E Djelë, 10.20.2019, 10:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
EMRI I MAQEDONISË DHE SHQIPTARËT E MAQEDONISË
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 05.14.2013, 01:16pm (GMT+1)


Vizitat që zhvilluan në 8 maj kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti, në SHBA, dhe zëvendëskryeministri i kësaj partie në qeverinë e Maqedonisë për integrimin europian, Fatmir Besimi, në Athinë, intriguan ndezjen e një diskutimi në qarqet diplomatike dhe mediatike në Shkup, Athinë dhe në rajon, lidhur me temën e raportit të faktorit shqiptar në Maqedoni me konfliktin 22-vjeçar për çështjen e emrit. Natyrshëm që, në bisedimet e të dy personaliteteve politike shqiptare nga Shkupi në kryeqytetet përkatëse, do të bënte pjesë në rendin e ditës me bashkëbiseduesit zyrtarë amerikanë dhe grekë dhe çështja e emrit. Në planin publik, të dy personalitetet shqiptare mbajtën qëndrimin e njohur zyrtar për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme nga të dyja palët. Megjithatë, vizitat dhe nuancat e prononcimeve të tyre për çështjen e emrit shkaktuan një tërmet politik e mediatik në Shkup, sepse me sa duket u konsideruan nga isteblishmenti maqedonas si hyrje në një zonë të ndaluar maqedonase.

Debutimi diplomatik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni në çështjen e emrit është një impostim i ri dhe pozitiv i tij. Nuk ka shumë rëndësi nëse ky angazhim diplomatik ka apo nuk ka efekt imediat në formulimin e kompromisit për emrin, nëse ka apo nuk ka të drejtë vetoje partia politike shqiptare në qeverinë e Shkupit për hartimin e politikës së jashtme. Askush nuk pret që personalitet politike shqiptare në Maqedoni të jenë vendimmarrësit e drejtpërdrejtë të një qëndrimi të ri për emrin. Por e rëndësishme është lëvizja që po ndodh në faktorin politik shqiptar, i cili po kupton se drejtimi i shtetit nuk është vetëm të drejtat e njeriut dhe pjesëmarrja në administratë, por statusi shtetformues, që të jep kompetencën e vendimmarrjes në çështjet dhe punët kryesore të shtetit. Pikërisht këtë ndërgjegjësim të faktorit politik shqiptar nuk e shohin me sy të mirë në qarqet politike, qeveritare dhe mediatike maqedonase, të cilët kanë fatkeqësinë të mos e kenë kuptuar ende irealizmin e pretendimit të vjetër të tyre për “Maqedoninë si shtet vetëm i maqedonasve”. Jo rastësisht mediat e lidhura me qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski organizuan një fushatë, e cila kishte në qendër përpjekjen, jo vetëm për të çvleftësuar angazhimin diplomatik të faktorit shqiptar, por edhe presionin për ta mënjanuar atë faktor nga çdo lloj interesimi për gjendjen e marrëdhënieve të shtetit me fqinjët dhe me shtetet e tjera. Madje Ivica Bocevski, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-zëdhënës i qeverisë së Nikolla Gruevskit, në një artikull në gazetën “Nova Makedonija” në 10 maj, shprehej në mënyrë kategorike se “shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse plotësisht të pranojnë dhe të respektojnë qëndrimin e maqedonasve për emrin.

Është e qartë se Greqia në strategjinë e saj luan edhe kartën e keqpërdorimit të shqiptarëve etnikë si një farë "kolone e pestë në Maqedoni”.
Kuptohet qartë se qeveria dhe politika maqedonase kërkojnë të mbajnë larg faktorin shqiptar nga çështja e emrit dhe nga çështje të tjera të karakterit strategjik. Për hir të së vërtetës duhet thënë se dhe partitë politike shqiptare, që kanë marrë pjesë në qeveritë e Shkupit, kanë manifestuar një neglizhencë apo indiferencë për çështjen e emrit dhe e kanë parë atë si një problem që prek vetëm maqedonasit. Janë dashur 20 vjet që të kuptohet se e vërteta është ndryshe dhe se çështja e emrit është një çështje e rëndësishme, që u intereson strategjikisht shqiptarëve, dhe për të cilën ata duhet të kenë zërin dhe votën tyre. Çështja e emrit nuk është thjesht tabelë e identitetit maqedonas, sikundër e paraqet diplomacia e Shkupit në bisedimet me partnerët ndërkombëtarë. Ajo është çështje shtetërore, e cila ka të bëjë me orientimin strategjik të Maqedonisë dhe me drejtimin se ku kërkon qeveria maqedonase ta drejtojë shtetin.

