkruan me entuziazëm: "Kujt nuk i gufoi gjaku hov krenarije tue pa kah valviteshin me 24 prill në Sheshin e Sh'Pjterrit gjithë ata flamuj kuq e zi?....Shqipja kumbonte në atë Shesh madhnuer, përziheshin ligjirimet e sotëshme të Shqipnisë me ato të motshëme t'Arbrit, t'asaj cope t'Atdheut që lëshoi rrajë e lulzon në token italiane si degë e trungut të kombit. Arbëreshët jo vetëm mbajtën mbrekullisht gjuhën tonë për ma tepër e banë me lulzue në vepra letrare dore së parë, tue dishmue se palci fisnuer i kombit të Skënderbegut levizë jetsues kudo në botë, dhe rreth nji votre arbnore mbahen doket e të Parvet.''

Duke përshkruar festimet madhështore të atij përvjetori, Profesor Ernest Koliqi thotë se për herë të parë në kryeqytetin Italian, "Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tingulloi si za burije....tue u përmend an'e kand emni i Shqipënisë'', duke shtuar se, "Nji të përqethun mallëngjimi e krenarije na rrëshqiti shtatit e shpirtit kur Ati Shejt përdori në ligjiratë italishte fjalët shqipe, "˜besë', e "˜burrni' , këto vetina dalluese të kombit dhe shprehjen "˜gjaku i shprishur', që skalitë shpërndamjen e gjindes s'onë në rrokullinë tokësore.'' Duke shkruar për një pjesë të këtij gjaku të shprishur i shpërndarë anë e mbanë botës, Profesor Ernest Koliqi përshkruan kështu pjesmarrjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festimet në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit:
"Prania e vatranëve , ardhë nergut nga Shtetet e Bashkueme, ia shtoi shkëlqimin kremtimeve. Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun përfaqsoi në, rrethe arbëreshe e shqiptare, Shoqatën e mirënjohun Vatrën, që dikur aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjesht tonë kryesinë e vatranëve, që në këto kohna të turbullta të sotëme orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy Patriotave të paharrashueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes, atë ditë po rreshte mbi Bashkimin e Arbreshve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, rrezja e bekimit të Perendisë'', shkruan Ernest Koliqi në revistën Shëjzat, duke folur për praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të Skenderbeut në kryeqytetin Italian dhe në Vatikan ku u pritën edhe nga Papa Pali i VI, në vitin 1968.

Një vit më vonë, më 1969 Vatra shënon 60-vjetorin e themelimit të organit të saj Dielli dhe për të marrë pjesë në këto festime, ftohet ndër të tjerë Ernest Koliqi dhe një delegacion përfaqsues arbreshë, gjithsejt nja 60 veta nga Italia. Duke shkruar mbi përshtypjet e tija dhe pritjen madhështore që vatranët i bënë atij dhe grupit arbresh në Boston dhe në New York, Profesor Koliqi e cilëson takimin e dy diasporave shqiptare si me rëndësi të madhe simbolike, duke theksuar përsa vijon:
"Shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës përtrinë vulosjen e vëllaznimit shqiptar, pohuen gjallninë e rrajve ethnike të zanafillës dhe u besatuen heshtazi me pasë përhera në kujdes fatet e dheut të të Parvet. Arbreshët e Italisë, stërnipa të luftëtarvet që rreth Skënderbegut, në nji varg përleshjesh titanike, shkruen me gjak në faqet e historisë s'Evropës se Shqipnia asht e Shqiptarëvet mbas pesë shekujsh gjatë të cilave ruejtën gjallë gjuhë e doke, erdhën me sigurue Vatranët se në veprën e tyne, të djeshme e të sotëme, njohin vazhdimin e përpjekjes ideale të Jeronym de Radës.'' Profesor Koliqi vazhdon me përshtypjet nga pritja që vatranët i bënë atij dhe grupit të Arbëreshve në Amerikë, duke komentuar se, "Sot dy gjymtyrët kryesore të diasporës, ende plot fuqi e vrull veprues, u bashkuen e shkrinë deshirë e qëllime, me u përpjekë për naltësimin e kombit prej të cilit rrjedhin'', shkruante profesor Koliqi në Shëjzat, (10-12, 1969).

Në mbresat e tija gjatë asaj vizite në Katedralën e Shën Gjergjit në Boston, siç e quan Koliqi, "në atë Falëtore orëmirë, ku meshoi dhe predikoi Fan Noli, lutën Perendinë për Shqipni e bijt e saj, Shqiptarët e Bostonit dhe Këshilltarët e Kishës Orthodokse shqiptaro-amerikane... e me ta në shumicë të madhe Shqiptarë besimesh të tjera. Zemrat mbarë të pranishmëve u shkrinë në thirrje mëshrire që i naltohej Perendisë, i cili ashtë nji për të gjithë.....Shpirtnat vëllaznoheshin në nji flakërim të pastër atdhetarie, mesa fytyrimi i Nanës Shqipni vizatohej i shëjtë në avullime të thimjanës, që valvitej erandshëm nepër kishë.''

