VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KAH ËSHTË E ARDHMJA E SHQIPTARËVE? Nga NDUE UKAJ E Martë, 03.19.2013, 08:27am (GMT1)
Mbi këto rrënoja, sigurisht se ishte vështirë të mendohej të ndërtohej e ardhme
e ndritshme për kombin. Mirëpo, elita e kohës, duke e kuptua përgjegjësinë që
kishte, iu përvesh punës. Menjëherë pas çlirimit nga robëria e gjatë dhe
barbare osmane, shqiptarët e ndritur, ndërmorën një përpjekje titanike për
emancipim kombëtar dhe synimi kryesor i tyre ishte oksidentalizmi, nëpërmjet
shkollave, librit dhe shtypit kulturor. Ata e ushqyen etjen e gjatë për liri
dhe kulturim, nëpërmjet arsimit dhe kulturës, ku letërsia luante një rol
parësor. Ky projekt, pati suksese evidente në kulturë, ngase elita që u formua
sidomos në vitet e 30-ta, u dha shqiptarëve shpirt oksidental, shpirt ky që u
theksua sidomos në kulturë e arte. Të arriturat e asaj kohe, sot, përbëjnë
tharmin tonë kombëtar. Kujtojmë këtu veprat e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ndre
Mjedes, Vangjel Koces, Anton Harapit, Fan Nolit, Mithat Frashëri (Lumo Skendo),
Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Lazër Shantojen, Vinçenc Prendushin, Branko
Merxhanit, e shumë të tjerë, pa të cilët kultura shqiptare sot do të ishte një
skelet i frikshëm dhe pa farë përmbajtje. Kjo përpjekje, u ndërpre në kohën e
lulëzimit ma të madh, nga komunistët e verbuar, që e plandosen edhe njëherë
Shqipërinë londineze në mjerim.
Ndërsa në Kosovë, oksidentalizmi i shqiptarëve, ishte problem në vete dhe për
shkak të rrethanave, ishte ma kompleks. Ndihmesën e parë reale për ta mbrojtur
kulturën shqiptare pas çlirimit osman, e dha Ernest Koliqi, i cili, në cilësinë
e ministrit të arsimit në Shqipëri, dërgoi në Kosovë qindra mësues me mision që
ta mbronin dhe përhapnin fjalën shqipe. Më vonë, në vitet e 70-ta, një elitë
kulturore e emancipuar dhe e ushqyer me idetë liridashëse perëndimore, i dha
një impakt tjetër të rëndësishëm zhvillimit kulturor të Kosovës, nëpërmjet
avancimit të letërsisë dhe mendimit kulturologjik e filozofik. Në këtë kohë, u
botua shumë dhe u përkthye shumë. Më vonë, emrat e shquar, si Ibrahim Rugova,
Anton Çetta, etj, bën përpjekje të mëdha që nëpërmjet edukimit dhe faljes, të
oksidentalizojnë Kosovën. Me kohë, këto dy figura, do të bëhen edhe prijës të idesë
për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës. Ky proj ekt, i ushqyer në një truall të
etur për liri dhe përparim, mbeti një projekt esencial për oksidentalizmin e
shqiptarëve të Kosovës, me një përmasë ndikimi edhe te shqiptarët tjerë në ish
Jugosllavi.
Tani shqiptarët jetojnë të lirë, mirëpo kjo liri s'ka arrit t'i përmbushë
kërkesat e tyre. Sendërtimi i lirisë fizike, s'është plotësuar me lirinë e
shpirtit, apo thanë ndryshe, s'ka qenë në akordim me të. Për më tepër, kjo liri
s'ka mbërri me krijua lumturi të përgjithshme për shqiptarët, sepse është
reduktuar te përmasa e saj fizike. Shqiptarët veç faktit se përballen me krizë
të demokracisë, brishtësi të institucioneve, ekonomi jo stabile, korrupsion
kapilar, vazhdojnë të përjetojnë edhe një krizë të rënd shpirtërore, rrënjët e
së cilës janë historike.
Shqiptarët sot përjetojnë një krizë dhe dekadencë, sidomos në pikëpamje
politike. Në opinionin publik, media dhe debate të ndryshme, s'flitet gjë
tjetër përpos për krizën shqiptare. Kjo krizë, nganjëherë na bën të dukemi
qesharak para botës perëndimore, ku aspirojmë të integrohemi si komb. Ka të
tillë që mendojnë se kjo krizë vjen si rezultat i krizës identitare të njeriut
shqiptar, pas shumë degdisjeve e që ka pësuar njeriu shqiptar, nga robëria e
gjatë dhe pamundësia me jetua i lirë.
E gjithë kjo krizë, është për të ardhur keq ngase s'ka prodhuar një mendim
alternativ shqiptar. Veç stërtheksimit dhe sforcimit të faktit se ndodhemi në
krizë, s'shihet asgjëkundi ndonjë përpjekje serioze që të ndihmohej komb që ta
tejkaloj këtë krizë. Pikërisht për këtë, ndjehet ankthshëm mungesa e një ideje
të shëndoshë dhe e një parimi udhërrëfyes. Mbi çfarë parimesh duam ta orientojmë të ardhmen e kombit? Duke e kuptuar mirë këtë gjendje, si shkrimtar që i lexon mirë shenjat e kohës, Ismail Kadare shkroi esenë e tij të shkëlqyer Identiteti europian i shqiptarëve, me çka deshi t'i kontribuojë mjegullës së krijuar artificialisht për kahet që duhet t'i ndjek kombi shqiptar në të ardhmen. Kadare i bindur në substratin oksidental të shqiptarëve, të rrënjët e tij thellësisht europiane, duke ripohuar shumë të vërteta tjera antropologjike dhe kulturore, shkërmoq gjitha mëdyshjet dhe dilemat, se kah duhet të orientohen shqiptarët.
Na duket i dobishëm një mendim i Ardian Ndrecaj-t, nxjerr nga eseu Shija e
harrume e të qenunit njeriu, botuar te Hylli i Dritës, nr. 1. 2006, për t'i
përmbyllë këto përsiatje, ku ai ndër të tjera pohon: "Të vetmit që e duen
qytetin dhe qytetnimin janë ata që pranojnë me u sakrifikue në themelet e tij." E ardhmja e ndritshme e kombit shqiptar, do të varet pikërisht nga fakti sa jemi në gjendje të sakrifikojmë për ta ndërtuar të ardhmen e tij, me një synim madhor, që duhet të jetë dashuria e sinqertë dhe vepruese për të mirën e kombin. NDUE UKAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |