E Enjte, 03.28.2024, 09:28pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MBI PROPOZIMIN E AMBASADORIT BRITANIK
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 03.11.2013, 04:34pm (GMT+1)




Në prag të Ditës së Komonuellthit, që festohet në të hënën e dytë të muajit mars çdo vit, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Shkëlqesia e Tij, Z.Nicholas Cannon Obe, paraqiti në mediat shqiptare një propozim, të cilin po e citojmë siç është botuar në shtyp. Ambasadori shkruan: "Ka ndonjë lidhje Shqipëria me përvojën e Komonuellthit? Unë besoj se po...

Familja e Komonuellthit mund të ofrojë një model, që është i vlefshëm në vetvete dhe do të promovonte integrimin e ngushtë të vendeve të Ballkanit Jugor njeri me tjetrin dhe si rrjedhojë, integrimin e tyre eventual në Bashkimin Europian". Duke qenë se është hera e parë që një ambasador britanik parashtron modelin e Komonuellthit për t'u ndjekur nga shtetet ballkanike, duke qenë se ai është ambasador i një shteti shumë të rëndësishëm të Europës, të NATO-s dhe të Bashkimit Europian, duke qenë se ai është ambasadori i një shteti, i cili prej mbi njëqind vitesh ka një interes të vazhdueshëm dhe të veçantë për zhvillimet në rajonin e Ballkanit dhe ka pasur ndikim në to, mendoj se është e nevojshme të shqyrtohet propozimi i tij mbi mundësitë dhe përshtatshmërinë e realizimit të një modeli të Komonuellthit ballkanik. Duke qenë se përfaqësuesi më i lartë diplomatik i shtetit të tij në Tiranë e hodhi në publik propozimin e tij, presupozimi im është që: së pari, ambasadori të ketë marrë miratimin paraprak të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe për këtë propozim, dhe së dyti, logjika të shtyn të mendosh se, para se ta hedhë në publik propozimin, ambasadori duhet ta ketë parashtruar në tryezat apo kontaktet diplomatike me drejtuesit e diplomacisë dhe të qeverisë së Shqipërisë. Nuk disponohet informacion, nëse edhe ambasadorët e tjerë të Britanisë së Madhe e kanë hedhur këtë propozim në shtetet e tjera ballkanike, ku janë akredituar. Nuk disponohet gjithashtu informacion, nëse diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë kanë arritur të formulojnë një qëndrim të tyrin mbi këtë propozim, me të cilin ndoshta mund të ndeshen nesër në nivele edhe më të larta zyrtare në Britaninë e Madhe, në Bashkimin Europian apo në organizata të tjera të rëndësishme perëndimore. Fakti i ftohtë është se deri tani, diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë nuk janë prononcuar për propozimin publik të ambasadorit të Britanisë së Madhe në Tiranë.

Komonuellthi është një bashkim vullnetar i 54 shteteve, që sipas faqes zyrtare, mbështesin njeri-tjetrin dhe punojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta në demokraci dhe në zhvillim, dhe të cilat kanë qenë në pjesën dërrmuese të tyre pjesë e perandorisë së dikurshme britanike dhe të cilat, sipas deklaratës së Londrës të vitit 1949, pranojnë mbretëreshën e Britanisë së Madhe si simbol i Komonuellthit dhe si kreun e Komonuellthit. Janë 54 shtete, që shtrihen në tri kontinente dhe që kanë histori marrëdhëniesh të ndërlikuara me njeritjetrin apo me fqinjët e tyre dhe 16 shtete prej anëtarëve njohin mbretëreshën e Britanisë së Madhe si kryetare shteti. Ideja dhe qëllimi i ambasadorit britanik në rekomandimin e një modeli të Komonuellthit për Ballkanin shprehin një predispozitë të vullnetit të mirë, e cila frymëzohet nga përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë britanike dhe europiane për të ndihmuar stabilitetin dhe bashkëpunimin e shteteve dhe të popujve në gadishullin e Ballkanit. Në këtë drejtim, nuk mbetet veçse të përshëndetet ambasadori për ndërmarrjen e një hapi të tillë, që dëshmon angazhimin e
diplomacisë së Britanisë së Madhe në rregullimin e rendit dhe klimës së marrëdhënieve ndërkombëtare në një rajon të paqetë europian si Ballkani. Analiza për një model Komonuellthi për Ballkanin kërkon përqasjen e historisë, të marrëdhënieve dhe të karakteristikave të gadishullit ballkanik me ato të shteteve anëtare të Komonuellthit.

Që në fillim lind nevoja e një saktësimi të hapësirës gjeografike, që përfshin propozimi i mësipërm, por që ka implikime të karakterit diplomatik dhe strategjik. Sepse në propozimin e ambasadorit, të publikuar në mediat shqiptare, përdoret termi "Ballkan Jugor". Këtu lind pyetja pikënisëse, nëse propozimi për modelin e Komonuellthit shtrihet për Ballkanin në tërësi, për Ballkanin Perëndimor apo për ndonjë kuadrat gjeografik të ri, që ambasadori e cilëson "Ballkani Jugor Nëse propozimi shtrihet për të gjithë Ballkanin, kjo e bën më të vështirë aplikimin e tij, sepse në rajon janë katër shtete anëtare të Bashkimit Europian: Greqia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania; një shtet që pritet të anëtarësohet në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, Kroacia; kemi Turqinë që ka nisur bisedimet për traktatin e pranimit me BE-në; kemi tri shtete që kanë marrë statusin e kandidatit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia; kemi dy shtete, Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina, në pritje të marrin këtë status dhe Kosovën, që pret për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Natyrisht, shtetet që janë anëtare të Bashkimit Europian dhe janë integruar në Europë, nuk mund të përfshihen në këtë model, sepse ato janë anëtare të BE-së dhe nuk kanë më nevojë për shkallë ndërmjetëse integrimi për të arritur tek integrimi europian. Ahere mbetet më realiste korniza gjeografike e të quajturit Ballkan Perëndimor, nga i cili Kroacia do të shkëputet pas tre muajsh, duke u anëtarësuar në BE. Kështu që modeli duket se destinohet për shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa Kroacinë. Duke e krahasuar hapësirën ballkanike me Komonuellthin, këtu del menjëherë pengesa e parë dhe e madhe e karakterit historik. Shtetet e Ballkanit janë në një shtrirje homogjene gjeografike, ku përzierjet e popujve dhe të territoreve gjatë historisë e kanë shndërruar në simbol ndërkombëtar të sherreve dhe plagëve të pazgjidhura, të cilat zgjidhjet nuk i kanë pasur dhe nuk mund t'i kenë si produkt i brendshëm. Ndryshe nga Komonuellthi, që ka një shtrirje gjeografike ndërkontinentale, të diktuar nga realiteti historik kolonial i shumicës dërrmuese të atyre shteteve anëtare, që kanë qenë pjesë e perandorisë së dikurshme britanike, shtetet e Ballkanit nuk kanë qenë të gjitha pjesë e një perandorie të vetme, me përjashtim të kohës kur i gjithë Ballkani ishte pjesë e perandorisë osmane. Shtetet e Ballkanit nuk kanë atë lloj lidhje dhe inklinacioni, që shtetet e ish-perandorisë britanike kanë për Britaninë e Madhe dhe nuk kanë shtrirjen dhe përdorim të gjuhës së ish-perandorisë, siç kanë shtetet anëtare të Komonuellthit lidhjet me gjuhën dhe me historinë e Britanisë së Madhe.

