VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
PATRIOT APO TRADHTAR? Nga FRANK SHKRELI E Premte, 06.14.2013, 06:46am (GMT1)
Ndërsa Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i
pa-autorizuar i programeve të fshehta dhe ndërkohë që komisione të ndryshme të
Kongresit Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me
këtë çështje, zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media --
janë duke mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi
tabulatet telefonike -- duke thënë se ky veprim u ndërmor në bazë të një
urdhëri të fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga
Agjencia e Sigurimit Kombëtar. Qeveria amerikane dhe mbështetsit e këtij programi
thonë se përdorimi i kësaj praktike është me rëndësi për të mbrojtur Shtetet e
Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme terroriste, pasi ky program
ndihmon në identifikimin e personave ose grupe personash që mund të kenë
kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë këtë vend, siç ka ndodhur në
të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit 2001. Qeveria amerikane
gjithashtu, shpjegon në deklaratat e saja, se këto përgjime u ndërmorën bazuar
në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda vendit, e që njohet si
"Akti Patriot", i miratuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh
W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti është për tu dhënë
kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar komunikimet
elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist. Presidenti Barak Obama
ka nënshkruar zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjetë të tjera.
Më heret këtë javë, ai e mbrojti programin e përgjimeve telefonike duke thënë
se "Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të
parandalojmë sulmet terroriste. Ndonjë shkelje modeste e privatcisë që ndodh
kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike
--krahasuar me përfitimin -- ia ka vlejtur," tha Presidenti Obama.
Ky ligj, siç pretendojnë zyrtarët, mund të lehtësojë punën e agjencive të
fshehta amerikane për të mbledhur informacione mbi sulme të mundëshme
terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë angazhim, janë kritikuar dhe
kundërshtuar ashpër nga indidvidë dhe organizata që mbrojnë të drejtat civile
dhe privatcinë individuale, duke thënë se agjencive të fshehta dhe të rendit
publik u janë dhënë kompetenca tëpër të mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve
të vazhdueshme elektronike. Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar
tanimë, një numër padishë kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi
Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e cila
e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese. Duke
njoftuar dje padinë kundër qeverisë federale, organizata ACLU tha se programi i
fshehtë i Agjencisë së Sigurimt Kombëtar shkelë seriozisht të drejtat e
amerikanëve.
Ish-nëpunësi me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snouden,
personi që pa autorizim nxorri në dritë programin e fshehtë për përgjimin e
telefonatave, gjëndet tani në Hong Kong. Lajmet bëjnë të ditur se Ministria
Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim padinë kundër tij për ta
ekstraduar dhe për ta hedhur atënë gjyq nën akuza kriminale. Në Hong Kong,
Eduard Snoudën i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, "South
China Morning Star'', gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të këthehet
ë Amerikë dhe shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të
Hong Kongu-ut. Vet, Eduard Snoudën i tha gazetës kineze "South China Morning Star'', e cila botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte veten, "as tradhtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan", duke shtuar se ai gjëndej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha ai, "jam këtu për të zbuluar një kriminalitet".
Nëse Eduard Snoudën është hero apo tradhëtar është ende heret të thuhet, me
shpresë që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të
këtij vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në
humbje jete. Por në mos asgjë tjetër, -- nxjerrja në shesh dhe njoftimi për
ekzistencën e programit të fshehtë të përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të
miliona telefonave të amerikanëve, -- ka nxitur një debat të ashpër, por të
doemosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një
program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe
që njëkohësisht të mbrojë të drejtat civile dhe privatcinë e shtetasve
amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Barak Obama Edward Snowden FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |