VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LARGIM ME DINJITET
Nga BERND RIEGERT, Deutsche Welle

E Martë, 02.12.2013, 09:54am (GMT1)



Deklarata e Papës, për të hequr dorë nga posti, ka befasuar shumë katolikë. Por kjo tërheqje tani i hap kishës në krizë shansin për një fillim të ri.

Kjo dorëheqje është një revolucion. Prej më shumë se 500 vjetësh nuk ka patur dorëheqje të Papës. Zyrtarisht 86-vjeçari është larguar nga detyra për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore. Por nga mesazhi e tij i përpiluar në latinisht, ndjehet vështirësia për të drejtuar kishën në kohë të vështira. Në kohë, "kur besimi hidhet sa andej-këndej", thoshte Benedikti XVI dhe veproi. Papa, i cili nuk është njëri nga popullit, si paraardhësi i tij polak, por teolog i shkëlqyer dhe intelektual, ka patur gjithmonë vështirësi me detyrën e tij. Këtë përshtypje la edhe në udhëtimin e tij në vendlindjen e tij, Gjermaninë, në vitin 2011. Atëherë shumë patën kritikuar, se Papa kishte humbur lidhjen me shqetësimet e katolikëve të zakonshëm.

Dorëheqja hap tani edhe mundësinë, që në fronin e Pjetrit të ngjitet një Papë i ri, që është më i hapur për reforma, që gjen përgjigje për krizën e kishës në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Aty kisha katolike po humbet gjithnjë e më shume anëtarët dhe nuk gjen më breza të rinj, për t'u bërë priftërinj. është zgjuarsi, që Benedikti ka vendosur te mos vdesë në fron. Sëmundja e gjatë e paraardhësit te tij Gjon Pali II është në kujtesën e të gjithëve. Këtë vdekje në publik Joseph Ratzinger e ka evituar. Në vitet e ardhshme ai mund t'i kushtohet pasionit të tij të madh, shkrimit të veprave teologjike. Shumë papritur nuk erdhi dorëheqja e tij. Ratzinger vetë kishte thënë prej vitesh, se Papë duhet të jetë vetëm ai, që ka fuqinë ta përmbushë këtë detyrë delikate. Vetem momenti ishte një surprizë. Të brendshëm në Vatikan besonin se Benedikti do të jepte dorëheqjen pas Pashkëve. Edhe afera e daljes së letrave konfidenciale e kishte prekur personalisht Papën. Ai kishte humbur besimin dhe atij iu bë e qartë se nuk e menaxhonte dot kurien, administratën e fuqishme kishtare.

Se kush do të jetë pasardhës i Papës, është e vështirë të thuhet. Kardinalët do të mblidhen në konklavën më të pazakontë qysh prej qindra vjetësh. Ata nuk do të vajtojnë një Papë të vdekur, por do të kenë shansin, që pas tetë viteve konservatore të guxojnë një fillim të ri. Megjithatë Papa me emërimet e kardinalëve të rinj ka forcuar fraksion konservator në trupin zgjedhor.
Benedikti XVI. është kritikuar shumë për kthimin e tij tek parimet bazë, por ai është përpjekur për të ruajtur thelbin e besimit katolik. Heqja dorë nga detyra është një hap i guximshëm, një hap revolucionar. Ai i ka dhënë vetes liri. Ai ka përcaktuar standarde. Pasardhësit nuk do ta kenë të mundur, të ngjiten më pas fronit. është krijuar Papati i kufizuar në kohë. Vatikani hapet kështu pak ndaj ideve të kësaj bote në lidhje me sundimin dhe demokracinë.

Tetë vjet më parë, kur papritur një kardinal gjerman u zgjodh Papë, gazeta bulevardeske "Bild" mbante titullin : "Ne jemi Papa!". Tani titulli duhet të jetë: "Ne heqim dorë, por me dinjitet!"


BERND RIEGERT


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.