VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË NJERI I THJESHTË PËR NJË DETYRË TË MADHE PAPA QË ERDHI 'NGA FUNDI I BOTËS' Nga FRANK SHKRELI E Premte, 03.15.2013, 07:59am (GMT1)
Papa Françesku i posa zgjedhur gëzon gjithashtu një reputacion si një njeri
shpirtëror me aftësi dhe talent për udhëheqje pastorale në një rajon që ka
numërin më të madh të katolikëve në botë e që është Amerika Latine. Në rolin e
tij si kardinal i Argjentinës, ai shpesh detyrohej të fliste haptas mbi problemet
ekonomike, shoqërore dhe politike me të cilat përballej vendi i tij.
Predikdimet dhe fjalimet e tija, sipas mediave të ndryshme, pasqyrojnë besimin
e tij se ne, si qenje njerëzore, të gjithë jemi vëllëzër e motra dhe se është e
neveojshme që shteti, Kisha dhe bota në përgjithësi duhet të bëjnë çdo gjë që
është e mundur për të siguruar që çdo njeri ta ndjenë veten të mirëpritur dhe
të pranuar, të respektuar dhe të përkujdesuar si anëtar i barabartë i
shoqërisë. Papa Françesku, sipas ish-Kardinalit amerikan Edward Egan, i cili
citohet nga rrjeti televiziv amerikan, NBC, "Është një burr i cili pa bujë
të madhe mbron të vërtetën dhe drejtësinë", dhe i cili sipas tij, "ka
një mëshirë të jashtzakonshme për të varfërit.'' Gjithnjë sipas NBC, ndërkohë
që vendi i tij ishte prekur nga një krizë e madhe ekonomike, ish-Kardinali
Jorge Mario Bergoglio, tani Papa Françesku, mori rolin e mbrojtësit të
drejtësisë shoqërore, duke komentuar se, ''ne jetojmë në një pjesë të botës ku
dallimet ekonomike janë tepër të theksuara, në një ekonomi që është rritur aq
shumë, por që në të njëjtën kohë, në të vërtetë, nuk ka ulur aspak nivelin e
varfërisë.'' Duke vënë në dukje preokupimin e madh të Papa Françesk-ut për pa
drejtësitë dhe dallimet shoqërore të rajonit nga vjen ai, gazeta katolike
National Catholic Reporter e citon atë tu ketë thënë ipeshkvinjve të Amerikës
Latine se në atë pjesë të botës gjithnjë vazhdon, ''dallimi i madh në të
ardhura dhe në mundësitë ekonomike, gjë që krijon një situatë mëkati shoqëror
që për ta përmirësuar nevojitë ndërhyrjen e Perëndisë dhe i cili njëkohësisht
kufizon mundësitë për një jetë më të mirë për shumë vëllezër e motra tona'',
tha ai.
Analistë dhe komentues thonë se zgjedhja e Papës Françesk, i cili është i
njohur për punën e tij kushtuar të varfërve në vendet e botës në zhvillim e
sipër, mund të përqëndrojë më dukshëm veprimtarinë e Kishës Katolike në këtë
fushë dhe t'u japë shpresë katolikëve në vendet në zhvillim e sipër se vlerat
shpirtërore që rrjedhin nga katolicizmi mund të ndihmojnë edhe në sigurimin e
përparimeve shoqërore, politike dhe ekonomike për ato shoqëri. Por, sipas të
njëjtëve analistëve, Papa Françesk do të detyrohet të merret menjëherë edhe me
problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat përballet Kisha Katolike, me qëllim që
ato të mos përsëritën më, përfshirë përgjegjësitë morale në lidhje me skandalet
më të rënda të kohërave moderne që kanë pllakosur këtë institucion dy mijë
vjeçar, korrupsionin e mundshëm që përflitet të ketë prekur Bankën e Vatikanit
si edhe përpjekjet për të të lëvizur burokracinë e ngurrët të Vatikanit. Kisha Katolike, si çdo organizatë dhe institucion në këtë botë përbëhet nga njerëz dhe njerëzit janë mëkatarë. Edhe njëri prej apostujve, Juda Iskariot tradhëtoi Jezu Krishtin për një grusht para të kohës. Gjatë historisë ka patur, ka sot dhe do të ketë në të ardhmen plot juda-iskariotë, madje edhe në radhët e Kishës. Por Papa Françesku, i dalur nga urdhëri Jezuit dhe si intelektualët e tjerë jezuitë, ai gjatë gjithë jetës së tij është përqëndruar në përmirësimin e jetës shpirtërore dhe shoqërore për të gjithë bijtë e bijat e Perëndisë, duke dhënë shembull me jetën e tij shpirtërore, fetare dhe shoqërore. Vitin që kaloi, sipas medias amerikane, ai akuzoi disa zyrtarë kishtarë për hipokrizi, duke thënë se harrojnë se Jezu Krishti bënte shoqëri dhe kujedesej për më të varfërit dhe të sëmurët e kohës së tij. Me qëllim për të forcuar ndjenjen se ai beson në ato që predikon dhe se është serioz për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, ai siç duket e mori emëri Françesk për të demonstruar respektin dhe vlerësimin e tij për Shën Françeskun e Asizit, i cili simbolizon përvujtërinë dhe mbështetjen për të varfërit -- dhe Shën Françeskun e Ksavierit, që ishte edhe bashkthemelues i urdhërit Jezuit, një urdhër ky që njihet për kushtimin ndaj drejtësisë shoqërore, shkencës dhe arsimit. Të dy këta shënjtër janë shembuj të jetës shpirtërore dhe materiale për Kishën në këtë botë dhe Papa Françesku, sipas të gjitha të dhënave që kanë filluar të dalin në dritë, ai tërë jetën e kaloi sipas shembullit të këtyre shënjtërve, duke hequr dorë nga shërbëtorët dhe nga jeta luksoze në pallatin e Kardinalit si dhe nga makina dhe shoferi, duke demonstruar në këtë mënyrë se sa seriozisht e merr ai përkushtimin e tij -- si person dhe tani si udhëheqës i një miliardë e dy qind milionë katolikëve ndaj -- ''drejtësisë, paqës dhe të varfërve',' në të gjithë botën.
Në këtë mënyrë dhe për realizimin e këtyre idealeve madhore për njerëzimin,
Papa Françesku u tha mijëra të pranishëmve dhe miliona të tjerëve anë e mbanë
botës të mërkurën në sheshin e Shën Pjetrit, pasi u zgjodh Papë: "Le të
fillojmë këtë udhëtim, ipeshkvi dhe populli së bashku, këtë udhëtim të Kishës
së Romës që me dashuri dhe bamirësi drejton të gjitha kishat, një udhëtim ky i
vëllazërimit në dashuri dhe në besim në njëri tjetrin. Le të lutemi gjithmonë
për njëri tjetrin. Le të lutemi për të gjithë botën që të mund të realizohet
një ndjenjë e madhe vëllazërimi për të gjithë pa dallim'', ishin këto fjalët
përshëndetse të Papës Françesk të posa zgjedhur drejtuar ''Urbis et Orbi",
qytetit të Romës dhe botës. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |