VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ZGJEDHJE MES PARTISH TË MAJTA NË NJË DEMOKRACI E LIRI TË ASFIKSUARNga ROMEO GURAKUQI, Instituti i Historisë Bashkëkohore Universiteti Europian i Tiranës

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 10:59pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ZGJEDHJE MES PARTISH TË MAJTA NË NJË DEMOKRACI E LIRI TË ASFIKSUAR
Nga ROMEO GURAKUQI, Instituti i Historisë Bashkëkohore Universiteti Europian i Tiranës

E Hënë, 05.27.2013, 03:53pm (GMT+1)




Një betejë mes partish thelbësisht të majta do ta konsideroja betejën më të fundit elektorale për 23 qershorin 2013.  Forcat liberale, demokratike, proeuropiane dhe jokomuniste janë të papërfaqësuara, munguese, të dobëta, të dëmtuara dhe të asfiksuara, pa qenë në gjendje të ndërtojnë një alternativë në përkrahje të interesave të qytetarit, të tillë që do të demaskonte këtë përplasje të këtyre dy blloqeve me përmbajtje shumë të ndërlikuar sociale, politike, ideologjike, kulturore e krahinariste. Hapësira e lirisë, e ripërtëritjes qytetare, e kulturës demokratike perëndimore dhe e ndërlidhjes me shtyllat politike të Shqipërisë paradiktatoriale, ka qenë aq e ngushtë dhe aq e kontrolluar, sa nuk mundësoi dot lindjen e një Shqipërie të re të qytetarëve, që autokorrigjon të keqen dhe hap rrugën e progresit. Kjo hapësirë e lirisë ka qenë e tillë, sa nuk lejoi lindjen e të paktën një partie politike me thelb jo komunist dhe me frymëzim të pastër liberal dhe demokratik.

Tatëpjetë dhe Rimarrje

Ekziston frika se pas tatëpjetës së shtetit demokratik do të pasojë revanshi punist, që, në vend të përpjekjes për rrotacion demokratik dhe shërim funksional të institucioneve, të rizgjimit të lirisë, jetës demokratike, ringjalljes së ekonomisë, ka konceptuar në zemrën e vet të etur për pushtet një rimarrje pa ide, pa shpirt dhe pa koncept skemash shëruese.

22 vite nuk mjaftuan që Shqipëria të prodhonte një shtet të konsoliduar, me një demokraci funksionale dhe me mekanizëm të përshtatshëm që të siguronte rrjedhën e sigurt të lirisë. Shqipëria është një vend në të cilin diktatura shterpëzoi për 50 vite idetë racionale që mbajnë të bashkuar një komb: patriotizmin e bazuar në lirinë e pluralizmin politik dhe ideologjik, përkatësinë në një shtet me institucione të përbashkëta laike dhe shekullare, marrëveshjen tonë shoqërore dhe komunitare, mbi bazën e së cilës etërit e kombit themeluan këtë vend, në pikëpamje filozofike dhe juridike; lirinë personale dhe kombëtare dhe kulturën demokratike. Por ky vend, edhe në këto dy dekada transicion, nuk e pati dot forcën korrigjuese për të shëruar dëmtimin e djeshëm, për të orientuar filozofinë drejtuese drejt europianizimit të mirëfilltë dhe për të mbrojtur shtetin dhe shoqërinë. Kësisoj, Shqipëria gjendet me dhjetëra vite mbrapa Europës Perëndimore, Qendrore e madje edhe vendeve të Europës Lindore postkomuniste.

