VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DRITËHIJET E LISTAVE
Nga AFRIM KRASNIQI

E Mërkurë, 05.08.2013, 01:52pm (GMT1)




Për ne që kemi përjetuar sistemin komunist është e njohura praktika e zgjedhjes së deputetëve: një kuadër politik, një militant, një bari i dalluar, një kooperativist, një mjelëse, një sportiste, etj. Tradita u ndryshua rrënjësisht me zgjedhjet e vitit 1991 dhe 1992, kur sistemi mazhoritar imponoi emra me prestigj të lartë publik dhe kur ende nuk ishte krijuar shtresa e biznesmenëve politikë pranë partive politike. Më 1996 u provua një listë deputetësh nga bota akademike, pa lidhje direkte politike por me jetëgjatësi minimale. Më 1997 u hoq dorë nga modeli i personaliteteve publike dhe botës akademike për të kaluar në lista militante, me lidhje të fortë krahinore, me kriter aftësinë për marrjen dhe ruajtjen e votës, pa i kushtuar rëndësi aftësisë politike apo nevojës për parlament cilësor. Më 2001 në zgjedhje kandidoi pushteti: një listë zyrtarësh të lartë, kryesisht administratorë të ngritur në karrierë për shërbime ndaj kryeministrit 70% e të cilave janë tashmë emra jashtë politikës pasi nuk arritën të lënë gjurmë politike. Opozita kandidoi me figura historike militante, pa sukses në zgjedhje. Më 2005 rolet undryshuan. PD ofroi shumë emra të rinj, 70% e të cilave sot janë jashtë politikës, kurse e majta u nda në grupe politike pro e kundër dy kryeministrave socialistë, Nano e Meta. Më 2009 PD imponoi një listë individësh që gërshetonte emrat eheshtur dhe të bindur të tranzicionit, si dhe emra të rinj pa eksperiencë politike. Sot shumica e tyre janë jashtë vijës së parë të politikës. E majta gjithashtu tentoi reformimin, duke larguar xhaketat e vjetra, shumica e të cilave sot u rikthyen në listat e PD në kuadër të Rilindjes.


Zgjedhjet 2013 do të duhej të ishin zgjedhjet që ofrojnë zgjidhje, zgjedhje për rotacion politik dhe përcaktuese për sistemin politik në 5-10 vitet e ardhshme. Duke pasur të gatshme modelet eksperimentale të listave me personalitete politike (1991 dhe 1992), me botën akademike (1996), me militantë (1997), me zyrtarë të pushtetit (2001) dhe prurje jashtë politikës(2005), si dhe me dyndje nga bota e artit, kulturës, biznesit politik, etj (2009), zgjedhjet e 2013 do të duhej të ishin të një standardi të lartë përfaqësues. Kroacia, Sllovenia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, etj, ndryshuan mbi 50% të parlamenteve duke sjellë politikanë me një vizion të ri politik, të aftë të përballen me sfidat e reja të integrimit, politikës globale dhe konkurrencës së ideve. Shqipëria e humbi këtë shans. Jo vetëm për tani, por edhe për katër vitet e ardhshme.


Parlamenti i ri është zgjedhur tashmë për shkak të sistemit zgjedhor në 85-90% të tij. Lufta bëhet për pjesën e mbetur, 15-25 deputetë. Që tani do të kemi 8-9 parti parlamentare, gjysma e tyre fiktive me deputetë të dhuruar, nuk do të kemi mazhorancë solide dhe as hapësirë për politikë idesh. Parlamenti i ri është i destinuar të jetë një parlament peng të biznesit politik, peng të familjeve të mëdha financiare, peng të rretheve lobiste, të lidhjeve nepotike dhe të trafikut të votave. Në vendet e sigurta parlamentare kemi aktualisht 7 cifte familjare me lidhje deri në brezin e dytë, pra 14 deputetë familjarë, 7 në mazhorancë dhe 7 në opozitë, duke zyrtarizuar kështu pluralizmin familjar, aq të lulëzuar në vendet ku nuk ka kufi ndarës midis mafias dhe politikës. Në parlamentin e ri do të kemi 22 biznesmenë, të gjithë produkt i fitimeve të arritura përmes lidhjeve politike gjatë tranzicionit. Në parlament nuk do të kemi ish të përndjekur politik që kanë vuajtur në burgjet komuniste, por do të kemi 24 pinjollë të familjeve të njohura me pushtet në piramidën e lartë të sistemit komunist. Në parlamentin e ri do të kemi 11 deputetë të PD dhe 7 të PS që kanë qenë më parë kandidatë edhe të partive të tjera rivale, madje të paktën 4 deputetë që kanë qenë në parlamentet e mëparshme në emër të partive të tjera të kundërta politike. Në parlamentin e ri nuk do të kemi asnjë rektor universiteti apo figurë publike me kontribute në fushën e studimeve në politikë, marrëdhënie ndërkombëtare, as juristë dhe as ekonomistë të njohur, etj, por do të kemi 4 ish bodigardë, si dhe përfaqësues të forcave speciale, policisë bashkiake, të trafikut të skafeve, të burgjeve, të hipotekës, të doganave, të KESH etj. Në parlamentin e ri e dimë që tani cilët janë 10-15 deputetët që kurrë nuk flasin, nuk diskutojnë, bëjnë lajm vetëm kur rrahin, fyejnë apo votojnë, - çuditërisht të gjithë me 2-3 mandate parlamentare dhe në vende të sigurta në lista.


