E Premte, 03.29.2024, 02:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SINDROMA 'KOMUNIZËM'
Nga RESHAT KRIPA

E Martë, 03.05.2013, 02:17pm (GMT+1)



Çdo diktaturë kur përmbyset le pas vetes, për një farë kohe, sindromat e saj. Këto vazhdojnë për aq kohë sa do të jetë e aftë shoqëria dhe, sidomos, klasa politike t'i hedhë poshtë. Varet nga vullneti i saj. Një shtet që pretendon se, pas përmbysjes së diktaturës, po ndërton një rend demokratik dhe ligjor duhet që, brenda një kohe të shkurtër, t'i hedhë në koshin e plehrave sindromat e asaj diktature. Kështu vepruan, pothuajse, të gjitha shtetet ish-komuniste të Europës Lindore. Po vendi ynë? Kanë kaluar mbi njëzetedy vjet nga ato ditë të paharruara të përmbysjes së madhe. Sistemi komunist, që sundoi vendin për dyzetegjashtë vjet, tashmë është shembur. Në vend të tij po ndërtohet sistemi kapitalist. Sot janë fare të paktë ata që mund të flasin ende me keqardhje për sistemin e përmbysur. Vetëm disa trundryshkur nostalgjikë që u ka mbetur ora qysh me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë vazhdon të jetojë ende sindroma "komunizëm", një sindromë e tmerrshme, një gangrenë që po gryen vendin dhe nuk e le të ecë si motrat e saj europiane. Madje, në vend që të vijë duke u zhdukur, kjo gangrenë sikur po shtohet më tepër këto kohët e fundit dhe sidomos tani që fushata elektorale, megjithse e pashpallur ende, efektivisht ka filluar. Pikërisht për këtë sindromë dua të shkruaj edhe unë në këtë shkrim.

Çfarë është sindroma "komunizëm"? Është hymnizimi i idhullit, servilizmi, hipokrizia, zhveshja nga normat morale të jetesës, nënshtrimi ndaj së keqes, humbja e personalitetit të imtelektualit, humbja e dinjitetit njerëzor, dhe plot vese të tjera të mishëruara në atë që u quajt "Njeriu i ri socialist". Këto vese shfaqeshin në të gjitha shtresat e shoqërisë si tek politikanët, intelektualët dhe deri te ata më të thjeshtit, punëtorët apo fshatarësia kooperativiste. Le t'i ilustrojmë këto me shembuj konkretë.

Një perëndi e re ishte krijuar në vendin tonë. Ishte numri një i shtetit, Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë. Ai ishte gjithçka. Parulla e tij ishte ajo e Luigjit të XIV-të "Shteti jam unë". Ishte mjeku që shëronte plagët e vendit, profesori që u jepte leksionet e tij gjithë inteligjencës së vendit, mjeshtri që u mësonte zejtarinë zanatçinjve apo shkencat bujqësore dhe blegtorale fshatarësisë e të tjera, e të tjera "mrekulli" që vetëm ai ishte në gjendje të bënte. Sipas shembullit të tij, kjo gjë vazhdonte edhe në rangjet e tjera të shoqërisë shqiptare. Vazhdonte në sekretarët e parë të rretheve, sekretarët e partisë dhe drejtorët e institucioneve qëndrore dhe lokale, sekretarët e partisë dhe drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore apo kryetarët e kooperativave bujqësore dhe shkallë-shkallë deri në një brigadjer brigate në qytet apo fshat. E gjithë kjo elitë kishte nën vete një numër të madh plebejsh që ishin te detyruar vetëm të brohorisnin për drejtuesit e tyre dhe t'u thurrnin lavde pa mbarim.

Servilizmi, kjo ishte karakteristika e të varturve ndaj vartësve. Një gjë të tillë e shihje kudo, në të vetmin radio-televizion apo nëpër faqet e shtypit të kohës. E shihje nëpër mbledhjet dhe konferencat e ndryshme. E shihje në çdo hap të jetës së përditshme. Shumë prej tyre e dinin që qëndrimi i tyre nuk ishte i drejtë, megjithatë vazhdonin sipas së njëjtës frymë. I tillë ishte regjimi. Megjithatë ndihej edhe zëri i së vërtetës. Ky kuptohej nëpërmjet barcaletave të ndryshme që qarkullonin gojë më gojë fshehtas.

Më lejoni t'ju tregoj një rast të një servilizmi të pamoralshëm:
Një ish-funksionar i lartë i partisë, një ish-ministër i rënë nga fiku që ishte degdisur në një qytet të vogël të rrethit të Vlorës. Atë vit zhvilloheshin zgjedhjet për pushtetin lokal. Ish-funksionari u paraqit në qendrën e votimit. Në krye të sallës fotografia e diktatorit. Me një hap solemn, iu afrua, mori drejtqëndrim dhe duke nderuar me grusht thirri:
- Lavdi shokut... dhe përmendi emrin e diktatorit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe funksionari u arrestua dhe u ekzekutua disa muaj më vonë. Ky ishte shpërblimi që diktatori i bëri ish-funksionarit të tij. Në këto kushte unë pyes:
- Çfarë e shtyu atë të brohoriste për diktatorin që e kishte degdisur në një vend të humbur
dhe po përgatitej ta zhdukte fare nga faqja e dheut?

Asgjë tjetër veçse ndjenja e servilizmit që kishte pushtuar ndërgjegjen e tij. Jam i sigurtë se në konditat në të cilat ai ndodhej, një njeri normal kurrë nuk do ta kishte bërë një veprim të tillë. Por ai nuk ishte njeri normal. Ishte, sikur edhe gjithë klani i tij, një lake i bindur që vepronte sipas shkopit të dirigjentit të tij diktator. Ai s'kishte ndërgjegje. Ishte "Njeriu i ri i socializmit".

Hipokrizia dhe çveshja nga normat morale të jetesës. Njeriu ishte i detyruar të vinte një maskë të cilën e ndërronte sipas rrethanave. Ishte e pamundur të zbuloje se si e kishte fytyrën e vërtetë. Aktualisht njeriu nuk kishte fytyrë të tij. Ai fliste me gjuhën e idhullit të tij, shikonte me sytë e tij, dëgjonte me veshët e tij, nuhaste me hundën e tij. Për çdo nismë të dërguar nga idhulli ai do të ishte kurdoherë i gatshëm. Le të sjellim si shembull vitin 1966. Turma të tëra intelektualësh, si dhëntë që vihen përpara nga një bari i vetëm, në të gjitha qytetet e vendit derdheshin rrugëve duke thirrur:
- Leni zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!

A thua t'iu kishte therur zemra për fshatin socialist që mbillte grurë dhe për vete hante misër, madje edhe ky i racionuar. Shikoni ku kishte arritur hipokrizia e njerëzve ndaj sistemit.

Nënshtrimi ndaj së keqes. Nuk janë të paktë ata që iu nënshtruan së keqes së madhe. Disa nënshkruan deklarata kapitulluese. Të tjerë denoncuan deri edhe shokët apo familjarët e tyre. Puna arriti deri aty sa babai të spiunonte djalin ose e kundërta dhe vëllai vëllain. Është e vërtetë që një pjesë e tyre u detyruan nga format më të egra të torturave fizike ose psikologjike të ushtruara mbi ta, por shumica një gjë të tillë e bënë vullnetarisht, thjesht për të përfituar diçka. Sidoqoftë ata kanë në ndërgjegjen e tyre peshën e rëndë të fajit.

Humbja e personalitetit te intelektualit dhe e dinjitetit të tyre. Një karakteristikë që përfshinte masën më të madhe të intelektualve. Këtë peshë ata e mbajnë ende në ndërgjegjen e tyre, njësoj si dhe ata që u thyen nga dhuna.

Këto ishin, pak a shumë, karakteristikat e sindromës "komunizëm" që u shfaq në atë kohë. Po sot a vazhdon ende kjo sindromë? Le ta analizojmë.

Sot në vendin tonë ekzistojnë, në mos e kam gabim, mbi gjashtëdhjetë parti politike. Përveç rreth dhjetë prej tyre që kanë një elektorat të caktuar, të tjerat janë fantazma. Madje ka parti që në zgjedhje nuk marrin as votat e familjarëve, por drejtuesit e tyre nuk luajnë prej vendit për vite të tëra qysh prej datës së themelimit. Janë bërë të pazëvendësueshëm. Madje nuk zhvillojnë as kuvende kombëtare për të bërë zgjedhje. Janë të zgjedhur të përjetshëm. Shqipëria është në botën e çudirave. Një historian i njohur i kohës së diktaturës është bërë edhe kryetar partie. Nuk mund ta kuptoj se si mund ta quajë veten historian një njeri i tillë. A mund të shkruajë ai një histori të vërtetë? Të gjitha këto si pasojë e sindromës "komunizëm" që vazhdon ende.

Sot janë një mori televizionesh dhe gazetash. Janë me dhjetra e dhjetra gazetarë, analistë, opinionistë. Disa janë të djathtë dhe disa të majtë. Të pavarur e quajnë veten shumica. Por të gjithë ligjërojnë sipas ritmit të daulles së idhullit të tyre. Fare pak janë ato kanale televizive që mund të shihen me kënaqësi. Të paktë janë ata gazetarë që mund të lexohen me ëndje. Të paktë janë ata analistë dhe opinionistë që mund të dëgjohen pa u shqetësuar nga dokrat e tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe disa politikanë. Të verbuar nga karriera dhe ethet e ngritjes në detyrë, ata harrojnë pse janë zgjedhur, harrojnë se populli ua ka dhënë votat se ka patur besim te ta. Shembullin më të keq e ka dhënë një drejtues i një partie që megjithse humbi dy zgjedhje rresht nuk pranoi të jepte dorëheqjen në një kohë kur kjo parashikohej në statutin e partisë së tij. Por më e keqja është se edhe ndjekësit e tij nuk u kujtuan t'i kërkojnë një gjë të tillë dhe kjo do të ishte në nderin e tyre dhe të partisë. Ata dijnë vetëm t'i thurrin lavde drejtuesit të tyre të dështuar. A nuk është edhe kjo një shenjë e sindromës "komunizëm"?

Hipokrizia, humbja e personalitetit dhe dinjitetit ishte një karakteristikë e sistemit totalitar por, kur kjo shfaqet në një sistem demokratik, atëherë bëhet një gjë shumë e pështirë. Një gjë e tillë i ndodhi pas përmbysjes së madhe një tjetër funksionari të sistemit komunist të rënë nga fiku. Ishte pikërisht diktatori i dytë i atij sistemi që e kishte denigruar deri në burgosje. Por, çuditërisht pas ndryshimeve, ky fatkeq vazhdonte t'i lëpihej atij dhe të shoqërohej me të gati për çdo ditë në parkun e kryeqytetit sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Përse? Është përsëri sindroma "komunizëm" që e shtynte drejt humbjes së personalitetit të tij. Por ky fenomen nuk ndodh vetëm me këtë individ. Janë plot të tjerë që vijnë nga ai sistem dhe ruajnë ende sindromën e sipërpërmendur.
Le të shohim tani disa shfaqje të tjera të ndikimit të sindromës "komunizëm" në jetën e përditëshme në Shqipëri. Të gjithë i kemi parasysh ato ditë të stuhishme të viteve 90-të, kur i gjithë populli u ngrit kundër diktaturës. Midis tyre edhe ish-të përndjekurit politikë. Në shkurt u rrëzua monumenti i diktatorit, simboli i sistemit komunist, por nuk rrëzua sindromi "komunist" që vazhdoi të punonte, fshehtas si hajdut, për të përgatitur kasaphana të tjera si ajo e 97-ës.
Një fjalë e urtë popullore thotë: "Deri sa ujku mbetet ujk, ai do plumb e jo pambuk". Ne zgjodhëm pambukun se nuk donim më të derdhej gjak si dikur, se mendonim që djajtë do të ktheheshin në engjëj, gjë që nuk u realizua dhe nuk kishte si të realizohej pasi nuk i lejonte sindroma e mësipërme.

Kështu, me marrjen e pushtetit, djajtë filluan gjuetinë e shtrigave dhe mbi të gjitha kundër atyre që i kishin patur kundërshtarë të përjetshëm, ish të dënuarve të vërtetë politikë. Mosnjohje e statusit të tyre të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pushime nga puna dhe deri vrasje si ato të shtatorit 98-të. Filluan të nderoheshin figurat e krimit komunist. Me emrat e një pjese prej tyre filluan të emërtoheshin sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve. Një pjesë tjetër u shpallën "Qytetarë Nderi" nëpër komuna dhe bashki. Disa të tretë madje u dekoruan me tituj të lartë nga Presidenti i Republikës. Përmendim këtu emërtimin e njerit nga sheshet e qytetit të Durrësit me emrin e kryekomunistit Nako Spiru, shpalljen "Qytetar Nderi" të Mallakastrës të kryekriminelit Mehmet Shehu dhe dekorimin nga Presidenti i Republikës të gjykatësit që ende vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese, vrasësit të poetit Havzi Nela.

Një gjendje e tillë vazhdoi deri në vitin 2005 kur në krye të djajve doli një udhëheqës i ri në moshë, por me mendësi shumë më anarshiste dhe karrieriste se paraardhësi i tij. Ky klloun i politikës e futi partinë, që u bë pronë private e tij, në një rrugë pa krye, pa vizion, një rrugë që përveç se në anarshizëm nuk të çon asgjëkundi. Për më tepër ai, pa patur asnjë argument, vazhdon të ngulë këmbë në mos miratimin e tre ligjeve të vëna si kusht nga Bashkimi Europian për pranimin e Shqipërisë në gjirin e bashkësisë europiane. Në këtë rrugë pati ndihmën edhe të një "presidenti të djathtë" që, gati njëlloj me paraardhësin e tij, vazhdoi të njëjtën rrugë duke mos firmosur ligje themelore si ai i lustracionit, duke emëruar në shkallët e ndryshme të drejtësisë persona të përlyer me diktaturën, madje duke dekoruar edhe disa prej tyre dhe, më e rëndësishmja, duke përkrahur, në mënyrë të heshtur, nje revoltë antidemokratike dhe barbare si ajo e 21 janarit.

Këto janë disa nga pasojat e asaj që unë e kam quajtur sindroma "komunizëm". Pa zhdukjen e saj shqipëria do të ketë gjithmonë ngjarje të jashtëzakonshme, të papranuara nga një vend demokratik. Kur do ta realizojë Shqipëria nje gjë të tillë? Nuk e di, por nuk besoj se kjo mund të realizohet në ditët e sotme. Per deri sa në vendin tonë ekzistojnë ende individë të inkriminuar me sindromën "komunizëm", një gjë e tillë është e pamundur. Duhet të kalojnë, ndoshta edhe më shumë se pesëdhjetë vjet, kur në vendin tonë të mos ekzistojë asnjë individ nga ky brez që Shqipëria të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga sindroma "˜konunizëm".


RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NDIKIMI POLITIK I SUPER TË PASURVENga CHRYSTIA FREELAND, Reuters (03.05.2013)
MAQEDONIA NUK MUND TË EKZISTOJË ME MASA REPRESIVE KUNDËR POPULLIT TË PAFAJSHËM SHQIPTARNga ISUF B. BAJRAMI (03.02.2013)
NGA DIMRI I KRIZËS NË PRANVERËN E FAKTORIZIMITNga SHKËLZEN LUSHAJ (03.02.2013)
SKANDALI MË I FUNDIT NË POLICINË E SHTETITNga ELIDA BUÇPAPAJ (03.01.2013)
NJË ZË NGA FERRI I ENVER HOXHËS - VISAR ZHITINga FRANK SHKRELI (03.01.2013)
KUSH PO E SHËMTON KOSOVËN DHE UÇKNga REXHEP SHAHU (02.28.2013)
MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE - OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORINNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.27.2013)
OKB-EJA DHE TË DREJTAT E NJERIUT -- VEPRA E JO FJALË!Nga FRANK SHKRELI (02.26.2013)
ZGJEDHJET NË ITALI DHE KRAHASIMI ME 23 QERSHORIN – NË SHQIPËRI MUNGON NJË GRILLONga ELIDA BUÇPAPAJ (02.26.2013)
A DUHET NDJEKUR SHEMBULLI I RUSISËNga SHABAN MURATI (02.25.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]