VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA SHËNON JAVËN E TOLERANCËS
Nga FRANK SHKRELI

E Martë, 05.21.2013, 06:40am (GMT1)



Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës në portalin e saj njofton se nga 20-26 Maj, në Kosovë zhvillon punimet Java e Tolerancës dhe Pajtimit. Takimet në Prishtinë, përfshijnë një numër evenimentesh ku do të marrin pjesë përfaqsues komunitetesh dhe udhëheqës nga mbarë bota me qëllim për të zhvilluar një dialog pozitiv dhe të hapur midis tyre. Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se në takimet e Prishtinës, këtë javë, do të marrin pjesë më shumë se 300 mysafirë nga pothuaj 50 shtete nga pesë kontinente. Thuhet gjithashtu se respekti dhe mirëkuptimi midis komuniteteve është një përparësi e rëndësishme për Kosovën, sidomos kur të merret parasyshë historia e viteve të fundit.
Objektivi i konferencës ndërkombëtare, sipas organizuesve që përfshijnë, ndër të tjera --Ministrinë e Jashtme të Kosovës, Fondacionin Tony Blair, Fondin e OKB-së për Zhvillim dhe Këshillin Britanik të Kosovës është që ti kontribojë dialogut botëror ndër-fetar dhe të ndihmojë drejtë pajtimit mbrenda Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit, duke venë në dukje se feja është diçka që mund të shërbejë si një fuqi bashkuese dhe jo përçarëse.Në emër të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri deklaroi se, "Ne, si parlament, me interesim të veçantë po i presim takimet e shumta që do të shënojnë vlerat tradicionale të tolerancës të popullit paqëdashës të Kosovës'' dhe shtoi se, "Java e Tolerancës" do të bashkojë liderë botërorë në Kosovë, duke konfirmuar dëshirën tonë për të dhënë një kontribut për paqën dhe pajtimin global."

Në emër të qeverisë së Kosovës, Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi në një deklaratë u shpreh se mirëpret, "liderët ndërkombëtarë fetarë dhe vizitorët të cilët do të në bashkohen që të shohin nga afër se Kosova është laike për nga karakteri i saj, dhe se ka një respekt të madh për diversitetin dhe dialogun." Zevendës ministri i jashtëm i Kosovës shtoi duke thënë se, "Shumica e njerëzve anembanë botës dinë për luftën e Kosovës. Por ata nuk e dinë se komunitetet fetare kanë jetuar këtu së bashku në paqë për shumë breza me radhë. Trashëgimia jonë kulturore ka marrë formë nga ky diversitet, i cili përfshinë edhe myslimanët, katolikët, ortodoksët dhe hebrenjtë. Xhamitë dhe kishat mund gjenden pranë njëra tjetrës në shumë qytete tona. Jemi të angazhuar për dialog ndërfetar dhe për respekt për të gjithë", deklaroi zyrtari i lartë i Kosovës, para fillimit të Javës së Tolerancës në Kosovë.

I përndershmi Donald Reeves nga organizata bamirëse e Britanisë së Madhe "Soul of Europe", (Shpirti i Europës) dhe njëkohësisht edhe koordinuesi i Javës së Tolerancës në Kosovë, tha se organizata e tij, "është krenare që mbështetë këtë takim unik botëror në Kosovë", që sipas tij, " do të jetë i një rëndësie të veçantë për debatin bashkëkohor mbi fenë dhe tolerancën. Jemi shumë të kënaqur që po punojmë së bashku me institucionet e Kosovës për të mundësuar një debat të tillë progresiv mbi këto tema", shtoi ai. Sipas Donald Reeves, organizata "Soul of Europe", e themeluar në vitin 2000 përpiqet që në misjonin e saj të realizojë fjalët e Nelson Mandelës, i cili ka thënë se, "Paqëja nuk arrihet duke folur me miqët e tu: është e nevojshme që të bëjshë paqë me armiqtë e tu".

Gjatë Javës së Tolerancës, Prishtina do të marrë Gurin e Paqës, duke iu bashkuar kështu grupit të qyteteve që në të kaluarën kanë nderuar viktimat e luftës, me hapësirën kushtuar atyre, dhe me urime për një botë më paqësore, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Ky gjest simbolik është përcjellur nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në të gjithë globin. Sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme të Kosovës, Guri i Paqës do të vendoset në Muzeun Kombëtar të Kosovës me pjesmarrjen e Presidentes Atifete Jahjaga, zëvendësministrit të Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa.

Njoftohet gjithashtu se Kryeminisitri Hashim Thaçi do të inaugurojë Monumentin e Holokaustit në vendin ku ndodhej dikurë sinagoga hebreje e fundit në Prishtinë, vend i cili do të shëndërrohet në një rikujtim të përhershëm i pranisë së rëndësishme të komunitetit të vogël hebraik të Kosovës. Kosova gjithashtu do të ndajë me të pjesëmarrësit ndërkombëtarë kodin shqiptar të Besës ose "të nderit", në bazë të të cilit shqiptarët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fund të javës, takimi i dhjetë jubilar i Grupit të Mëngjesit të Lutjeve të Evropës Juglindore (Lutja Kombëtare e Mëngjesit) do të organizohet në Prishtinë nga Kuvendi i Kosovës, nga 24-26 Maj, në të cilin gjithashtu do të marrin pjesë udhëheqsit e Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe udhëheqsi i opozitës, Isa Mustafa.

Konferenca ndërfetare e cila do të zhvillohet në Pejë, nga 24-26 maj, -- si pjesë e Javës së Tolerancës -- do të jetë gjithashtu një forum i rëndësishëm për debat dhe dialog kritik për çështjet ndërfetare në Kosovë. Ministri i Jashtëm Hoxhaj, së bashku me organizatat ekumenike nga Kosova dhe Britania e Madhe, do të presin mysafirët, duke përfshirë edhe udhëheqsit e komuniteteve fetare dhe ekspertë nga 42 shtete, të cilët pritet të bisedojnë mbi çështjet e dialogut ndërfetar në Evropë dhe në botë.

Toleranca dhe pajtimi janë të rëndësishme për paqën në botë por edhe për yhvillimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë dhe pa dallim. Njerzit nga natyra nuk janë tolerantë ndaj personave që janë ndryshe , qoftë nga pikëpamja etnike, racore ose fetare. Por për fat të mirë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, bota ka pasur individë me karkater dhe të dedikuar ndaj realizimit të drejtësisë dhe barazisë. Edhe organizuesit e Javës së Tolerancës në Kosovë, përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe qeveritare të Kosovës, janë një frymëzim për të gjithë, por nënvijon edhe faktin se shqiptarët gjithmonë gjatë historisë nuk kanë okupuar as nuk kanë sulmuar popujt me të cilët kanë jetuar në Ballkan, përkundrazi, shqiptarët siç ve në dukje edhe gatishmëria e tyre për të mbajtur në Kosovë një eveniment të tillë, tregon se ata nuk janë diskriminues në baza fetare dhe etnike dhe se janë tolerantë ndaj kulturave dhe kombësive të ndryshme që jetojnë me ta ose në periferi. Për të gjithë duhet të jetë e qartë se toleranca dhe pajtimi, jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivel politik e fetar kombëtar, rezulton në një shoqëri më të drejtë, më të paqë dhe më të barbartë.

Nelson Mandela, një njeri i diskriminuar dhe i abuzuar dhe i cili me dekada u burgos nga regjimi racist i Afrikës së Jugut, dhe i cili më vonë u bë president i atij vendi, në autobiografinë e tij, "Udha e Gjatë drejtë Lirisë", thotë se, "askush nga natyra nuk lind të urrej të tjetrin për arsye të ngjyrës së lëkurës, për arsye etnike ose fetare. Njerzit mësojnë të urrejnë të tjerët, dhe nëqoftse ata mësojnë të urrejnë të tjerët që janë ndryshe nga ata, atëherë ata mund të mësohen të dashurojnë, sepse dashuria është më e natyrshme për zemrën e njeriut se sa urrejtja."

Java e Tolerancës në Kosovë që filloi dje punimet në Prishtinë, është një fillim i mirë, jo vetëm për ti treguar botës tolerancën e shqiptarve, madje edhe ndaj atyre që nuk janë treguar tolerantë ndaj tyre, por është njëkohsisht edhe një ngjarje me rëndësi për të avancuar kauzën e drejtësisë, dialogut ndërkombëtar dhe zhvilimit rajonal. Për këtë ndërmarrje, qeveria dhe shteti i Kosovës si dhe sponsorizuesit, meritojnë falenderimet e të gjithëve.


FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.