VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË VIT PËR TË KUJTUAR PRESIDENTIN JOHN KENNEDY Nga FRANK SHKRELI E Shtunë, 06.01.2013, 06:53am (GMT1)
Vdekja e Presidentit Kennedy pat shkaktuar dhëmbje të madhe në radhët e amerikanëve
dhe anembanë botës. Megjithë mandatin e shkurtër të presidentit John
Kennedy, ai gjithnjë konsiderohet si një ndër presidentët më të mirë të
Amerikës dhe mbahet mend për një trashëgimi si udhëheqës i fortë me një
personalitet dhe realizime dhe suksese të dukshme, kur të merret parasysh
periudha e shkurtër që ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë. Ai mbahet mend për
gjakftohësinë përballë marrjes së vendimeve shumë të vështira, siç ishte
vendimi se ç'duhej bërë në lidhje me raketat bërthamore që komunistët sovjetikë
kishin vendosur në Kubën e Fidel Kastros në vitin 1962. Ai njihej gjithashtu si
një orator elokuent, fjalimet e të cilit ishin shumë frymëzuese dhe
konsiderohen gjithnjë aktuale edhe sot pas 50 vjetësh. Megjithëse ai vetë vinte
nga një familje e pasur, John Kennedy kujtohet për programet qeveritare dhe
legjislacionin në mbështetje të të varfërve, dhe të moshuarve. Presidenti
Kennedy, si çdo udhëheqës tjetër ka bërë gabime, por gjithmonë shprehte një
entuziazëm të madh për të ardhmen, duke besuar se çdo problem mund të zgjidhet
me bashkëpunim me njëri tjetrin, për derisa interesat e vendit janë mbi të
gjitha interesat e tjera.
Ndonëse njëri me mendime liberale dhe tjetri konservator, në krahasim me
presidentë të tjerë, biografi i Presidentit Kennedy, Robert Dallek i tha
gazetës USA Today se, "Presidenti Kennedy dhe Presidenti Reagan i dhanë
këtij vendi një frymë optimizmi dhe shprese. Ata përfaqësonin vlerat më të mira
të këtij vendi." Si Presidenti Kennedy ashtu edhe Presidenti Reagan
besonin fuqimisht në lirinë dhe demokracinë jo vetëm për amerikanët, por për të
gjithë popujt e botës -- ata besonin në shkëmbimin e lirë të informacionit dhe
në të drejtat e njeriut. Pasi ky vit shënon gjithashtu edhe 70-vjetorin e Zërit
të Amerikës, ia vlen të përmendet vizita dhe fjalimi i Presidentit John
Kennedy me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës me ç'rast ai ka thënë se,
"liria e informacionit është një e drejtë themelore e njeriut", dhe
shtoi se, "Ky është kodi i Zërit të Amerikës. Ne mirëpresim mendimet e të
tjerëve. Ne kërkojmë shkëmbimin e lirë të informacionit matanë kufijve,
oqeaneve dhe perdeve të hekurta dhe mureve prej guri. Ne nuk kemi frikë t'i
paraqesim popullit amerikan të vërtetën mbi të mirat dhe të këqiat, as nuk kemi
frikë nga idetë dhe fillozofitë e huaja dhe as nga vlerat konkuruese. Një komb
i cili ka frikë të lejojë popullin e vet të gjykojë dhe të vendosë vet, për të
vërtetën dhe gënjeshtrat në një treg të lirë të ideve, ai është një komb i cili
ka frikë nga populli i vet. Prandaj Zëri i Amerikës mban një përgjegjësi të
madhe, pasi barra e së vërtetës nuk është e lehtë." Në atë fjalim tek Zëri
i Amerikës, 50 vjet më parë, presidenti Kennedy parashikoi revolucionin dhe
modernizimin e teknologjisë së medias dhe të shpërndarjes së informacionit
nepërmjet internetit, duke thënë se 20 vjetët e ardhëshme do të paraqisnin
mundësi jashtzakonisht të mëdha por edhe sfida të ndërlikuara në fushën e
teknologjisë së informacionit. Nepërmjet Zërit të Amerikës, që në atë kohë ishte i vetmi mjet komunikimi me popujt e botës, John Kennedy, në fjalimin e tij me rastin e betimit si president i ri i Amerikës, lajmëroi botën se Shtetet e Bashkuara kishin një udhëheqës të ri, i cili e konsideronte përhapjen e komunizmit si një plagë për njerëzimin që vetëm me përdorimin e forcës detyronte zbatimin e një ideologjie kundër vullnetit të popujve të robëruar, një ideologjie që ai e konsideronte si e kundërta e lirisë dhe demokracisë. Qëndrimin e tij të vendosur në lidhje me komunizmin ndërkombëtar të kohës, John Kennedy e bëri shumë të qartë kur tha këto fjalë me rastin e betimit si president: "Le ta marrë vesh çdo komb, pa marrë parasysh nëse na e don të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të durojmë çfarëdo barre dhe do të përballemi me të gjitha vështirësitë, se ne do të përkrahim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë në botë". Më tej, John Kennedy vazhdoi paralajmërimin e tij në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar se, "në historinë e gjatë të botës, vetëm disa brezave u ka takuar të luajnë rolin e mbrojtësit të lirisë në kohën e rrezikut më të madh ndaj saj. Unë nuk tërhiqem nga kjo përgjegjësi, përkundrazi unë e mirëpres atë. Unë nuk besoj se ndonjëri prej nesh do të ndërronte vendin me ndonjë popull tjetër ose brez tjetër. Energjia, besimi dhe devocioni që ne sjellim drejtë këtij qëllimi, do të shëndrisë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë atij dhe drita nga ky zjarr, me të vërtetë, do të ndriçojë mbarë botën."
Fjalimet e John Kennedy janë të llojit që frymëzojnë gjeneratat e të gjitha
kohërave, kur thoshte se, "nuk duhet të mbyllim sytë ndaj ndryshimeve që
ekzistojnë midis nesh, por le të vlerësojmë interesat e përbashkëta dhe mënyrat
me të cilat mund të zgjidhen ndryshimet midis nesh. Dhe nëqoftse nuk mund t'i
zgjidhim tani ndryshimet që ekzistojnë midis nesh, atëherë të pakën të
përpiqemi që të bëjmë këtë botë më të durueshme dhe më të pajtueshme ndaj
ndryshimeve që ekzistojnë midis njerëzve. Sepse, më në fund, janë lidhjet bazë
dhe gjërat e përbashkëta mes njëri tjetërit si banorë të këtij planeti të
vogël, ato që kanë rëndësi. Ne të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër. Të
gjithë ne punojmë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.
Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm." Paqja në botë ishte për te një vizion i realizueshëm. "Paqëja në botë", ka thënë John Kennedy, "sikur dhe paqja në komunitete, nuk nevojitë që çdo njeri ta duajë të afërmin e vet, por kërkon vetëm që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri tjetrin, duke u përpjekur që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore."
Siç thuhet edhe në portalin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së John
Kennedy, "le të shërbejë ky përvjetor për të celebruar të kaluarën, duke zgjuar
të ardhmen", dhe të nxjerren mësime dhe shpresa për të ardhmen e njerëzimit nga
një udhëheqës i ri amerikan me kurajo dhe vizion, nga një moment tepër kritik
në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës jeta e të cilit u ndërpre
para kohe nga plumbi i një vrasësi.
FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |