VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQETËSIMET E NJË MIKU
Nga FRANK SHKRELI

E Mërkurë, 05.01.2013, 06:57am (GMT1)



''Ne jemi shumë të shqetësuar nga ato që kemi parë. Ekziston një nivel i lartë tensionesh në këtë periudhë parazgjedore.'' Kështu u shpreh për median shqiptare, Xhonatan Mor, Drejtori i Zyrës për Punët e Evropës Jug-Qendrore në Departmentin amerikan të Shtetit (DASH) gjatë vizitës që ai bëri kohët e fundit në Shqipëri. Zoti Mor nënvijoi interesimin dhe shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për mbarvajtjen e punëve në Shqipëri në përgjithësi dhe të zgjedhjeve të Qershorit në veçanti, duke kujtuar vizitën dhe fjalët e ish-Sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton në Tiranë, Nëntorin që kaloi, e cila sipas Zotit Mor foli me këmbëngulje për interesimin e fortë të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria duhet të bëjë përparim drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe të zhvillojë zgjedhje të suksesshme këtë vit. Zoti Mor deklaroi gjatë vizitës së tij në Tiranë se ato që Zonja Klinton tha në kryeqytetin shqiptar për miqtë shqiptarë, përkrahen edhe nga "Sekretari i tanishëm i Shtetit Xhon Kerri, nga të gjithë ne në qeverinë amerikane si dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara." Në takimet e tij me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, pozitë dhe opozitë, Zoti Mor theksoi interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarvajtjen e zgjedhjeve të Qershorit duke paralajmëruar një numër diskutimesh publike, përfshirë edhe seanca në Kongresin amerikan, mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri.

Njëra prej mbledhjeve të njoftuara tanimë për të diskutuar mbi atmosferën parazgjedhore në Shqipëri, është ajo e Komisionit Amerikan të Helsinkit, seancë e titulluar "Demokracia në Shqipëri: Ritmi i Progresit", e cila do të mbahet të hënën më 6 Maj, në një prej sallave të Senatit amerikan në Uashington. Komisioni prej nëntë anëtarësh nga Senati, Dhoma e Përfaqsuesve dhe nga një përfaqësues i DASH, Departmentit të Mbrojtjes dhe të Tregëtisë, i cili kontribon në përpilimin e politikës së jashtme amerikane, në këtë séance ka ftuar ekspertë, përfshirë Zëvëndës Ndihmës Sekretarin për Çeshtjet Evropiane dhe Euro-aziatike, në DASH, Filip Riker, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, Dr. Elez Biberaj, Dejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë dhe Besa Shahini, analiste e Iniciativës për Stabilitetin Evropian.

Në njoftimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit thuhet se megjithëse para vitit 1991, Shqipëria sundohej nga njëri prej regjimeve më shtypëse komuniste të botës, dhe ishte i vetmi vend evropian që refuzoi të merrte pjesë në proesin e Helsinkit -- në 20vitet e fundit vendi ka shënuar përparime të mëdha si një shtet demokratik ku respektohen të drejtat e njeriut, dhe si një shtet që është pjesëmarrës aktiv në punët evropiane, përfshirë edhe antarësimin në NATO në vitin 2009. Por megjithë progresin e shënuar gjatë dy dekadave të fundit, Komisioni Amerikan i Helsinkit thotë në njoftimin zyrtar të seancës në Kongres, se "megjithë arritjet, Shqipëria vazhdon të përballet me vështirsi në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, përfshirë edhe respektimin e ligjit". Komisioni vlerëson se, ndërkohë që Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të Qershorit, seanca në Kongresin amerikan, "shpreson të vlerësojë nivelin në të cilin përparimi ka nisur të bjerë në krahasim me ato që priten, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si dhe ç'mundë të bëhet drejtë përshpejtimit të reformave të mëtejshme, sa i përket qeverisjes së mirë".

Interesimi zyartar amerikan mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri u pasqyrua edhe nga një takim ditët e fundit midis Kongresistit Geri Peters, anëtar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbet Galanxhi.

Kongresisti Peters, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis dy vendeve, shfaqi besimin e tij se është e rëndësishme që, në lidhje me ato që po ndodhin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, të zbatohet ligji, me qëllim që të ruhet legjitimiteti i zgjedhjeve të ardhshme. Edhe Kongresmenë të tjerë amerikanaë kanë shprehur pikpamje të njëjta.

Marsin që kaloi një delegacion i Institutit Demokratik Amerikan (NDI) i kryesuar nga ish-governatori i shtetit Vermont dhe ish kandidat për president i Shteteve të Bashkuara qëndroi në Shqipëri për të "vlerësuar në mënyrë të paanshme përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, klimën e përgjithshme politike që i jep form ciklit zgjedhor, të shqyrtojë faktorët e veçantë që favorizojnë ose pengojnë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit dhe për të bërë rekomandimet për rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor''.

Shfaqja jo vetëm e interesimit, por edhe e shqetsimit amerikan në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri nuk është dhe nuk duhet të interpretohet si një ndërhyrje në procesin zgjedhor të Shqipërisë, por si këshilla të një miku që Shqipërisë dhe shqiptarëve ua do të mirën. Këto shqetësime i janë paraqitur të gjithë klasës politike shqiptare pa dallim, qoftë pozitës qoftë opozitës, por edhe të tjerëve, pasi të gjithë kanë rolin e tyre për të luajtur për një fushatë të përgjegjeshme elektorale dhe në përfundimin me sukses dhe pranimin përfundimtar të zgjedhjeve, me fjalë të tjera të mos rrezikohet integriteti zgjedhor.

Historikisht, zgjedhjet e lira, fatkeqësisht kanë qenë gjithmonë si një çështje kundërshtuese, si një asht ose kockë në fyt, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke filluar që nga viti 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që çoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë, duke përfunduar kështu në prerjen e marrëdhënieve prej pothuaj 50-vjetësh midis dy vendeve. Sot, pas 20-vjet marrëdhënjesh miqësore, mbajtja e zgjedhjeve të lira nuk duhet të jetë shkak për --ruajna Zot -- ftohjen e marrëdhënieve midis dy kombeve mike. Por, siç tha edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, kjo miqësi e dy dekadave të fundit, të shërbejë për zhvillimin e një partneriteti të vazhdueshëm, të na kujtojë përparimet e bëra deri tani dhe njëkohësisht të nënvijojë shpresat për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe Shqiptarët, por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Këjo është përgjegjësi e pozitës dhe opozitës si edhe e të gjithë faktorëve politikë, por edhe e medias që i shërben interesave partiake, si dhe e shoqërisë në përgjithësi. Është vështirë, për të mos thënë e pamundur, të mendohet ndryshe, pas më shumë se 20-vjetë demokraci dhe në fillim të shekullit 21!


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.