VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Gjaku, rrënjët dhe trualli A JANË SHQIPTARËT RRËNJËSHKULUR? Nga GANI MEHMETAJ E Mërkurë, 06.19.2013, 07:12am (GMT1)
Rrënjët, gjaku dhe trualli kanë shumë rëndësi për ta.
Shkrimtari nga Mali i Zi Mirash Martinoviq ka qasje dashamirëse për antikën
tonë, duke shkruar me dashuri e respekt për historinë e ilirëve dhe të mbretërve
ilirë. Mrekullohet me kulturën shpirtërore e materiale, më kështjellat të cilat
edhe sot e kësaj dite janë buzë detit, në Kotor, apo në qytetet e tjera deri në
Ulqin. Artisti nuk duket që synon të përvetësojë të kaluarën e të tjerëve, por
qëmton në këtë pasuri materiale e shpirtërore me dashuri e përkushtim. Një
pjesë jo e pakët e malazezëve të sllavizuar ta thonë më mburrje se ata u
takonin rrënjëve ilire, por gjatë shekujve ndryshuan kombësi. Edhe ata duan të
kërkojnë rrënjët në antikë e jo tek fiset nomade që erdhën nga Karpatet.
Është po ashtu e habitshme sa këmbëngulës janë sllavët e Maqedonisë për të
kërkuar të kaluarën e tyre në antikë, tek ilirët, atje ku nuk i kanë rrënjët
dhe ku nuk ishin kurrë gjatë historisë.
Të skandalizon përvetësimi agresiv i kolosit ilir-dardan- Konstandinit të Madh
që ia bënë historiografia serbe, ndërsa ne i kalojmë në heshtje këto
përvetësime. Edhe ata duan t'i kërkojnë rrënjët atje ku nuk i kanë, sepse të
qenit fis nomad i vë në siklet.
Sllavët e Maqedonisë, duan ta përvetësojnë të kaluarën e të tjerëve, për të
futur rrënjët e tyre në thellësinë e tokës, e cila kurrë më parë nuk qe e tyre.
Duke përvetësuar herë një kolos, herë një tjetër, përpiqen t'ua përplasin
etnisë shqiptare euforinë e mujsharit. Duke përvetësuar kulturën dhe
personalitetet antike, Lekën e Madh, babanë e tij, Filipin, u ngrehin monumente
gjigante të papara kund tjetër, u këndojnë himne, ua shtrembërojnë të kaluarën
dhe përkatësinë, sepse e kanë pushtuar tokën e tyre. Duan të bëjnë shtetin, por
mbi gënjeshtra e përvetësime.
Ne nuk ua bëmë asnjë përmendore Konstandinit të Madh apo Lekës së Madh, nuk i
kujtuam në asnjë përvjetorë dhe nuk u kushtuam asnjë vepër artistike (libra,
portrete, filma, monumente). Ende më keq, nuk reaguam as kur i përvetësuan të
tjerët. I ndjekin këto përvetësime me gjakftohtësinë budiste, s'na bëhet vonë
as sot dhe as në mot. Pavarësisht neglizhencës sonë të pafalshme, të bënë
nervoz se si edhe serbët rrënjëshkulur, përpiqen të përvetësojnë Konstandinin e
Madh, njërën ndër figurat më të mëdha të historisë kombëtare, i lindur në
Iliri, (Nish), qytet shqiptar që para më shumë se 100 vjetësh ishte okupuar nga
serbët. Beogradi organizoi simpozium, financoi projekte të kushtueshme
kinematografike për personalitetin më të shquar ilir-dardan, ndërsa në
Prishtinë nuk e kujtuam më asgjë. Në Tiranë u mbajt një simpozium, ku mori
pjesë edhe kreu i shtetit shqiptar. Por a mjafton më kaq? Ku janë shtatorët,
filmat, librat, portretet historike? Pse duam t'i shkulim rrënjët?
