VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
AMERIKA BOJKOTOI JEREMIÇIN NË OKB Nga FRANK SHKRELI E Premte, 04.12.2013, 09:22am (GMT1)
Shtetet e Bashkuara, duke shfaqur pakënaqsinë dhe zemërimin e tyre me këtë të
ashtuquajtur "debat", ishin në krye të bojkotimit të sesjonit duke refuzuar të
merrnin pjesë ndërsa kritikuan ashpër iniciativën e ish-ministrit të jashtëm
serb për mabjtjen e një mbledhjeje të tillë. Në një deklaratë të lëshuar për
median të mërkurën, Misjoni i Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së
Kombeve të Bashkuara, njoftoi se, pasi që "Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë
ashpër vendimin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur sot
një debat ndezës dhe të pa balancuar mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare, si
rrjedhim, SHBA nuk do të marrë pjesë." Në deklaratën amerikane për shtyp
shfaqet gjithashtu pakënaqësia e thellë e Uashingtonit, posaçërisht për faktin
se debati ishte organizuar në atë mënyrë që të mos lejonte pjesëmarrjen e
viktimave të barbarizmave të luftërave në ish-Jugosllavi. Në deklaratë
theksohet gjithashtu qendrimi amerikan se ata që kanë kryer vepra të tilla
tmershme gjatë lutërave në ish-Jugosllavi, duhet të mbahen përgjegjës për
krimet e tyre, duke shtuar se, "Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së
punuari, për derisa të gjithë ata që kanë kryer vrasje në masë, të përballen me
drejtësinë...." Ndërkaq, kongresistja amerikane Eddie Bernice Johnson nga
shteti Teksas, në një deklaratë në Kongres çfaqi shqetësimin e saj në lidhje me
mbledhjen e të mërkurës në OKB, ndërkohë që u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara
të njohin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, duke shpallur 11 Korrikun, si Ditën
Përkujtimore të viktimave të Srebrenicës. Edhe Shqipëria reagoi ashpër ndaj këtij takimi në OKB, nepërmjet Ambasadorit të saj të Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferid Hoxha. Në deklaratën e tij, ndërsa thotë se Shqipëria i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian në lidhje me këtë çështje, Ambasadori shqiptar kritikon ashpër mënyrën se si është organizuar kjo mbledhje dhe shpreh rezervimet e tija mbi motivet e vërteta politike të një debati të tillë. Përfaqësuesi i Tiranës shprehet se ai nuk mban mend ndonjë rast tjetër si ky që Kombet e Bashkuara të organizonin diçka të tillë me fshehtësinë dhe mungesën e transparencës siç u organizua ky debat, duke përjashtuar krejtësisht pjesëmarrjen e viktimave. Ambasadori shqiptar kritikon gjithashtu caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes si edhe këmbënguljen për të mos e ndryshuar atë, një datë këjo që sipas tij, ka një domethënje historike për rajonin. Përfaqsuesi shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara thotë në deklaratën e tij se, "duke venë në dyshim meritat e Gjykatës (Ndërkombëtare), në ndjekje të çfardo agjende specifike politike, është një përpjekje e dobët që shtrëmbëron, për të mos thënë minon, rolin që duhet të luaj Asambleja e Përgjithshme. Ky (debat) është një vlerësim jo i drejtë ndaj punës së Gjykatës dhe përbën një kërcënim serioz ndaj procesit në vazhdim e sipër për pajtimin në rajon. "Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë, dhe ne nuk duam të kemi të bëjmë asgjë me objektivat e këtij debati", përfundon deklaratën e tij, Ambasadori i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.
Jeremiqi dhe Serbia nuk i shpëtuan as kritikave të Sekretarit të Përgjithshëm
të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u paraqit shkurtazi në mbledhje,
por këjo mjaftoi që ai të shprehte mbështetjen e tij të padyshimtë ndaj
gjykatave ndërkombëtare dhe të kritikonte ashpër ata, që sipas tij, "përpiqen
të minojnë punën e gjykatave". Sikurë po u drejtohej udhëheqsve serbë drejtë
për së drejti, Ban Ki Moon tha se askush nuk ka të drejtë të minojë punën e
këtyre gjykatave, sidomos, "për arsye -- të cilat kanë më shumë të bëjnë me
politikën -- se sa me drejtësinë." Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës vazhdoi
duke thënë se, "pandëshkueshmëria për krimet e luftës, krimet kundër
njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera serioze ndërkombëtare, nuk është e
pranueshme dhe as nuk do të tolerohet më." Ai vazhdoi duke thënë se personat
"që përhapin urrjetje dhe ndasi qofshin ata udhëheqës shtetesh, grupesh
policoro-ushtarake, individë civilë ose ushtarakë nuk kanë ku të fshihen më
prej drejtësisë." Zoti Ban Ki Moon u takua më vonë më përfaqësueset e
organizatës boshnjake, "Nënat e Srebrenicës" , të cilat në një veprim
skandaloz, rojet e OKB-ës i detyruan të largoheshin nga salla e mbledhjes sepse
mbanin një pllakat në dorë. Srebrenica është vendi, ku në vitin 1995, forcat
serbe masakruan mbi 8000-mijë burra dhe të rinjë boshnjakë. Kritikat ndaj kësaj mbledhjeje të organizuar nga Jeremiçi nuk munguan as nga vende të tjera. Ndër to, Britania e Madhe dhe Jordania, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, shprehën shqetsimin e tyre se viktimave të Srebrenicës nuk iu dha rasti të flisnin. Ambasadori i Jordanisë pranë OKB-ës u shpreh para gazetarëve se qendrimi i Serbisë ndaj gjykatave ndërkombëtare "është një shkelje ofenduese e ligjit që meriton të censurohet". Edhe përfaqsuesi i Lichtenshtajnit kritikoi ashpër presidentin e Asamblesë së Përgjithshme duke shfaqur shqetësimin e tij se, "˜'Jeremiçi po shfrytëzon pozitën e tij për realizimin e objektivave të tij politike, që qartë nuk është diçka që ai duhet të bëjë si president i Asamblesë së Përgjithëshme." Ndërkohë, Drejtori për drejtësi ndërkombëtare në organizatën e të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch, Richard Dicker, në një artikull për gazetën Huffington Post shkruan se themelimi i Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi avancoi respektimin ndaj të drejtave bazë të njeriut, si dhe përpjekjet në përgjithësi, për vendosjen e një drejtësie ndërkombëtare, janë duke rishkruar rregullat kyçe të marrëdhënjeve dhe të diplomacisë ndërkombëtare". Edhe ai kritikoi debatin e organizuar nga Jeremiçi, duke thënë se duhet të gjënden mënyra më të mira për diskutimin e çështjeve të tilla. Jeremiçi dhe Beogradi zyrtar organizuan "debatin" kundër gjykatave ndërkombëtare në OKB, në të njëjtën ditë që kryeminsitri Daçiç u takua në Moskë me udhëheqësit më të lartë të siç u shpreh ai, të popullit "vëlla" rus, Presidentin Putin dhe kryeministrin Medvedev. Ishte këjo një fushatë frontale dhe mbarë kombëtare e diplomacisë serbe për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe njëkohësisht për të siguruar mbështjetjen e Moskës për politikën serbe ndaj Kosovës. Të dy këto objektiva siç duket dështuan. Kryeministri serb, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rus, sipas medias, falenderoi Rusinë për përkrahjen që Moska dhe populli rus po i japin politikës serbe ndaj Kosovës. "Populli serb" theksoi Daçiçi, "e di dhe nuk harron se Rusia është mikja e tij më e madhe." Megjithëse ai në sipërfaqe u prit ngrohët nga Putini, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, kryeministri rus Medvedev gjatë takimit me Daçiçin, mund të ketë humbur durimin me qendrimin serb ndaj Kosovës, pasi citohet t'i ketë thënë udhëheqsit serb -- se në lidhje me Kosovën -- Moska ka përshtypjen se serbët, "presin më shumë nga Rusia se sa nga vet Serbia." Ky është një qendrim i gabuar, citohet ti ketë thënë Medvedevi Daçiçit, dhe se Serbia duhet të kujdeset vet për këtë proces, dhe jo Moska, sipas kryeministrit rus.
Kështu pra mori fund edhe një përpjekje tjetër e shëmtuar serbe për të hedhur
pluhur në sytë e botës mbi rolin e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, mbi
politikën së saj shterpë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera që përbënin
ish-federatën jugosllave. Por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, humbjet dhe
dështimet, historikisht Serbia i ka konsideruar si fitore. Edhe kjo përpjekje
e dështuar në OKB mund të radhitet si një "fitore". FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |