VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MAQEDONIA NUK MUND TË EKZISTOJË ME MASA REPRESIVE KUNDËR POPULLIT TË PAFAJSHËM SHQIPTAR
Nga ISUF B. BAJRAMI

E Shtunë, 03.02.2013, 08:27am (GMT1)



Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës antishqiptare u vu ushtria dhe policia maqedonase, e cila, nëpërmjet dhunës e terrorit, bastisjeve, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve, kërkon të shuajë aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime kombëtare.

Kohëve të fundit përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër polici në të ashtuquajturat "Biseda informative" një numër i madh shqiptarësh me profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektual të shquar u stresuan, u vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht, u kërcënuan dhe u mbajtën me orë të tëra. Qëllimi kryesor i policisë-politike maqedonase është t'i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t'i frikësoj, dhe në fund t'i detyroj të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka shqiptar në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.

Këto veprime banditeske të autoriteteve dhe policisë-politike maqedonase janë një shprehje e urrejtjes së thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare, me veprimet e të tyre antihumane, antikulturë, gjë që është e pashembullt për çdo vend evropian. Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm politikë, personalitete të larta maqedonase flasin me të madhe për "barazinë"e popujve, për"respektimin"e të drejtave dhe të lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia më e madhe e mashtrimi më i ulët që shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në trojet ku banojnë kryesisht shqiptarët.

E drejta e shkollimit është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi, Maqedoni, Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.

Ky atentat i qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në të njëjtën kohë edhe një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas "shkëputjes" së saj nga ish Jugosllavia titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe të vetë interesave të popujve maqedonas. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni, siç është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar dëshmon për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të mbrojtur trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e gjer m ë sot.

Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar. Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t'i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.

E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë "demokratike" dhe e civilizuar qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes, Bujanovcit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tyre.

Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e "qytetëruar", e gjendur përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se "ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve".

Ç'bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.

Është koha që shqiptarët t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat.

Qeveritarët maqedonë me të gjitha mënyrat përpiqen t'i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta. Kjo është arsyeja përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit të Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë.

Gjakderdhja, terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.

Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonë t'i përmbahej porosive dhe mësimeve të Goce Delçevit; "Kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave", sikurse pushtetarët maqedonas t'i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, dhe në mënyrë demokratike të pranonte t'u njohë shtetasve shqiptar barazinë sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që bashkëjetojnë sot në Maqedoni.

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë gjë më tepër, ata duan të trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të kërkojnë t'i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedon.

Do të ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedon. Në barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.
Gjilan, nëntor 2007


ISUF B. BAJRAMI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.