Përderisa ne jemi shpërfillës ndaj të kaluarës, nuk i kërkojmë rrënjët, nuk e
përfillim gjakun dhe truallin, mercenarët shqipfolës (por që nuk janë
shqiptarë, kryesisht janë aziatik të vendosur në trojet shqiptare gjatë
okupimit turk ), duan të na i shkulin rrënjët, të na shkëpusin nga e kaluara,
t'ua falin të tjerëve truallin dhe gjakun tonë dhe të na shndërrojnë në fise
nomade me çadra beduinësh. Kjo dukuri e shëmtuar është e pranishme në Kosovë
dhe, tek shqiptarët etnik në Shkup e Kumanovë. Derisa mercenarët antishqiptarë
punojnë në koordinim më armiqtë tanë historik që i përvetësojnë personalitetet
apo historinë tonë, ashtu sikurse e pushtuan truallin tonë, pjesa më e
vetëdijshme e kombit-elita është bukur inerte, apatike, nuk shkruajnë as nuk i
kujtojnë emrat e kumbueshëm të antikës, nuk e përmendin fare lavdinë e
Dardanisë, Konstandinin e Madh, apo heronjtë ilirë, i shmangen festave apo
traditave antike (Darka e Lamës, flamuri i Dardanisë, prodhimet antike vendëse
etj). Ndërkaq, mercenarët antishqiptar e përqeshin më dashakeqësi të kaluarën,
ku e ku përpiqen ta heshtin fare, sepse atë detyrë kanë- të shlyejnë historinë
dhe të himnizojnë pushtuesit.
Të tretët, ata të frymës ideologjike synojnë ta pronësojnë të tashmen për
interesa meskine politike, ekonomike e pushtetore, duke shpërfillur historinë,
thua se çdo gjë fillon nga viti 1999 ashtu sikurse për partizanët që çdo gjë
fillonte pas vitit 1945. Nga frika se mos ua zënë diellin e lavdisë emrave të
luftës së fundit, i kanë lënë në harresë të tërësishme heronjtë e antikës, nuk
i përmendin as në përvjetor dhe, as në hierarkinë e emrave të kumbueshëm. Si do
ta plotësojnë boshllëkun dymijë vjeçar? Me zhurmë shurdhuese e tullumbace? Apo
në koalicion të heshtur me mercenarët që duan t'ua shkulin rrënjët shqiptarëve?
Gjaku, trualli dhe rrënjët janë fondamenti i kombit tonë. Historinë dymijë vjeçare po e fshijmë nga kujtesa!
Është vështirë të arsyetohet heshtja që u bëhet personalitete të fuqishme të
historisë kombëtare nga antika e deri në mesjetë, është vështirë pse
shpërfillen bëmat e tyre, ose pse lejohet që bëmat dhe emrat e tyre të
përvetësohen nga serbët apo nga sllavët e Maqedonisë. Maqedonasit i ngritën
përmendore Lekës së Madh, ndërsa ne nuk ia bëmë asnjë bust të vetëm në
Prishtinë, Tetovë apo në Tiranë. Leka ishte i fisit tonë jo vetëm nga nëna
(Olimbia), sikurse e paraqesin historianët, por edhe nga babai, sepse
maqedonasit ishin pjesë e fiseve ilire. Sllavët erdhën më shumë se dhjetë
shekuj pas bëmave të Lekës së Madh.
Në vend të zgjerojmë gamen e heronjve, në vend të dalin nga dhjetëvjetëshi i
fundit, sepse nuk e kemi një histori dhjetëvjeçare, ashtu sikurse duan të na e
imponojnë trushkulurit, sikurse duan të na e imponojnë Lindja e Perëndimi, ne
jemi mbyllur në dy-tre emra, duke i rënë vi historisë gati dymijë vjeçare.
Jemi popull pa rrënjë? Kemi të kaluar, kemi të tashme, apo të ardhme? Sepse
nëse s'kemi të kaluar, pra, nëse duam ta fshijmë historinë dymijë vjeçare, s'do
të kemi as të ardhme. Sipas qëndrimit politik e institucional, apo sipas asaj
që lexojmë nëpër gazeta, që shohim në televizion, ose që na e imponon
literatura e pavlerë historiografike, "kosovarët" dolën në skenën historike
vetëm në mileniumin e tretë! Kjo tezë po përvijohet gjithnjë e më shumë. Po
shqiptarët e Dardanisë, ku janë? I hëngër ujku! Kujt i duhet kjo gjë? Shteteve që duan tutelë të vazhdueshme mbi ne, atyre që kanë angazhuar mercenarë shkombëtarizues, duke u përpjekur të na imponojnë ideologji të reja lindore, thua se pak e patën komunizmin. Të gjitha ideologjitë: komuniste e islamike ishin dhe janë thellësisht antishqiptare. Sa më parë ta kuptojnë këtë gjë elitat politike e pushtetore, aq më mirë për kombin tonë, ndryshe rrezikojmë të rrëshqasim në harresë, të mos jemi, ose të bëhemi territor për pazare ndërkombëtare. GANI MEHMETAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |