VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GAZETA DIELLI, SI ZËDHËNËSE E FUQISHME E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”
Nga DALIP GRECA/*

E Djelë, 06.09.2013, 06:24pm (GMT1)




Është kënaqësi që t'ju raportoj sot në Kuvendin e riëprtëritjes dhe rigjallërimit të Vatrës si editor i Diellit. Është e fundmja e gazetave të Rilindjes Kombëtare, që vazhdon të jetë në botim. Ndërsa Vatra jonë nesër (28 prill)  ka ditëlindjen e 101, me 15 shkurt 2013, zëdhënësi dhe avokati i saj,  Dielli festoi 104 vjetorin e lindjes. Një ditëlindje që ia vlen ta festosh, ta kujtosh dhe të krenohesh, edhe pse ne nuk e festuam, thjeshtë e përkujtuam përmes vetë gazetës, ose thënë shkurt-gazeta uroi vetëveten.

Që t'ju raportoj se çfarë ka bërë Dielli, nuk mund ta nis nga sot,sepse Dielli i sotëm nuk ka kuptim pa atë të djeshmin, aq më shumë që ne kemi një masë të madhe vatranësh të rinj, që pak janë të njohur me historinë e Diellit dhe të vetë Vatrës. Pra më duhet të eci ca kohë pas, jo shumë, 104 vite të shkuara, me 15 shkurt 1909, kur Dielli nisi udhëtimin si organ i shoqërisë "Besa-Besën", një nga shtyllat mbi të cilën u mbajt Vatra, kur u themelua me 28 prill 1912. Nuk dua t'ju shpenzoj kohë duke bërë histori, por publikimi i programit Kombëtar në numrin e parë të gazetës, dëshmon frymën dhe shpirtin rilindas të Diellit dhe kthjelltësinë e atyre që e drejtuan. Gjatë kohës që Dielli ishte gazetë e Besa-Besën kishte për editor burra fort të mençur të Kombit, si Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi e Kristo Floqi. Imzot Noli editoi 69 numra të Diellit të Besa-Besës, Kristo Floqi, editori I fundit persa kohe ishte I Besa-Besën, editoi 59 numra dhe ustai I letrave shqipe,  Faik Konica 47 numra. Dielli i atyre viteve mbart gjurmët e drejtuesëve të vet dhe mbjelljes së farës kombëtare për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta u bë pronë e Vatrës pasi Besa-Besën u shkri në Federatën Vatra. DIELLI frymëzoi vatranët me frymën Kombëtare, aq sa ishin gati të jepnin edhe rrobat e trupit për çështjen kombëtare. Gazeta u priu fushatave Kombëtare të Vatrës duke kuvenduar  përzemërsisht me shqiptarët e Amerikës.

Ashtu si edhe vetë Vatra, Dielli nuk i shpëtoi mentalitetit dhe psikologjisë shqiptare, polemikave, deri në ekstrem. Kështu psh në kohën e çarjes së parë  të Vatrës, kur u shkëput fraksioni i Kristo Dakos, plasën polemikat e fuqishme mes "Diellit" dhe "Albanisë" të K. Dako, pa kursyer edhe Atin e Pvarësisë Ismail Bej Qemali. Kjo polemikë pati kundër edhe gazeta të tjera siç ishte "Koha" e Mihal Gramenos, I cili edhe ishte sponsorizuar nga Vatar, siç qe sponsorizuar edhe Atë Gjergj Fishta, Midhat Bej Frasheri e te tjerë atdhetarë.

"Dielli" e aso kohe u drejtuanga: Konica, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostandin Çekrezi (i takon atij merita e botimit të përditshëm të Diellit), Noli, Bahri Omari, Loni Kristo. Nëse do t'u drejtoheshim statistikave, kemi këtë tablo ; Bahri Omari , kunati i Enver Hoxhës, i pushkatuar nga ai vetë, editoi më shumë numra nga të gjithë,1074, Kostë  Çekrezi 241 dhe Fan Noli 137.

Dielli i është përmbajtur fryëmës Kombëtare, ç'ka ka karakterizuar vetë Vatrën.Në vitet 1920-24, gazeta mbështeti përpjekjet e Fan Nolit për zhvillimet demokratike, madje edhe Lëvizjen e Qeshorit dhe qeverinë e kryesuar nga Peshkop Noli. Dielli e mbështetur edhe nga  "Shqiptari i Amerikës", që pat nisë botimin në Korçë më 1922, nën drejtimin e Loni Kristos si editor, ishin opozita e shtypit të kohës kundër qeverisë së Ahmet Zogu. Madje Dielli u ndalua që të hynte në Shqipëri, ndërsa Shqiptari i Amerikës u padit në Gjykatë, derisa u ndalua.

Drejtues të Diellit për atë kohë ishin: Andon Frashëri e Faik Konica, i cili krahas drejtimit të "Vatrës", u zgjodh kryeeditor në Kuvendin e vitit 1923,duke patur si ndihmës /editor Andon Frashërin dhe Aqile Tasi. Kur  Partia Liberale e Nolit humbi zgjedhjet, lufta politike mori flakë. Megjithëse "Vatra" e përkrahu qeverinë e Nolit, "Dielli" i pat të ashpra kritikat ndaj saj. Me atë rast, Konica shkroi një perlë për kohën :"Komedia e partive, dhe rreziku që qëndron në derë të theatrës", ku ndër të tjera shkruante: "Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s'ka vënt dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vet-qojturve "˜udhëheqës' do t'u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria fjalë fatale vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: "U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët".

Dielli si zëdhënëse e Vatrës, në vitet 1925-39,ashtu si Vatra vetë, përkrahu  politikën e mbretit Zog, duke lënë mënjanë liberalizmin demokrat të Nolit dhe përqafoi qëndrimin e krahut të djathtë të Konicës. Siç ka analizuar editori para meje, poeti dhe studiuesi Anton Çefa:" Ideologjia dhe politika e gazetës kaloi në anën e qëndrës së djathtë, gjë që u pasqyrua në qëndrimet promonarkiste, profashiste për një kohë të shkurtër, dhe antikomuniste."

Humbja e Nolit në Shqipëri, ikja  e tij në mërgim, ndërkohë që kundërshtari i tij Ahmet Zogu e dënoi me vdekje në mungesë, krijoi probleme mes vatranëve dhe e ndau federatën në dy kampe. Vatra zyrtare i ktheu kurrizin Nolit dhe çdo gjë u përqëndrua në duart e Konicës nga viti 1926, ku ai u bë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Amerikë, Dielli ashtu si Vatra kishin një komandant, Faikun. Gazeta filloi ta godiste dhe krijuesin e saj Nolin, madje me artileri të rëndë. Fryma polemike u nxeh.Noli i përgjigjej me armë të të njëjtit kalibër përmes në gazetës"Emigranti", që drejtohej nga editori i ardhshëm i Diellit, Qerim Panariti dhe botohej në Worchester, Mass., si dhe në "Liria Kombëtare" që botohej në Vjenë, e më pas në "Republika", në Boston. Polemikat zgjatën deri në vitin 1937. Në ato vite Diellin e editonte "nxënësi i bindur" Konicës, Nelo Drizari, që kishte kryer studimet për gazetari dhe kishte botuar Gramatikën dhe Fjalorin shqip-anglisht. Drizari e bëri fakt të kryer pajtimin e Diellit dhe të Vatrës me Kryepeshkopin përmes artikulli "Ungjillori i shqiptarëve".

Ashtu si Vatra nuk shpëtoi dot nga përçarjet, edhe zëdhënësi dhe avokati i saj , Dielli, nuk pati imunitet nga sherret. Ashtu siç ishte përça në gusht të vitit 1917, kur ish kryetari dhe editori i Diellit Kristo Dako,që i shkëputi Vatrës nja grup vatranësh të degës Westchester, e njëjta gjë ndodhi 19 vjet më pas, më 1936, kur Vatra u ca keqazi. U krijuan dy Vatra, një Boston, një në Detroit. Po ashtu u krijuan edhe dy gazeta Dielli, ajo e vjetra e Bostonit dhe e reja e Detroitit me kryetar Fazlli Panariti. Dielli i Detroitit u editua nga dishepulli i Konicës, Refat Gurrazezi. Dielli i Detroitit kritikonte rëndë Fan Nolin. Ky dualizëm vazhdoi për tre vjet, derisa vatranët gjetën forca dhe u ribashkuan në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Po ashtu edhe Dielli i Detroitit  pushoi së botuari.Editorët të kësaj kohe për Diellin shërbyen: Konica, Andrea D. Elia, Refat Gurrazezi dhe Nelo Drizari. Gjatë pushtimit italo-Gjerman, Dielli kritikoi ashpër pushtuesit dhe nuk i kurseu kritikat për Mbretin Zog, por ndërkohë, në Dielli u pasqyruan edhe përpjekjet e Fan S. Nolit e të Faik Konicës për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim në kryesimin e Ahmet Zogu, si një platformë politike e domosdoshme për shpëtimin e atdheut, sigurimin e pavarësisë dhe integritetit tokësor të Shqipërisë.

Në vitin 1941 u shkaktua një çarje tjetër, e treta, ku pasojat ranë kryesisht mbi Vatrën. Kostë Çekrezi formon "Shqipërinë e lirë" dhe nisi botimin e Shemrës së Diellit- gazetën "Liria". Një pjesë e vatranëve kaluan me Çekrezin, i cili iu kundërvu platformës politike të Nolit e Konicës për krijimin e qeverisë shqiptare në mergim. Ai propozonte një Komitet, përmes të cilit të krijohej një Front i Përbashkët për Shpëtimin e Atdheut.Fryma polemike u ashpërsua shumë.

Editorë të kësaj periudhe kanë qenë Petër Tiko dhe Qerim Panariti për të cilin kishte akuza se anonte nga qeveria e Enver Hoxhës, por në fillim të viteve '60 Panariti shpërtheu plot inat kur gazeta Bashkimi e etiketoi si imperialist.

Vijmë tani tek periudha 1945-1990. Vatra, e lodhur nga lufta e gjatë politike, shpreson tek demokratizimi i Shqipërisë, nga frika se Greqia vazhdonte të pretendonte Shqipërinë e Jugut,u jep mbështetje udhëheqësve komunist, madje i prêt dhe përcjell emisarët e Enver Hoxhës, duke filluar nga Noli vetë që vjen në Nju Jork dhe takohet me delegacionin e Enver Hoxhës shumë herë. Po ashtu dhe Dielli mbështet Vatrën. Që në faqet e para lexohen me shkronja të mëdha lajme për qeverinë komuniste . Duket se Dielli dhe Liria e Bostonit ishin në garë kush e kush të shkruante më mirë për qeverinë e Enver Hoxhës. Po të marrim hua një shprehje nga Peter Ktona, broshura e tij"Misioni i federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra-dje dhe sot"; ajo periudhë mund të përshkruhet kështu"Pas vendosjes së Qeverisë Komuniste në Tiranë, të dy organizatat, me anë të organeve të tyre, Dielli dhe Liria, duallën hapur duke përkrahur regjimin komunist shqiptar. Editori i gazetës Dielli, Qerim Panariti, tregohesh më i flakët pro Enverit se sa gazeta Liria. Megjithëkëto Tirana nuk kishte besim tek Vatra, siç duket për të kaluarën e saj patriotike dhe e hodhi peshën e përkrahjes ndaj organizatës Shqipëria e Lirë. Një pjesë e vatranëve , shkruan Ktona, dezertuan, shkuan tek Shqipëria e Lirë që kishte përkrahjen e Qeverisë komuniste. Tek VATRA qëndruan nacionalistët dhe atyre iu shtuan në fund të viteve '50 dhe fillim i viteve '60 e në vijim antikomunistët nacionalistë. Edhe Dielli i forcoi pozitat nacionaliste. Në Liria botoheshin repotrazhe e intervista që lanin e lyenin Shqipërinë si Kështjellë e Socializmit, që shkruheshin nga  ata që vizitonin shqipërinë sepse kishin bekimin e Qeverisë Komunsite. Në këtë kohë, Dielli nuk i kursente kritikat.

Megjithatë nga mesi i viteve '50 Panariti, që e drejtoi Diellin për 19 vjet, ndërgjegjësohet dhe nis kritikat.Kritikon qeverinë komuniste për izolimin e vendit nga bota perëndimore dhe për moslejimin e shqiptarëve të Amerikës për të vizituar atdheun,-kritikohet gjendja e rëndë ekonomike, kritikohet refuzimi i ndihmave amerikane dhe falënderohet Presidentin Amerikan Eisenhower për to, etj.Panariti e editoi Diellin nga 1944 1963. Ai mbetet editori më jetëgjatë në historinë e gazetës, dhe i vetmi që ka koleksionuar edhe një çmim amerikan të Diellit në një konkurs ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë. Në vitet 58-60, Panariti pati si ndihmës edhe Petër R. Prifti, që kreu edhe detyrën e sekretarit të "Vatrës". Pas Panaritit, editor i Diellit vjen Athanas Gegaj, i cili risjell frymën e monarkistëve në gazetën e Vatrës, i mëshon nacionalizmit, ashpërson kritikat ndaj sistemit komunist. Edhe Xhevat Kallajxhiu , solli një frymë të re të gazetës, duke rrahur shpesh temën e bashkimit të shqiptarëve të Amerikës. Editorialet e Kallajxhiut përcjellin frymë rilindasish. Pas tij gazetën e editoi Eduard Liço.

Tashmë vimë tek vitet 1990-2006. Nga viti 1990 94, gazeta nuk pati stabilitet dhe kaloi dorë në dorë, ajo u botua tepër rrallë dhe kishte më shumë vlera kronikale .Pas largimit të Eduard Liços në vitin "˜90, një numër e botoi Din Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, njëkohësisht edhe kryetar i "Vatrës" dhe editor, botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës, në këtë periudhë , '91, një numër u editua nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e Tahir Deskut e Muhamet Mjekut; në vitin 1992, një numër është edituar nga Agim Karagjozi, kryetar i "Vatrës", dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim Karagjozi botoi 3 numra, në vitin '94, u botua një numër nën editimin e Agim Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i këtij viti deri në vitin 2006 u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Agim Karagjozin si managing editor. Gjatë editimit të Anton Çefës Dielli u ngrit nga ana cilësore dhe kontribuoi në përcjelljen e vlerave studimore, historike dhe letrare.

Tashmë kemi mbërritur tek Dielli i sotëm. Ritheksoj se  është një ditë e shënuar për Vatrën kjo e sotmja sepse me këtë Kuvend ajo kërkon që të hapë një faqe të re në historinë e saj 101 vjeçare. 101 vitet e saj nuk tregojnë shenja pleqërie, përkundrazi, në këtë dekadë të fundit të shekullit të ri, Vatra e ka përmirësuar mjaft profilin e saj kombëtar dhe së fundi po arrin atë që nuk është bërë dot në 20- 30 vitet e fundit.

Ardhja ime në Vatër si editor i Diellit, i takon 100 vjetorit të Gazetës Dielli, ku referova kumtesën: " Gazeta "Dielli"- shkollë e shtypit të lirë për gazetarinë shqiptare".  Vatranët më pritën me zemër të ngrohtë. Jam emocionuar nga njoftimi publik që publikoi Vatra me 1 gusht 2009, botuar në numrin e parë të edituar nga unë , shtator  2009, nënshkruar nga kryetari Agim Karagjozi. Në të thuhej:" Në mbledhjen e mbajtur  me  1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emërimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor i Diellit." Në njoftim përcillet edhe informacioni për botimin një herë në muaj të Diellit pas një ndërprerje më shumë se dy vjeçare. Për këtë qëllim lajmërohej edhe hapja e fushatës për ndihma financiare që të mos ndërpritej Dielli, fushatë që nuk u kurorëzua plotësisht, për shkak se jo të gjithë i mbajtën premtimet,por  gjithësesi ata që i mbajtën premtimet janë përjetësuar në faqet e Diellit, ku është publikuar çdo dollar që kanë dhënë vatranët.

Jam përpjekur që ta justifikoj besimin që më dha Vatra duke punuar me të gjithë fuqitë e mia.
Se sa ia kam arritur vlerësimin duhet ta thonë vatarnët. Mendoj se më e mira ende nuk është bërë. Natyrisht që ka edhe të meta, që duhen korrigjuar. I falenderoj të gjithë ata që  më kanë mbështetur , ndërkohë që  ftoj për bashkëpunim edhe ndonjë që diku i ka mbetur qejfi.

Duke iu drejtuar statistikave, ashtu si paraardhësit e mi, gjatë kohës që e kam edituar Diellin, me numrin e prillit 2013 bëhen 44 numra të edituar nga unë dhe asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim vendimin e Këshillit për ta botuar Diellin një herë në muaj. Madje edhe kur kam pasë problem me shëndetin, Dielli nuk është penguar. Jam përpjekur që Gazeta të ruaj fizionominë e saj, të sjellë në faqet e veta problematikën që ka trajtuar Vatra, frymën e saj Kombëtare, shqetësimin e saj për zhvillimet demokratike në Shqipëri, jo rrallë ka pasë dhe frymë polemike për t'u dhënë përgjigje atyre që hedhin gurë kundër Vatrës, etj. Por duke qenë se gazeta ka qenë edhe para dy ngjarjeve të mëdha, 100 vjetorit të themelimit të Vatrës dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i ka mëshuar fort edhe historisë Kombëtare dhe historisë së Vatrës. Qëllimi ka qenë që të evokojmë tek brezat e sotëm krenarinë e punëve të mëdha që ka bërë Vatra për Kombin. Krahas temave të rrahura edhe më parë nga editorët paraardhës, jam përpjekur që të gjurmoj edhe figura pak të trajtuara të vetë Vatrës, të sjell histori për të parën herë etj. Falenderoj publikisht edhe median tjetër që na ka mbështetur. Veçoj TV Kultura Shqiptare me Adem Belliun, me të cilin për një vit kemi realizuar shumë emisione për historinë dhe rrugën 100 vjeçare të Vatrës. Edhe Zëri i Amerikës e ka ndjekur nga afër ringritjen e  Diellit dhe na ka mbështetur.Po ashtu edhe TV 21, TV Alb, Bota Sot dhe Illyria etj.

Me krijimin e degëve të reja Dielli u ka dhënë hapësirë edhe informacioneve që vijnë nga aktivitetet e tyre, por kjo kërkon përsosje të mëtejshme dhe degët duhet të tregojnë më shumë kujdes, që kur zhvillojnë takimet të caktojnë reporterin e cdo mbledhje dhe ai ta përcjellë informacionin dhe fotogarfitë në gazetë. Kjo ka qenë traditë e Vatrës gjatë 100 viteve. Ju lutem kryetarëve të kthehen tek tradita dhe të ndihmojnën Dillin jo vetëm nga ana financiare, por edhe me informacione dhe me shkrime. Jo vetëm kaq, por degët duhet të sjellin në gazetën e Vatrës çdo njoftim, që ka të bëjë me anëtarët e vet, i gëzuar apo i hidhëruar, edhe një ditëlindje, fejesë a dasëm, edhe një dalje nga spitali i një vatarni, apo një ditëlindje, nje kremtim,  një dasëm, përbëjnë lajm.Vatranët duhet ta konsiderojnë veten si pjesë e një familje të madhe ku lajmet përjetohen bashkë.

Nëse do të rendisja arritjet e Diellit gjatë këtyre tre viteve dhe 9 muaj që editoj do të përmendja edhe rritjen e numrit të faqe . Siç njoftonte editori i mëparshëm, Anton Çefa: Gjatë jetës së tij të gjatë, "Dielli" është botuar në shqip dhe pjesërisht në anglisht, me 2, 4, 6, 8, 10, 12, 14 dhe 16 faqe, me formate të ndryshme. Ne nisëm rritjen e faqeve të gazetës, me 24, 28, 32, 36 dhe 40.

Një risi tjetër ishte edhe ajo që nisi në vitin 2009 me rastin e Ditës së Flamurit ,ku ne nisëm botimin e edicionit special të gazetës me shumë faqe, ç'ka nuk ishte bërë asnjëherë më parë. Fillimisht edicioni i numrit special të Ditës së Flamurit nisi me 60 Faqe,në  vitin  2010 dhe 2011 me 84 Faqe, në vitin 2012 me 108 faqe. Po ashtu u botua një numër special edhe me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës. Në atë numër Dielli u botua me 104 faqe. Editori i Diellit në bashkëpunim me vatranët përgatiti dhe editoi në 100 vjetorin e Vatrës edhe një botim special të ilustruar me 95 faqe, me histori e urime, në traditën e botimeve të mëparshën në përvjetore të atilla. I falenderoj të gjithë kontribuesit, pa lënë mënjanë dhe z. Ismer Mjeku që dha një kontribut të veçantë në 100 vjetorin e Vatrës.

Në ndryshimet e sjella në gazetën Dielli është edhe kthimi i saj me ngjyra që nga numri i qershorit 2010.

Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër. Mendoj që për të ardhmen Dielli ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe natyrisht për një staf të plotësuar, mundësisht edhe një editor për gjuhën angleze.

Kjo i takon udhëheqjes së re që do të dalë nga ky Kuvend. Drejtuesit e rinj duhet që ta mbështesin Diellin edhe me artikuj, ç'ka nuk është bërë mirë nga kryesia e deritanishme, për të mos thënë se ka munguar deri tani.Veç kryetari Buçaj, gazetarit Idriz Lamaj, firmat e tjera nga kryesia apo Këshilli kanë munguar në faqet e Diellit.

Gazeta e Vatrës ka nevojë edhe për ndihmë financiare, ka nevojë për bujarinë e vatranëve, mirëpo shumë pak nga ata që kanë biznese reklamojnë  në gazetën e tyre, Dielli, madje ka nga ata qe kane reklamuar dhe nuk kane paguar. Ndoshta Dielli nuk të shton klientelën, por  ti biznesmen vatran ia shton jetëgjatësinë gazetës dhe me bujarinë tënde nxit të tjerët që të reklamojnë në gazeten e Vatrës. Nuk ua mohojmë ndihmën që i kanë dhënë Diellit shumë nga biznesmenët vatarnë me rastin e Ditës së Flamurit apo me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, por me kaq nuk mjafton.Prandaj i ftoj publikisht biznesmenët vatranë:Reklamoni në DIELLI se ia rrisni nderin vetes.

Falenderoj z.Sejdi Bitiçin që ka kontribuar në mënyrë të veçantë edhe në përmirësimin grafik të gazetës duke sponsorizuar dizajnimin e saj. Po ashtu falenderoj Danny Blloshmin që kohën e lirë, gjithëmon në orët e vona të natës punon vullnetarisht për dizajnimin e Diellit. Po të mos ishte pasioni i tij, vështirë do ta kishim në stabilizimin e Diellit në botimin e përmujshëm. Tash ka ardhur koha që Dielli të hedhë hapin tjetër, të nisë botimin e përdyjavshëm, duke synuar një botim të përjavshëm shumë shpejt. Por kjo nuk mund të bëhet nëse nuk ka mbështetje dhe nëse nuk niset një fushatë me frymën e vatranëve të vjetër për të siguruar të ardhura dhe nëse biznesmenët vatranë nuk reklamojnë në të.

Jasht këtij raporti nuk mund të lë edhe gazetën në on Line. Mendoj se kjo e ka bërë më publike gazetën dhe vete Vatren, ka shtuar bashkëpunëtorët, madje jo vetëm nga Amerika e Kanadaja, por edhe në Evropë, Australi, Zelanda e Re, edhe nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Me lajmet e Vatërs që nga viti 2011, po jetojnë shqiptarët kudo ku banojnë. Po ju them vetëm një shifër nga analiza googl-it: Diellin e vizitojnë më shumë se 25 mijë vizitorë. Dielli në on line po na bashkon virtualisht kudo ku ndodhemi.Ju lutem shtojeni bashkëpunimin me qëllim që ta bëjmë më interesant atë.

Përfundimisht: Unë e fus e veten tek optimistët. Përherë kam besuar tek fryma e vatranëve, tek dëshira e tyre për ringjalljen e gazetës dhe i kam dhënë asaj shpirtin tim. Ndoshta kjo nuk u bie në sy atyre që janë mësuar ta shohin nga larg Diellin. Vatrën dhe gazetën e saj Dielli e kanë sulmuar për shumë kohë, madje kjo ka ndodhë edhe pas 100 vjetorit, i cili qe një manifestim  madhështor, për ata që e shihnin me syze të errëta Vatrën dhe Diellin shanin e mallkonin nëpër kafene dhe gazeta se Vatra po mbaron se Dielli po shuhet, Vatra merret me politikë, Vatra është e izoluar etj.Këtë e thonë edhe tani ku Vatra po ngre degë anë e kënd Amerikës. Po kur nuk i hodhën gurë Vatrës dhe Diellit? Dhe që të dy këto instituticione kombëtare i kanë sfiduar shpifësit dhe ndjellakeqët. Jetëgjatësinë e Diellit 104 vjeçar dhe të Vatrës 101 vjeçare nuk mund ta kuptojë një njeri që e sheh Vatrën nga jashtë, dhe mban ndaj saj pozicionin e policit kur shkelen vijat e bardha.

Mendoj se spjegimi i të ndjerit Peter R Prifti, editor i Dielli  tetor 1958-16 shtator 1959,për jetëgjatësinë e Diellit dhe të Vatrës, është më i argumentuari:  "Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtërore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkuarën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.".

Po e mbyll këtë raport me besimin e patundur se Vatra dhe Dielli, do të jenë të përjetshëm.

* (Raport i editorit të Diellit, DALIP GRECA, përgatitur për në Kuvendin e Vatrës, 27 prill 2013.Për mungesë kohe, raporti nuk u lexua në Kuvend.
Editori përshëndeti për 4 minuta)


DALIP GRECA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.