Komonuellthi nga 54 anëtarë, ka vetëm tre shtete europiane dhe që të tre ata janë ishuj, Britania e Madhe, Malta dhe Qipro. Modeli i sugjeruar për një Komonuellth në Ballkan ka dy implikime negative: Së pari, se ai kërkon një integrim rajonal të vendeve ballkanike si fazë e parë dhe pastaj integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Së dyti, modeli i Komonuellthit sugjeron rolin e një shteti si qendër gravitacioni, qoftë për shkak të historisë, qoftë për shkak të nivelit të demokracisë e të funksionimit shembullor të shtetit ligjor, qoftë për shkak të peshës politike dhe diplomatike ndërkombëtare, siç është për Komonuellthin Britania e Madhe, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB. Duke u ndalur në çështjen e parë duhet të pranojmë se, me gjithë modelin e ri të Komonuellthit, në thelbin e tij propozimi i ambasadorit britanik qëndron brenda kuadrit të një ideje dhe qëndrimi të vjetër në Bashkimin Europian, që ka rrënjë të thella në diplomacinë europiane, dhe konkretisht tek ideja që vendet e Ballkanit duhet të integrohen në fillim me njeritjetrin, para se të integrohen në Bashkimin Europian. Historia e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me të gjitha vendet ish- komuniste të Ballkanit, që hynë në rrugën e integrimit europian, tregon se ideja e një integrimi rajonal përpara integrimit europian ka rezultuar e parealizueshme, në mos utopike, në terrenin ballkanik. Vetë fakti që shtetet ishkomuniste të Ballkanit u pranuan në Bashkimin Europian pjesë-pjesë, në fillim Sllovenia, pastaj Bullgaria e Rumania, dhe tani Kroacia, dëshmon se teoria e "integrimit ballkanik përpara integrimit europian" ka qenë një mision i pamundur. Duhet përmendur këtu se shtetet e rajonit, që nga viti 1996 e kanë një organizatë rajonale, që quhet Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, SEECP, e cila nga pikëpamja formale i ka edhe Kartën e organizatës, edhe statutet, edhe marrëveshjet, edhe protokollet e fiksuara të takimeve të përvitshme ministeriale dhe të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare, të cilat të gjitha, në fund të fundit kanë rezultuar as funksionale e as rezultative, si në drejtim të integrimit të tyre rajonal, ashtu dhe në drejtim të integrimit të tyre europian. Integrimi individual europian është rruga më efikase e shkëputjes së shteteve të rajonit nga ballkanizmi i tyre tradicional dhe e cila mund të çojë tek integrimi real rajonal. Duke u ndalur në çështjen e dytë, që është edhe më delikate, shtrohet problemi i një shteti, që mund të shërbejë si gravitacion i proceseve, i standardeve dhe i vlerave integruese, siç është Britania e Madhe për Komonuellthin. Cili shtet në rajon mund të marrë përsipër këtë mision, dhe më kryesorja, cili do të ishte ai shtet, që mund të shërbente si model dhe udhërrëfyes i pranueshëm nga shtetet e tjera për një Komonuellth ballkanik? A mund e jetë kjo Serbia? Unë e di nga përvoja se disa diplomatë europianë do të vinin bast për Beogradin, por për atë që e njeh Ballkanin nga brenda, përgjigja do të ishte natyrshëm "˜Jo'. Serbia e pat njëherë shansin historik të drejtonte një federatë popujsh ballkanikë si Federata Jugosllave, të cilëve ajo u përpoq t'ua zhbënte identitetin dhe t'i serbizonte, një sipërmarrje që çoi në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi në vitet "˜90 të shekullit të kaluar. As Shqipëria, as Kosova dhe as Maqedonia, për shkak të faktorit politik shqiptar dhe të popullit shqiptar atje, nuk do të pranonin të hynin në një Komonuellth, ku udhëheqësi do të ishte Serbia. A mund të jetë pol udhëheqës i një Komonuellthi ballkanik Shqipëria? Faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor është ndër faktorët fizikë, politikë dhe gjeopolitikë, më properëndimor dhe më të fortë, sepse ndodhet në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Por është lehtësisht e kuptueshme se këtë nuk do ta pranonte as Serbia, as Mali i Zi dhe as isteblishmenti maqedonas. Nuk është shumë e qartë përse ideja e një shteti lider, kyç apo lokomotivë e Ballkanit, ka mbetur një preferencë e joshje konceptuale e një pjese të politikës dhe të diplomacisë europiane. Nuk është e qartë përse disa personalitete shumë të larta të shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian janë të fiksuar pas idesë së një roli qendror dhe udhëheqës të Serbisë në Ballkan, edhe pas gjithë atyre përvojave tragjike të ish-Jugosllavisë. Kjo duhet të jetë trashëgimi apo recidive e kulturave të vjetra politike e diplomatike europiane të kohës së ish-federatës komuniste jugosllave, kur ajo federatë kishte vërtet një rol të veçantë në rajon. Por ai rol ka vdekur bashkë me ish-Jugosllavinë dhe restaurimi i koncepteve dhe i skemave arkaike do të pengonte demokratizimin e Serbisë dhe do të rrezikonte stabilitetin e Ballkanit.

Propozimi i ambasadorit britanik në Tiranë për një model të Komonuellthit në Ballkan është interesant dhe pasuron koleksionin e formulave diplomatike për t'i gjetur rajonit një formë integrimi rajonal, por ai mbetet i pazbatueshëm dhe i papërshtatshëm për terrenin ballkanik. Ballkani do të bëhet Europë, duke u shkrirë me Europën dhe jo duke u përzier në fuçinë e vet ballkanike.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
30-VJETORI I FJALIMIT MBI PERANDORINË E SË KEQES DHE FUQIA E SË VËRTETËSNga FRANK SHKRELI (03.11.2013)
MJERIMDIPLOMACIA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.10.2013)
BAROMETRI DIPLOMATIKDAÇIQI DEMANTOI RRENËN SHEKULLORE GJITHËSERBE, SE “KOSOVA ËSHTË SERBI”!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (03.10.2013)
KATUNDARËT E POLITIKËS SHQIPTARE I LIDHIN ORIGJINA, PAZARET DHE DASHNORET, QEVERISJA MARRËVESHJE E MBYLLURNga SHENASI RAMA (03.09.2013)
QEVERIA KUNDËR SHTETITNga XHEMAL AHMETI (03.09.2013)
PARTITË POLITIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI TË BOJKOTOJNË E KUSHTËZOJNË ZGJEDHJEN E VUJANOVIÇIT PRESIDENT ME ZGJIDHJE TË PROBLEMEVE TË TYRENga RAMIZ LUSHAJ (03.08.2013)
NJË BUSH TJETËR PËR PRESIDENT TË AMERIKËS?Nga FRANK SHKRELI (03.08.2013)
KONGRESI I KINËS DHE TË DREJTAT E NJERIUTNga FRANK SHKRELI (03.06.2013)
SINDROMA 'KOMUNIZËM'Nga RESHAT KRIPA (03.05.2013)
NDIKIMI POLITIK I SUPER TË PASURVENga CHRYSTIA FREELAND, Reuters (03.05.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]