VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PS 'MEA CULPA' I OFRON SHKODRËS DY INTELEKTUALË
Analizë nga REDAN BUSHATI

E Hënë, 05.06.2013, 05:23pm (GMT1)



Një nga betejat më të vështira zgjedhore për çdo parti politike është qarku i Shkodrës, ku PD ka strehën e sigurtë, pararendësen e triumfeve të saj. Mirëpo PS prej ndoca palë zgjedhjesh ka formësuar një elektorat bazë, i cili me përllogaritje i jep asaj gjithsej katër deputetë nga 11 mandatet që ka ky qark. Përderisa tanimë e majta është bashkuar, teksa LSI është hedhur në vathën e PS, e të dyja do të shkojnë së toku drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, elektorati socialist duket i ngurtësuar dhe natyrshëm më i motivuar. Shtoi faktin që LSI prej vitesh ka ndërtuar një strukturë bazë në kryeqendrën e veriut, ngërthen në vetvete një betejë me të papritura, ku nuk përjashtohet ndonjë surprizë e mundshme. Kujtojmë se LSI kandidon të parin në listë biznesmenin Agron Çela, i cili ka marrë në duar fatet e klubit të futbollit Vllaznia, një dashuri në masë e shkodranëve sportdashës.

Për t'u rikthyer në zanafillën e kësaj trajtese analitike, e cila merret posaçërisht me Partinë Socialiste dhe dy prej kandidatëve të saj në qarkun e Shkodrës, në krye të herës ia vlen të ndaj mendimin personal se ç'karakteristika duhet të zotërojnë kandidatët që i ofrohen popullit. Së pari, duhet të jenë njerëz të shkolluar, të edukuar dhe të kulturuar më së miri. Së dyti, nuk duhet të kenë pasur probleme me drejtësinë. Së treti, të kenë dhënë prova se nuk u shërbejnë urdhrave partiakë, por interesave të qytetarëve. Së katërti, të mos kenë probleme morale dhe as lidhje me të kaluarën e baltosur komuniste. Sigurisht, këto vlera të krahasueshme mes kandidatëve as që merren për bazë nga liderët e subjekteve politike në vend, pasi arsyetimi i tyre nuk shkon përtej maksimalizimit të votave, paçka se ç'përfaqësojnë realisht në popull të propozuarit e tyre, duke bërë çështjen e hartimit të listave "propria causa".

Në këtë kaos dhe zallahi politike, ku sejmeni dhe lajkatari ngrihen në stadet më të larta të intelektualizmit, ka edhe prej atij soji që ia vlen të ndalesh. Për shembull Namik Kopliku dhe Mimoza Hafizi pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të vlerave të shënuara më sipër, se ç'karakteristika duhet të gëzojnë të propozuarit e partisë për të përfaqësuar më pas popullin në Kuvendin e Shqipërisë. I pari, rrjedh nga familjet më të vjetra qytetare shkodrane. Ka mbaruar shkollën e mesme "Jordan Misja" në Shkodër me të gjitha notat dhjeta. Pastaj është diplomuar në fushën e hartografisë dhe ka mbaruar doktoraturën në Francë. Ndërkohë, prej vitesh është pedagog në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në vitin 2007, nën siglën e PS, kandidoi në Shkodër për kryetar bashkie përballë Lorenc Lukës së PD, ku humbi betejën për të parin e qytetit, por, me këtë humbje dinjitoze, fitoi garën brenda strukturave të së majtës, teksa gjatë fushatës pasqyroi kulturë dhe emancipim, paçka se në elektorat platforma "plugiste" peshoi më pak se ajo "zgjebiste". Në fund, pas publikimit të rezultateve nga KQZ, doli në një konferencë për shtyp dhe pranoi humbjen, uroi kandidatin kundërshtar dhe mes të tjerash u shpreh: "E kam për nder t'i shërbej Shkodrës". Pra, tregoi atë që pak herë e kemi hasur në politikën tonë: qytetarinë, respektin ndaj kundërshtarit, kushdo qoftë ai, dhe pranimin e humbjes. Po ashtu, edhe Mimoza Hafizi rrjedh nga familjet qytetare shkodrane. Ka përfunduar gjimnazin "Andon Zako Çajupi" në Tiranë dhe është diplomuar në fakultetin e Shkencave të Natyrës për Fizikë, ku sot është shefe departamenti pranë këtij fakulteti. Ajo është një emër i njohur në PS, duke qenë që herët anëtare e forumeve të larta drejtuese të saj.

Kështu, ndonëse lideri socialist, ashtu si kundërshtarët e tij politikë, nuk i largohet frymës së të fortëve, me muskuj, me pará, me arrogancë dhe budallallëk me okë, veç e veç të shtojnë "miell" në "mullirin" e partisë, kësaj here, së paku në Shkodër, me dy kandidatët Kopliku dhe Hafizi, tregoi respekt ndaj popullit të Shkodrës, duke i paraqitur njerëz të denjë të këtij qyteti, me tradita historike e kulturore, e nga ana tjetër, duke ofruar dijen përballë votës së qytetarëve. Se kë do të zgjedhin këta të fundit, mes "Plugëve" dhe "Zgjebove", kryqëzoj gishtat se nuk dua të besoj çaraveshanllëkun mendor.


REDAN BUSHATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.