VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FENIKSAT E RILINDUR
Nga RESHAT KRIPA

E Martë, 04.09.2013, 02:14pm (GMT1)



Sipas mitologjisë feniksi ishte një zog që, pasi mbushte pesëqind vjet, digjej dhe nga hiri i tij rilindte përsëri. Kjo legjendë m'u kujtua kur mora pjesë në ceremoninë e përurimit të bar restorant "Feniks" në komunën e Remasit të Lushnjes. Kjo ngjarje më solli njëzetedy vjet më parë, atëherë kur populli i tërë thërriste:
- E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

M'u kujtua kjo thirrje pasi në atë restorant, për nga stili i ndërtimit dhe eleganca e shërbimit, m'u duk sikur isha në një restorant të Europës. Por, ajo që është më e rëndësishmja, si në pothuajse gjithë vendët e qytetëruara të botës, ky restorant nuk është ndërtuar as me drogë dhe as me trafiqe të pista si shumë të tjerë. Pronari i saj, Emir Çoku, nipi i Azem Çokut, "Qytetar Nderi' i komunës, ish i burgosur politik së bashku me tre djem të tij, Esatin, Bedriun dhe Çaushin, me 65 vjet burg mbi shpinat e tyre, për vite të tëra punoi në emigrim për një jetë më të mirë. Nuk u hodh pas qejfeve të shfrenuara dhe punëve të pista. Punoi për të ardhmen e tij dhe të familjes dhe me kursimet e mbledhura mundi të ndërtonte këtë restorant të modelit europian. Aty është djersa e tij dhe e familjes së tij.

Së fundi mbërriti edhe dita e përurimit të tij. Midis shumë të pranishmëve pata nderin të isha edhe unë. Nuk mungonte as muzika. Ajo gjëmonte duke filluar nga vallet e bukura popullore dhe deri te roku amerikan. Në mesin e kërcimtarëve dalloheshin feniksat e rilindur të familjes Çoku që i jepnin një pamje të mahnitshme gjithë atmosferës së kësaj feste. Unë i shikoja me admirim dhe më dukej sikur në fytyrat e tyre rilindte Azem Çoku, luftëtari nacionalist që jetën tij ia kushtoi atdheut. Por, në fytyrat e tyre shikoja edhe si rilindnin nacionalistët e tjerë të rënë për liri gjatë viteve të gjata të sundimit të terrorit komunist apo të tjerë burra që nuk mundën të shohin ditën e madhe të demokracisë për të cilën kishin ëndërruar dhe luftuar pa kursyer asgjë.

Qëndroj në karriken time duke vështruar por mendja ka fluturuar. Ka fluturuar ndër vegimet e së kaluarës së hidhur. Në ato ditë të trishta kur donim të mësonim dhe nuk na linin për të mësuar, donim të punonim dhe nuk na linin për të punuar, donim të jetonim dhe nuk na linin as për të jetuar. Më kujtohen 65 bujqit e Myzeqesë që u ekzekutuan nga krimineli Mehmet Shehu vetëm e vetëm pse ishin nacionalistë. Por më kujtohen edhe korbat e zinj të sotshëm që çirren dhe këlthasin për të ringjallur atë që ka perënduar me kohë. Midis tyre edhe shumë të ashtuquajtur intelektualë, të mbushur me tituj dhe dekorata që arrijnë deri aty sa kriminelin e sipërpërmendur ta konsiderojnë si një burrë shteti që gjoja historia e Shqipërisë nuk e paska parë kurrë.

Oh, fatkeqë! Si nuk arrini të kuptoni se historia juaj përfundoi që me përmbysjen e ideve tuaja totalitare. Ju sot mund të jeni deputetë, funksionarë, pedagogë, biznesmenë që keni arritur majat e pasurimit tuaj, apo çfardo gjëje tjetër, por kurrë nuk mund të jeni njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ju jeni vetëm hije të së kaluarës që më kot mundohen të ringjallen. Ndoshta mund të keni mbaruar kushedi sa shkolla të larta, ndoshta mund të keni mbrojtur kushedi se sa mastera dhe doktoratura jashtë shtetit, ndoshta mund të keni fituar kushedi sa tituj dhe dekorata, por derisa nuk keni moralin për të hedhur poshtë të ligën që i bëri gjëmën këtij vendi, ju nuk mund të jeni gjë tjetër veçse mbeturina që duhen hedhur në koshin e plehrave të historisë.

Në këto ditë të fushatës elektorale që praktikisht ka nisur, dëgjojmë zërat tuaj të ngjirur të thërrasin se gjoja paskemi mbetur pa bukë dhe pa ujë, pa shkolla dhe pa spitale, pa drita dhe pa strehë. Me korin tuaj janë bashkuar edhe disa që e quajnë veten të përndjekur politik. Dua t'i pyes ata: - Çfarë heroizmi keni bërë kundër diktaturës që paskeni fituar këtë emërtim? Mos vallë vjedhjet, shpërdorimet dhe përdhunimet e familjarëve tuaj dhe që më vonë, për t'i shpëtuar ndëshkimit u detyruat të tentoni të arratiseni jashtë shtetit dhe që regjimi komunist, për t'ju mbajtur më tepër në burg ju dënoi, përveç neneve ordinere edhe me nene politike si agjitacion e propagandë apo tentativë për arratisje?

Çfarëdo që të shpikni, çfarëdo që të thoni ju nuk mund të bëni me vete shtresën e gjërë të të përndjekurve politik. Këtë nuk mund ta bëjnë as media e shkruar dhe ajo vizive që ju keni në dispozicion. Me ju ne nuk na ndan vetëm plotësimi i detyrimeve që shteti shqiptar i ka kësaj shtrese. Ne na ndajnë parimet tona që janë të kundërta me tuajat. Ne na ndan historia jonë që është e kundërt me atë tuajën. Ne na ndan këndvështrimi ynë se si i shikojmë ngjarjet historike të ndodhura në vendin tonë me këndvështrimin tuaj. Këtë mos e harroni!

Ceremonia vazhdon. Këngët dhe vallet ndjekin njera-tjetrën. Feniksit e rilindur vazhdojnë të lodrojnë. Entusiazmi arrin kulmin kur në sallë buçasin vargjet e këngës:

Xhamadani vija-vija,
Është Kosova, është Shqipëria.
Gjithë salla është ngritur në këmbë dhe këndon me plot zërin:
Sa e madhe është shqiptaria!

Unë, plaku 78 vjeçar, qëndroj i mahnitur në qoshkun tim duke vështruar. Dëgjoj këngën dhe para syve më shfaqen vargjet e mrekullueshme të Mjedës:

Por nuk u shujt, ende jo, shqyptaria!

Jo, shqiptaria nuk ka për t'u shuar kurrë dhe kjo, jo për meritë të lakejve të komunizmit që kanë gllabëruar emrin e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar, por të feniksave të rilindur që do të dinë t'i dalin zot këtij vendi. Do të vijë dita kur ju do të zhdukeni nga arena shqiptare pasi ju jeni të humburit dhe ne fitimtarët. Sot në Shqipëri kanë fituar parimet tona demokratike, parime që ju u munduat më kot t'i ndaloni dhe që ne u sakrifikuam për to. E ardhmja u përket feniksave tanë të rilindur. Ata kanë rilindur nga hiri i tyre.


RESHAT KRIPA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.