Ishte 8 Marsi i vitit 1983 dhe Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara
Roanld Reagan ishte ftuar të mbante një fjalim para Shoqatës Kombëtare
Protestane në qytetin Orlando të shtetit Florida. Ishte kulmi i luftës së
ftohët dhe çdo fjalim dhe prononcim në lidhje me marrëdhënjet me bllokun
komunist, sidomos nga udhëheqës të lartë amerikanë, matej e peshohej me kujdes
ashtuqë që të mos shkaktonte keqkuptime ose acarime të mëtejshme në
marrëdhënjet madje edhe ashtu të acaruara, midis Perëndimit e Lindjes. Ashtu
ishte politika e detantës, një politikë këjo e filluar nga Presidenti Nikson
dhe Henri Kissinger për uljen e tensioneve midis Washingtonit dhe Moskës. Ishte
këjo një politikë e ndjekur nga presidentët Nikson, Ford dhe Karter. Por
Presidenti Reagan, me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë në vitin 198 por dhe më
përpara gjatë fushatës për president, e kishte bërë të qartë se ai nuk ishte
mbështetës i kësaj politike sepse konsideronte se këjo politikë e kishte venë
Amerikën në një pozitë inferioriteti.
Ishte caktuar që fjalimi kryesisht të theksonte çështje të mbrendshme, por
Presidenti Reagan i shtoi fjalimit të parapërgatitur disa paragrafe që kishin
të bënin me komunizmin, që sipas tij ishte, ''vatra e së keqës në botë'', dhe
si i tillë ai fjalim që konsiderohet edhe si një ndër fjalimet më me rëndësi të
tre dekadave të kaluara, u pagëzua si, ''Fjalimi mbi Perandorinë e së Keqës'',
e që i referohej perandorisë komuniste sovjetike. Paragrafet mbi komunizmin, e
këthyen fjalimin e Presidentit Reagan në një frymëzim për disidentët anë e
mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik dhe në të njëjtën kohë tmeroi
opozitën dhe median këtu në Amerikë dhe në Evropën Përendimore dhe tronditi për
së tepërmi Kremlinin. Komunistët e cilësuan fjalimin e Zotit Reagan si një
përpjekje për të minuar socializmin. Për këtë ata kishin të drejtë, sepse ky
ishte ekzaktërisht qëllimi i tij, minimi i komunizmit ateist dhe t'i jepte fund
luftës së ftohët, në mënyrë paqësore.
Pasi foli për çështjet dhe politikat e mbrendshme, nga fundi i fjalimit ai u
përqëndrua, siç duket i shtyrë nga motive shpirtërore e morale, edhe mbi ato që
ai i cilësoi si mëkatët dhe të këqiat e kësaj bote duke iu drejtuar edhe
bashkombasve të vet duke thënë se edhe, ''Kombi ynë ka një trashëgimi veprash
të këqia me të cilat duhet të përballohemi. Krenaria e këtij vendi është
aftësia e tij për t'u përballur me të këqiat morale të historisë sonë. Siç
ishin përpjekjet dhe lufta e gjata e qytetarëve të minoriteteve për të gëzuar
të drejta të barabarta, që dikur ishin burim i mos-unitetit dhe të luftës
civile, tani këto janë shkak krenarie për të gjithë amerikanët. Kurrë më nuk
guxon të përsëritet këjo histori. Në Amerikë nuk ka vend për racizëm,
anti-semitizëm dhe për asnjë formë tjetër urrejtjeje etnike ose raciale'', tha
ish-presidenti Reagan, 30-vjetë më parë.
Pasi theksoi se as historia e Amerikës nuk ishte pa të meta morale dhe
padrejtësi, sidmos ndaj grupeve të ndryshme etnike, ish-presidenti Reagan iu
këthye subjektit mbi komunizmin sovjetik, për të cilin as që nuk ishte në plan
të fliste gjatë atij takimi, por që më në fund iu shtuan paragrafët në minutën
e fundit -- një fjalim ky që gjithnjë konsiderohet si njëri prej fjalimeve më
të rëndësishëm të tre dekadave të kaluara. Presidenti Reagan filloi duke thënë
se , "Gjatë konferencës së parë me shtypin si president , unë vura në dukje se
udhëheqësit sovjetikë, si marksist-leninistë të mirë që e konsiderojnë veten,
ata kanë deklaruar publikisht se e vetmja moralshmëri që ata njohin është ajo
që çon përpara kauzën e tyre, e që është revolucioni botëror. Mendoj se duhet
të nënvijoj se unë vetëm citoj Leninin, frymëzuesin dhe drejtuesin ideologjik
të tyre, i cili ka thënë se komunistët hedhin poshtë të gjithë morlashmërinë që
rrjedhë nga idetë mbinatyrore ....Moralshmëria, sipas tyre, i nënshtrohet
krejtësisht interesave të luftës së klasave." "Çdo gjë", sipas komunistëve",
tha Presidenti Reagan, "është e moralshme dhe si e tillë e justifikueshme, për
të zhdukur të gjithë të kaluarën, duke shfrytëzuar rendin shoqëror me qëllim
për të bashkuar proletariatin botëror."
Presidenti Reagan tha në fjalimin e tij në mars të vitit 1982, se udhëheqsit
komunistë, "duhet ta kuptojnë se ne nuk do të komprometojmë kurrë parimet dhe
standardet tona. "Ne", shtoi ai, "nuk do të heqim kurrë dorë nga liria dhe as
nga besimi në Perendinë, dhe nuk do pushojmë kurrë së kërkuari një paqë të
vërtetë", për të gjithë. Zoti Reagan tha se ndërsa komunistët, "predikojnë
epërsinë e shtetit dhe deklarojnë kontrollin e plotë mbi individin dhe ndërkohë
që ata parashikojnë edhe dominimin komunist mbi të gjithë popujt në këtë
planet", të mos harrojmë, shtoi ish-presidenti amerikan, se komunistët janë
vatra e së keqës në botën moderne. " Në vazhdim, Zoti Reagan u bëri thirrje të
pranishmëve por edhe botës më gjërë, "që të mos injorojnë faktet e historisë
dhe as impulset agresive të Perandorisë së të Keqes", duke iu referuar
ish-Bashkimit Sovjetik.
Presidenti Reagan e përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se, ndërsa
besonte se fuqia ushtarake amerikane është e rëndësishme, ai tha se gjithmonë
kishte besuar se, lufta ideologjike që po zhvillohej në atë kohë në botë, nuk
do të zgjidhej me bomba as me raketa, as me ushtri dhe as me forcë ushtarake,
duke thënë se "kriza me të cilën përballemi sot-- në thelb-- është një krizë
shpirtërore dhe një sprovë e vullnetit shpirtëror dhe besimit". Duke theksuar
qendrimin e tij se Amerika do të mund të përballonte sfidat që kishte përpara,
ish-presidenti Reagan shprehu gjtihashtu besimin e tij se "komunizmi ishte një
kapitull i trishtueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit e të cilit po
shkruhen tani", tha ai. Zoti Reagan përfundoi fjalimin e tij historik duke
thënë se, "Unë e besoj se burimi i fuqisë tonë në përpjekjet tona për sigurimin
e lirisë njerëzore, nuk është e një natyre materiale por e një terësie
shpirtërore.....dhe pasi këjo fuqi nuk njeh kufizime, ajo patjetër tmerron dhe më
në fund do të triumfojë mbi ata që përpiqen të skllavërojnë bashkombasit e
vet".
Reagan ka thënë më vonë se e mbajti atë fjalim për të vënë në dukje të vërtetën
e pamohueshme se komunistët kudo jo vetëm se kishin shkelur të drejtat dhe
liritë bazë të njeriut, por njëkohësisht, për të qendruar në fuqi kundër
vullnetit të popullit, komunistët kanë vrarë me miliona nga kundërshtarët e
tyre anë e mbanë botës komuniste.
Tani, rëndësia e këtij fjalimi nuk ishte se Presidenti Reagan dinte diçka që
presidentët e mëparshëm amerikanë ose udhëheqës të tjerë demokratikë të
perëndimit, nuk dinin mbi të vërtetën e ideologjisë komuniste dhe mbi efektet
shtypëse të saj ndaj individit dhe shoqërisë, kundër qytetërimit dhe kulturave
kombëtare. Por rëndësia e këtij fjalimi është në faktin se Presidenti Reagan
ishte i pari president që u shpreh në këtë mënyrë dhe bëri thirrje haptasi për një
fushatë për demokraci. Ishte ky një fjalim guximtar që duhej të mbahej dhe një
e vërtetë që duhej të thuhej publikisht nga një udhëheqës me bindje morale siç
ishte Ronald Reagan. Më në fund, "kombet e robëruara" nga komunizmi, në
Presidentin Reagan, ato zbuluan zërin e atyre që nuk lejoheshin të dëgjoheshin
matanë "perdes së hekurt". Fjalimi në Orlando të shtetit Florida,30-vjetë më
parë, ishte ndër shënjat e para se Shtetet e Bashkuara, më në fund, kishin një
udhëheqës i cili si asnjë president tjetër më parë -- do të kishte kurajon
morale dhe guximin ta quante ish-Bashkimin Sovjetik me emërin që meritonte,
"Perandoria e së keqes". Fuqia e fjalës së vërtetë, e prononcuar nga Presidenti
Ronald Reagan 30-vjetë më parë, shkatërroi një perandori, i dha fund Luftës së
ftohët në mënyrë paqësore dhe si rrjedhim, përgjithmonë ndryshoi botën,
ndërkohë që qindra miliona njerëz që dikur jetonin nën tiraninë e Perandorisë
së të Keqes, tani jetojnë në liri.
Presidenti Reagan duke mabjtur fjalimin mbi Perandorinë e së Keqes në Orlando
të shtetit Florida, më 8 Mars,1983.