VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NELSON MANDELA SI NËNË TEREZA Nga FRANK SHKRELI E Mërkurë, 06.12.2013, 06:15am (GMT1) "Thuhet se askush nuk e njeh një komb për derisa nuk ke qënë në burgjet e tij. Një vend nuk duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton ata që janë në maje të piramidës, por duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton shtresat më të ulta të shoqërisë." Nelson Mandela Ish presidenti i Afrikës së Jugut dhe ish-i burgosuri politik më i famshëm i botës, 94-vjeçari Nelson Mandela është shtruar në një spital të Pretorias, për të katërtën herë ç'prej dhjetorit të kaluar, pasi vuan nga një infektim në mushkëri. Në njoftimin e fundit mbi gjëndjen shëndetsore të tij, qeveria e Afrikës së Jugut tha se gjëndja e Z. Mandela, njeriut që admirohet nga mbarë bota për qëndresën e tij ndaj së keqës, mbetet ''serioze''. Deklarata e qeverisë le të kuptohet se gjëndja shëndetsore e Mandelës po keqësohet.
Nelson Mandela, qyshë në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kundër aparteidit
dhe më vonë, më 1942 u bë anëtar i Kongresit Kombëtar Afrikan. Për pothuaj 20
vjetë ai drejtoi një fushatë pa dhunë duke kundërshtuar në mënyrë paqësore
qeverinë e atëhereshme të Afrikës së Jugut dhe politikën e saj raciste. Pas
27-vjet burg si i burgosur politik, për veprimtarinë e tij politike kundër
aparteidit, Mandela lirohet në vitin 1990, bëhet president i partisë së tij,
Kongresi Kombëtar Afrikan, parti e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike
në vitin 1944. Atij, së bashku me ish-presdientin e Afrikës së Jugut F. W. de
Klerk, iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, për meritat e tyre në shkatërrimin e
sistemit aparteid racist të Afrikës së Jugut. Në vitin 1994, Nelson Mandela,
ish-i burgosuri politik u inaugurua presidenti i parë zezak në historinë e atij
vendi. Ditëlindja e e tij, 18 Korriku, është shpallur si Dita e Mandelës, e
cila festohet si një ditë këjo për të promovuar paqën në botë dhe njëkohësisht
për të celebruar trashëgiminë e këtij burri të madh të Afrikës.
Në një deklaratë nga fondacioni që kryesohet nga Kryepeshkopi Desmond Tutu,
edhe ky një fitues i Çmimit Nobel për përpjekjet e tija paqësore në luftën kundër
aparteidit në Afrikën e Jugut -- heroi i luftës kundër qeverisë raciste, Nelson
Mandela cilësohet si një "dhuratë e veçantë" nga Perëndia për Afrikën
e Jugut dhe bëhet thirrje për lutje, "për babain e dashur të kombit
tonë", për njeriun i cili, anë e mbanë botës, edhe sot shikohet si simbol
i pajtimit dhe i paqës midis njerzëve. Me rastin e 90-vjetorit të Nelson Mandelës, gazeta britanike Telegraph pat bërë një sondazh për të zgjedhur 90-personalitetet më frymëzuese në botë me rastin e Ditës së Mandelës. Lexueve u kërkohej që të votonin për personat -- të gjallë ose të vdekur -- por të cilët, sipas mendimit të tyre, kanë demonstruar në jetën dhe me veprat e tyre, karakteristikat kryesore të Nelson Mandelës, veti siç janë: kuraja, dinjiteti, përvujtënia, qëndresa, falja dhe dashuria. Lexuesit e gazetës britanike patën zgjedhur murgeshën katolike shqiptare, Nënë Terezën si personalitetin numër një në botë që mbartë këto karakteristika të Nelson Mandelës, para të gjitha personaliteteve të tjera më të mëdha të shekullit të kaluar, përfshirë Uinston Çurçilin, Einstajnin, Martin Luter Kingun, Mahat Magandin, e të tjerë.
Nelson Mandela i theksoi këto karakteristika dhe vlera në bazë të të cilave
kishte jetuar dhe vuajtur gjithë jetën e tij si i burgosur politik. Në fjalimin
që pat mbajtur me rastin e inuagurimit të tij si president i Afrikës së Jugut
më 1994, megjithë vuajtjet dhe diskriminimet që kishte pësuar populli i tij nga
politika raciste e qeverisë së bardhë, ai prapseparë personifikoi
karakteristikat e tija njerëzore, duke iu drejtuar bashkëkombasve të vet duke
thënë se, "kishte ardhur koha për shërimin e plagëve, se kishte ardhur
momenti për të lënë pas ndasitë e së kaluarës, se kishte ardhur koha për të
ndërtuar vendin." Ai tha me atë rast se rruga drejtë lirisë do të ishte e
vështirë dhe e gjatë, por ai shtoi se duke punuar së bashku, afrikano-jugorët
do ta nxirnin vendin e tyre nga errësira e së kaluarës, nepërmjet pajtimit
kombëtar, duke ndërtuar një jetë më të mirë për të gjithë dhe pa dallim. Ai
përfundoi duke thënë se "kurrë, kurrë më ky vend i bukur nuk do të
përjetojë shtypje nga njëri person kundër tjetrit. Le të mbretëroj liria'' . Nënë Tereza me Peshkopin Desmond Tutu FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |