VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

30-VJETORI I FJALIMIT MBI PERANDORINË E SË KEQES DHE FUQIA E SË VËRTETËS
Nga FRANK SHKRELI

E Hënë, 03.11.2013, 08:17am (GMT1)




Ishte 8 Marsi i vitit 1983 dhe Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Roanld Reagan ishte ftuar të mbante një fjalim para Shoqatës Kombëtare Protestane në qytetin Orlando të shtetit Florida. Ishte kulmi i luftës së ftohët dhe çdo fjalim dhe prononcim në lidhje me marrëdhënjet me bllokun komunist, sidomos nga udhëheqës të lartë amerikanë, matej e peshohej me kujdes ashtuqë që të mos shkaktonte keqkuptime ose acarime të mëtejshme në marrëdhënjet madje edhe ashtu të acaruara, midis Perëndimit e Lindjes. Ashtu ishte politika e detantës, një politikë këjo e filluar nga Presidenti Nikson dhe Henri Kissinger për uljen e tensioneve midis Washingtonit dhe Moskës. Ishte këjo një politikë e ndjekur nga presidentët Nikson, Ford dhe Karter. Por Presidenti Reagan, me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë në vitin 198 por dhe më përpara gjatë fushatës për president, e kishte bërë të qartë se ai nuk ishte mbështetës i kësaj politike sepse konsideronte se këjo politikë e kishte venë Amerikën në një pozitë inferioriteti.

Ishte caktuar që fjalimi kryesisht të theksonte çështje të mbrendshme, por Presidenti Reagan i shtoi fjalimit të parapërgatitur disa paragrafe që kishin të bënin me komunizmin, që sipas tij ishte, ''vatra e së keqës në botë'', dhe si i tillë ai fjalim që konsiderohet edhe si një ndër fjalimet më me rëndësi të tre dekadave të kaluara, u pagëzua si, ''Fjalimi mbi Perandorinë e së Keqës'', e që i referohej perandorisë komuniste sovjetike. Paragrafet mbi komunizmin, e këthyen fjalimin e Presidentit Reagan në një frymëzim për disidentët anë e mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik dhe në të njëjtën kohë tmeroi opozitën dhe median këtu në Amerikë dhe në Evropën Përendimore dhe tronditi për së tepërmi Kremlinin. Komunistët e cilësuan fjalimin e Zotit Reagan si një përpjekje për të minuar socializmin. Për këtë ata kishin të drejtë, sepse ky ishte ekzaktërisht qëllimi i tij, minimi i komunizmit ateist dhe t'i jepte fund luftës së ftohët, në mënyrë paqësore.

Pasi foli për çështjet dhe politikat e mbrendshme, nga fundi i fjalimit ai u përqëndrua, siç duket i shtyrë nga motive shpirtërore e morale, edhe mbi ato që ai i cilësoi si mëkatët dhe të këqiat e kësaj bote duke iu drejtuar edhe bashkombasve të vet duke thënë se edhe, ''Kombi ynë ka një trashëgimi veprash të këqia me të cilat duhet të përballohemi. Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për t'u përballur me të këqiat morale të historisë sonë. Siç ishin përpjekjet dhe lufta e gjata e qytetarëve të minoriteteve për të gëzuar të drejta të barabarta, që dikur ishin burim i mos-unitetit dhe të luftës civile, tani këto janë shkak krenarie për të gjithë amerikanët. Kurrë më nuk guxon të përsëritet këjo histori. Në Amerikë nuk ka vend për racizëm, anti-semitizëm dhe për asnjë formë tjetër urrejtjeje etnike ose raciale'', tha ish-presidenti Reagan, 30-vjetë më parë.

Pasi theksoi se as historia e Amerikës nuk ishte pa të meta morale dhe padrejtësi, sidmos ndaj grupeve të ndryshme etnike, ish-presidenti Reagan iu këthye subjektit mbi komunizmin sovjetik, për të cilin as që nuk ishte në plan të fliste gjatë atij takimi, por që më në fund iu shtuan paragrafët në minutën e fundit -- një fjalim ky që gjithnjë konsiderohet si njëri prej fjalimeve më të rëndësishëm të tre dekadave të kaluara. Presidenti Reagan filloi duke thënë se , "Gjatë konferencës së parë me shtypin si president , unë vura në dukje se udhëheqësit sovjetikë, si marksist-leninistë të mirë që e konsiderojnë veten, ata kanë deklaruar publikisht se e vetmja moralshmëri që ata njohin është ajo që çon përpara kauzën e tyre, e që është revolucioni botëror. Mendoj se duhet të nënvijoj se unë vetëm citoj Leninin, frymëzuesin dhe drejtuesin ideologjik të tyre, i cili ka thënë se komunistët hedhin poshtë të gjithë morlashmërinë që rrjedhë nga idetë mbinatyrore ....Moralshmëria, sipas tyre, i nënshtrohet krejtësisht interesave të luftës së klasave." "Çdo gjë", sipas komunistëve", tha Presidenti Reagan, "është e moralshme dhe si e tillë e justifikueshme, për të zhdukur të gjithë të kaluarën, duke shfrytëzuar rendin shoqëror me qëllim për të bashkuar proletariatin botëror."

Presidenti Reagan tha në fjalimin e tij në mars të vitit 1982, se udhëheqsit komunistë, "duhet ta kuptojnë se ne nuk do të komprometojmë kurrë parimet dhe standardet tona. "Ne", shtoi ai, "nuk do të heqim kurrë dorë nga liria dhe as nga besimi në Perendinë, dhe nuk do pushojmë kurrë së kërkuari një paqë të vërtetë", për të gjithë. Zoti Reagan tha se ndërsa komunistët, "predikojnë epërsinë e shtetit dhe deklarojnë kontrollin e plotë mbi individin dhe ndërkohë që ata parashikojnë edhe dominimin komunist mbi të gjithë popujt në këtë planet", të mos harrojmë, shtoi ish-presidenti amerikan, se komunistët janë vatra e së keqës në botën moderne. " Në vazhdim, Zoti Reagan u bëri thirrje të pranishmëve por edhe botës më gjërë, "që të mos injorojnë faktet e historisë dhe as impulset agresive të Perandorisë së të Keqes", duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti Reagan e përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se, ndërsa besonte se fuqia ushtarake amerikane është e rëndësishme, ai tha se gjithmonë kishte besuar se, lufta ideologjike që po zhvillohej në atë kohë në botë, nuk do të zgjidhej me bomba as me raketa, as me ushtri dhe as me forcë ushtarake, duke thënë se "kriza me të cilën përballemi sot-- në thelb-- është një krizë shpirtërore dhe një sprovë e vullnetit shpirtëror dhe besimit". Duke theksuar qendrimin e tij se Amerika do të mund të përballonte sfidat që kishte përpara, ish-presidenti Reagan shprehu gjtihashtu besimin e tij se "komunizmi ishte një kapitull i trishtueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit e të cilit po shkruhen tani", tha ai. Zoti Reagan përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se, "Unë e besoj se burimi i fuqisë tonë në përpjekjet tona për sigurimin e lirisë njerëzore, nuk është e një natyre materiale por e një terësie shpirtërore.....dhe pasi këjo fuqi nuk njeh kufizime, ajo patjetër tmerron dhe më në fund do të triumfojë mbi ata që përpiqen të skllavërojnë bashkombasit e vet".

Reagan ka thënë më vonë se e mbajti atë fjalim për të vënë në dukje të vërtetën e pamohueshme se komunistët kudo jo vetëm se kishin shkelur të drejtat dhe liritë bazë të njeriut, por njëkohësisht, për të qendruar në fuqi kundër vullnetit të popullit, komunistët kanë vrarë me miliona nga kundërshtarët e tyre anë e mbanë botës komuniste.

Tani, rëndësia e këtij fjalimi nuk ishte se Presidenti Reagan dinte diçka që presidentët e mëparshëm amerikanë ose udhëheqës të tjerë demokratikë të perëndimit, nuk dinin mbi të vërtetën e ideologjisë komuniste dhe mbi efektet shtypëse të saj ndaj individit dhe shoqërisë, kundër qytetërimit dhe kulturave kombëtare. Por rëndësia e këtij fjalimi është në faktin se Presidenti Reagan ishte i pari president që u shpreh në këtë mënyrë dhe bëri thirrje haptasi për një fushatë për demokraci. Ishte ky një fjalim guximtar që duhej të mbahej dhe një e vërtetë që duhej të thuhej publikisht nga një udhëheqës me bindje morale siç ishte Ronald Reagan. Më në fund, "kombet e robëruara" nga komunizmi, në Presidentin Reagan, ato zbuluan zërin e atyre që nuk lejoheshin të dëgjoheshin matanë "perdes së hekurt". Fjalimi në Orlando të shtetit Florida,30-vjetë më parë, ishte ndër shënjat e para se Shtetet e Bashkuara, më në fund, kishin një udhëheqës i cili si asnjë president tjetër më parë -- do të kishte kurajon morale dhe guximin ta quante ish-Bashkimin Sovjetik me emërin që meritonte, "Perandoria e së keqes". Fuqia e fjalës së vërtetë, e prononcuar nga Presidenti Ronald Reagan 30-vjetë më parë, shkatërroi një perandori, i dha fund Luftës së ftohët në mënyrë paqësore dhe si rrjedhim, përgjithmonë ndryshoi botën, ndërkohë që qindra miliona njerëz që dikur jetonin nën tiraninë e Perandorisë së të Keqes, tani jetojnë në liri.


Presidenti Reagan duke mabjtur fjalimin mbi Perandorinë e së Keqes në Orlando të shtetit Florida, më 8 Mars,1983.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.