Vetë liria, stabiliteti demokratik, stabiliteti i shtetit gjenden të rrezikuara, për shkak se protagonistët e politikës shqiptare, para së gjithash dy partitë kryesore politike të prejardhura nga PPSH, pasi shkatërruan çdo ringritje demokratike jokomuniste, nuk ndërtuan dot një tërësi interesash të përbashkët nacionalë dhe shtetërorë të pacenueshëm të Shqipërisë së re. Ata po e plaçkisin prej dekadash materialisht shtetin dhe pasurinë shoqërore, po dëmtojnë shtyllat bazore juridike të mbajtjes në këmbë të Kushtetutës, kanë asfiksuar lirinë, dhunuar pronën private, çoroditur të drejtën, duke lënë të pambrojtur qytetarin e thjeshtë para krimit të rrugës. Aktualisht ata po përgatiten për një betejë finale, në mendjen e tyre, për jetë apo vdekje, që mund të çojë vendin në një anarki totale me pasoja të pariparueshme. Një skenar i kobshëm ky mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Është vetëm beteja mes falangave të vjetra dhe të reja të komunizmit dhe nënprodukteve të tij ilegale të transicionit, për mbisundimin e radhës në Shqipërinë e mjeruar, por që këtë radhë e kanë përnjëmend dëmtimin e Shtetit.

Racionaliteti i munguar dhe mungesa e përgjegjshmërisë ndaj shtetit, qëndresa irracionale për të mbajtur me çdo kusht pushtet e etja për revansh, inati primitiv krahinarist dhe qasja e zgjedhur për t'iu përgjigjur diletantizmit pozitar me papjekuri revanshiste e po aq diletante opozitare, janë dy anë të së njëjtës medalje, bashkudhëtare të përpjekjes antidemokratike për qëndresë dhe rimarrje anarkiste, që ndërron vend herë pas here. Ajo përplasje po fut në qorrsokakët e absurdit institucionet e pavarura dhe po kontribuon, përveçse në prishjen e procesit zgjedhor, edhe në shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë dhe kthimin mbrapa të atyre pak privilegjeve që qytetari i thjeshtë shqiptar përfitoi në kohët e fundit nga drita e gjelbër që i hapi Europa vullnetmirë, me mbështetjen e fuqishme të SHBA për lirinë e popullit shqiptar.

Pavarësisht nga vetetiketimi si parti e djathtë, partia e pushtetit të sotëm nuk arriti dot të shkojë dot as në qendër nga e majta e saj thelbësore e fillesës, nuk arriti as të ripërtërijë në boshtin e saj orientues, filozofinë politike dhe sjelljen publike të promovuar nga etërit e liberal-demokracisë shqiptare: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Sulejman Delvina, Xhemal Bushati, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Lef Nosi, Shuk Gurakuqi, Kolë Tromara, Dhimitër Berati, Avni Rustemi, Ahmet Dakli, Dr. Sezai Çomo, Sait Qemali, Koço Gramenon etj., nuk arriti të respektojë paritë e formueme qytetare dhe intelektuale. Disa burime njerëzore jo komuniste në gjirin e vet dhe disa reforma politike në të mirë të shtresës së të persekutuarve politikë dhe shoqërisë së traditës shqiptare të palidhur me diktaturën, kanë qenë të pamjaftueshme për ta zhvendosun atë drejt një impostimi të qëndrueshëm në qendër dhe në qendrën e djathtë. Vuajtjet e sotme janë produkt pikërisht i mungesës së kësaj filozofie drejtuese politike që ka prodhuar vetëm sjellje të padenja për demokracinë qytetare, dhunim të pushteteve të pavaruna dhe goditje për shtetin e lirë.
Në qoftë se deri më datë 1 prill 2013 opozita mbartte në vetvete elemente idealiste për rilindje të mirëfilltë të shtetit, ligjit, rendit e lirisë dhe përpjekja ngjante më shumë me një rrotacion normal, bashkësia themelore e tempit ishte rinia idealiste që synon demokratizim të mirëfilltë, pas bashkimit me partinë e pardjeshme të pushtetit, koalicioni mori tipare revanshiste dhe bashkësia ka marrë tjetër temp dhe theks. Forcën e morën ish-servitorët e bllokmenëve, adhurues të hapur dhe të fshehur të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë dhe figurave të ditës së djeshme të Shqipërisë; një pjesë e klasës intelektuale e prodhuar nën regjimin e sipërpërmendur, kanë lënë mënjanë "maturinë analitike" të periudhës së qeverisjes së përbashkët në mes PD dhe LSI, dhe janë kthyer në tifozllëkun e hapur për trashëgimtarët e Ancient Regime dhe në thirrje për rimarrje. Intelektualët simpatizantë kanë humbur baraspeshën dhe kthjelltësinë për gjykim të drejtë e të paanshëm të realitetit të mjeruar të vendit tonë sot, kanë humbur guximin elementar edhe për të pyetur në intervista liderin e së majtës (skena që ishim mësuar t'i shihnim vetëm nga pushteti), duke manipuluar dhe "gjetur arsye" për çdo gjë të paarsyeshme dhe jo të moralshme në pikëpamje politike. Në këtë revansh nuk mund të mos mungonin ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët shpejtuan të hyjnë sërish në listat zgjedhore. Në fund të rreshtimit gjenden edhe militantët fanatikë dhe shtresat e vorfna, që vihen në rresht, thjesht prej padijes e pasigurisë për të ardhmen e tyre. Forcat liberale, demokratike dhe mirëfilli socialiste brenda së majtës, që mendonin një rilindje të vërtetë të shtetit, të lirisë dhe demokracisë, të rinjtë e lirë të Shqipërisë së sotme ose janë margjinalizuar dhe lënë mënjanë, ose i ka marrë turma përpara dhe shkrirë brenda zjarrit euforik dhe entuziast të koalicionit të sajuar me shpejtësi më 1 prill 2013. Dhe ky koalicion ideologjiko-materialist harron se më 24 qershor edhe mund të zhgënjehet prej forcës së një pushteti qëndrestar, indiferentizmit të një elektorati të lodhur tej mase dhe një procesi zgjedhor, që mund të rezultojë një dështim spektakolar i radhës për Shqipërinë.