Populli shqiptar në Maqedoni është faktori i dytë më i rëndësishëm demografik, politik dhe shtetëror dhe vetë ekzistenca e Maqedonisë si shtet është rezultat i ekuilibrit të bashkekzistencës dhe të bashkëqeverisjes të të dy popujve. Në këtë kuptim, interesimi dhe pjesëmarrja e faktorit shqiptar në çështjen e emrit diktohet nga disa arsye:

Së pari, emri është çështje e shtetit dhe shqiptarët, duke qenë pjesë e rëndësishme ekzistenciale e atij shteti, kanë të drejtën dhe detyrën të jenë pjesë e vendimeve për zgjidhjen e tij.
Së dyti, partitë politike shqiptare janë pjesë e qeverisë dhe përderisa bisedimet për emrin drejtohen nga qeveria, ata kanë të drejtën të jenë pjesë e procesit për zgjidhjen e konfliktit të emrit. Qeveritë e Maqedonisë, ku kanë qenë pjesë partitë kryesore politike shqiptare, i kanë mënjanuar pothuajse plotësisht shqiptarët nga procesi i formulimit të qëndrimit për çështjen e emrit apo i shprehjes së interesit për atë çështje. Partitë politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre nuk janë përfshirë në procesin diplomatik të bisedimeve dypalëshe për emrin, që zhvillohen prej afro 20 vjetësh mes Shkupit dhe Athinës, nën kujdesin dhe ndërmjetësimin e OKB-së. Nëse një qeveri injoron aleatin me të cilin qeveris në çështje kaq të rëndësishme të marrëdhënieve me shtetet e tjera, siç është konflikti për emrin, kjo do të thotë se ajo qeveri nuk respekton funksionimin dhe marrëveshjen e ekuilibrit delikat të marrëdhënieve ndëretnike në atë shtet.
Së treti, çështja e emrit është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrugën e integrimit atlantik dhe europian të Maqedonisë. Shkupi duhet të kishte marrë ftesën për anëtarësim në NATO që në vitin 2008 në samitin e Bukureshtit, bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Maqedonia po pret që nga viti 2005 të marrë një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, në një kohë që asaj ia kaluan edhe Mali i Zi, edhe Serbia në rrugën e marrjes së kësaj date. Emri është shkaku i bllokimit të integrimit atlantik dhe europian të Maqedonisë dhe kjo është çështje që ka të bëjë me interesat jetike të gjithë qytetarëve të atij shteti. Në këtë kuadër, ky bllokim i stërzgjatur nuk mund të mos shërbejë si një këmbanë e madhe alarmi për partitë politike shqiptare, të cilat kanë përgjegjësi për shtetin, njëlloj si partitë politike maqedonase. Sepse faktori politik shqiptar dhe populli shqiptar në Maqedoni nuk mund të vazhdojnë të jenë të interesuar për një lloj shteti, i cili bën zgjedhjen të qëndrojë jashtë anëtarësimit në NATO dhe në BE, një lloj shteti që zgjedh të qëndrojë si gropë e zezë në Ballkan. Partitë politike shqiptare në Maqedoni, të cilat kanë bërë pjesë me radhë në qeveritë maqedonase, do të duhet të kishin qenë më aktive në drejtim të pjesëmarrjes për çështjen e emrit dhe do të duhej të kishin qenë më aktive në pengimin e hapave të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski për acarimin pothuajse të qëllimshëm të konfliktit për emrin me Greqinë.

Faktori politik shqiptar e ndjen dhe duhet ta ndjejë nevojën e një angazhimi të tij për të kontribuar në zgjidhjen e këtij konflikti të vjetër. Në planin diplomatik, faktori politik shqiptar është më i përshtatshmi për pjesëmarrje në procesin e zgjidhjes së konfliktit për emrin, sepse ai nuk është pjesë e nacionalizmit dhe radikalizmit maqedonas, i cili çështjen e emrit e ka shndërruar në një instrument elektoral, politik dhe pushtetor në Shkup. Kryeministri Nikolla Gruevski, gjatë gjithë kohës që është në pushtet ka përdorur këtë kartë nacionaliste të emrit dhe të acarimit të marrëdhënieve me Greqinë, me qëllim që të sigurojë mbështetje për pushtetin e tij, edhe me çmimin e stanjacionit të integrimit euroatlantik të vendit. Nuk është rastësi që qeverisja e kryeministrit Gruevski është periudha e acarimit më të madh të klimës mes dy shteteve në gjithë historinë e marrëdhënieve dypalëshe, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Programet dhe ëndrrat fantastiko-shkencore me pretendime të historisë dhe të personaliteteve të shteteve të tjera, që kanë ekzistuar njëmijë vjet para se sllavët të zbarkonin në Ballkan, nuk mund të klasifikohen ndryshe, veçse artifise shtetërore për të bllokuar bisedimet dhe integrimin e vendit në NATO dhe në BE. Dhe që qeveria e Nikolla Gruevskit ndjek me sa duket një axhendë të programuar të bllokimit të integrimit euroatlantik, e tregon fakti se ajo ka acaruar marrëdhëniet edhe me Bullgarinë, e cila i është bashkëngjitur edhe ajo tashmë qëndrimit të Greqisë për të bllokuar pranimin në NATO dhe në BE, derisa Shkupi të heqë dorë nga përvetësimi i historisë së shteteve fqinj.

Në një situatë të tillë, është e natyrshme që faktori ndërkombëtar, SHBA, NATO dhe BE, të përpiqen të gjejnë mënyra dhe rrugë për ta nxitur zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ali Ahmeti deklaroi në 9 maj se të gjitha takimet e tij në Uashington kanë qenë në drejtim të nxitjes që të gjendet zgjidhja me kompromis për kontestin me Greqinë. Ka një domethënie të qartë diplomatike, fakti që Ali Ahmeti pati në Nju Jork drekë pune me ndërmjetësin amerikan të OKB për emrin, Metju Nimic dhe takime të njëpasnjëshme me ambasadorët e SHBA, të Britanisë së Madhe dhe të Francës, të akredituar në OKB. Në këtë kuadër, SHBA, NATO dhe BE e kuptojnë, madje më mirë se shqiptarët, rëndësinë e aktivizimit të faktorit politik shqiptar në çështjet e diplomacisë dhe të politikës së jashtme të Shkupit. Mesazhi që ata i dërgojnë Shkupit, me aktivizimin diplomatik të faktorit politik shqiptar, është domethënës. Nëse Uashingtoni, Brukseli dhe Athina kanë bindjen se është bërë e nevojshme përfshirja e faktorit shqiptar në çështjen e emrit, kjo është shenjë e vendosmërisë të tyre për integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Nëse faktori
diplomatik ndërkombëtar ka bindjen se faktori politik shqiptar duhet të jetë më aktiv dhe të luajë rolin e tij në formulimin e drejtë properëndimor të qëndrimeve qeveritare në Shkup, kjo duhet vlerësuar si zhvillim i ri pozitiv.

Është e rëndësishme që faktori politik shqiptar në Maqedoni të ndërgjegjësohet se ka ardhur koha, dhe madje ka kaluar, kur shqiptarët duhet të jenë pjesë e çdo vendimi dhe zgjidhje shtetërore, që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë.

Faktori politik shqiptar nuk mund ta quajë të kryer rolin dhe misionin e tij historik, nëse nuk përpiqet që të fitojë pozitën kushtetuese, që i takon, në vendimmarrjen e punëve shtetërore në Maqedoni. Dhe politika e jashtme është një nga shtyllat dhe treguesit kryesorë të rolit vendimmarrës të barabartë të të dy popujve, që përbëjnë një shtet si Maqedonia.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REZOLUTA ÇAME U TRADHTUA PЁR TЁ DYTЁN HERЁNga RASIM BEBO, Addison /Çikago (05.14.2013)
ERNEST KOLIQI –110 VJETORI I LINDJESNga FRANK SHKRELI (05.14.2013)
MALI I ZI E DON PLAVË-GUCINË PA SHQIPTARËNga RAMIZ LUSHAJ (05.13.2013)
RRUGA E ARBRIT DUHET TË PËRFUNDOHETLetër e hapur z Bujar Nishanit, President i Republikës së ShqipërisëNga Dr. GËZIM ALPION (05.13.2013)
AMERIKA PËR ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT NË SHQIPËRINga FRANK SHKRELI (05.11.2013)
MONOLOG PAS ZYRTARIZIMIT TË LISTAVE - QAJ FACEBOOK ME LOTË PËRPJETËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (05.10.2013)
''JU FLET ZËRI I AMERIKËS''Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-sNga FRANK SHKRELI* (05.09.2013)
DRITËHIJET E LISTAVENga AFRIM KRASNIQI (05.08.2013)
PS 'MEA CULPA' I OFRON SHKODRËS DY INTELEKTUALËAnalizë nga REDAN BUSHATI (05.06.2013)
ËSHTË NJË ITALI QË DËSHIRON TË ËNDËRROJËNga ROBERTO SAVIANO, La Repubblica (05.05.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]