Nevoja e kryetarëve të partive kryesore për të siguruar mandate për miqtë, financuesit apo shokët e pushimeve, e pastaj për të votuarit publikë, bëri që shumica e ekipeve drejtuese të dy partive të mëdha të ndryshohen me parimin: secili në qytetin që ka më pak lidhje, secili aty ku njihet më pak, secili aty ku nuk ka nevojë të japë llogari. Kalimi brenda 5 minutave e ministrave të majtë tek lista e djathtë, e deputetëve të majtë në vende të sigurta të listës së djathtë, e figurave politike të të majtës së korruptuar në listën rilindëse të të majtës që pretendon se është e re, dëshmoi edhe njëherë atë që gjithë shqiptarët besojnë: politika jonë nuk ka moral, nuk njeh vlera dhe as ndërgjegje, nuk ka identitet dhe as standard demokracie, nuk skuqet, nuk turpërohet, nuk korrigjohet. Ajo është ashtu siç ka qenë në gjithë këto vite: pellg korruptiv, biznes i lidhjeve mafioze, piramidë konsensuale e ndarjes së pushtetit, klikë në shërbim të liderit dhe ambicieve të tij personale.


Me listat e reja të deputetëve dështuan jo vetëm demokracia e brendshme e partive (asnjë parti nuk pati votim as formal në struktura), jo vetëm investimi i gjatë britanik e amerikan për imponimin e parimit një anëtar një votë, jo vetëm sistemi i meritave që politika pretendon se e posedon, por edhe shpresa se gjërat mund të ndryshojnë me 23 qershor. Në PS nuk u fut në listë i vetmi produkt real konkurrues (kryetare eFRESH), kurse në PD nuk u fut në listë të vetmit që folën apo kërkuan një sistem merite në promovimet politike. Në PS mbeti jashtë listës i vetmi politikan që pranoi të shkrijë partinë e tij në emër të koalicionit fitues, kurse në PD siguruan mandate të sigurta katër parti, secila pa elektorat të qëndrueshëm, pa identitet politik. Tre deputetë socialistë ikën nga PS me alibinë e shkeljes së rregullave demokratike dhe përfunduan në lista të sigurta të PD përmes një mekanizmi shumë më antidemokratik sesa rasti i parë. Në PD mbetën jashtë listës disa deputetë pa ndonjë histori të lavdishme politike, por të pa akuzuar ndonjëherë për korrupsion dhe kjo është cilësi e veçantë në një vend ku korrupsioni konsiderohet tipari kryesor i qeverisës. Vendin e tyre e zunë ata që ishin përherë në faqet e gazetave për skandale korruptive, për shërbime ndaj familjes politike të pushtetit dhe familjeve mediatike të pushtetit. Në PS mbetën larg listës ish-ministra që kurrë nuk janë përfolur për korrupsion, dhe hynë si risi emra simbol të akuzave për korrupsion në qeverisjet e mëparshme. Kjo tregon se sistemi aktual përfaqësues është marrë peng, bashkë me të edhe qeverisja e sotme dhe e nesërme, dhe se kështu, 23 qershori nuk ka asnjë shans, në asnjë variant, të jetë zgjidhje për Shqipërinë.


Çfarë na mbetet? Në praktikat e vendeve të tjera ka pasur disa nisma të suksesshme transparence përmes të cilës online publikut i ofrohen të dhëna për kandidatët, CV, pasurinë dhe bindjet e tyre politike. Kur publiku e ka këtë informacion zgjedhja e tyre bëhet më selektive. Në rastin tonë kjo nuk funksion. Së pari sepse qytetarët nuk votojnë emrat, por partinë dhe së dyti sepse kushdo ta marrë këtë iniciativë do ndeshet me presione, shantazhe deri edhe kërcënime për jetën nga koalicionet e reja të botës së krimit, politikës dhe pushteteve. I vetmi që mund ta bëjë këtë është një burim ndërkombëtar informacioni, p.sh një projekt i ambasadës amerikane apo të BE-së. Propozimi idytë është për imponimin e debateve publike midis kandidatëve. Le të votohen, por të paktën ti shohim ashtu siç janë: nivel mediokër dhe të paaftë. Në kushtet e medias së blerë edhe kjo mund të imponohet vetëm nga një projekt ndërkombëtar. Propozimi i tretë është nisma publike për të mbledhur firmat e nevojshme për referendum për ndryshimin e sistemit të votimit. Këtë mund ta bëjë secili prej nesh, duke nisur nga shtatori i ardhshëm. Propozimi i katërt është që presioni i OJF-ve dhe grupeve civile të detyrojë prokurorinë të verifikojë pasuritë e politikanëve që duan të votohen, përpara se të shkojmë në ditën e votimit.


A janë të mundura ndonjëra prej tyre? Po dhe po, megjithëse personalisht jam skeptik nëse shoqëria jonë ka ende forcë, ndërgjegje e kurajë të mbrojë votën, integritetin, sovranitetin e përfaqësimit; nëse institucionet tona kanë sensin e ligjit dhe përgjegjësisë publike; nëse Shqipëria qeveriset nga qytetaria e librave apo ajo e furgonave me militantë; nëse në një sistem korruptiv e mafioz ka mbetur ende ndonjë zë i pa përfshirë, por edhe nëse aktorët ndërkombëtarë kanë interes direkt të spastrojnë politikën nga pellgu i tranzicionit apo ta mbajnë kështu siç është, të kontrollueshëm në çdo kohë dhe për çdo qëllim të politikës së ditës. Dikush duhet të reagojë, të flasë me zë të lartë, të rrezikojë ambiciet personale, të bëjë zgjedhje morale mbi zgjedhjet pazare, të ruajë integritetin dhe të kërkojnë zgjidhje jo për ndonjë mandat parlamentar apo post ekzekutiv, por për ndryshimin rrënjësor të këtij sistemi korruptim politik.


AFRIM KRASNIQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.