Entuziazmi i mobilizmit në opozitë për fillimin e një "epoke të re" po vepron e ndihmon (në vend që opozita të kryejë të kundërtën çfarë ajo vetë e konsideron negative) në sensin e shkatërrimit të legjitimitetit institucional, kundrejt respektimit të interesave të qytetarëve të thjeshtë dhe të heshtur, që përbëjnë, sipas statistikave të paanshme, gati gjysmën e elektoratit shqiptar. Disbalanca institucionale nuk korrigjohet duke ndihmuar në thellimin e asaj rruge të nisur nga pozita dhe me goditjen vdekjeprurëse ndaj vetë institucioneve, por në shembullin e qasjen korrigjuese. Disbalancës dhe dëmtimit institucional të Republikës, etja për revansh, i është përgjigjur jo me ndërtim dhe bashkëveprim patriotik, por me meskinitet, pa asnjë plan shërues të institucioneve, pa një ekip intelektualësh të mirëfilltë dhe jo të stisur e të bazuar në forcën e muskujve, veç me fjalë të përgjithshme që gënjejnë vetëm pjesën e paftilluar të shoqërisë së traumatizuar shqiptare, duke kontribuar kësisoj në shkatërrimin edhe të asaj çfarë ka mbetur nga institucionet e një shteti demokratik dhe prej aspiratës për liri të mirëfilltë.

Në qoftë se do të duhej të përkufizohej sjellja politike e opozitës shqiptare, në kaosin e krijuar në Republikë nga prilli e këndej së paku, do më duhet të përcaktoja se ajo sjellje është e privuar në thelbin praktik nga filozofia liberal-demokratike, nga hapja e saj ndaj shoqërisë civile, intelektualëve, njëmendësisht ndaj ish-të persekutuarve, grupeve të caktuara sociale dhe krahinore dhe nga qasja e ndërtimit të një shteti të përkujdesit social e të balancuar krahinarisht. Kjo sepse filozofia liberale dhe sjellja demokratike janë munguese, sjellja sociale e qeverisë së nesërme e pasaktësuar, kujdesi për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë është zëvendësuar me një kujdes për aleancë me pasanikët e rinj parazitarë dhe jo transparentë; qasja e opozitës është e mbarsur me një potencial anarkist rimarrjeje, udhërrëfyer nga një diletantizëm fëmijëror të rinjsh entuziastë që kërkojnë të rehabilitojnë hipotetikisht pararendësit e dhunshëm, mungesë llogaritjeje taktike dhe një mobilizim tipik militant partizan:

1.Opozita nuk ka propozuar ende asnjë platformë shkencërisht të menduar, për të rregulluar shtetin, institucionet, për të krijuar një drejtqeverisje me pushtet sovran, një drejtësi të përshtatur dhe përafruar me ligjin, por veç ka folur përçart, pa skema sistemuese të bazuara në logjikën e rrjedhave politike e institucionale të vendit dhe mbi një teori të pranueshme nga profesionistët. Vetë programi i Rilindjes është një amalgamë inkoherente që nuk shëron asgjë, është i mbushur me përshkrime të sipërfaqshme dhe i privuar nga analizat e thelluara të sistemit.

2. Se sa diletante janë sloganet e përdorura, mjafton të kujtojmë propozimin për ndarjen e postit të deputetit me atë të anëtarit të ekzekutivit. Opozita duhet të kuptojë se ndarja e pushteteve është produkt jo i nismave individuale dhe pjesore partiake për sistemimin e tërësisë së burimeve njerëzore kontributore të saj nesër në pushtet, por për shkak se kjo ndarje e qartë është kushti themelor që një vend të ketë një Kushtetutë funksionale dhe shtet ligjor. Kjo ndarje vjen si pasojë e një rindërtimi tërësor të Kushtetutës. Ajo ndarje nuk vjen si rezultat i një marrëveshjeje propagandistike, as edhe si një propozim politik partiak, por për shkak të një ndryshimi në sistemin konstitucional, që do të duhet të shoqërohet me një numër ndryshimesh të tjera zinxhir. Këto ndryshime as nuk dihen dhe as nuk kuptohen në këtë fazë nga drejtuesi i opozitës që i ka propozuar. Por ai nuk duhet të harrojë që për postin që mban dhe për përgjegjësinë ndaj të gjithë publikut, do të duhet t'i njohë mirë dhe artikulojë deri në fund, qartë dhe prerë, sot. Kur do ta kuptojë dhe ta artikulojë opozita që Kushtetuta duhet ndryshuar, përmirësuar brenda sistemit parlamentar? Që sistemi zgjedhor i Shqipërisë është i papërputhshëm me formën e shtetit tonë unitar dhe me nevojën urgjente për krijim shumicash të qëndrueshme parlamentare jo fluide?

3.Opozita duhet të kuptojë mirë edhe atëherë kur pozita nuk kupton, nuk toleron e saboton, se rregullimi dhe rikthimi në normalitet i KQZ është në interes të qytetarit të thjeshtë, në interes të shtetit dhe në interes të rikthimit të sovranitetit të autoriteteve publike. Duke bërë pjesën tënde në shkatërrimin e institucionit të arbitrit të procesit zgjedhor, ke kontribuar edhe ti, në mënyrën që din nga pararendësit politikë, në bllokimin e kanalit të rregullt demokratik të vendosjes së sovranitetit dhe legjitimitetit të shtetit.

4. Mungesa e përgatitjes profesionale për me administrue cilësisht një shtet, për shkak të vorfnisë së qartë në burimet njerëzore të aktivizueme. Sjellja sektare në komunikimin me forcat e mirëfillta intelektuale dhe këndvështrimi i ngushtë dhe jo i hapur ndaj administrimit të sferës publike është një karakteristike e dallueshme e opozitës aktuale shqiptare, që në këtë pikë ngjason me sjelljen e deritanishme të pozitës, që kanë rrënuar, larguar dhe izoluar në mënyrë të barabartë çdo ekspertizë dhe konsultim të vlefshëm brenda linjave të brendshme politike.

5. Opozita po tenton të vijë në pushtet pa u kërkuar ende falje të persekutuarve politikë në tërësi dhe Shkodrës dhe Shqipërisë Veriperëndimore në veçanti, për shtypjen, dhunën, terrorin dhe gjenocidin që pararendësja e saj shpirtërore dhe juridike, PPSH, ka ushtruar mbi këtë pjesë të pandarë të shoqërisë shqiptare, nga data 29 nëntor 1944 deri mëe 2 prill 1991. Një forcë e vërtetë rilindëse, liberale dhe demokratike, nuk mundet të heshtë dhe të mbajë të fshehur në ndërgjegjen e vet, edhe më tutje në misionin europianizues, peshën e errët të memories së saj të hershme politike. Një forcë politike rilindëse, e drejtuar nga një lider që pretendon se është rritur me dashurinë për Shkodrën, nuk mund të ndërtonte në atë formë përfaqësinë politikë të qytetit sot, që është drejtuar historikisht nga një parësi e mendjes, e qytetarisë dhe e lirisë, duke imituar në këtë mënyrë sjelljen tradicionale të pozitës. Një forcë e vërtetë rilindëse e pastërtisë së shtetit, nuk mundet të heshtë për procesin e hapjes së dosjeve dhe pastrimit (lustracionit) të politikës nga bashkëpunëtorët e ish-Policisë së fshehtë. Përndryshe, një lëvizje rimarrëse pa ideal liberal demokratik është e denjë për ta kamufluar, fshehur dhe lënë edhe më tutje në harresë detyrimin moral për të kërkuar falje publike dhe për të bërë lustracionin e studiuar të Parlamentit të ardhshëm e të shoqërisë shqiptare, para procesit integrues në Europë. BE së shpejti mund ta kushtëzojë integrimin me lustracionin, e partitë politike shqiptare janë të papërgatitura për ta përballuar këtë sfidë.

Roli i arbitrit i Kreut të Shtetit

Vendi ndodhet në një impasse institucional, ndër të tjera, për shkak të dëmtimit gati të plotë të institucionit që do të duhet garantojë procesin e lirë, të barabartë dhe të ndershëm zgjedhor, KQZ (në fakt ai institucion është dëmtuar në fillesë, kur është rënë në një mendje nga palët që të emërojnë përfaqësues partish, në vend të përfaqësuesve të paanshëm që do të garantonin rrjedhën e lirë dhe ligjore të sovranitetit dhe vullnetit të popullit). Vendi ndodhet, në pamje të parë, pa asnjë ndërmjetësues të brendshëm institucional, midis palëve pjesëmarrëse në atë çfarë mund të konsiderohet pa frikë një luftë e ftohtë politike; pa një nismëtar të brendshëm, për negocim të paanshëm midis palëve.

Pyetja që bëhet, është: kush e mbron qytetarin dhe interesin e publikut në këtë rast nga pikëpamja konstitucionale? Në një republikë parlamentare me president korrektiv, në lojë automatikisht hyn Kreu i Shtetit. Rasti i republikës italiane edhe në krizën e fundit është qartësisht shembullor.

Po çfarë ndodh në rastin e Republikës parlamentare të Shqipërisë? Ajo është konstitucionalisht e ndërtuar si republikë parlamentare me një Figurehead President, d.m.th. një Kushtetutë që postin e Kreut të Shtetit e ka ndërtuar të jetë krejtësisht formal. Por megjithatë, edhe Kushtetuta jonë e cunguar nga papërgjegjësia e vitit 2008, e ka ngarkuar Kreun e Shtetit me përfaqësimin e unitetit të popullit dhe e ka detyruar atë të bëjë një betim sublim, mbi bazën e së cilit, ai, ndër të tjera, është i detyruar të respektojë të drejtat dhe liritë e shtetasve (po kërcënohet një prej lirive: e drejta e zgjedhjeve të lira, të barabarta, të drejtpërdrejta dhe ndershmëria e procesit për shkak të shkatërrimit të arbitrit, gjë që mund të çojë në deformim të sovranitetit dhe në kërcënim të sigurisë publike për shkak të trazirës që mbart) dhe t'i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar (çfarë i kërkon Presidentit të ndërhyjë për ndërmjetësim, thirrje me anë mesazheve e thirrje të tavolinave punuese; Ai mund të kërkojë të dhëna me shkrim nga institucionet shtetërore, dhe të nxisë veprimin korrigjues mes palëve të konfliktuara, në interes të popullit dhe mbrojtjes së lirive të tij).

Para së gjithash, situata e ndezur politike po vendos në rrezik sigurinë kombëtare. Në cilësinë e kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti i Republikës nuk mund të qëndrojë më pasiv dhe nuk mund të mos thërrasë mbledhje urgjente të këtij institucioni. Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, një zotëri shumë i respektuar, për shkak të sjelljes së përhershme konform etikës e komunikimit shembullor politik, në rastin konkret, ndodhet në pozita mosvepruese, nga të cilat ai do të duhet të dalë menjëherë, mbasi përndryshe do të gjendet në vijimësi të përsëritur, në shkelje të betimit presidencial dhe krejtësisht i shkëputur ndaj interesave të qytetarit të thjeshtë, që ka nevojë për zgjidhje e për stabilitet politik dhe rendor. Rastet e qëndrimeve pasive të Kreut të Shtetit, në janarin e vitit 2011, nuk duhet të përbëjnë më një precedent justifikues për sjelljen presidenciale në vitin 2013, kur Shqipëria po vlon më shumë se kurrë dhe kur shteti dhe jeta e qytetarit është në një tronditje të thellë dhe para të panjohurave. Të hënën mblidhet Parlamenti dhe sot Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk mund të heshtë më, por duhet t'u kërkojë palëve rivendosjen në përmasë të plotë të Arbitrit të Zgjedhjeve.

Lustracioni i politikës shqiptare, barazia në votim, një listë e besueshme elektorale e mirëkontrolluar që do të mundësonte votimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të larguar nga viti 1990 e këndej, garancia e procesit zgjedhor dhe e numërimit të drejtë dhe të saktë të votave të qytetarëve shqiptarë, do t'i jepnin një shans të ri ndryshimit reformativ të Shqipërisë, do të hapnin një akses bazor për forcat e mirëfillta jokomuniste liberal demokratike, do të largonin nga politika falangat e së djeshmes dhe do të përbënte një hap të rëndësishëm europianizues dhe qytetarizues të shoqërisë sonë politike, të sëmurë rëndë dhe para një udhëkryqi që mund të jetë përndryshe dramatik dhe rrënues.


ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MARRËVESHJA E PARTNERITETIT STRATEGJIK SERBI-RUSINga SHABAN MURATI (05.27.2013)
ROLI I MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALENga FRANK SHKRELI (05.27.2013)
SI ËSHTË MANIPULUAR HISTORIA E SHQIPTARËVE NDËR DEKADANga Prof. JAMES PETTIFER (Oxford University) (05.26.2013)
SHQIPTARËT MES EVROPIANIZMIT DHE NACIONALIZMIT MAQEDONASNga EMIN AZEMI (05.26.2013)
KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VËNË ASNJË GURË THEMELI, PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMI PLURI-PAR-TITISTNga ISUF B. BAJRAMI (05.25.2013)
Ndaj e kuptoj Zef Skiroin!PENDESA QË VETËVONOHET AS TEK ZOTI NUK PRANOHETNga LEBIT MURTISHI (05.24.2013)
BERISHA I PASTRON LISTAT E 23 QERSHORIT NGA KRITIKËT DEMI, MARKU DHE ALIBEAJNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.23.2013)
GJËNDJA E LIRISË FETARE NË BOTËNga FRANK SHKRELI (05.23.2013)
Barometri diplomatikSERBIA NËNSHKROI NJË TRAKTAT ILEGAL PËR TJETËRSIMIN E MINIERËS 'TREPÇA' TË KOSOVËS?!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (05.21.2013)
KOSOVA SHËNON JAVËN E TOLERANCËSNga FRANK SHKRELI (05.21.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]