VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ndaj e kuptoj Zef Skiroin!
PENDESA QË VETËVONOHET AS TEK ZOTI NUK PRANOHET
Nga LEBIT MURTISHI

E Premte, 05.24.2013, 10:23am (GMT1)




Analogjitë historike, sado larg nga njëra-tjetra, afrohen, madje njësohen, përmes tiparesh e ngjyrimesh të një dore dhe një kallëpi. Mund të pendohesh pas vetëhelmimit, por kjo s`e ndal efektin vrasës, duhej me kohë të njohësh helmin. Pendesa që vetëvonohet as tek Zoti nuk pranohet...

***

Ç`fituam ne shqiptarët nga shembja e Jugosllavisë!..Fituam ndërrim padronësh, së paku mos jetë i pari, së paku të jetë ,,i ndryshëm"...Logjika e robit është fatkeqe, është frenuese, dhe mund të jetë edhe fatale poqe se gjen aq hapësirë sa të helmojë gjithë kolektivin.

***

Entuziazmi i çlirimit të një pjese Shqipërie (Kosovës) s`duhet të zgjasë pafundësisht, sa mos të shohim as përtej hundës ç`po ngjet rreth nesh e ç`po ngjet me ne. Edhe Kosova e plagosur po hiqet zvarrë, pa ditur sa e me çfarë çmimi do ta paguajë një copë liri. Pjesët tjera vazhdojnë të shtypen, vazhdojnë të zbrazen nga brezi i ri, vazhdojnë të vdesin pa zot shtëpie...Faktorë të njëjtë na rrijnë mbi kokë si në kohët që mbetën ,,prapa". Mjeshtër të njëjtë antishqiptarë, vegla të njëjta antishqiptare, vazhdojnë të ,,presin" rrobe të ngushta për trupin tonë të ,,paformuar". S`është pesimizëm e vërteta, e vërteta është ilaç i alarmeve të heshtur. Jam optimist, por jo gjithëherë me ngjyrë të blertë, më pëlqen dhe ngjyrë e kuqe; ndalja, heshtja, analiza...

***

Deri dje, nën sistemin ,,komunist", vetëqeverisës, s`kishim vende nëpër shkolla, ndërsa sot, nën sistemet ,,demokratike", kemi ,,shkolla" analfabetësh, që një ditë do t`i paguajmë; pak më vonë, por shumë më shtrenjtë!

Deri dje s`kishim punë, kishim dhunë, gjak e burgje, ndërsa sot, nën sistemet ,,demokratike", kemi uri, kemi mjerim, kemi zbrazje të Atdheut dhe kërcënime ,,demokratike",nëse kërkojmë zgjidhje tjera nga këto të vetëzhdukjes...

Deri dje qëndruam mirë, ndërsa sot vdesim në gjumë. Ndaj e kuptoj Zef Skiroin tek mallkonte Garibaldin për,, lirinë" që ua solli ( natyrisht me gjak prej Arbëri), dhe fjalët e tij të dhimbshme ,,Ishim më mirë kur ishim më keq"...

L. Murtishi
23.05.13


LEBIT MURTISHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.