VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË YLL I RI I PARTISË REPUBLIKANE NË SHBA?
Nga FRANK SHKRELI

E Martë, 02.12.2013, 10:03am (GMT1)



Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjëndjen e kombit. Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t'ua paraqes ligjvënsve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti. Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t'i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për të mbajtur fjalimin dhe për t'ju përgjigjur pretendimeve të presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, Zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta Washington Post citon udhëheqsin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se Senatori Rubio u caktua t'i përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit, sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër, "është bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë që ajo promovon".

Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinjë në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin. Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të pare ai iu paraqit amerikanëve me fjalimin që mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjetë më vonë. Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një ligjvenës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija -- dhe të partisë që ai përfaqëson -- për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika. Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht, që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhëshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ''Shpëtimtarin e Partisë Republikane'', ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ''komunikuesin më të mirë ç'prej Ronald Reaganit.'' Udhëheqsi i republikanëve në Senatin amerikan, Senatori Mitch McConnell, tha se, "Marc Rubio mishëron optimizmin që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës. Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike."

Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç, ka shërbyer në Dhomën e Përfaqsuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i Shteteve të Bashkuara nga ky shtet, në vitin 2010.

Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se besimi i tij në Amerikën u formua heret nga prindërit e tij të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të këtheheshin më në atdheun e tyre. Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai, që e ndihmuan të formonte jetën e tij si person dhe si politikan. Ai falenderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllëzërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre. Duke shprehur fillozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se, ''ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyertë e suksesit për mua'' , thotë ai. Ai shton se si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misjoni i të cilëve në jetë është që -- për fëmijtë e tyre -- të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë. Përsa i përket politikës së brendshme, ai ndër të tjera është në favor të balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

Senatori Marc Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se, ''Shumica e Amerikanëve besojnë se kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.'' Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija duke thënë se, ''me krenari ka artikuluar qendrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm, dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë'', dhe se ka ngritur zërin e tij në ''përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut", anë e mbanë botës.
I vetdijshëm për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qendrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çeshtjesh aktuale për Amerikën dhe për botën. Ai ka theksuar qendrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një "Shekull tjetër Amerikan". Senatori Rubio ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë. Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, "gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre''.

E ardhëmja politike e Senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekullimesh në qarqet politike dhe në median amerikane dhe caktimi i tij për t'iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit, vetem do t'i nxisë edhe më tepër këto spekullime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm iPartisë Republikane për president në vitin 2016.

Senatori Marc Rubio i shtetit Florida


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.