Për festimet e këtyre dy përvjetorëve, që shqiptarët e Amerikës dhe Arbëreshët e Italisë bënë së bashku, Profesor Ernest Koliqi shkruan me entuziazëm, se "Gjaku arbnuer njofti nji triumf të papritun ato ditë. Shqiptarë e Arbëreshë, tue u përqafue, ndienë e kuptuen veten se me një marrveshje vëllaznore mund u plotësonte porosija që na la Skënderbegu.''

Po të më lejohet në këtë përvjetor të vdekjes së tij një moment kujtimi personal nga ana ime e Profesor Koliqit. Unë e njoha profesorin në Romë gjatë qendrimit tim si refugjat në Itali, nepërmjet Dom Prenk Ndrevashajt, i cili kujdesej për refugjatët shqiptarë. Si rrjedhim, vazhdova të isha në kontakt me Profesor Koliqin, duke shkëmbyer letra. Në fillim të 1970-ave, unë kisha filluar një nismë tepër modeste për botimin e periodikut, "Rinija Shqiptare në Mërgim'', për të cilën ai më dha kurajo dhe këshilla dhe për të cilën pat shënuar në rëvistën e tij, (Shëjzat 1-4 1972) për sa vijon: "Më kanë ra në dorë dy numrat e parë të periodikut , "Rinia Shqiptare në Mërgim'', që del në Nju Jork. Ashtë një përpjekje për t'u trimnue e përkrahë. Të rijtë që qenë të shtërnguem me lanë atdhenë, të kenë nji palestër të veten ku të munden të shprehin mendime e ndiesi dhe t'ushtrojnë gjuhën e atdheut në shkrim. Natyrisht, këtyne nisjativave botuese, që tregojnë vullnet të mirë dhe shkas idealistik, do t'u kushtohet kujdes i madh si në zgjedhje të landës ashtu në përpunim të stilit. Na jemi të sigurtë se botuesat e këtij perjodiku, tue kërkue e ndjekë këshillat e atyne që kanë përvojë ma të gjatë shtypi, do t'a përmbushin nevojën e nji pranie të masës së re mërgimtare në jetën mendore të diasporës. Na, prej anës s'onë u urojmë redaktuesvet të Rinisë Shqiptare në Mërgim'', veprimtari të mbarë dhe sukses''.

Profesor Koliqi edhe nepërmjet korrespondencës, vazhdonte të interesohej për periodikun, ''Rinia Shqiptare në Mërgim'' dhe më jepte zemër që të vazhdoja studimet, duke shkruar në njërën prej letrave:
"I dashtun Fran,
Më ra në dorë si letra ashtu edhe periodiku Rinia Shqiptare në Mërgim. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që pëpiqesh të ndjekish studimet, e në fund për botimin kushtue masës së re që larg atdheut ka shumë nevojë të ushqehet me shkrime të shëndosha shqipe. Të lumtë! Ashtë një fillesë plotë premtime. Mbaj mend veç fjalën e moçme: "˜Trimi i mirë, me shokë shumë' ! Afro moshatarë sa ma shumë që të mundesh. Në ashtë se këjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historija e letërsisë shqipe.''

Ky ishte Ernest Koliqi që njoha unë, i gatëshëm për të ndihmuar, i gatëshëm për të ndarë përvojën e tij të gjatë e të frutshme me letrat shqipe dhe në gazetari, megjithëse fatkeqsisht e njoha për një kohë tepër të shkurtër, por ama ajo njohuri, megjithëse e shkrutër, më la mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme. Ky ishte Ernest Koliqi që njohu komuniteti shqiptaro-amerikan, ky ishte Ernest Koliqi, këshillat e mësipërme të të cilit i kujtoj gjithmonë me mall dhe të cilat me mundësinë time jam përpjekur t'i përcjellë gjithë jetën.

Ky, pra ishte Ernest Koliqi, për të gjithë shqiptarët, njëri ndër interpretuesit më të spikatur të shpirtit të fisit arbëror dhe të trashëgimisë stërgjyshore, si dhe mbrojtës i vlerave të shpirtit arbëror dhe të prirjeve natyrore të tij, gjithmonë si pjesë e thesarit të vlerave kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit.

Në këtë përvjetor të vdekjes, me nderim e mall përkujtojmë Profesor Ernest Koliqin.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.