VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VIZION PËRBASHKUES PËR DIASPORËN SHQIPTARE SI VLERË KOMBËTARE
Nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)

E Hënë, 04.15.2013, 08:24pm (GMT1)



Shqipëria dhe Kosova; komuniteti shqiptar shtetformues në Maqedoni; komuniteti shqiptar vetqeverisës vendor në Luginën e Preshevës; pakica kombëtare shqiptare në Mal të Zi; shqiptarët e Greqisë pa status të plotë të emigrantit për dy dekada; diaspora e shqiptarëve në Europë dhe ajo në Amerikë po dëshmojnë se nuk janë në një zë kur bie fjala për ardhmërinë e Çështjes Kombëtare Shqiptare në tërësi.

Kur themi "një komb- një qëndrim", të gjitha çfarë përmënda më lart duhen marrë në konsideratë për të patur një strategji të përbashkët për Çështjen Kombëtare që ende nuk e kemi. Dhe patjetër duhet të mendojnë për këtë të gjithë faktorët qeverisës dhe shoqërorë të shqiptarëve në Ballkan dhe në Diasporë.

Kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare s'kemi patur kaq përkrahje dhe vëmendje të plotë nga Amerika dhe Europa Perëndimore në Tiranë dhe Prishtinë apo dhe ndër komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Dhe ka një arsye të fortë përse ne e kemi këtë miqësi. Edhe interesat e tyre po e po, por edhe prej Diasporës Shqiptare që është kthyer në të vetmin ambasador të vërtetë, sepse sakrifikoi dhe ja doli mbanë që çdo familje shqiptare të gjente vetveten e të përfaqësojë me dinjitet vlerën kombëtare, dhe të realizojë aspiratën për liri e rend demokratik me ekonomi të zhvilluar në vendet pritëse ku liria dhe mundësitë e jetesës janë më të prekshme.

Ne shqiptarët ndër më të vjetrit e Europës si komb, jemi me shumicë mërgimtarësh jashtë kufijve natyralë, disa milionë, për arsye që tashmë dihen si: prej luftrave pushtuese të perandorisë Turke dhe prej ndarjes së padrejtë nga Fuqitë e Mëdha që me Traktatin e Shën Stefanit e mandej, njëqind vjet më parë, më 1913, me ndarjen politiko-gjeografike të truallit etnik në Ballkan në interes të fqinjëve satelitë të Rusëve më shumë dhe shteteve të Europës Perëndimore.

Arsye të tjera të largimit nga trualli etnik janë regjimi asimilues dhe spastrues ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore në Jugosllavinë e dikurshme apo dhe Serbinë e sotme, nga dëbimë më një gjenocid të paparë të popullsisë Çame që ende lëngon vendlindjen e saj si dhe nga instalimi i regjimit komunist në Shqipëri.

Dhe më e fundit ishte vala e Re e pas 1990-ës e Diasporës larguar nga Shqipëria fill pas rënies së regjimit komunist me shpresën e Lirisë dhe mundësive ekonomike për një jetë më të mirë në Greqi dhe në vendet perëndimore.

Historikisht Diaspora Shqiptare e ka udhëhequr ose e ka përkrahur me para, me diplomaci, dhe me luftëtarë kauzën kombëtare që me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me organizimin kombëtar, politik e diplomatik të Federatës Panshqiptare VATRA të shqiptarëve të SHBA-së (më e fuqishme në vitet 1912-1924). Spikati më vonë, përkushtimi që prej 1986 e deri më sot nga Lidhja Qytetare e DioGuardit ( ish-Kongresmen me origjinë Arbëreshe) në SHBA si dhe pjesëmarrja direkte e shqiptarëve të Amerikës me formacionin luftarak të Batalionit Atlantiku në UÇK si dhe ndërveprimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe Organizimeve të Diasporës Shqiptare në Europën Perëndimore ( Fondi "Vendlindja na thërret" kryesisht në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe Belgjikë) në shërbim të Lidhjes së Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Edhe sot pas 135 vjetësh të Lidhjes së Prizrenit me gjithë ndikimin e rendit demokratiko-integrues të familjes Europiane, shqiptarët si komb në Ballkan hasin barriera në ushtrimin e të drejtave për pakicat kombëtare, për komunitetet shtetformuese e vetqeverisëse apo edhe për përdorimin e Gjuhës Shqipe në institucione qëndrore, publike apo vendore si dhe përdorimin e simboleve kombëtare në truallin e tyre etnik.

Ka presione të hapura shtetërore serbe, greke, maqedonase dhe malazeze nga policia sidomos në Preshevë dhe Maqedoni së fundi, nga ushtria e përqëndruar në Preshevë dhe në Greqi nga segmente politike neonaziste si Agimi i Artë apo ish-struktura policore të Serbisë që veprojnë në rajonin përreth Mitrovicës.

Diaspora duhet parë e vlerësuar si frymë e shëndoshë e demokracisë shqiptare dhe e përbashkimit të kombit. Asaj duhet ti krijohet mundësia për një infrastrukturë sa më efikase që të marrë pjesë në vendimmarrje sepse shumica e saj edhe pse jeton në Europë i janë mbyllur shtigjet për të dhënë kontributin e saj që me themelin e demokracive shqiptare -Votën. Prandaj, reflektimi dhe ndërgjegjësimi i klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë për ti hapur rrugë Diasporës është nevojë e ngutshme për ta finalizuar stadin e integrimit që duhet të kemi nesër me Europën por edhe një falenderim për kontributin e shqiptarëve të mërguar kur bie fjala për remitancat në miliarda dollarë që e kanë zbutur krizën financiare edhe pse qeveritë po e rritin borxhin në dëm të ardhmërisë.

Rikthimi i vetqeverisjes lokale pas 70 vjetësh nga shqiptarët në Kërçovë (Maqedoni) tregoi edhe njëherë se nuk ka dëshmi më të madhe të atdhedashurisë nga shqiptarët e mërguar. Prandaj, respektimi, inkurajimi dhe ftesa vëllazërore që Diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes ( me votë apo me kandidatë përfaqësues) në Shqipëri dhe Kosovë apo në komunitetet vetqeverisëse shqiptare në Preshevë, Maqedoni, apo dhe në Mal të Zi duhen parë si sjellje e një fryme të re të demokracisë perëndimore në zhvillimet demokratike ndër shqiptarët e Ballkanit.

Qindra zëra shqiptarë të intelektualëve të shkolluar në Perëndim pjesa më e ndjeshme e Diasporës Shqiptare po tregojnë maturi dhe aksion të përbashkët atdhetar jo të paktë për të hedhur poshtë një ndikim Turk së fundmi, për rishkrimin e historisë shqiptare për periudhën kur territoret shqiptare etnike ishin nën administrimin Turk.

Prapa këtyre përkujdesjeve Turke është me sy e vesh edhe Serbia, që mezi pret të njolloset me duar shqiptare figura e Skënderbeut dhe Identiteti i tij Kombëtar shqiptar që ajo të fitojë terren ( politik dhe mediatik në botë) për të ndikuar keqasi më shumë në Kosovë edhe pse kjo lojë e pistë e fqinjësisë po vjen erë me shekuj.

Zgjimi i intelektualëve shqiptarë për të firmosur një peticion kundër ndryshimit të historisë kombëtare shqiptare për periudhën e shqiptarëve nën sundimin Turk duhet përshëndetur me çdo media dhe forum.

Ja për çfarë kemi nevojë të përkushtohemi për ardhmërinë:
1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.
2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.
3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.
4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.
5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.
6- Perspektivë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.
7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.
8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.
9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse.
10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri dhe Kosovë qoftë me kronika të drejtpërdrejta po të kemi parasysh teknologjinë e sotme elektronike dhe me emisione të përjavshme.

Duke e marrë seriozisht punën me Diasporën patjetër që do të kemi një përmirësim gradual dhe shpresëdhënës për më shumë projekte atdhetare e diplomatike, studimore e kulturore, artistike e sportive për një evidentim e zhvillim të talenteve të reja në Diasporë.

Sepse po shohim në realitet që mosaktivizimi i brezit të ri të shkolluar të shkolluar në Perëndim, parcelizimi i organizimeve komunitare pa ndonjë përbashkim të të gjithë Diasporës Shqiptare dhe mungesa e një strategjie kombëtare për Çështjen Kombëtare në tërësi kanë krijuar terren për një vendnumëro të pakuptimtë.

Faktori kohë është në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare falë edhe përkrahjes për mbështjen nga SHBA dhe BE për Shqipërinë dhe Kosovën në aleancat euro-atlantike, por shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë kanë më shumë probleme social-ekonomike me tranzicionet demokratike se sa të merren seriozisht në unison për më shumë promovim dhe përfaqësim të Saj në organizmat ndërkombëtare.

Vetë Diaspora i ka mundësitë ta tejkalojë situatën e vendnumërosë, me anë të një përafrimi të të gjithë organizimeve shqiptare kudo ku janë në Europë, SHBA dhe Kanada. Ekipet drejtuese të shoqatave shqiptare me përgjegjësi të plotë po përgatiten për bashkëkuvendime ndërkomunitare për të patur një platformë të përbashkët, një zë të vetëm si e vetmja shpresë për të vazhduar misionin kombëtar të Diasporës me projekte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse pa dallim.

Këto bashkëkuvendime janë mënyrë e drejtëpërdrejtë e rrahjes së mendimeve për mirëorganizimin e Diasporës si dhe ngritjen e punës sensibilizuese për nevojën e përbashkimit programor dhe projektimin e një strategjie sa më afër nevojave të integrimit të Diasporës apo edhe me shtetet dhe komunitetet shqiptare në Ballkan.

Puna e hapur me çdo organizatë apo agjenci shtetërore shqiptare ka më shumë vlerë se sa praktika e deritanishme kur takohemi në Diasporë apo në vendlindje (në Ballkan) vetëm për darka që nuk japin frymë për ardhmërinë e dyanshme. Të dy palët së bashku, shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora duhet të jenë më të qartë të përcaktojnë realisht nevojat dhe mundësitë që kemi të ecim përpara të sigurtë për të përballuar sfidën e asimilimit që është evidente në çdo komunitet shqiptar të Diasporës.

Diaspora është pasuri kombëtare sepse me të identifikohet kombi ynë dhe përpjekja e vazhdueshme e saj për ta parë kombin shqiptar të lirë, të bashkuar dhe të respektuar si në truallin etnik dhe në vendet pritëse, duke qënë urë bashkëpunimi e identifikimi e dyanshme midis shqiptarëve të Ballkanit dhe qeverive të vendeve euro-atlantike.

Mirëorganizimi i Diasporës është për më shumë edhe një mundësi lobuese kur bie fjala për integrimin e njëhershëm të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe të Kosovës në OKB dhe në NATO. Ndaj kërkohet më shumë vullnet, sakrificë dhe kontribut të të gjithëve, në Diasporë dhe ndër shqiptarët e Ballkanit.

A kemi mundësi ta bëjmë përbashkimin e Diasporës? Mund të nënvizojmë se mundësitë janë po të kemi parasysh shqiptarët e sukseshëm në Amerikë dhe Europë, organizimet e përkushtimin e tyre, po të kemi parasysh komunikimin e përditshëm Diasporë - Vendlindje si dhe dorën e ngrohtë të shteteve shqiptare.

Sepse shqetësimi për ardhmërinë është i përbashkët dhe evident si për vetë Diasporën, për demokracitë shqiptare dhe për Çështjen Kombëtare. Ndaj dhe duhet të punojmë së bashku dhe vetëm së bashku për ta çuar më përpara integrimin kombëtar duke i shërbyer më shumë interesave jetike të sotme dhe të nesërme të kombit se kombi është i pari.

Vetëm me vizion përbashkues Diaspora shqiptare do ti përkushtohet kombit, dhe do të ndihmojë edhe më shumë për ardhmërinë e tij si e vetmja shpresë që duhet ushqyer nga çdokush që i thotë vetes shqiptar, që ta bëjmë këtë realitet të prekshëm e frytdhënës. Ti dalim kështu përpara problemit asimilues të brezit të ri të Diasporës. Pra, vetëm me veprim të koordinuar e të planëzuar, me përbashkim do të përfitojmë në kohë.


ARTUR VREKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.