VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUFTA E E PRITSHME BRENDA PARTISË DEMOKRATIKE: JOZEFINA TOPALLI VS LULZIM BASHA
Nga REDAN BUSHATI

E Hënë, 01.28.2013, 07:41am (GMT1)



Pas 23 qershorit 2013, nëse Partia Demokratike do të kalojë në radhët e opozitës, vëmendja mediatike e ditëve post factum do të përqëndrohet në partinë më të madhe opozitare sesa në partinë më të madhe në pushtet, PS. Në ditët e para të korrikut dhe të pastajme, i "nxehti" do të kaplojë PD-në, ndërsa socialistët në pushtet do të dëfrehen me luftën e brendshme të kundërshtarit të tyre historik.

PD-ja me Sali Berishën në krye ka qenë një parti, e cila përpos që nuk ka lejuar mendimin dhe zërat ndryshe, rrallëherë ka pasur "firo" nga radhët e saj; së fundmi vetëm Gazmend Oketa, i cili kaloi në partinë e re të së djathtës, FRD. Të tjerët, në këto 22 vite të themelimit të Partisë Demokratike, o janë ndier të diferencuar nga lidershipi i saj, o janë larguar nga bërrylat e shumtë, ose fare pak a aspak mund të kenë krijuar probleme për të djathtën, kujto këtu Genc Pollon me krijimin e PDR-së. Gjithsesi, krahasuar me metamorfozën e së majtës, PD-ja ka qëndruar e ngurtë dhe ka qenë vetë kreu i saj, Sali Berisha, ai i cili jo vetëm që i ka mbajtur nën vete të tijtë, por as ka guxuar kush, qoftë edhe njëherë të vetme, të pohojë të kundërtën e asaj se çfarë ka thënë doktori. Ky i fundit ka qenë autoriteti suprem, imponues dhe autokratik i Partisë Demokratike. Por ç'do të ndodhë pas largimit të doktorit nga pushteti?

Një luftë e ashpër pritet të shpërthejë në gjirin e Partisë Demokratike. Jozefina Topalli me grupin e Shkodrës, por edhe disa deputetë të tjerë përkrahës të saj, do t'i hakërrehen Lulzim Bashës dhe përkrahësve të tij të shumtë në PD, të cilët fët e fët kanë ngjitur shkallët e kësaj partie, krejt në mënyrë të çuditshme, si rrallëkund në vendet perëndimore. Normalisht partia duhet të funksionojë si një institucion, ku ngjitja bëhet hap pas hapi në bazë të meritokracisë së vlerave profesionale, morale, politike etj.

Në rastin konkret ka ndodhur tjetërqysh, në një mënyrë krejt befasuese, ku Basha erdhi në Tiranë në vitin 2004, u ingranua nga fëmijët e kryeministrit, fitoi reputacion shpejtazi dhe u bë si të thuash, pa pëlqimin e plotë të doktorit, djali i tij jashtëmartesor. Ky djalë tanimë është ndër visarët e PD-së, së paku kështu pëshpëritet lart e poshtë në mjediset e kësaj force politike. Në krahun tjetër, Jozefina Topalli ka aderuar në Partinë Demokratike aty nga viti 1996 dhe rritja e saj ka ardhur në mënyrë graduale. Sot pushteti i saj është mjaft i fuqishëm, por akoma nuk dihet saktësisht se sa do të jenë përkrahësit e saj në luftën brenda partisë. Gjithsesi, në këtë luftë klanesh nuk është çudi që të dalë një palë e tretë, e cila në heshtje pret sforcimin e kampeve të Lulit dhe Jozit, në mënyrë që të ngrejë krye në momentin më të përshtatshëm.

Si përfundim, këto hamendësime, të cilat gjithsesi bazohen te e vërteta e klaneve në PD, por që të mund të realizohet ky skenar i mundshëm duhet të presim pas 23 qershorit, nëse Partia Demokratike do të kalojë në opozitë apo jo. Deri atëherë ka ende kohë për të analizuar situatën në fjalë, ndërsa nuk ka aq kohë për të vepruar nga kampet respektive, të cilat prej vitesh kanë filluar fërkimet, sigurisht me një zë të përvajshëm, pasi Sali Berisha nuk i ka lejuar të bëhen zëra mbizotërues për asnjë moment.


REDAN BUSHATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.