VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
VIRUSI RUS I BULLGARISË Virusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë Nga SHABAN MURATI E Hënë, 06.10.2013, 07:53am (GMT1)
Odisea e centralit bërthamor të Belenës është e denjë për një skenar filmash thriller, sepse përtej intrigave, makinacioneve dhe komplikacioneve të lojërave subversive, ajo ka evidentuar ekzistencën dhe funksionimin e një virusi rus në kompjuterin e shtetit aktual bullgar. Qëndrimi i qeverisë së mëparshme bullgare për refuzimin e ndërtimit të centralit bërthamor, u arsyetua me argumente të shumta, që nga ato financiare të kostos së lartë, ku rusët e dyfishuan koston në krahasim me projektin primar, me mungesën e investitorëve strategjikë perëndimorë e deri tek pasojat e rënda ambientaliste dhe pasiguria e madhe e ndërtimit të centralit në një zonë të njohur në kronikat sizmike. Por pas debateve ekonomike e teknike u qartësua shpejt se çështja e projektit rus të Belenës mori një karakter politik e strategjik në përplasjen mes poleve dhe forcave politike bullgare, ku qëndrimet përcaktoheshin nga këndvështrimi i lidhjeve dhe i raporteve të Bullgarisë me Rusinë. Përplasja e ashpër politike çoi në organizimin e një referendumi të propozuar nga Partia Socialiste lidhur me ndërtimin e centralit të Belenës. Referendumi i 27 janarit 2013 dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët, nën normën ligjore, ku as 20 për qind e votuesve nuk u sigurua. Çështja u kthye në parlament dhe në 27 shkurt 2013, disa ditë përpara se të shpërndahej për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare të 12 majit 2013, parlamenti vendosi mbylljen e këtij kapitulli me refuzimin përfundimtar të ndërtimit të centralit bërthamor të Belenës.
Por me ardhjen në fuqi të qeverisë së re socialiste u rikthye edhe kursi i saj
i përkrahjes së projektit rus. Presioni i Kremlinit ka qenë i jashtëzakonshëm
dhe i pandërprerë për imponimin e realizimit të këtij projekti, që mund të
kushtojë 10-12 miliardë euro. Pa humbur kohë, një javë pas formimit të qeverisë
së re, në Sofje shkoi në 7 qershor zëvendësministri rus i Energjisë, Anatoli
Janovsk, i cili zhvilloi bisedime me ministrin bullgar të Ekonomisë dhe të
Energjisë, Dragomir Stojnev, ku një nga temat kryesore ishte projekti i
Belenës. Pas bisedimeve, zëvendësministri rus i Energjisë deklaroi se kompania
shtetërore ruse "Rosatom" mund ta tërheqë padinë e saj në Arbitrazhin
Ndërkombëtar të Parisit kundër shtetit bullgar për zhdëmtimin në masën 1
miliard euro të humbjeve të shkaktuara nga ndalimi i realizimit të projektit,
nëse shteti bullgar bie dakord të ringjallë projektin e braktisur të centralit
bërthamor. Natyrisht, vizita dhe bisedimet e delegacionit energjitik rus në
Sofje për Belenën paraqesin hapin e parë konkret drejt riçeljes qeveritare të
derës për projektin energjitik rus. Qeveria e re bullgare ka demonstruar një
predispozicion të pazakontë për të plotësuar kërkesën ruse. Që në daljen e tij
të parë televizive si kryeministër në 30 maj, Plamen Oresharski deklaroi se do
të jetë më me përfitim, nëse do ta mbarojmë centralin bërthamor. Agjencia
bullgare "Fokus" njoftonte në 5 qershor se kryeministri Oresharski kishte
deklaruar në një intervistë tjetër televizive se do të ishte më mirë ta
përfundonim projektin e Belenës, se sa të humbim gjyqin në Arbitrazh. Ajo që ndodhi në Bullgari ka interes për të kuptuar fuqinë e virusit rus dhe të ndërhyrjes së Moskës për të ndikuar në ndryshime politike në favor të projekteve të saj të mëdha strategjike energjitike. Analisti politik bullgar, Ognian Minçev, theksonte në 15 maj se ndryshimi i qeverisë në Bullgari "ishte qartë një skenar i KGB. Rusia tashmë ekonomikisht ka nënshtruar Serbinë dhe Malin e Zi dhe nuk është e mundur të lejë Bullgarinë jashtë perimetrit të influencës së saj". Hija e metodës së vjetër ruse të ndryshimit të qeverive për hir të arritjes së interesave strategjike qarkullon nëpër shtetet ish- komuniste. E përdori Rusia këtë metodë në Ukrainë, ku ndërhyrja e Moskës rrëzoi presidentin demokrat të revolucionit të portokalltë, i cili kërkonte të fuste Ukrainën në NATO dhe të dëbonte bazën ushtarako-detare ruse nga vendi, dhe krijoi kushtet për ardhjen në fuqi të një presidenti prorus, i cili ndaloi zyrtarisht integrimin Atlantik dhe u zgjati rusëve 50 vjet praninë e bazës ushtarako-detare në Krime. Ngjashmëria duket e madhe edhe me Bullgarinë. Rasti i Bullgarisë është interesant për të kuptuar më mirë dhe për të analizuar fenomenet dhe disa zhvillime apo qëndrime të papritura strategjike në shtetet e Europës Lindore, të cilat kanë qenë dikur sferë e influencës së Moskës, në kohën e perandorisë komuniste sovjetike. Nuk është mirë të ushqehen iluzione dhe të besohet se me anëtarësimin në NATO dhe në BE, sigurohet automatikisht ndërprerja e ndërhyrjes së Rusisë në ish-shtetet komuniste, dikur sferë e influencës së saj. Ajo që po ndodh në Bullgari, është sinjifikative për llojin e veprimit dhe të pranisë së fuqishme të lobit rus në Bullgari dhe në ish-vendet e tjera komuniste pa përjashtim, përfshirë edhe Shqipërinë. Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në vitin 1961, por edhe pas kësaj ndarjeje të gjatë 30-vjeçare lobi rus në Tiranë mbeti i fortë dhe është i tillë edhe sot e kësaj dite. Çështja e projekteve energjitike ruse nuk është me karakter të pastër ekonomik dhe financiar, sikundër dëgjohet dendur nga lobet ruse në Ballkan. Ajo është një çështje gjeopolitike dhe strategjike, e cila lidhet me vartësitë energjitike dhe me ndikimin dhe me praninë e shtetit financues të projekteve energjitike: Lufta për sfera influence nuk ka mbaruar dhe nuk mjafton profilaksia e anëtarësimit në NATO dhe në BE për një imunitet sovraniteti. Nuk mjafton, sepse një pjesë e elitës politike dhe financiare në vendet ish-komuniste është e prirur për rivendosjen në forma të ndryshme të sofistikuara të ndikimit, që Rusia kishte dikur në vendet ish-komuniste në Ballkan. Një prirje e tillë drejt Lindjes favorizohet edhe nga një farë neglizhence e Perëndimit ndaj kësaj dukurie, sepse edhe në Perëndim ekziston ende në disa qarqe një iluzion se vendosja zyrtare e sistemit demokratik kapitalist në shtetet ish-komuniste i neutralizoi edhe prirjet, edhe lidhjet e vjetra të shumëfishta me Rusinë. Virusi rus gjatë periudhës së tranzicionit ka qenë i fjetur dhe i instaluar në strukturat shtetërore të ish-vendeve komuniste. Është mirë që NATO dhe BE ta kenë në konsideratë këtë rrethanë strategjike dhe gjeopolitike, me qëllim që të mos ndodhen para të papriturave të pakëndshme, të cilat mund të marrin forma nga më të ndryshmet. Virusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |